E marte, 23.04.2024, 02:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Janaq Pani: Gjyshi ketër në Kanada

E hene, 04.06.2012, 03:03 PM


Janaq Pani

GJYSHI KETËR NË KANADA

Një përrallë e fundshekullit të XX-të

NË VEND TË HYRJES

Çdo përrallë është rrëfyer
Në çdo kohë e në çdo vend,
Penën populli e ka ngjyer
E ka thënë gjëra me mend.

Të rrëfej do nis, pa bujë
Një përrallë si të vërtetë.
Do qëmtoj nga një rrëmujë
E fundshekullit të XX-të.

Pse jam gjysh e marr me nge
Ta rrëfej e ndjej trishtim,
Dua dhuratë t’u a le
Vogëlushëve të vendit tim.


NDJEHET MIRË TE DORË E SAJ

Më kërkoni e më gjeni
Anës – anës një liqeni.
Ky liqen i madh si det
Natë e ditë dallgët nget
Shpresën time përshëndet.

Te kjo hapësirë e gjerë
Gjyshi s’ka qënë asnjëherë,
Por në video paska parë
Të tij mbesën duke u larë.

Si na ndodh në çdo përrallë
Gjyshi, çfarë bëri vallë?

Pak e pak u zvogëlua
Në një ketër u shndërrua,
Pastaj ketri, si atlet
Te dikush u fsheh në xhep,
Mbi krahë aeroplani rend
Në Toronto larg u gjend.

Te liqeni kur mbërriti
Çastin e lumnueshëm priti
Kur Pamela do të vijë
Me gëzim pranë t’i rrijë.

Dhe kjo mbesa s’do kuptojë
Ketrin kur ushqen në gojë,
Kur te hunda i zgjat gishtin
Se në duar ajo mban gjyshin.
Pa le kur e puth në faqe
Gjyshi ketër sa kënaqet,
Ngazëllen gjyshi i tëri,
Por të flasë s’i del zëri.

Nga gëzimi gjyshi s’mbahet,
As i pihet e as i haet,
Vetëm mbesës nuk i ndahet.

Çasti kur vjen për të ikur,
Lart te pema për t’u ngjitur

Zemrën hapur gjyshi ketër
Pret t’i vijë një herë tjetër
Mbesa – lule që çel në maj
Ndjehet mirë te dorë e saj...


BËN TË FLASË DHE ARINË

...Tej në pyll xhaxhi Ariu
Që ka sy e hundë e gojë,
Por të flasë si njeriu
Jo, nuk mundet, dhe të dojë.

Vetëm kush rrëfen përrallë
Me një çelës hap magjinë,
Pa e sjellë hiç vërdallë
Bën të flasë dhe arinë.

Meqë përralla ka filluar
Nuk e lemë pa e mbaruar.

...Te ky pylli, duke shëtitur
Putra e tij i hypën sipër,
E ariu na është habitur
Se paska shkelur mbi një libër.

Rrotullon kryet ngadalë,
Vrojton pyllin skutë më skutë,
S’i sheh syri gjë të gjallë
As një djalë apo një çupë.

Dhe çudi na bën ariu:
“Librin këtu kush e solli?
Vetë nga dheu, jo, nuk mbiu
As dhe pylli nuk e polli.

Nga një degë, në degën tjetër
Po shëtit për qejf të vet,
Dhe afrohet gjyshi ketër
“Hello!” – ariun e përshëndet.

“Buçko,  tij t’u zgjatë jeta!
Pse qëndron ashtu hutuar,
Që nga larg të pershëndeta
E më ngjan nuk ke dëgjuar.”

Bën ariu se zemërohet
Në çast ketrit i drejtohet:

“Piciruk ketër, dëgjo!
Tjetër herë mos bëj gabim,
Mua me “xhaxhi” m’u drejto,
Ta kesh mendjen në mësim.”

Nën mustaqe qesh ky ketër:
“Xhaxhi ari, qejfin mos prish!
Jam dhe unë sa ti i vjetër,
Në mos më shumë, se jam... gjysh.

Po ti jo, nuk ma di hallin,
Mua ky fat më ra në pjesë,
Desha që të shuaj mallin,
Erdha të shoh time mbesë.

Vij nga larg, o ari miku
Nga një kontinent i vjetër,
Nga që malli shumë më piku
Përfundova të jem ketër.

Të mbërrij këtu dhe unë
Kam përshkuar oqeanin...

Tani sot, nuk them më shumë
Dhe sikur ti të bësh namin...”

Kaq tha ketri e pushoi,
Por ariun e rëndoi.

“Terc na nisi kjo bisedë,
Eja ketër e mos u mërzit,
Pa shih një libër kam gjetë
Ulu pak e na e lëçit.”

Gjyshi ketër u pajtua
S’ka ç’të ndajë me arinë,
Me kërcime u afrua
Për t’i shuarë kërshërinë.

U drodh gjyshi sa e pa
E nxjer fjalët me mundim,
Dhe ariut me dhimbje i tha:
“Këtu ka ndodhur një krim.

Këtë libër të harruar
Kësulkuqja e paska lënë,
Ja, me dorë të saj ka shkruar
Se një ujk e paska ngrënë...”

U ndje keq edhe ariu,
Për vogëlushen shumë i dhëmbi,
Buzqeshja në buzë i ngriu,
Vjen vërdallë e s’e mban vendi.

“Ketër, duhet të shpejtojmë,
Të mos humbim një minutë,
Atë ujkun ta kërkojmë
Në çdo vrimë e në çdo skutë.

Eh, në dorë në më rëntë
Ai ujku faqezi,
Do t’a çapëlej si qentë...
Hë, ç’na këshillon dhe ti.”


THËRRES MIKUN SUPERMEN

“Zgjidhjen do ta gjejmë patjetër!”
Nis të flasë gjyshi ketër.

“Pak më hollë ta mendojmë,
Pylli është i pa fund,
Cep më cep ne ta kërkojmë
E ndoshta s’e gjejmë kund.

Kam një zgjidhje, më dëgjo!
Thërres miku SUPERMEN,
Rrezet iks i nis ngado
Në çast ujkun ai e gjen...”

I habitur ariu ka mbetë:
“SUPERMENI? Kush të jetë,
Nuk e njoh këtë hero,
Është vallë i vërtetë?
Pa nis ketër më kallëzo.”

“Xhaxhi ari, s’ke si e njeh
Ai është fantastik,
Zemra e tija gjithnjë rreh
Për të mirën, more mik.”

“Është me vlerë kjo që the,
Ndaj nxitoju, gjyshi ketër,
Çoji lajm mikut që ke
E të vijë këtu patjetër.”

Gjyshi ketër nuk e zgjati,
Çoi sinjal duke ikë,
SUPERMENI  shpejt e kapi
E pranë u gjend në dekikë.

I rrëfeu për ndodhinë
Gjyshi ketër pa u ngutur,
S’e mban vendi dhe arinë
I drejtohet me të lutur:

“SUPERMEN,  ketri më bindi,
Sa iu pashë shpresa rilindi.”

Pa nis e flet SUPERMENI:
“Të dy mos e prishni gjakun!
Për hallin që sot ju keni
Ujkut do ia japim hakun.

Veshi im super i mprehtë
I nis rrezet rreth e rrotull,
Ç’ka fsheh pylli e ka gjetë
Në çdo shpellë e në çdo strofkull...”

Ikën rrezet morën udhë
Dhe suksesi erdh në ças,
Ujkun fshehur te një guvë
SUPERMENI e pikas.

Të tre nuk i lodhi udha
Ujkut i shkojnë te guva.

Pranë strofkës kur i vjen
SUPERMENI i çon fjalë,
Ujku rrezikun e ndjen
E na del me bisht në shalë.

Belbëzon me zë të lutur,
Kokën ul e trembur rri:
“Miq, përse më kini bujtur,
Çfarë kam bërë, a mund ta di?”

SUPERMENI i flet rreptë.
Struket ujku, bëhet petë.

“Mos u shtir, o ujk i vjetër,
Na rrëfe, o i paudhë,
Kësulkuqen ti patjetër
E mban fshehur te kjo guvë.”

Zemëruar dhe ariu
I gërmushet bot e bot:
“S’ke nga luan, o ujk ziu
Sot mbas gishtit nuk fshihesh dot.

Vogëlushen si një yll
Tek shkon në udhën e saj
E rrëmbeve sot në pyll
Po ajo nuk të ka faj.

Ndaj të presim mos na lerë.
Vogëlushen na e bjerë!
E mend vurë për tjetër herë.

Ndryshe unë të jap hakun
Si e do ujk lakmitar,
Dhe me thonjë të çaj barkun
Dhe vogëlushen do ta marr.”

Më gjatë ujku nuk e tori
E nga frika u mblodh galuç,
Dhe nga strofka shpejt e nxori
Kësulkuqen me kapuç.

Vogëlushja u ndje e qetë
Një gëzim i ndrit fytyrën,
Si një diell që çan retë
E sjell pranë ngrohtësirën.

SUPERMENIN kur pa pranë
Dhe ariun e gjyshin ketër,
Tha:”Sa mirë që nuk ngjan
Kjo me përrallën e vjetër.

S’di sa shumë paskam fjetur,
Si në ëndërr sot kam qënë,
Dhe sa mirë që më kini gjetur
Mbasi ujku do më kish ngrënë.,
Asnjë gjurmë nuk do kish lënë...”


ZEMRA FORT PËR JU DO RRAHË

“O gjysh ketër, më rrëfeni
Edhe ju xhaxhi ari,
A mos vallë SUPERMENI
Vuri vetë drejtësi?

Sot e lumtur ndjehem unë
Sikur linda dhe një herë,
E të treve iu dua shumë
E do iu dua përherë.

Më lejoni t’iu përqafoj
E t’iu ulem si zog në krahë,
Sa të jem e sa të rroj
Për ju zemra fort do rrahë.

Ndihem si një zog në erë
Ju të shtrenjtë sot, më ndjeni,
Pa drejtësi bota s’ka vlerë
Falë dhuratë nga SUPERMENI.”
E dëgjojnë që të tre
E na mbushen me hare.

Gjyshit ketër s’i del zëri
Ngashëryer nga mallëngjimi,
“Xhaxhi” ariu i tëri
Ndjehet pupël nga gëzimi.

SUPERMENI buzagaz
E merr vajzën e hedh hopa,
Ajo gjithë shend e gaz
Është e saja gjithë bota.

Kurse ujku faqezi
Tinëz – tinëz u largua,
Edhe sot unë nuk e di
U pendua a s’u pendua.

SUPERMENI kërkoi lejë,
Bëri sot një punë me vlerë,
Gati është që të vejë
Të ndihmojë dhe të tjerë.

Gjyshi ketër Kësulkuqes
Sot vështrimin nuk ia ndan,
Është e bukur si një Hirushe
Dhe të mbesës shumë i ngjan.

Me xhaxhi ariun u ndanë
E nisën rrugën për qytet,
Gjyshi ketër e mban pranë
E me ëmbëlsi i flet.

E i thotë, kjo përrallë
Pa rrëfyer nuk do ngelë,

Por, a do kënaqet vallë
Ajo mbesollja Pamelë?

Ja, përrallës i erdh’ fundi
Mirë na iku dita sot,
Gjyshi ketër bëri ç’mundi
Dhe mundimi s’i shkoi kot.

Për më tej, o miqtë e mi
Kemi rradhën herën tjetër
Të rrëfejmë disa ndodhi
Që do ndodhin me gjyshin ketër...


POEMA E DYTË

NË PARAJSË KA MBËRRITË

Tani  do nis t’iu rrëfej
Çfarë i ndodhi gjyshit më tej,
E mos më lini që t’iu gënjej.

...Gjyshi ketër si për çdo ditë
Pranë bregut do të rrijë,
Si gjahtari pret në pritë
Kur Pamela do të vijë.

Shumë gjatë, jo, nuk priti,
Për së largu sheh Pamelën,
Nga një “Jeep” ajo na zbriti
Me Joanën dhe me Erlën.

Pëllumbeshat krahëlehta
Ecin kapur dora-dore,
E po ngjajnë si tri buqeta
Bardhë e bardhë si lulebore.

Shkelin me hap të nxituar
Barin e larë nga vesa,
S’ngopet gjyshi i malluar
Duke i parë të tri mbesat.

Që të tria yll e dritë
Sa gëzon dhe bari i gjelbër,
Sa me fat na ish kjo ditë,
E ngazëllen ky gjyshi ketër.

Niset turr e u shkon pranë
Me kërcime të mëdha,
                                                          
Dhe të tria, sa e panë
U gëzuan sa më s’ka.

Çfarë ndodhi më pastaj
Nuk rrëfehet dot me gojë,
Njera puth e tjetra mbaj
S’do nga dora ta lëshojë.

E kuptuan?
E ku i dihet!
Se askush nuk u rrëfeu,
Që te ketri gjyshi fshihet,
Ndoshta zemra vetë ua ndjeu.

Gjyshi ketër atë çast
Në Parajsë ka mbërritë,
Unë s’isha por, ve bast
Që pa u lodhur është ngjitë...


SHFAQET DRERI BRIRËARTË

Duke ecur nëpër pyll
Shëtit dreri vetëm fill,
Pylli shtigjet hap e mbyll.

Paska bërë rrugë të gjatë
Sot ky dreri brirëartë.

Duke ecë në pyll nxituar
Një çast, hapat ka ndaluar,
Zëra veshi i ka dëgjuar.

Eh, sa zëra të gëzuar!
Janë zëra njerëzorë,
Zëra të ëmbël fëminorë.

Këto zëra në breg liqeni
Të kujt janë, a e gjeni?

Zëri i Erlës dhe Joanës,
I Pamelës zëri tjetër,
Po vrapojnë e sillen anës
Duke luajtur me një ketër.

Ti lexues duhet ta dish
Që ky ketër është një gjysh
E lojën mbesave nuk u a prish.

Ketri vrap e ato mbrapa
Deri sa u doli...llapa.

Se kush shumë nget me këmbë
Të del gjuha një pëllëmbë...

Po dhe drerit brirëartë
Nga ky pylli pemëlartë
Nuk i iket, qëndron gjatë.

Se si prind duhet ta dijë
Gëzim mbjellin ngado në botë,
Dhe haresë tek çdo fëmijë
T’i rrish larg e ke të kotë.

Po dhe ketri kërce e kërce
Hop këtu e hop atje
Paska ndalur te ky dre.

Vonë dreri e ve re.

Të tre mbesat po bëjnë zhurmë
U fsheh ketri, nuk la gjurmë.

Kurse pylli shtigjet mbyll
Vogëlushet nuk i përfill.

Fllad liqeni nget me vrap
Hepon degët poshtë e lart
E këtëpunë e bën me art.

Zellin flladi e ka shtuar
Drerin na e nxjerr zbuluar.

Mbas një çasti, e di ç’ka ngjarë?
Kjo vogëlushja Joanë
Drerin e bukur ka parë
E ka dashur t’i shkojë pranë.

Nga ky dreri nuk është trembë,
Ka dëshirë ta përqafojë,
E gëzuar ndaj ka rendë,
Por... ka mbetë me gisht në gojë.

Dreri jo, nuk i dha rast
Sa Joanën e pa një çast,
Shpejt nga ëndrra është zgjuar
Nëpër pyll është larguar.

Vogëlushja mbas kësaj
Është lodhur qaj e qaj.

Babi kështu e ka gjetur
Dhe u lodh me të pyetur:
“Zemra e babit, çfarë ke
Që i nis lotët rrëke?!”

“Këtu babi pashë një dre!

Po nuk munda ta arrij,
Me vrap në pyll u largua,
Ndoshta do të bindet tij
Ma sill të luajë me mua.”

Ra dhe babi në mendime:
“Ç’më kërkon Joana ime!
S’mundem drerin ta ze dot,
Do më shkojë mundimi kot.”

Po Joana duke qarë
Këmbëngul si dhe më parë:
“Babi, babi, mos gënje!
Po të duash ti e ze:”


MË LODHI RRUGA E GJATË

U nis babi vetëm fill
Të gjejë drerin tej në pyll,
Pylli shtigjet hap e mbyll.

Nëpër shtigje duke vrapuar
Babi nis për të treguar:

“Gjer te mali kreshtëlartë
Ndoqa drerin brirtëartë,
Sa më lodhi rruga e gjatë!

Renda unë dhe dreri vrap,
Jo, nuk munda që ta kap,
Ndaj iu luta: “Ndalu pak!”

Po ky dreri “fluturoi”,
Lutjen, ndoshta nuk e dëgjoi,
A nga frika nuk denjoi.

Një pushverdhë – cinxami
Fluturim shkoi te ai
E i qëndroi lart në bri.

Brirët dreri fort na i tundi
Si një erë që drurët shkundi
Zogun, ta rrëzojë nuk mundi.

Cicërin zogu qetë e qetë:
“Pse nxiton, o këmbëshpejtë
Si furtuna kur shtyn retë”

Ai prindi do të dojë
Veç një nder do të kërkojë
Te e bija të të çojë.”

Lutet zogu:”Këmbët mbaj!
Nuk e di a do të bind,
Por ai babi nuk ka faj
Veç një nder kërkon si prind.

Veç ca çaste i shko pranë,
Kënaq vogëlushen Joanë...”

Mbajti këmbët një çast drëri,
Si gjeth fërgëllon i tëri,
Mallëngjyeshëm i del dhe zëri:

“O pushverdhë – cinxami!
Ai prind, a nuk e di,
Kam dhe unë një shtëpi?

Te shtëpia ime në pyll,
Kam drenushen bijë yll,
Po mungova sy nuk mbyll.

Të më ndjejë ai prindi
Dhe vogëlushja po njëlloj,
Kjo dëshirë që i lindi
Unë sot s’i a plotësoj.”

Kaq tha dreri brirëartë,
Pastaj nisi rrugë të gjatë.


HYN NË LOJË GJYSHI KETËR

Për sa ndodhi në atë pyll
Historia nuk u mbyll.

Dhe tani, si herën tjetër
Hyn në lojë gjyshi ketër,
Zgjidhjen do ta gjejë patjetër.

S’është vështirë që ta gjeni,
Po pak mendja duhet vrarë,
Sinjal çoi te SUPERMENI
Që me FLASHIN janë në garë.

Të dy miqtë ca u vonuan
Gjersa krejt mbaroi gara,
Pastaj fill te pylli shkuan
Gjyshit i qëndruan para.

U rrëfeu ketri gjysh
Krejt ndodhinë si ka ngjarë,
Për dëshirën që Joana kish
Dhe sa shumë pati qarë.

Më pas zogu cinxami
U kallëzoi mirë e mirë,
Dot s’e bindi as ai
T’i plotësonte një dëshirë.
SUPERMENI e miku FLASH
Buzën vunë të dy në gaz:

“Rri i qetë gjyshi ketër!
Do t’i shkojmë të dy nga pas
Për ta sjellë te ju patjetër.”

“Do ta bindim me të urtë
Brirëartin, - foli FLASHI,
Për të ardhur urtë e butë
Si ogiçi mbas një dashi.”

Pastaj të dy menjëherë
Nëpër pyll u bënë erë.

Supermeni në minutë
I tregoi koordinatat,
Ku briarti na është futë
Larg në malet kreshtëlarta.

Mandej FLASHI u bë erë,
SUPERMENI në anën tjetër,
Që Joanës të ia shterrë
Lotin e saj gjyshi ketër.

Pa kaluar një dekikë
Te briarti kanë mbërritë.

FLASHIN që larg kur e pa
Pranë briartit t’i vejë,
Dreri vetmevete tha:
“Sot e humba këtë betejë.”

Pastaj i flet ndënë zë
Sikur s’ka kuptuar gjë:

“FLASH, pse erdhe gjer këtu?
Ndoshta ndonjë hall të pru.”

“Bashkë do mbarojmë një punë!
Drerit FLASHI po i thotë,-
Si krijesë kam lindur unë
T’i shkoj ndihmë kujtdo në botë.

Gjer tani s’e kam vështirë
Të përmbush, mik, çdo detyrë.

Dre, o mik, e merr me mend,
Ajo vogëlushja ka dëshirë,
Që të mbushet gaz e shend
Kapur fort te këta brirë.

Pikë e pikë i ikën loti
Porsi strehët e çatisë,
Që t’ia terrësh je ti i zoti
Sot për hir të miqësisë.

Ndaj një nder ma bëj, o mik,
Bashkë me mua tani të vish,
Te Joana të shkojmë vrik,
Besim kam se nuk ma prish...”

Dreri rri krenar në këmbë:
“Mik FLASH,
Ma fitove zemrën!

Joana nuk do presë shumë,
Pranë do t’i gjendem unë.
Sot mesazhin do ta shpie
T’i thaj lotin asaj fëmije...”

Për më tej, këtë rrëfenjë
Veshur mall e mbushur ndjenjë
Dashurie të pa skaj,
Jo, për vete nuk do ta mbaj.

Do të presim një çast tjetër
Të tregojmë për gjyshin ketër.

Mes jush gjyshi do të rrijë
T’iu kënaqë, o fëmijë!


POEMA E TRETË

Gjyshit ketër te ky vend
Nuk po i ndahen ndodhitë,
Nëpër pyll ngado që rend,
Ka ç’të tregojë përditë.

Mandej rastin do të gjente
Këto ngjarje t’i rrëfente.

Por i dhemb që nuk ka gojë,
Te mbesat me vrap të shkojë
Sa më bukur t’u a tregojë.

Më ra fati, këtë punë
Do të nis e ta bëj unë.

Gjuhën që flet gjyshi ketër
E njoh unë e asnjë tjetër.

 
HALLI I ARUSHËS NËNË

Te një lis kurorëgjerë
E ka strehën një arushë
Dhe nga halli do t’i lerë
Vetëm të dy vogëlushët.

Se i duhet të endet shumë
Nëpër pyll ajo përditë
Për të bijtë që bëjnë gjumë
U sjell ushqim për t’i rritë.

Është e lodhëshme kjo detyrë
T’i mbash pastër e me të ngrëna,
Kështu bën çdo nënë e mirë
Ndaj dhe goja thotë: “Nëna”.
Endej arusha në pyll
Dy të vegjëlit vetëm fill.

Rruga i ra atypari
Pranë u kalon gjahtari.

Sa gëzohet kur i gjen
E në çast në mend i vjen,

Thotë:”Njerin do ta përlaj!
Të dy bashkë dot nuk i mbaj.”

Po tregohet dhe zemërgjerë
Tjetrin arushës t’ia lerë.

Si filxhan e shqeu syrin
Merr në krahë më të mirin.

Dhe nxiton, me vrap nxiton
Mos arusha tej e përgjon.

“Në qytet,- tha,- kur të zbres
Këtë arushin do ta shes.
Shitja po më eci mbarë
Do të marr një grusht dollarë...”

Kur te strofka arusha kthen
Njerin bir atje s’e gjen.

Thellë dhimbjen e ndjeu nëna
Gati sa s’i ndali zemra.

Ku ta gjejë? Nga ka ikur?
Është i vogël e i parritur.

Nëpër pyll, te çdo gëmushë
E kërkon nëna arushë.
Kur u lodh duke kërkuar
Te një bredh na ka ndaluar
Hungurin duke vajtuar.

“Ku ke ikur? Bir, o bir!
Porsi erë u bëre fir...”
Folë e folë, zëri iu ngjyr.


E QAJ HALLIN SOT ME MUA

Gjyshi ketër, lart në degë
Po pushon për qejf të vet.
Sa dëgjon, me ngut zbret poshtë
Dhe arushën e pyet:

“Ç’të ka ndodhur, moj e mirë
Që vajton e s’mbahesh dot.
Çfarë ankthi t’i ka fryrë
Sytë e mbushur plot me lot?

Qaje hallin sot me mua,
Mos më mbaj asnjë të fshehtë,
Halli, po u përgjysmua
E ndjen veten pak më lehtë.

Miku, mikun e ka mbështetur
Te ky pyll ngjeshur me pemë,
Nga të parët e kemi gjetur
Dhe ne kështu do ta lemë.”

“Eh, sa mirë, o miku ketër
Fjalë zemre po më thua.
Jo, mos gjetë asnjë tjetër
Ky hall që më gjeti mua.

Ditë e zezë, humba birin,
Po e kërkoj gjithandej,
Se e kisha më të mirin
Po gjëkundi nuk e gjej.

Në gjithë pyllin e kërkova,
E mata vendin me pëllëmbë,
Dhe aq shumë sot vrapova
Sa nuk mbahem dot në këmbë.

Por më shkoi mundimi kot,
Sa tani, e humba fillin.
Dhimbja ime e këta lot
Po e drithërojnë dhe pyllin.

Ku ta kërkoj nuk di më,
Nuk di as cilin të pyes,
Por pa e gjetur nuk do ta lë
Deri ditën që të vdes...”

U përlot nga çka dëgjoi,
Ketri më pranë i shkoi.

E kap dhe e tund nga krahu:
“Nënë arushë, të lutem mbahu!

Kam një mik, mik të vërtetë
Që në baltë nuk më len,
Ta kërkojë e ka të lehtë,
Birin tënd në çast e gjen.

E zhbiron ai çdo skutë,
Kudo që të jetë futë.

Veç, të lutem, bëj durim
Gjer të vijë ai miku im.”


GJYSHI KETËR ÇOI SINJAL

Gjyshi ketër sinjal çoi
Në efir në katër anë,
SUPERMENI sa e dëgjoi
Në çast i ka ardhur pranë.

U habit sot kjo arushë,
Nuk kish hasur tjetër herë
SUPERMENIN lart në erë
Të kaptonte male e fusha.

Gjyshi, doemos nis fjalën,
E flet qartë e pa u ngutur:
“Sot arusha ka humbë djalin
E nuk e gjen ku është futur.”

SUPERMENI buzën në gaz
Rrezet iks nis gjithandej:
“Nënë arushë, më prit një çast,
Atë trazovaçin do ta gjej.

Me dhuntinë që më kanë dhënë
Botën e shoh në pëllëmbë.

Ju lexues me mend e gjeni
Çfarë zbuloi SUPERMENI.
Nga që pa gjithçka në botë:
“Nënë arushë,- po nis t’i thotë.
Veten mbaje, mos u mërzit,
Është gjallë biri yt.
E ndjehet mirë, që ç’ke me të,
Një trupë cirku e mban atë.

Po trupë e cirkut me birin tënd
Ndodhet diku shumë larg,

Tej kufirit, në tjetër vënd,-
SUPERMENI tha mbas pak.

“Trupë e cirkut?!
E kur ka ikur,
E kush atje ma shpuri birin?”
Thotë arusha me zë të fikur
E loti prapë i njomi syrin.

“Si ka ikur?
E kur ka ikur?...”
Dot arusha lotët s’i mban.
“Biri yt paska mbërritur
Në New Jersey, me aeroplan.

E kanë vjedhë, a iku vetë
Nuk do lodhemi për ta gjetë.

Por zotohem, birin tuaj
Do të lutem, të bësh durim,
Se andej nga vendi i huaj
Ta sjell unë me çdo çmim.”

Fëshfëriti me gaz dhe pylli
SUPERMENI kur fjalën mbylli.


SHPEJT TË NISIM FLUTURIMIN

“Në New Jersey?- tha gjyshi ketër,
E veshët menjëherë i ngriti,-
Oh, atje dhe unë, patjetër
Me mikun tim do të iki.

Ky rast sot më erdh’ në shteg,
Atje larg, i lumi unë

Do takoj nipin Enerd
Që e dua shumë e shumë.

SUPERMEN, mik i vërtetë
Shpejt të nisim fluturimin,
Sa shpejt rrodhën pesë vjetë
Që nga gjyshi iku trimi.

Dhe të vogëlin, Ardianin
Qysh se lindi s’e kam parë,
Zemrën fort mezi e mbaj
Të mos çajë kraharorë.

Në New Jersey do vrapoj unë
Nuk më pritet sa të shkoj,
Zemra brenda ngre furtunë
Deri sa nipat t’i takoj,
Veç një çast t’i përqafoj.

“Gjysh, e di, me besa-besë
Bashkë u lidhëm te ky vend,
Pa ma thënë, e kam ndërmend,
Vetë do të bëja ftesë.

O mik, ta lëçit në sy
Padurimin për të ikur,
Ndaj do nisemi që tani
Atje shpejt për të mbërritur...”


NË NEW JERSEY SA MBËRRITËN

Jo, nuk rrodhi kohë shumë
Në New Jersey të mbërrijnë.
Te Çadër e Cirkut, mes zhurmash
Lehtë e patën që të hyjnë.

Hapur porta dy kanatë,
Njerëzia vënë në rradhë,
Si bisht zgjatet rreshti i gjatë,
Kureshtarë plot kanë ardhë.

Po SUPERMENI e gjyshi ketër
Sot na kanë mision tjetër.

Dhe sa hynë, të dy nxituar
Prapaskenës i janë drejtuar.

Ia dëgjuan hungurimën,
Në kafaz arushi mbyllur,
Me të qara kërkon ndihmë
Gjer sa zëri i është ngjyrur.

Pa u ngutur i shkojnë pranë
Ta çlirojnë pa bërë zhurmë,
Por mes tyre ata thanë:
“Le ta kthjellim këtë punë.

Vesh ta marrin që të tërë
Këtë akt kush e ka bërë.”

Një zbutës kafshësh, sakaq
Pranë tyre erdh’ u shfaq.

E nis fjalën SUPERMENI
Pyet zbutësin urtë e qetë:
“Ju të drejtën të rrëmbeni
E ku vallë e kini gjetë?”

Zbutësi ndihet i tronditur:
“Zotni, nuk vjedh asnjëherë!
Vogëlushin ma kanë shitur,
Unë me pare e kam blerë.

Mendjen nuk e vrava shumë
Kur ia pashë në krah gjahtarit,
Çmimin ia ofrova unë
Dhe në çast u bë pazari.

E ku vallë unë ta dija
Se gjahtari s’e kish të tija?...”

Fjalë e zbutësit disi i bindi,
Ndoshta thotë të vërtetën,
SUPERMENI, po dhe gjyshi
Në mëdyshje një çast mbetën.

Mandej zbutësi lypi lejë,
Se në skenë ka për të dalë,
Më pas kohën do të gjejë
Për ta zgjidhur këtë pa fjalë.


KETRI SHFAQET SI AKROBAT

“Gjersa këtu sot kam ardhë,-
I thotë mikut gjyshi ketër,-
Për publikun te kjo sallë
Do të bëj diçka patjetër.

Në arenë, si dhe në pyll
Krahëlidhur jo, nuk do rri,
Në tel do të ngjitem fill
Të rrëfej sa mirë di.

Ne si racë jemi me fat
Çdo ketër lind si akrobat.”

SUPERMENI buzagaz
Miraton heshtas me sy,

E brenda skenës, për një çast
Janë gjendur që të dy.

Spektatorë plot në sallë,
(U habitën gjithë sa qenë),
SUPERMENI si në përrallë
Me një ketër del në skenë.

Që nga supi i SUPERMENIT
I shëtit ky ketri sytë.
Veten ta tregojë e vlen,
Këtë çast shumë e ka pritë.

Akrobat mbi akrobat
Elegant po ec në tel,
Kërcen poshtë e ngjitet lart
Salla gojëhapur ngel.

Dhe një tjetër mrekulli
Paska ndodhur atë ditë,
Te një vogëlush ku rri
Gjyshi ketër ka mbërritë.

Nga të gjithë në këtë sallë
Përse zgjodhi vogëlushin vallë?

Përmbi sup i është ulur
Dhe te gusha i merr erë,
Salla krejt na është shkulur
Nga të qeshurat këtë herë.

Salla, jo, nuk mund ta dijë,
Këtij ketrit çfarë i hypi,
Që lodron me një fëmijë
E miqësia shpejt u ngjiti.

S’ngopet gjyshi duke e puthur,
Sa habitur le një sallë,
Dhe në gji i është futur
Prej vërteti, jo si përrallë.

Me Enerdin, ikën vitet
Që gjyshi s’është takuar,
Ai plaket e nipi rritet
Si një degë e lulëzuar.

Ndaj të gjitha përkëdhelitë
Do t’ia shprehë këtë ditë.

Adrianin, nipin tjetër
S’e takon dot gjyshi ketër,
Është bebe e në shtëpi
Do qëndrojë dhe ca ai...

Dihet, Enerdi na u kënaq
Për sa ndodhi te kjo sallë,
Gjyshi po dyshon sakaq
A e njohu nipi vallë?

Se te ketri rreh një zemër,
Është gjyshi, dora vetë,
Përjetoi sot një ëndërr
Duke puthur e duke prekë.

Gjyshi, mbasi shumë i çmall
Me të nipin – dritë syri,
Me kërcime nëpër sallë
Te arena vrapoi e hyri.

Dhe në sup të SUPERMENIT,
Mikut të tij, do ta gjeni.

Veç sa ndodhi atë ditë
Me një ketër e një djalë,
Spektatorët janë mahnitë
Sa nuk thuhet dot me fjalë.

NJË SIPAR KËTU U MBYLL

Shfaqja kur mbaroi krejt
SUPERMENI nuk harroi
Te arushi shkoi drejt
Dhe me zbutësin bisedoi.

Po dhe gjyshin s’e mban vendi
Gjersa puna u zgjidh mirë,
Zbutësi bëri punë me mend
Kur arushin e la të lirë...

Këtë përrallë, dhe më tej
Nuk po lodhem që të rrëfej.

Porsa zbardhi e u bë ditë
Në Toronto kanë mbërritë.

SUPERMENI e ketri gjysh
Dhe arushi me ata ish.

Dhe të tre u ndalën fill
Te arusha nënë në pyll.

A gëzim arusha ndjeu!...
Këtë gjyshi m’a rrëfeu.

Dhe më pëshpërit në vesh
Një dëshirë gjyshi ketër:
“Kur i qetë, o mik, të jesh
Hidhe përrallën në letër.

Se përrallat kanë vlerë
Kur lexohen nga shumë të tjerë...”

Tani e mbyllim këtu
Tjetër herë do vijë te ju,
Gjyshi ketër iu premton
E asnjëherë nuk harron..

POEMA E KATËRT DHE E FUNDIT

Iku gjyshi, në atdhe
Gjysmën tjetër e ka lënë,
Rri e pret gjyshja atje
E malluar si çdo nënë.

Për fëmijët e malluar
Dhe për nipa e mbesa mjaltë,
Shumë vite të larguar,
Eh, ky shpirt si duron gjatë!

E KA GJYSHJA NJË MERAK

Iku maji, qershori hyri
Vetëm gjyshja na ka mbetur,
Një merak i rri te syri
Si një re në qiell endur.

Se ky gjysh nuk la adresë,
Ketrat jo, adresë s’kanë,
Nuk di cilin të pyesë
Në të gjithë Kanadanë.
I dha njëqind porosi
Gjyshja kur e la të ikë.
“Eh, ç’më bëre, o njeri!”
I del zëri i veshur frikë.

“Si i shkon ditët atje,
Rrugën vallë mos ke humbë?
Asnjë lajm, sido të qe
Të dërgosh ti nuk ke mundë...”

Rri në Durrës vetëm gjyshja
E në qiell hedh vështrimin,
E ka lodhur ca kjo pritja,
Pa zë mbjell dhe padurimin.

Sillet rreth e flet me muret,
Të lodh jeta vetëm fill,
Ka merak mos i sëmuret
Gjyshi ketër diku në pyll...

Erdh’ fundjava, breg liqeni
Vizitorë në çdo anë,
Si përherë do të gjeni
Ketrin gjysh e mbesat pranë.

Argëtohen si përherë
Sa dhe mbesat bëjn’ çudi,
“S’na u nda ketri një herë,
Veç me te neve vrapon e rri
Kur përreth ka plot të tjerë...”

Vetëm gjyshja që nga larg
E bën shpesh të cicërijë
Telefonin, se ka merak,
Për të shtrenjtët do të dijë.

Flasin mbesat e cicërijnë
Një nga një si dallandyshe,
Fjalët-mjaltë shkojnë e vijnë,
Zemra mal bëhet, o gjyshe.

Gëzon zemra me çdo mbesë,
Por e shtyn për herën tjetër,
Se nuk di si t’i pyesë
Nuk gjen fjalët për gjyshin ketër.

Një sekret gjyshja s’e di
Që gjurmuesit akustikë,
Atë hallin që ke ti
E përcjellin në Amerikë.

Jo, kjo gjyshja jonë e mira
Ku ta dijë, s’e ka dëgjuar,
Këtu shkenca bën çudira
“Softwarin” kanë montuar.

“Softwari në telefon
Përmes timbrit e zërit tënd,
Brengën që tij të mundon
E përcjellin anë e kënd.

Kur u foli të fundit herë
Na e pat gjyshja një brengë,
Mbesat lehtë e kanë ndjerë
Dhe te prindërit kanë rendë.

“Ç’do të ketë gjyshja vallë?
Kur për gjyshin e pyetëm,
Ajo bluhet në dhëmballë
Dhe s’na thotë të vërtetën...

A mos ndoshta i ka ngjarë
Diçka gjyshit e ne s’e dimë?
Ta mësojmë sa më parë
E t’i shkojmë pranë për ndihmë.”

Merret vesh, ky shqetësim
I tri mbesave gjurmë do lerë
Dhe te prindët pa dyshim
Se s’ka ndodhur tjetër herë...


GJYSHI KETËR NDJEHET NGUSHTË

Gjyshi ketër nga përvoja
Gjatë dekadash fituar,
Pa e nxjerë fjalën nga goja
Për një çast të ka kuptuar.

Të tri mbesave gjyshi ketër
Shqetësimin ua lëçiti,
Si të shkruar në një letër
E meraku ca dallgë i ngriti.

Në mendime gjyshi humbi,
I hedh sytë te celulari,
Numurin ta lexojë mundi
Kush ka folur aty pari.

Gjyshi tha:”Doli sekreti!
E, moj gjyshe, ç’ke prrallisë!
Mos u the që gjyshi treti
Bëri krahë larg shtëpisë?

Mos tregove se u bë ketër
Dhe ka ikjur pa adresë?

Kam dyshim ti sot patjetër
E ke prerë gjyshin në besë...”

Po dhe gjyshi, që celulari
Softwarin e ka përgjues
S’ka arritur vesh ta marri,
S’ia ka thënë asnjë mësues.

U çel gjyshi pak e nga pak
Belbëzoi nëpër gojë:
“Dhe në vitet kur je plak
Ka njeriu ç’të mësojë.”


I ARGËTON TË FUNDIT HERË

Të tri mbesat kokë më kokë,
Pa fjalë të tria rrinë,
Kollotumba bën në tokë
Gjyshi t’iu heqë mërzinë.

Çel gëzimi e iu mbush sytë,
E harruan telefonin,
Nëpër pyllin hije e dritë
Mbas një ketri po vraponin.

U lodh shumë gjyshi ketër,
Po dher mbesat ca më shumë,
S’kishte ndodhur një herë tjetër
Që t’u shkonin djersët lumë.

E kur lojës i erdh’ fundi
Edhe ndarja po ndodh sot.
Për ta ndalë, gjyshi nuk mundi
La të rrjedhin ca pika lot.

Ngushtë gjyshi ketër ndjehet
E mezi mbahet në këmbë,
Hidhet, lodron e dëfrehet
Që kjo ndarje më pak të dhëmbë.

U nis gjyshi e rrugët mori,
Kapërxeu male e dete,
Dhe të fshehtën nuk ia nxorri
Se dhe gjyshja mban sekrete.

Ketri gjysh në vend të huaj
Shumë pa e pak e panë,
Koha rrodhi, ikën dy muaj
Duke “bredhur” Kanadanë.

Jo, nuk brodha, më shkau goja,
Them se bëra ca më shumë,
Erdha pashë ç’ka dëshëroja,
Më të lumtur sot s’ka nga unë.

Thuhet shpesh:”Gjella me kripë,
Po dhe kripa me karar.”
Erdhi dita për të ikë
Një vendim duhet të marr.

Më prit gjyshe, po të vij
Nuk më duhen as avionë,
Gjallë a vdekur do të arrij
Atje në koliben tonë.


BËRI GJYSHI MIQ TË MIRË

Gjyshi ketër te ky vend
Bëri miq e miq të mirë,

Për çdo hall në çast iu gjendën,
Ta ndihmojnë s’e kanë vështirë.

Nis sinjalin dhe një herë
Erdhën FLASHI e SUPERMENI,
U thotë gjyshi:”Këtë herë
Për të ikur një mjet më gjeni.”

“Miku ketër, e kush ta prish,
Vetëm na trego adresën,
Do të kthejmë atje sërish
Ashtu si ke dhënë besën.

Gjysh, ke qënë mik me vlerë
Frymëzimin po na nxit,
FLASHI, në çast do të shpjerë
Fluturim te vendi yt.

Sado larg të jetë ai
Po të çojmë me dëshirë,
Ta lexojmë, o gjysh në sy
Zemrën tënde kaq të mirë.

Nuk ka ndodhur, te vëndi jot,]
S’kemi shkuar asnjëherë,
Por si ti do ketë plot
Kaq të mirë njerëz të tjerë.

Se të ikësh nga shtëpia
Hapësirash pa kufi,
Të vë krahë dashuria
Qofsh i vjetër apo i ri...”

Gjyshi ketër nga respekti
Mallëngjehet e s’mbahet dot
I ngre gjoksi dallgë deti
E te syri i shket një lot.
E hyp FLASHI përmbi krahë,
Fluturim u ngrit në erë
Gjyshit zemra nis t’i rrahë
Frikë ka mos do të bjerë.

Në çast frika i largohet
Fluturim mbi oqean,
Buzagas gjyshi kujtohet
Me Nils Holgersonin  ngjan.

Suedinë ai kundroi
Mbi krah’ patash rreth e rreth,
Gjyshi sot është heroi
Që mbi botë vështrimin hedh.

Kur në Durrës ka mbërritë
E bën gjyshi filxhan syrin,
Me mall gjyshja i ka pritë
Të dy me FLASHIN, të mirin.

Eh, sa mirë që është ndjerë
Te ky vend me diell shumë,
I thotë gjyshes:”Një tjetër herë
Vizitor do vij dhe unë.”

Ia kthen gjyshja e përdëllyer:
“Të urdhërosh, o bir, pa fjalë!
Mirësia duhet shpërblyer,
Do të pres si të të kem djalë...”

U ngrit FLASHI në ajri
Endet qiellit mbi qytet,
Një gëzim i ndrin në sy
Dhe nga lart na përshëndet.

Mandej iku, u bë erë
Fluturim prej Shqipërie,
Atje larg ai do shpjerë
Ca thërrime dashurie.

Mb eti gjyshja e pagojë.
Mirësia ia mbush sytë,
Gjyshi mund të fluturojë
Dhe me miqtë mund t’i përshkojë
Sot të gjitha largësitë. 

Ende pa u rehatuar
E ka gjyshi një merak:
“Një sinjal, a duhet çuar
Gjyshe moj, për atje larg?

Mbesat lodrat do të lenë
Do të presin pa duruar
Që të ma dëgjojnë zënë
Që ca kohë u ka munguar.

Dhe tani e mira gjyshe
Me një endacak a s’ngjaj?
Në pranverë, çdo dallandyshe
Do ta gjejë folenë e saj...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora