E enjte, 18.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Kulturë

U botua libri ''Apologji për Udhën e Kombit''

E diele, 03.06.2012, 02:00 PM


“Apologji për Udhën e Kombit”, është libri më i ri, i shtati në radhë, i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu që sapo ka dalë në qarkullim.

Ky libër publicistik me polemika me ata që kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj  arterie të kombit shqiptar, me redaktor Izet Duraku dhe recenzent Skender Zogaj, është i ndërtuar në tre kapituj, Apologjia ime, Apologjia e politikës dhe Apologjia e Miqve. Është një libër voluminoz me rreth 500 faqe, shtypur në shtypshkronjën “Geer”,  Tiranë.

Kapitulli i parë “Apologjia ime” përfshin shkrime të autorit si “Nuk ishte luftë, ishte fjalosje”, “Dhe dashuria e Edi Ramës për udhën e Kombit”, “Deshpërimi nuk e çelë derën e pushtetit”, “Folkpatriotizëm”, “Gëzohu me mua zoti Lubonja”, “A flet si toskë Mustafa Nano”, “Shtribalizimi i Partisë Socialiste”, “Udha e Kombit po i shërben kombit”, “Sharës me pagesë”, “Replikë me hijen dhe hijet e hijes”, “Një metaforë me gratë vjeneze”, “Histori personale ku unë mund të jem ti”, “4 shkurt 2007 – shpërthimi i parë tek tuneli”, “Faqja e falenderimeve” etj, etj.

Kapitulli i dytë “Apologjia e politikës”, përfshin disa prej debateve më të nxehta politike në parlamentin shqiptar. Aty janë debatet kryesore të tri interpelancave për Udhën e Kombit. Si autorë janë të përfshirë, sipas radhës së diskutimeve, Erion Braçe, Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi.

Kapitulli i tretë, “Apologjia e Miqve”, të cilët Rexhep Shahu i falenderon në libër si bashkëmendimtarë që e kanë frymëzuar dhe mbushur me dashuri e besim, është ndërtuar me shkrimet e 27 personaliteteve te njohur, shqiptarë e të huaj që kanë shkruar me dashuri për Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë : Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku, Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, William Walker, Izet Duraku, Edison Ypi, Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj, Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens & Laurent Geslin, Karl-Peter Schwarz, Jonuz Hallaçi.

Që në ballinë të librit autori ka vendosur fraza të zgjedhura të thëna nga përsonalitete të ndryshme si :

Dritëro Agolli: Kjo udhë do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar kjo rrugë, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbeten në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.

Sali Berisha: Nëse do të duhet, ne do të shesim bizhuteritë e grave tona për të përfunduar këtë autostradë.

Ibrahim Rugova: Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës - Prishtinë.

Eliot Engel: Nga kjo rrugë, nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon.

Pandeli Majko: Ka pasur lobe kundër ndërtimit të rrugës. Të jemi të sinqertë, për mua e rëndësishme është që rruga të bëhet, që unë të ec në asfaltin e asaj rruge.

Lulzim Basha: Imuniteti është më e pakta që jap për këtë rrugë.

William Walker: Rruga Durrës – Morin bashkon Shqipërinë me Kosovën

Nga biografia e Rexhep Shahut

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960, në Bardhoc të Lumës, fshat i ngritur mbi rrënojat e Gabulit të lashtë, pranë kufirit me Kosovën, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Shkollën e mesme teknike - mekanike e kreu në Durrës në vitin 1980.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar e punuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej vitit 2005 edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare” organ i Ministrisë.

Veç librit “Apologji për Udhën e Kombit”,” ky autor ka botuar edhe gjashtë libra të tjerë, tre vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë”, poezi, Tiranë, 2011.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora