E merkure, 24.04.2024, 04:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Adrian Gaxha: Surprizat e shfaqjes time në Evrovizion në maj

E merkure, 02.04.2008, 08:33 PM


Mësojeni të vërtetën e dashurisë time!

Nga Leontina NIKA

Adrian Gaxha
Tashmë kanë kaluar disa ditë nga zgjedhja e këngëtarit të talentuar Adrian Gaxha si përfaqësues i Maqedonisë në Evrovizion, por emocionet janë akoma të freskëta për të. “Jo vetëm se është hera e parë në historinë e këtij shtetit që përfaqësohet në një kompeticion kaq të rëndësishëm nga një shqiptar, por edhe për vetë faktin se u ndjeva i përkrahur nga të gjitha pakicat që jetojnë në Maqedoni,” shton Gaxha.  Kënga i përket rrymës pop, ka ritëm dhe vlera artistike. Ai thotë se së bashku me dy miqtë e tij, këngëtaren Tamara dhe repin Vrcaku, janë duke e incizuar këngën në versionin anglisht, version me të cilën do të përfaqësohen më 20 maj në Beograd. Gjithashtu, janë në momentet e fundit të skicimit të kripit realizues. Kohët e fundit Gaxha është përfolur shumë edhe për lidhjen me një velinë këtu në Tiranë. Këto dhe shumë detaje rreth jetës së tij artistike dhe private do mund t’i lexoni në këtë intervistë ekskluzive, dhënë për revistën “Spektër”.

Për herë të parë në historinë e shtetit të Maqedonisë po ndodh që një shqiptar do ta prezantojë këtë vend në Këngën e Eurovizionit 2008. Si ndiheni tani?

Po të them të drejtën, akoma jam si në ëndërr dhe me të vërtetë ndihem shumë mirë, sepse, pikë së pari është shumë e rëndësishme për një këngëtar shqiptar ta arrijë këtë qëllim në Maqedoni. Dhe e dyta, ndihem mirë, sepse me të vërtetë kisha përkrahje të madhe, jo vetëm nga populli im, por edhe nga krejt pakicat që jetojnë në Maqedoni. Ky fakt nuk ka ndodhur asnjëherë këtu.

Ju jeni pjesë e ekipit prej tre personash që do të përfaqësoheni në këtë kompeticion të rëndësishëm. Çfarë mund të na thoni rreth këtij prezantimi?

Ne të tre jemi shokë shumë të ngushtë edhe në jetën private. Janë plot shtatë vite që shoqërohemi bashkë, kështu që të tre shpesh jemi si një njeri, një mendje. Mund të them me plot gojën për vajzën që këndon me mua, Tamarën, se është një prej vokaleve më të mira në Maqedoni. Ndërsa i treti është kompozitori dhe reperi më i njohur në Maqedoni, Vrcak, me të cilin bashkëpunoj prej shumë kohësh.

Mund të na shpjegoni diçka rreth këngës, rrymës muzikore dhe bashkëpunimit me artistët maqedonas?

Kënga është definitivisht hit i madh, pasi në çdo vend që e kemi prezantuar pa frikë është kthyer në hit brenda një nate. Mua personalisht më pëlqen shumë. Kënga është realizuar nga unë dhe Vrcaku (djali që këndon me mua). Rryma muzikore është pop, ka stil dhe besoj se mirëpritet në ambiente të ndryshme mirë, sidomos në Shqipëri, ku popi rezulton i suksesshëm dhe i mirëpritur. 

Pse pikërisht e keni titulluar “Në emër të dashurisë”?

Çdo këngë timen ia dedikoj dashurisë, sepse më pëlqen kjo ndjenjë. Plus dashuria është absolutisht vitamina më e mirë te çdo njeri.

Kur morët vesh lajmin se ju do jeni pjesëmarrës në Eurovizion, mund të na i përshkruani pak emocionet dhe a është e vërtetë që jeni shprehur se ndiheni si në ëndërr?

Sinqerisht më dukej e pabesueshme kur u thirr emri im si fitues. Bashkë me dy kolegët e mi u gëzuam pa masë, pasi ishim përgatitur shumë për këtë eveniment. Definitivisht, thashë se jam në ëndërr, sepse ëndrra e çdo këngëtarit dhe jo vetëm e imja, është të marr pjesë në spektakle të mëdha dhe të prek skena ku janë prezent këngëtarë nga tërë Europa. Po, jam i vetëdijshëm t’i shikoj të dyja anët e medaljes. Nga njëra anë është obligim shumë i madh, nga ana tjetër ka brenda edhe riskun, sepse Eurovizioni sa është i mirë mund të shfaqë edhe të kundërtën, nëse nuk shfaq prezantim të mirë në skenë (qesh).

Sa kohë më parë keni punuar për t’u përfaqësuar denjësisht në këtë konkurs dhe sa këngëtarë morën pjesë kur ju fituat?  

Për pjesëmarrjen në këtë konkurs kemi punuar shumë. Tre muaj para festivalit kemi punuar natë e ditë në studio rreth këngës, sepse kemi synuar të sjellim një këngë të bukur me ritëm, si dhe të kompletuar e me parametra artistikë. Po besoj se ia arritëm qëllimit, pavarësisht se nuk pritëm që kënga të fitonte, pasi kishte konkurrencë të madhe. Ishin pjesëmarrës në garë këngëtarë shumë të talentuar maqedonas dhe kishte me të vërtetë këngë të bukura.

Kujt ia dedikoni fitoren për pjesëmarrje në Festivalin Europian?

Gjithë grupit realizues të këngës, pa përjashtim, pasi secili ka kontribuar me ide dhe punë.

Sa emocionuese dhe rrëqethëse janë garat për një këngëtar?

Realisht, unë personalisht kam qenë në stres të madh. Askush nuk e di se si është pas skenës, veç këngëtarëve. Por gjithmonë jam munduar të jem sa më i relaksuar dhe mos t’i shoh festivalet si garë, por si një prezantim të punës time në skenë, asgjë më tepër. Vlerësimi ka pak rëndësi, pasi gjithnjë mendoj që të paraqitëm denjësisht aty ku unë vendos të marr pjesë.

A keni marrë urime nga kolegët tuaj deri tani?

Po, kam marrë, sidomos nga kolegët e estradës tonë, por edhe nga kolegë në shtetet e tjera ku kam qenë kohët e fundit prezent me koncerte të ndryshme.

Ju përfaqësoni shqiptarët e Maqedonisë, por ka zëra që thonë se kënga do të këndohet në maqedonisht. Si qëndron e vërteta?

Askush nga ne deri tani s’ka thënë se kënga do jetë maqedonisht. Por shumë mirë që m’u dha rasti dhe t’i sqaroj ata që flasin se kënga do të jetë vetëm në gjuhën angleze.

Ky është një debat i hapur edhe në shumë faqe web-i. Çfarë do t’u thoni gjithë atyre që kanë bërë komente të ndryshme rreth kësaj teme?

Realisht, është hera e parë që po i dëgjojë këto komente rreth gjuhës së këndimit të këngës dhe nuk di çfarë të them, por gjithsesi unë nuk jam ai që mund ta ndryshojë politikën në Maqedoni. Unë mund të kem ndikim në kulturën e Maqedonisë si, ja për shembull tani që fiton një shqiptar. Kënga është e imja dhe është në duart e mia, por unë do them tani kënga se si dhe në cilën gjuhë do të këndohet!

A mendoni se patriotizmi ka forma të ndryshme shprehjeje dhe, në të vërtetë sa patriot jeni ju? Këtë pyetje e bëj për t’u dhënë një përgjigje të gjithë atyre që abuzojnë paksa me këtë fjalë?

E di që ekziston patriotizmi negativ dhe patriotizmi pozitiv. Për mua patriotizëm negativ është kur dikush nuk të bën asgjë, por e shan popullin tjetër, si dhe pozitiv kur dikush punon natë e ditë për të drejtat dhe kulturën e popullit të vet

Jeni dakord me shprehjen se “muzika nuk njeh kufij dhe madje është ambasadori më i mirë për të bashkuar kombet”?

Absolutisht jam dakord me këtë thënie, madje do të thosha se kultura nuk njeh gjuhë; ajo njeh vetëm kualitet dhe punë.

Ju do të  konkurroni natën e dytë, ku ju pret edhe një garë tjetër e fortë me 14 këngëtarë e që secili përfaqëson shtetin e vet. Për të qenë pjesë e finales, a shpresoni të hyni në gjysmëfinale dhe më pas në finale?

Këtë mendoj se e di vetëm Zoti. Për momentin, ka pak rëndësi që jemi natën e dytë, ku prezantohen shumë shtete nga më të fuqishme, por kryesorja është që ne të punojmë fort dhe të japim maksimumin tonë në atë skenë. Le të jetë si të jetë, në aspektin e kualifikimit ose jo...

Ju gjithnjë i keni kushtuar shumë rëndësi performancës, si në skenë dhe në klipe, gjë që edhe në këtë kompeticion e ka një peshë të madhe. Mund të na zbuloni diçka?

Këto ditë po e përfundojmë këngën në versionin tjetër, në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe, dhe më pas do fillojmë punën rreth pamjes skenike. Ju garantoj se do të punojmë natë e ditë, sepse me të vërtetë dua që të bëjmë një performancë të bukur në skenë. Kjo pikë është shumë e rëndësishme për këtë festival, pa anashkaluar edhe pjesën e këndimi.

Në look, sa ndryshe do të vini, së bashku me dy personazhet e tjera?

Preferoj të mbetet surprizë, por besoj se do të jetë diçka e këndshme, një performancë e menduar mirë dhe në detaje.

A e keni realizuar klipin e këngës me të cilën do të përfaqësoheni në Festivalin Europian? Nëse po, ku konsiston e nëse jo, si e keni planifikuar realizimin dhe me kë do të bashkëpunoni?

Ende s’e kemi incizuar versionin e ri të këngës.  Do ta mbarojmë këtë javë dhe menjëherë do realizojmë edhe klipin. Jemi duke menduar disa opsione bashkëpunimi, por akoma nuk e kemi vendosur. Klipi do jetë shumë i përshtatur me këngën e me mesazhin e saj .

Edhe një pyetje disi jashtë kontekstit, por që ka zgjuar kureshtjen e publikut në Tiranë. A është e vërtetë se jeni i dashuruar me një velinë në Tiranë? E bëj këtë pyetje, sepse në shumë faqe të të përditshmeve përflitet ky fakt. Por si qëndron e vërteta, e thënë nga vetë ju?

Hahaaa! E prisja këtë pyetje (përsëri qesh). Tani po bëhem serioz dhe do jem i sinqertë në përgjigje. Për  momentin, s’kam femër, nuk kam vajzë, jam vetëm dhe me punë tërë ditën. Ndërsa, nëse është pyetja se a jam i dashuruar, as vetë nuk e di...(Qesh)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora