E enjte, 25.04.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Drita shqiptare e mërgimtarëve tanë

E marte, 05.06.2012, 06:09 PM


DRITA SHQIPTARE E MËRGIMTARËVE TANË

(Nehat Jahiu, Poemë për mikun Sadulla Zendeli Daja, Borås, 2012)

Krishti i drejtohet Shën Palit për shpërndarjen e krishtërimit në Iliri, Gjergj Kastrioti e solli dritën shqiptare në Arbëri, ndërsa Nehat Jahiu e konsideron personazhin e këtij libri si një misionar të lindur me dashuri patriotike, intelektuale e atdhetare, si një intelektual me ide përparimtare dhe misionar i shqiptarizmit në Skandinavi.

Nga Baki Ymeri

Titulli përcakton vendin në gjeografinë e ndjenjave, ndërsa mendimi derdhet në vargje që dëshmojnë se poezia është një guxim i mveshur me vesën e sinqeritetit dhe luciditetit. Jeta dhe vepra e protagonistit të kësaj poeme del nga tiparet e një tensioni që krijohet nga një botë e reflektuar në gjeografinë e mallit. Nehat Jahiu vjen para opinionit me një vepër të re kushtuar njërit nga veprimtarëve më të shquar të diasporës shqiptare në Skandinavi. Në këtë poemë bëhet fjalë për ngjarje të ngjara në brigjet e atdheut dhe pranë polit të veriut, në Suedinë e largët ku mërgimtarët tanë e ndjejnë veten si në shtëpinë e vet, apo si në atdheun e tyre të dytë, siç shprehet Ismet Hasani në një poezi të tij. Libri nuk ka karakter personal por në faqet e tij, që nga vargjet e para defilon shpirti i madh i një atdhetari që justifikon faktet e apostujve që lindin dhe shkrihen për komb e atdhe.

Krishti i drejtohet Shën Palit për shpërndarjen e krishtërimit në Iliri, Gjergj Kastrioti e solli dritën shqiptare në Arbëri, ndërsa Nehat Jahiu e konsideron personazhin e këtij libri si një misionar të lindur me dashuri patriotike, intelektuale e atdhetare, si një intelektual me ide përparimtare, siç kemi patur fatin ta njohim para disa vitesh në një Panair të Librit në Tetovë, me një libër ballinash të mrekullueshme kushtuar gjuhës shqipe dhe lexuesve të saj. Jeta dhe vepra e Sadulla Zendeli Dajës është një jetë martirësh që dit/e/natë mendojnë për Shqipërinë e bashkuar në totalitetin e Saj historik, etnik dhe gjeografik. Sipas autorit të kësaj poeme të gjatë, ai është një poet “zemërkallur e zemërprush/ dashurinë për vendlindje nuk ta ndali askush”.

Para nesh kemi një vepër briliante që shkëlqen me një përmbajtje të strukturuar në bazë të afirmimit të shpirtit tonë në diasporë. Sadulla Zendeli Daja nga Sërmnova e Gostivarit, bën lobi për afirmimin e gjuhës së bijve të shqipes në veri të Europës, duke na i përkujtuar rilindësit tanë që luftuan me vetëmohim të rrallë për përhapjen e shqipes së shkruar e të kulturës në gjuhën amtare, për zgjimin dhe përfortcimin e ndërgjegjes patriotike të masave dhe sidomos të rinisë, për organizimin e lëvizjes së çlirimit. Ai inkorporohet në spektrin e poetëve, publicistëve dhe shkrimtarëve që u përpoqën të çelin udhën e letërsisë së re, përkrah shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur që ka bota shqiptare në trojet e Skandinavisë.

Ate që e bënin bijtë e shqipes dikurë, duke kërkuar krijimin e teksteve të mësimit, abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave, e bën viteve të fundit Sadulla Zendeli Daja në diasporë. “Rrezet e shkronjave ty herët të bënë dritë/.../ udhën e shkronjave vazhdove.../ që nga shpirti yt të rridhnin si ujëvarë.” Nehat Jahiu shkruan për mallin e me mallin e dashurisë në shpirt e në sy, duke e përkujtuar Suedinë si “shtet me vlerë” që i tha poetit “eja te ne e futu brenda në bibliotekë!”. Sadulla Zendeli Daja është Pandel Sotiri i ditëve tona. Tërë jetën ia përkushtoi kultivimit të gjuhës dhe traditave kombëtare. Për këtë rast të rrallë të atdhedashurisë shqiptare flasin veprat e tij me akte e fakte. Sipas autorit, ai hapi shkollën e parë shqipe për fëmijët shqiptarë, që ishin atje në Suedi me prindërit si mërgimtarë. Dhe jo vetëm, kaq, ai hapi edhe një shkollë tjetër “me burbuqe”, në Emmboda, dhe një në Kalmar, e në qendra tjera, dhe kështu, shkallë-shkallë, mori hov mësimi në gjuhën shqipe për herë të parë, me fëmijët shqiptarë që ishin në Suedi si mërgimtarë.

Poema është e shkruar në vargje klasike dhe me rimë, por autori ka njohuri të mjaftueshme të stilistikës letrare dhe dëshmon se është arsimtar, poet dhe patriot. Njësoj si personazhi qëndror i kësaj vepre, edhe Nehat Jahiu digjet për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe i konsideron mërgimtarët e vegjël si do dallëndyshe. I këtillë është edhe Sadulla Zendeli Daja i poemës respektive, arsimtar dhe atdhetar, madje edhe ideatori i pregaditjes dhe botimit të kësaj vepre, Sokol Demaku që e mban gjallë shpirtin shqiptar në Suedi përmes radio Diturisë, revistës Dituria dhe aktiviteteve të tij të ditëpërditshme në funksion të mërgatës shqiptare. Numri i nxënësve të personazhit të kësaj vepre, që nga pesë apo dymbëdhjetë, tashmë ka arritur në 15-18 mijë vetë që kanë defiluar nëpër shkollat e hapura prej tij, në çdo cep të Skandinavisë. Nga vjen kjo? Kjo vjen nga dashuria ndaj gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar, ndaj bijve të vegjël të shqipes që gostivarliut tonë i duken “si fluturat e bardha”.

Poema respektive nuk është tjetër veçse një libër i dashurisë ku çdo mërgimtar e gjen vetveten dhe vendlindjen e vet:  “Do pushosh nën hijet që i ke dashur shumë/ pranë ujit të çezmave që derdhin ujë  shumë,/ aty do të prehesh gjithmonë, si një engjëll i qetë/ në varrin e tokës sate që s’ësht’ vdekje por jetë. Nuk e dimë në ekzagjeron autori kur e konsideron personazhin e kësaj poeme si “legjendë e gjallë”, por e dimë se një legjendë e këtillë kanë qenë edhe Naum Veqilharxhi e Nikolla Naço në kohën e tyre, edhe Petro Nini Luarasi, Ndre Mjeda e qindra dhe mijëra bij të shqipes anembanë rruzullit tokësor.

Sadulla Zendeli Daja, sipas autorit, është “një lis me degë e me rrënjë të thella/ që kurr nuk të luhati e nuk të shkuli era,/ ti je një zë bilbili, je një zë, zë poeti/ që të njohu vendlindja, atdheu e kurbeti.” Daja për të cilin kemi dëgjuar shumë e për të cilin kemi lexuar pak, është një mërgimtar me shpirt të florinjtë dhe zemër të zjarrtë, një shpend shtegtar, mësuesi i parë që hapi shkollat shqipe në Suedi, një poet i përmallimit, një mjeshtër i rrallë i penës, një zë i shquar i ndërgjegjes kombëtare, një shkabë arbërore në trojet e mërgimit, “një kështjellë dardane që nuk di të rrënohet/ që me gjak shqiponje gjithnjë po forcohet.” Libri përmbyllet me zanat shqiptare dhe Mollën e Kuqe që simbolizon kufirin e lashtë që e shkëputën barbarët, si dhe me flamurin e dëshirave tona të zjarrta për bashkim kombëtar. As që ka nevojë ta bezdisim më tej lexuesin me vlerësime të këtilla kritike, duke ia ofruar lexuesit veprën e autorit për deshifrim dhe admirim!



(Vota: 28 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora