E merkure, 24.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Fajin e bart juria...

E hene, 04.06.2012, 04:39 PM


Ekspozita “Muslim Mulliqi”, fituesi akuzohet për plagjiat

Fajin e bart juria........

Nga Dr. Ilir Muharremi

Fjala plagjiaturë është mjaftë e vjetër, rrëqethëse, e pa mëshirshme që në gjuhën latine: “plagium” do të thotë kusari. Format më të shpeshta të plagjiaturës janë: Kur dikush e paraqet si të veten një vepër, të cilën e ka punuar tjetërkush, ose kur dikush huazon një tekst dhe nuk e publikon burimin quhet plagjiaturë e pjesshme. Në çfarëdo forme të paraqitet ajo, në esencë shkel drejtat e autorësisë. Në gjitha vendet e botës, plagjiatura ndiqet me ligj. Nuk është i panjohur rasti i ish ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Karl Theodor zu Guttenberg, ku u vërtetua se në temën e disertacionit kishte pasur tekste të shumta, të cilave nuk i është përmendur burimi, andaj iu anulua grada shkencore ‘Doktor” nga Universiteti i Bayreuth. Ishte i detyruar të jep dorëheqje nga çdo post politik, gjë që u vërtetua në media. Mirëpo, çfarë ndodh me artistët kosovar, apo me vlerësimin, dhe përzgjedhjen e Galerisë se Arteve të Kosovës, në ekspozitën çmimi “Muslim Mulliqi” që organizohet çdo vit. Kanë konkuruar mjaftë artist, me tema origjinale, që arti i tyre gjithnjë ka ngritur përpara shoqërisë problemet e mëdha të kohës, arti i tyre i skajuar, i refuzuar që i bëri jehonë drejtpërdrejt problemeve bashkëkohore dhe që kontribuoj për ndriçimin e perspektivës. Gjithnjë duke vënë në qendër të krijimtarisë temën aktuale, detyrat e shoqërisë “Demokratike”, u anulua si në heshtje, dhe u ofrua hapësira kontradiktore, për “Kusarët” e artit, të cilët fal internetit, pikasin ndjenjat, ose janë të prirur për “Copy paste” pa u lodhur fare, nga rraskapitja e artit, apo qetësia absolute, duke e larguar vëmendjen nga sprova e artit, e realitetit të jashtëm dhe të brendshëm. Faji bie mbi kuratorët e ekspozitës Galit Eilat dhe Charles Esche, po ashtu edhe mbi  pjesën e jurisë profesionale:  drejtoreshën e Muzeut të Artit Modern në Lubjanë, Zdenka Badovinac, artistin kosovar, Sokol Beqiri, dhe drejtorin e Programit Hulumtues në Galerinë me famë botërore SALT, në Stamboll, Vasif Kortun. Pasi që arti është shndërruar në industri tregtare, ose në ndonjë treg i cili arrin që sa më shpejt ta shet mallin, aspak nuk e fajësoj fituesin e edicionit të sivjetëm Fatos Kabashin me veprën “Lapsat” i cili në media akuzohet për plagjiaturë. Madje, në gazetën e përditshme “Zëri”, anëtarja e jurisë Zdenka Badovinac  ishte prononcuar: ““Lapsat” (Pencils) është një shkathtësi e shkëlqyer dhe padyshim meriton trofeun”.  Meriton trofeun, dhe kjo është një shkathtësi e krijuesit ndaj mosinformacionit artistik global të kuratorëve dhe jurisë “Profesionale”, e cila gjithnjë e më shumë e shpie në humnerë artin konceptual në Kosovë. “Lapsat” si vepër nuk më kanë rënë në sy, dhe nuk ka arritur të më zhyt në një botë iluzore, fantastike, ose të më bëjë pjesë e plagëve të saja. Përdorimi i teknikës së lapsave është tejet interesant, dhe këtë e përdor artisti brazilian Dalton M.Ghetti, dhe me një të klikuar në google, mund të gjejmë në pakufijë punën reale, qetësuese, mistifikuese të këtij artisti. Si teknikë që përdorë Kabashi është në rregull, sepse në botë shumë artistë gjejnë truall të përshtatshëm për tu shpërndarë me këtë lloj arti. Mirëpo, renditja e lapsave në një kompozicion horizontal, të gdhendur në maje, ngjan me punën e M.Ghettit. Ndoshta, për shkak reflektimit të pavetëdijshëm të konsumimit të tepërt të artit në internet, ose edhe nga përdorja e qëllimshme. Vepra, e heshtur në mes kritikës dhe arsyes, flet më qartë dhe reflekton me atë të krijuar nga Ghetti. Dallimin e bënë artisti kosovar vetëm me krijimin e distancës së lapsave duke mos i vendosur në një diagolane të drejtë sikurse braziliani. Kjo nuk mjafton shkëputjen nga kopjimi i mjeshtrit Ghetti. Sidoqoftë i dëshiroj sukses edhe në punën e mëtutjeshme. Në esencë, krijimtaria artistike është rezultat i shumë faktorëve: talentit, përvojës, arsyes, vullnetit,  biografisë së artistit, edukatës, botëkuptimit, idealit estetik, metodës krijuese, jetës sociale etj. Lidhja e artistit me jetën shoqërore është me mijëra fije dhe nyje dhe komunikon me mjedisin social, reagon pëson nga ndryshimet, frymëzimin e gjen në qëllime, pasione të caktuara, në rrugën e shpirtit etj. Ajo që u pa në ekspozitë ishte si një makinë kibernetike, me pak ngjyrë, anemike, e kufizuar në kornizën e shabllonit të pakuptuar mirë, se ku është qëllimi dhe esenca estetike, globale e një mesazhi të fuqishëm, i cili duhet të provokojë dhe jetoj në kokë dhe shpirt. Zëri i ri i jetës nuk dëgjohet vetëm nëpërmjet përdorimit të teknikave, të cilat janë mësuar t’i shohin në internet artistët, natyrisht nuk duhet menduar se çdo luhatje e rastit sjell rritjen e vlerave estetike të veprës, se çdo origjinaliteti e pajis veprën artistike me vlera estetike. Në librin “Estetika” të autorit Alfred Uci përmendet se majmuni, duke goditur tastet e pianos ose të makinës së shkrimit, krijon tekste shumë më origjinale sesa ato që krijohen duke iu përmbajtur rigorozisht rregullave dhe ligjeve të sintaksës muzikore ose poetike. Meqenëse tekstet superorigjinale të majmunit nuk i nënshtrohen asnjë rregullsie, s’kanë vlera të mirëfillta artistike. Ma merr mendja se e dini për ku e kam fjalën!



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora