E enjte, 25.04.2024, 10:48 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Victor Frobin: Shqipëria, dekania e racave, dhe më e vogla e shteteve

E marte, 05.06.2012, 03:08 PM


SHQIPËRIA, DEKANIA E RACAVE,

DHE MË E VOGLA MES SHTETEVE

Nga Victor Frobin

Artikull i ilustruar, botuar në revistën franceze

“Je sais tout”, 15 qershor 1913.

Përktheu: Fotaq Andrea

Pas shekujsh harrese, Shqipëria zë befas vendin e parë në aktualitetin botëror. Dhe siç do ta shohim, sa çështje e ndërlikuar dhe e ngatërruar që qenka kjo çështja shqiptare!

“Ne jemi të gjithë të barabartë përpara Shqipërisë!” - më deklaroi në veçanti e mirëkuptim një diplomat, tek i cili e pashë të urtë e të arsyeshme të shkoja të konsultohesha me të përpara se t’i  hyja kësaj monografie. “Historianë, gjeografë, etnologë, diplomatë, ne futemi të gjithë brenda së njëjtës kategori: sepse ne nuk njohim asgjë - asgjë fare - rreth këtij vendi dhe rreth banorëve të tij!”

S’kisha pse të demoralizohesha nga këto fjalë e të ndalesha këtu. Si shfrytëzova njohjet e francezëve të rrallë – agjentë konsullorë, misionarë, tregtarë – që kanë banuar në zonat kufitare të këtij vendi misterioz, si gërmova në bibliotekat dhe arkivat tona për gjithçka të shkruar e botuar rreth këtij subjekti, e përfundova hulumtimin tim tek intervistova shumë shqiptarë vendosur në Francë, duke arritur kështu në një konkluzion që nuk e nxjerr aspak zhgënjyes pesimizmin e diplomatit tim!

Oh! jo se mungojnë të dhënat! Por sepse mjaft t’i drejtoheni çfarëdo burimi dhe do shihni si përplasen dhe si bien ndesh mes tyre tërë pohimet, aq sa është me të vërtetë për të ardhur keq. Një udhëtar vete e ju thotë se shqiptarët janë populli më mikpritës në botë, dhe një tjetër, veç kur i përshkruan si keqbërësit më të mëdhenj. E si të krijosh atëherë një mendim të saktë në përplasjen e këtyre kundërshtive kaq të forta!

Por s’ka pse çuditemi tejet nga një kaos i tillë! Mjaft të kujtojmë se mitologjia greke e kishte vendosur portën e Ferrit në kërthizën e po kësaj Shqipërie, ku Akeroni dhe Kokitosi rrapëllenin valët e ujërave të tyre gjithë turbullimë e zezonë! Tokë errësirash dhe misteresh për popujt e lashtësisë, asaj i është dashur të përshkojë shekuj të tërë për të ruajtur gjithë ngadhënjim të fshehtat e veta.

Misteri i parë për t’u ndriçuar: cila është origjina e kësaj race, për të cilën diplomacia synon të bëjë shtetin më të ri të botës? Përgjigja na vë në prani të një kontrasti të çuditshëm: ky popull, i lindur rishtas në jetën politike, na është dekani i racave evropiane.

Në këtë pikë, punimet e fundit të antropologjisë përputhen me traditat më të lashta të popujve grekë. Kur këta të fundit, shumë shekuj përpara erës së krishterë, u shfaqën nga thellësi e Azisë duke u vendosur në brigjet përreth Detit të Zi*, krejt gadishulli ballkanik dhe ishujt e Arqipelit zotëroheshin nga një racë së cilës të ardhurit e rinj i dhanë emrin Pellazgë, duke i prapsur drejt maleve. Disa popullata prej tyre u shfarosën; të tjerë – si ato të ishujve – u bënë skllevër.

Ndërkohë që Helenët u vendosën në atdheun e tyre të ri, ku shumë shpejt do kalonin nga regjimi patriarkal në atë të qytezës, të mundurit gjenin në malet e tyre fole shqiponjash, nga ku mund të përballnin përrenjtë e migrimeve etnike pa e përzier gjakun e tyre me atë të hordhive që iu sulën pushtimit të Evropës. Skutari, themeluar  një shekull apo dy përpara Romës, mbron ngadhënjyeshëm pavarësinë e vet ndaj ambicieve joniane. Është e vërtetë që ai bie nën sundimin e Maqedonëve të Aleksandërit; veçse fiset për të cilat ai ishte kryeqyteti, nuk do vononin ta rimerrnin që përpara se të copëtohej vetë ajo perandori e përkohshme.

Pas falangës maqedone, ja ku vjen legjioni romak. Luftëra vdekjeprurëse i bëjnë më në fund të mundur Romës të aneksojë brigjet lindore të Adriatikut, por ama, vetëm brigjet. Gotët kalojnë si rrebesh, por pa guxuar të depërtojnë në atë labirint grykash e honesh, ku veç ta shihnin veten të shfarosur nga malësorë të rreptë e të pakapshëm.

Më pas, ja ku vijnë avarët, serbët, bullgarët njëpasnjë, duke i rënë qark kështjellës së pamposhtur, si dhe Venediku, që arrin të zaptojë Skutarin për disa vjet. Turqit, krenarë që rrafshuan gjithçka para tyre, veç kur ndeshen me trimërinë e Skanderbegut dhe të luftëtarëve të tij të pathyeshëm; mirëpo, ja anarkia, aleatja e tyre, tek ua jep në dorë më në fund hyrjen e labirintit.

Tre shekuj do rrjedhin. A të jenë shkrirë vallë shqiptarët në masën otomane, përderisa nuk japin më shenjë jete?  Jo, jo, aspak! Një prijës fisi, Mehmet Bushtlliu, rivendos bashkimin midis fiseve dhe e detyron sulltanin (më 1770) të rinjohë autonominë administrative të Shqipërisë, e cila ruan kështu të drejtën, gjer më 1831, për të pasur për drejtues një pasha vendas.

Më 1878, të kërcënuara nga një copëtim përpara fitoreve sllave, fiset krijojnë Lidhjen shqiptare: një hovje e parë drejt rikrijimit politik të një kombësie që i ka bërë ballë shkërmoqjes përgjatë shekujsh të tërë. Ngjarjet vijojnë njëpasnjë me shpejtësi. Revolucioni që shfuqizon Abdyl-Hamitin duartrokitet në Shqipëri; por xhonturqve, ja ku u shkon ndër mend, në mënyrën më të pakuptimtë, t’u heqin malësorëve privilegjet e tyre shekullore. Shpërthen kryengritja me shkëndijën fatale, dhe zjarri përhapet nga vatra në vatër.

Pa revoltën shqiptare, Italia as që do kuturiste në aventurën e vet tripolitane, kurse Mali i Zi, veç do rrinte gëg, pa bëzajtur. Shqipëria është një nga ato diamante për të cilat thuhet se sjellin mjerim kur i zotëron...

Shqiptarët, banorët e parë të gadishullit ballkanik?

Kjo kumtesë duhet të ketë nxjerrë tashmë në pah dy fakte të një rëndësie madhore, dhe konkretisht: që kombi shqiptar nuk është një sajesë diplomatike, siç kanë folur gjuhët e liga, dhe se Shqiptarët, që janë autoktonët e vërtetë të gadishullit ballkanik, kanë të drejtën e pavarësisë: patriotizmi i tyre i zjarrtë dhe këmbëngulës i bën ata të denjë për këtë pavarësi.

Nga ana tjetër, s’ka pse ta parashtrojmë çështjen në një kuadër sentimental; le të kërkojmë nëse gjendja e tyre shoqërore dhe qytetërimi i tyre i sotëm i bëjnë ata të aftë për vetëqeverisje, apo nëse po të njëjtat arsye i ndëshkojnë përkundrazi të ngelen nën tutelë.

Le të kujtojmë shkarazi se termat Albanezë dhe Albania janë fjalë që vetë të interesuarit nuk i njohin aspak. Ata e quajnë veten e tyre Skipetarë, kurse vendin e tyre e quajnë Skiperia. Zanafilla e fjalës, që ka filluar të përdoret në gjeografi, mbetet e pështjellë. Një shqiptar, bukur fort i arsimuar (është doktor në Akademinë tonë të mjekësisë), të cilit i drejtova pyetjen rreth kësaj çështjeje, më mësoi se ky term [Albania], i panjohur nga Grekët dhe Romakët, u krijua nga trafikantët venedikas rreth shekullit XIV. Na qenkësh thjesht një bastardim nga Elbasan, emri i një fisi dhe i një qyteti që kanë luajtur një rol të madh në historinë e vendit.

Cila është rëndësia numerike e kësaj race të çuditshme? S’kam pse e çudis aspak lexuesin po t’i theksoj se Shqiptarët e Shqipërisë asnjëherë nuk kanë njohur regjistrim të popullsisë. Turqia as në interesohej për regjistrim të atyre popullatave, të cilat i prisnin taksambledhësit e saj me të shtëna dyfeku! Të dhënat që ne zotërojmë rreth kësaj çështjeje janë çuditërisht kontradiktore.

Nëse pyesni politikanë serbë, malazezë apo grekë, ata do t’ju lënë përshtypjen se Skipëtarët janë në shumë-shumë një milion vetë! Nëse pyesni një shqiptar, do t’ju duhet, më e pakta fare, ta pesëfishoni këtë shifër! Ne, nga ana jonë, priremi të mendojmë se shqiptarët e Shqipërisë janë rreth dy milionë e gjysmë, së cilëve u duhet t’u shtojmë 500 000 shqiptarë që janë qytetarë grekë, 400 000 shqiptarë, subjekte italiane dhe 100 000 shqiptarë që kanë mërguar në Shtetet e Bashkuara apo janë vendosur në Egjipt, Rumani, etj.

Kolonia e vendosur në Itali meriton të përmendet në mënyrë të veçantë. U themelua në shekullin XV nga Skipetarët të cilët, duke iu larguar murtajës së sundimit turk pas vdekjes së Skanderbegut, heroit kombëtar, kaptuan Adriatikun. Pesë shekuj kaluan dhe pasuesit e këtyre emigrantëve flasin ende mes tyre gjuhën e stërgjyshërve. Crispi** nuk do mungonte të bëhej në kohën tonë përfaqësuesi i shkëlqyer i një race që i kishte dhënë më parë Kishës Romane një papë*** dhe shumë kardinalë, e në art, një nga piktorët më të famshëm italianë, Francesco Albanin, të quajtur l’Albane.

Por, siç do ta shohim, nga pikëpamja e gjendjes shoqërore dhe e kulturës intelektuale, as që mund të krahasohen Skipetarët e gadishullit ballkanik me vëllezërit e tyre të gadishullit italik!

Shqipëria është si një Francë e vogël e Mesjetës ku duket i dështuar evolucioni politik dhe vetë ajo, është e kristalizuar brenda një regjimi të ngushtë feudal. Asgjë nuk mungon në tablo: as vasalë të mëdhenj të kurorës – bejlerë trashëgimtarë, prijës fisesh a klanesh – as drejtues milicie, as edhe bujkrobër – bujq dhe krahë pune të racës sllave lidhur pas tokës në çilfligjet e fisnikëve dhe të sivëllazërive fetare (myslimane, ortodokse apo katolike). Asgjë nuk mungon në të, as madje luftërat e brendshme që vazhdimisht përplasin mes tyre fise, klane apo familje, me gjakmarrje të pashuar.

Emrat më të rëndësishëm të këtyre fiseve janë bërë më se të zakonshme për veshët tanë: kemi kësisoj Mirditorët, të gjithë të fesë katolike, dhe që formojnë me sa duket, nën drejtimin e princit të tyre trashëgimtar, Bibdoda Prenk, konfederatën shqiptare më të fuqishme; kemi Malisorët, të fesë ortodokse, përzier me ndoca fise katolike apo myslimane; kemi Liumotët [Lumiotët], pothuaj të gjithë sektatorë të profetit Muhamet.

Çdo fis lypset t’i bindet princit të vet, i cili merr titullin pasha apo bajraktar, dhe që i qeveris subjektet e tij me ndihmën e një këshilli të përbërë nga prijës farësh apo klanesh. Këta të fundit po ashtu, kanë nën vartësinë e tyre krerët e familjeve që përbëjnë klanin.

Kuptohet se kjo shkërmoqje e autoritetit favorizon anarkinë, e cila sundon në gjendje të fshehtë në këtë vend piktoresk. Fiset kanë kufij të përcaktuar qartë falë kreshtave malore, rrjedhave të lumenjve e përrenjve dhe, kur janë në zënkë mes tyre, gjithkush që kapton kufirin, qoftë edhe për t’i rënë pas një dhie që ka shkuar në territorin e fisit armik, veç kur e sheh veten të humbasë jetën duke rënë brenda një prite. Si të ishin shtete të pavarura, këto fise nënshkruajnë mes tyre traktate paqeje apo i shpallin luftë shoshoqit, dhe çdo udhëtar që kuturis të depërtojë në brendësi të Shqipërisë duhet të paguajë një taksë apo të japin bessa-n**** tek drejtuesit e klaneve të ndryshme që kontrollojnë territoret e tyre.

Anketim në vendin e Skipëtarëve.

Disa skena do të na tregojnë çka është në vetvete qytetërimi shqiptar. Një drejtues fisi na ka ftuar për darkë në konakun e tij dhe, nën ndriçimin e shumë fenerëve, ulemi sipas mënyrës turke drejt e mbi qilima përreth një tryeze të madhe rrumbullake, gati tridhjetë centimetra e lartë.

Shfaqen dy djelmosha, njëri me një ibrik bakri të kuq, tjetri me një legen të po së njëjtit metal dhe të ftuarit, me radhë, lajnë gishtërinjtë dhe buzët me një ujë të parfumuar prej attari (esencë trëndafili).

Shërbenjës të tjerë vendosin mbi tryezën e zbrazët një rrethatore të madhe të kallajisur dhe ju, s’keni si ta përmbani një buzëqeshje habie tek vini re mungesën e mjetit ngrënës, aq i shtrenjtë për Perëndimorët, po qe se nuk e dini paraprakisht se Shqiptari nuk përdor pirun, thikë, pecetë, madje as pjatë! Do t’ju duhet atëherë t’ia dilni mbanë me lugën e drunjtë, e cila do të jetë pajisja juaj e vetme!

Po ç’është ajo supë e çuditshme që nxjerr avull brenda një ene të thellë ku të ftuarit zënë e nxjerrin që andej lugë të mbushura? Është gjella tipike kombëtare, një lloj olla-podrida [këzartma], e cila, për sa i përket përbërjes do të sfidonte çdo përshkrim. Mes copëza veshkash dashi, zier në vaj ulliri, ka oriz, qumësht të prerë, uthull, erëza, e ku di unë tjetër!

Por kujdes! përmbahuni në oreks, se ja ku vjen haja kryesore: një dash i tërë, pjesët e copëtuara të të cilit formojnë një piramide të tërë mbi një sini me gjatësi një metër e gjysmë! Kryetari ka ndër mend t’ju nderojë duke ju dhënë pjesë nga truri; e tek copëton kokën e pjekur me një strall, ja ku ju dhuron “ëmbëlsirën”.

Një formalitet i tillë është sinjali për një gjallëri gastronomike nga ana e të ftuarve. Gjithkush veç kur ia hyn me dorë marrjes së një llokmeje dhe e shqyen drejt e me dhëmbë! Ja që kështu është moda; e ç’do duhej në këtë mes një kritikë? A nuk jemi në fund të fundit si në Mesjetë!

Dhe kur berri i pjekur zhduket tërësisht, shërbenjësit sjellin ndërmjetësin tretës: një goxha tas me jugurt [kos], si një djathë i bardhë me shije të athët ku zhyten etshëm lugët. Pasandaj vjen tërë ajo ëmbëlsirë, e bërë me miell misri gatuar në vaj; dhe kafeja, e shërbyer në filxhanë të vegjël i jep fund gostisë nën mjegullën kaltërreme të tymit të cigareve.

Cilat mund të jenë preokupimet dhe argëtimet e një populli kaq të lashtë? Nuk do doja të çudisja askënd duke theksuar para së gjithash se gjuha shqipe nuk ka mundur të prodhojë asnjë letërsi të denjë për këtë emër. Një race që vazhdimisht i duhej të mbronte qenien e saj me armë në dorë, i falet më së miri tek ka parapëlqyer luftëtarin përpara poetit!

Pashallarë e fisnikë të mëdhenj kanë në shërbim të tyre trubadurë***** që dinë të këndojnë në vargje të harmonishme bëmat e të lashtëve; veçse analfabetët përbëjnë legjione të tëra në Skiperi, ku Osmani iu kundërvu vazhdimisht hapjes së shkollave. Megjithatë, numërohen edhe ndoca gazeta të shkruara në gjuhën shqipe, dhe duhet shtuar këtu se familjet e pasura i dërgojnë bijtë e tyre të arsimohen në universitetet tona të mëdha perëndimore, apo në Austri.

Veçse udhëtimi jashtë përbën përjashtim, dhe shumë shqiptarë nuk kanë dalë asnjëherë jashtë kufijve të ngushtë të territorit të fisit në të cilin bëjnë pjesë. Vendi është krejt i zhveshur nga rrugët e transportit dhe lumenjtë nuk janë të lundrueshëm dhe, ashtu siç e përmenda më lart, një Mirditor që kapton, për shembull, shtratin e Drinit të Zi për të depërtuar tek Lumiotët, rrezikon, nëntë në dhjetë raste, të lërë aty kockat.

Fisnikët jetojnë përgjithësisht në kështjella të fortifikuara, por zotërojnë gjithashtu në qytetin më të afërt banesa të bukura, ku kalojnë dimrin, që është i gjatë e i ashpër në krejt vendin, me përjashtim të zonës bregdetare të Adriatikut. Qehallarët e tyre mbikëqyrin shtimin e kopeve të dhënëve si dhe kulturën e arave, duke qenë se krahu i punës është pothuaj tërësisht i përbërë nga fshatarë serbë apo bullgarë.

Argëtimi i parapëlqyer i shqiptarëve është të shtënët me armë. Shumë shpesh banorët e një fshati i hyjnë këtij argëtimi duke marrë për shenjë shpezët e pyjeve, tek i lëshojnë mes një sheshi. I riu që nuk arrin të godasë në ajër një nga shpezët arratisës, vihet në lojë nga ana e shokëve.

Dashuria për armët e bukura e shtyn shqiptarin për të bërë sakrifica të tilla që kurrë nuk do t’i bënte nisur thjesht nga dëshira për luks. Shihen malësorë, të rinj a të moshuar, të punojnë si shërbëtorë në Skutari, Durazzo madje edhe në Cetinie tek malazezi i urryer, vetëm e vetëm për të mbledhur paranë që të mund të blejë me to një armë të bukur luftimi të modelit të fundit!

Shënime të çuditshme të një udhëtari

Një nga bashkëpatriotët tanë, Z. Frédéric Gibert që ka sjellë nga qëndrimi i tij në Ballkan studime tepër interesante rreth zakoneve shqiptare, pati mirësinë të na dorëzojë disa nga këto shënime; po i përmbledhim këtu:

“Në fshat, sidomos në male, ceremonitë martesore as që kanë ndryshuar që nga koha e Herodotit; kështu, vijon zakoni i rrëmbimit [të nuses], qoftë i shtirë, qoftë i vërtetë në ndonjë rast; sigurisht që do ndodhin në këtë mes, domosdo, zënka dhe përplasje të ashpra.

“Lidhur me këtë çështje, mund të përmendet thënia gjithë shaka e një Mirditori plak i cili, tek kishte shërbyer në ushtrinë greke, ishte bërë gjeneral. Dhe nuk mungonte në asnjë rast, kur rrëfente si ishte martuar, pa përfunduar me mburrjen: “E ç’të shkoj më tej! Më është dashur të vras pesë vetë që të marr gruan që kam! Ja që i ka rinia këto!”

“Në qytete, ceremonitë martesore janë piktoreske, dhe sidomos tek katolikët shumë të ndërlikuara. Për disa ditë, nusja shfaqet para njerëzve në shtëpinë e prindërve dhe duhet të tregohet e dëshpëruar. Pasandaj ia lyejnë leshrat me të zezë; dhe gjersa të vdesë duhet t’i lyej; në Shqipëri, nuk sheh gra me leshra të bardha. Me detyrim, e përcjellin për tek shtëpia e bashkëshortit, edhe pse ajo hiqet sikur nuk do.

“Edhe dhëndri, që martohet me urdhër të kreut të familjes dhe që nuk e ka parë kurrë nusen e tij, u bën nga ana e vet qëndresë kumbarëve që kanë lidhur fjalën. Një vend i posaçëm është caktuar në shtëpi për ceremoninë martesore. I hiqet atëherë nuses shamia nga koka, ndërkohë që të pranishmit zënë e këndojnë për bukurinë e saj fizike me entuziazëm disi të veçantë:

“Sa e bukur ka dalë nusja! Marshalla! Paska ballë për perishan! Marshalla!” etj. etj. Në rast se bukuri e saj nuk është e përkryer, se “paska një cen prej natyre: është qorre nga një sy, është këmbështrembër etj.”, zakoni e do që prindërit t’i japin dhëndrit një dëmshpërblim simbolik për çdo një nga këto cene...

“Kur vdekja godet dikë, u bihet dyerve përreth me shkop dhe turma njerëzish marrin për nga konaku ku ka ndodhur gjëma; gratë, me kryet mbuluar me shami mavi nisin nga këngët e vajit, duke sajuar aty-aty vargje për kujtim të të ndjerit. Gjatë natës që gdhihet për xhenazen, burrat pinë nga një gotë e tymosin duhan, duke u fjalosur për të. Gratë ngushëllojnë vejanen dhe më ndonjë rast, siç thuhet, i propozojnë me zë të ulët për ndonjë burrë që kanë ndër mend për të. Nëse nuk do që të martohet prapë, vejusha qëndis më pas në jakë të mantelit dy kryqe.

“Të nesërmen e varrimit, vajet shndërrohen në kuje të vërteta, prindërit shkulin leshrat, çjerrin fytyrën, grisin këmishët. Dikur kjo zgjaste ditë të tëra; rregulla policie e kanë pakësuar kohëzgjatjen e këtyre ceremonive, të paktën në qytetet kryesore. Sakaq, i dhurohen të ndjerit grurë, rrush, shegë e verë. Vjen më në fund prifti; gratë lëshohen mbi arkivol, aq sa detyrohen t’i largojnë me forcë që andej. Asnjëherë nuk duhet të dalë një arkivol dy herë nga e njëjta derë; në rast nevoje, arkivoli mund të nxirret edhe nga dritarja.

“Zia zgjat shumë në Shqipëri; zbatohet me mjaft rregull. Kur një i ve martohet sërish, ceremonia nuk ka nevojë të bëhet me festim e gosti. Nusja e re mban zi për nder të së ndjerës dhe e ruan atë për aq kohë sa mban zi i shoqi.”...

A do të jetë vallë Shqipëria mbretëri apo principatë? Nën udhëheqjen e cilit drejtues ajo do arrijë të realizojë këtë kthesë të re të historisë së saj të gjatë? Dhe ky drejtues, a do dijë të mbledhë rreth flamurit të tij këto fise kaq të lëvizshme e luftarake? Ja pyetje për të cilat kërkon përgjigje një e ardhme e afërt.

Por ne mund të japim me penelata të shpejta portretet e kandidatëve kryesorë për fronin e Shqipërisë, jo pa rikujtuar që një princ francez, duka i Montpensierit, të cilit disa prijës shqiptarë i kishin dhuruar kurorën e re, ka bërë të ditur në mënyrë përfundimtare tërheqjen nga kandidatura e tij.

Kandidati që monarkia austro-hungareze mbështet me ndikimin e saj është duka Guillaume d’Urach, konti i Wurtembergut, gjeneral divizioni i ushtrisë wurtemberguaze. Lindur në mars 1864 në Monako, ai ka pasur për nënë princeshën Florestina të Monakos. Nga e shoqja, dukesha Ameli e Bavierës, vdekur kohët e fundit, dhe që ishte mbesa e perandoreshës Elisabeth të Austrisë, ai ka gjashtë fëmijë, të gjithë të shëndetshëm.

Një kandidat tjetër, shanset e të cilit duken serioze, është princi i Mirditës, Prenk pasha, kreu i familjes së shquar të Gjinakëve, dhe që rrjedh në linjë të drejtpërdrejtë nga i famshmi Dukagjin, themeluesi i kodi shqiptar. Me zgjuarsi të rrallë dhe me botëkuptim të gjerë, është persekutuar nga Abdyl-Hamidi, i cili e degdisi në Azinë e Vogël, ku princi, për të luftuar mërzinë, studioi në thellësi gjuhën dhe letërsinë frënge.

Dhe, për ta parë sërish në malet e tyre princin aq të dashur, Mirditorët morën anën e revolucionit. Xhonturqit, që i trembeshin ndikimit të Prenk pashës, e panë atëherë veten të detyruar ta shkëpusin nga mërgimi. U shtrënguan kështu të dorëzohen përpara kërcënimeve të Mirditorëve, të gatshëm për të ngritur krye masivisht.

Flitet gjithashtu për pretendimet e egjiptianit Fuad pasha, një pasardhës i Mehmet Aliut, i cili vendosi regjimin khedival dhe pati në shërbim të tij trupa shqiptare.

Më në fund, vlen të përmendet kandidatura e mbrojtësit të Skutarit, ndonëse ajo është përgënjeshtruar nga burime të sigurta. Figurë e çuditshme dhe piktoreske ajo e Esad Pashës, skipetar nga racë e pastër, siç ishte ajo e Shukri pashës, heroit të Andrinopolit.

Çfarë do dëshironin kandidaturat që sapo paraqitëm shi në çastin kur lexuesi do ketë përpara syve këto radhë të shkruara? Ja një sekret i diplomacisë, që ndoshta po rezervon një nga ato të papritura me të cilat është thurur vetë historia e saj.

Veçse, ndaj atyre që do pretendonin se Skipetarët nuk janë ende aq të përparuar në qytetërim sa të vetëqeveriseshin, ne do t’u sillnim ndër mend ndonjë kujtim. Do t’u kujtonim ata ngadhënjyes të sotëm që, jo shumë kohë më parë, ishin shpallur të padenjë për qytetërimin: bullgarët, me vrasjet dhe dhunimet që karakterizuan krejt diktaturën e Stambulovit; serbët, që dy herë vanë e vranë mbretin e tyre në Beograd.

Të paktën këto dy shembuj të shërbejnë për një qëndrim më të zbutur ndaj Shqipërisë dhe hapave të saj të para drejt ringritjes.


 

* Në origjinalin frëngjisht: Pont-Euxin, siç quhej dikur ky det në greqishten e vjetër: Pontos Euxinos.  

** Francesco Crispi, dy herë kryeministër i Italisë, është me origjinë arbëreshe.

*** Papa Clementi XI, nga familja Albani e Romës, është me origjinë arbëreshe.

**** Shqip në tekst.

***** Poetë që këndojnë këngë kreshnikësh.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Faik fisnik Konica, Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar Fotaq Andrea: Ekskursion në Shqipëri në vitin 1880 Fotaq Andrea: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit Fotaq Andrea: “Orientalet” e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës Fotaq Andrea - Një thirrje nga zemra e Faik Konicës: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!” Fotaq Andrea: Zoja e Këshillit të Mirë - Pajtore e Shqipërisë Fotaq Andrea: Shqiptari, ky sizif - Fat tragjik në mbijetesë shekullore Fotaq Andrea: Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë Fotaq Andrea: Festa e luleve për Skënderbeun Fotaq Andrea: Jeta e Klementit XI, sovranit Papë Fotaq Andrea: Skënderbeu i ri dhe origjina e kalorësisë së lehtë franceze - Letër Z. Ylli Polovina Fotaq Andrea: ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu'' i Rembrandit Fotaq Andrea: Engjëllorët në Francë dhe figura emblematike e Pal Engjëllit - Gjaku shqiptar në Evropë Fotaq Andrea: Figura e Nënë Terezës nën penën e autorëve francezë Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë Fotaq Andrea: Dy artikuj të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma, më 1933 dhe 1934 Fotaq Andrea: Moda “Dora d’Istria” në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës Fotaq Andrea: Dora d’Istria - Princeshë e kulturës evropiane Fotaq Andrea: Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: “Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë” Fotaq Andrea: Letër e priftit shqiptar Françesk Karma më 1933

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora