E shtune, 20.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Orhan Pamuk - Ju tregoj “Muzeun e pafajësisë”

E shtune, 02.06.2012, 06:19 PM


Orhan Pamuk: Ju tregoj “Muzeun e pafajësisë”

Nga Albert Vataj

“Muzeu i pafajësisë”, një libër dashurie nga ato që të bëjnë të humbasësh frymën, të humbasësh mendjen, është dhe një roman për dashurinë si rastësi. Një roman për dashurinë e dhimbshme. Një roman tragjik që mbaron pa pasur mundësinë t’ia vesh fajin dikujt. Një roman klasik, që nuk ka lidhje me melodramën turke dhe që po konsiderohet si romani më i mirë i nobelistit turk, Orhan Pamuk. Libri u përkthye në dhjetëra gjuhë, u shpërnda në miliona kopje. Një ndërtesë e përshtatur sipas romanit me të njëjtin titull, gjendet në një nga lagjet më të vjetra të qytetit. Një muze si dedikim dashurie, dedikim për Stambollin. Këto ditë, muzeu u vizitua nga gazetarë të rrjeteve më të rëndësishme, ftuar nga Orhan Pamuk në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila rrëmbeu vëmendjen e gjithë medias ndërkombëtare, si një ide unike në llojin e vet. Një muze për një libër. Një godinë trekatëshe, përkushtuar kujtimit të personazheve imagjinarë të romanit më të fundit të nobelistit, që përcjell emocione dhe dashuri. Në 83 vitrina, aq sa janë 83 kapitujt e romanit. Muzeu nis me 4213 bishta cigaresh, që i ka pirë Fysuni dhe mbaron me krevatin e dhomës së dashurisë. Pamuk në një intervistë me Rudina Xhungën, për “Shqip” në Top Channel, ndan nga Stambolli me publikun shqiptar përurimin e “Muzeu i Pafajësisë”. “Nuk janë lavditë e të shkuarës, ato që kanë rëndësi, - thotë Pamuk. Nuk janë sulltanët apo gjeneralët e mëdhenj, por njerëzit dhe objektet e tyre. Ia vlen të ruash detajet e veprimeve tona, të fjalëve dhe aromave tona. Sepse letërsia është arti i shndërrimit të së përditshmes dhe përkohshmes, në sublime dhe të përjetshme. Ndaj e ardhmja e muzeumeve është brenda shtëpive tona”.

E kishit menduar më përpara që do të kishte një muze për “Muzeun”?

Muzeun dhe romanin i mendova dhe ndërtova njëkohësisht. Nuk ishte libri që më bëri të mendoja për muzeun dhe as muzeu për librin. Unë mendoja njëkohësisht për to.

Në këtë mënyrë, vjen historia edhe në roman. Kemali është shumë i dashuruar me Fysunin, por punët nuk i ecin ashtu siç ai do. Në mënyrë që ta ruante raportin që kishte humbur, në mënyrë që ta përjetësonte vajzën e zemrës, Kemali nisi të mbledhë të gjitha rrobat, sendet, orenditë, kujtimet, në mënyrë obsesive, në emër të dashurisë së tij.

Edhe unë në kohën që po shkruaja romanin, fillova të mblidhja sendet që shikon përreth, sepse doja t’i shikoja ato, para se t’i fusja në roman dhe pastaj, pasi romani t’i kishte pranuar, t’i ekspozoja në këtë muze. Kur mbarova romanin, shtëpia ime ishte e mbushur plot me gjëra, dhe fillova të mendoja për mënyrën sesi të gjitha këto kujtime, sende të dashurisë së Kemalit me Fysunin, do të mund t’i ekspozoja në muze. Në fund e gjeta mënyrën e ekspozimit. Romani ka 83 kapituj, po kaq është dhe numri i vitrinave dhe i kutive në muzeun tonë.

Sa kohë u desh që ky muze të përfundonte?

I gjithë ky projekt ka zgjatur ndoshta 12-13 vjet. Këtë ndërtesë unë e bleva në fund të viteve ‘80 në fillim të viteve ‘90. Në fillim të viteve 2000 atë e shndërrova në një muze, por gjatë këtyre viteve ndodhën shumë gjëra të tjera. Nuk ishte muzeu dhe as libri ngjarjet kryesore në jetën time. Mendoja për to, por paralelisht jetoja dhe shkruaja libra të tjerë. Shkrova librin “Stambolli”, mbarova librin “Bora”, më pas u shfaqën problemet politike. U deshën shumë vite që unë të përfundoja “Muzeun e pafajësisë”. Në fillim mendoja të hapja muzeun sapo të përfundoja librin, por qe e pamundur. I lashë kohë lexuesit të mësohet me librin dhe tani jam gati ta fus atë në muzeun e “Muzeut”. Por nuk është e nevojshme të lexosh librin në mënyrë që të shijosh muzeun, ashtu sikurse nuk është e nevojshme të kesh vizituar muzeun, në mënyrë që të shijosh plotësisht librin. Po ata që e kanë lexuar romanin do të ndjejnë më shumë shpirtin e objekteve dhe ata që kanë vizituar muzeun, do të zbulojnë më shumë nuanca, të humbura gjatë leximit.

A është “Muzeu” libri më i bukur i jetës suaj, libri më i plotë, libri më i rëndësishëm?

Nuk e di. Nuk mund të vendos gishtin mbi një libër e të them se ky është libri më i bukur që kam bërë. Libri që mua më mbërthen më shumë është “Libri i zi”, i cili është një libër i ngarkuar, i impenjuar. “Muzeu i pafajësisë”, është një roman dashurie, është një libër më i përhapur, më i pëlqyer, më popullor. Pastaj lidhja me një libër ndryshon nga një shtet në një tjetër. Edhe unë ashtu ndryshoj. Librat janë si fëmijët, në një periudhë do pak më shumë njërin, në kuptimin e kushtimit, jo dashurisë. Pas pak kohësh harron atë dhe fillon të mendosh për tjetrin.

Media ndërkombëtare e ka kthyer në një lajm të rëndësishëm këtë javë prilli hapjen e Muzeut tuaj. A është ky Muze, “Muzeu i pafajësisë” në Stamboll një vend unik, i cili së shpejti do të kthehet në pikë pelegrinazhi për turistët në Turqi?

Mundet, por unë nuk e bëra duke menduar këtë gjë. Në fillim, kur unë nisa punën për këtë muze, mendoja se do të ishte një vend i vogël dhe se s’do të vizitohej nga asnjeri. Në atë kohë nuk isha aq shumë i njohur në botë. Mendimi më dukej i çuditshëm. Tani nuk më duket më i tillë. Ju e shikoni, ka shumë interes për këtë muze. Por hapësira është e vogël dhe mund të përballojë, deri në 500 vizitorë në ditë. Jo më shumë. Por ashtu, siç e thatë edhe ju, e gjitha bota po tregon interes, dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

A ju bën ky muze të mendoni për muzeun e jetës suaj?

Jo, nuk më bën të mendoj. Ky muze nuk është muzeu im, ky muze nuk është për mua. Ajo që më ngazëllen, më emocionon dhe më bën ta shoh si unike këtë shtëpi, është se për herë të parë, kemi muzeum për një roman, për një trill, për një histori imagjinare dashurie. Njëkohësisht, është një muze modest i Stambollit. Them modest, pasi Stambolli meriton shumë më tepër. Por këtu janë rreshtuar sende e objekte të ndryshme që nga viti 1950 deri në ditët tona, gjëra që kanë përdorur njerëzit e këtij qyteti, siç po e shikoni dhe ju, biletat e autobusëve, sapunët, enë të ndryshme, çanta dore, ora, ibrikë, çajnikë. Muzeu përfaqëson atë që personazhet e romanit përdornin, vishnin, dëgjonin, qepnin, atë për të cilën jetonin dhe ëndërronin, të gjitha rregulluar me përpikëri në kuti të ndryshme dhe dollape ekspozuese. Kur i zgjodhëm dhe mblodhëm këto gjëra nuk menduam për një muze historik, por menduam që të shfaqej atmosfera, drita, mendimi dhe shpirti i këtij qyteti. 

Për çfarë flet romani, për të cilin po punoni?

Titulli i romanit është “Një mendje e çuditshme” dhe në një farë mënyre shpjegoj jetën e një shitësi ambulant të kosit. Protagonisti i romanit, i cili është një njeri i varfër në mesin e viteve ’60, migron nga Konja në Stamboll. Në atë periudhë, ata që shisnin kos, mbrëmjeve merreshin me shitjen e bozës. Nëpërmjet tij, në këtë roman dua të shpjegoj Stambollin e varfër të atyre viteve. Romani i ri që po shkruaj është njësoj si ky muze, shpjegon me detaje Stambollin e varfër dhe migrimin nga Anadolli drejt Stambollit. Por, nga ana tjetër, aty futet edhe fantazia dhe imagjinata ime.

Do të doja që ju t’i drejtoheshit lexuesit shqiptar, një lexuesi shumë të dashur me ju, për ta vizituar këtë muze në Stamboll.

Të gjithë lexuesit shqiptarë që kanë librin “Muzeu i pafajësisë”, nëse do të vijnë në Stamboll, do të kenë mundësinë ta vizitojnë muzeun pa pagesë. Brenda çdo libri është një biletë. Po qe se je lexues i këtij libri, nuk paguan biletë kur vjen. Që tani kam shumë kërkesa nga njerëz të vendeve të ndryshme të botës, të cilët kanë shprehur dëshirën për të vizituar muzeun tim. Patjetër që për shkak të ngjashmërisë kulturore, shqiptarët do ta kuptojnë më mirë këtë muze.

Ka ndonjë gjë shqiptare në këtë muze të Stambollit?

Ashtu siç ju thashë, tema e romanit që po shkruaj tani është për një njeri që shiste bozë, një pije kjo që në kohën e padishahëve ishte e ndalur, pasi ishte një pije e fermentuar, pra me alkool. Por kanë qenë shqiptarët ata, që në kohën e Abdul Hamitit, e sollën bozën si një pije të lehtë, më pas ata hapën dyqanin e parë të bozës. Kështu që rimëkëmbja e shitjes së bozës në Turqi u bë nga shqiptarët, më pas ata që vinin nga Konja bënin shpërndarjen e saj.

Në Shqipëri po flitet shumë së fundmi për neo-otomanizmin. Çfarë mendoni ju për të?

Unë nuk besoj te neo-otomanizmi, jam republikan. Turqia po pasurohet, po forcohet, po ndryshon, ka më shumë siguri dhe i beson më shumë vetes. Kjo është gjë shumë e mirë, por, nga ana tjetër, mendoj se edhe Turqia nuk duhet të jetë kaq ambicioze, dhe para se të bëhet shembull për të tjerët, në fillim duhet të përqendrohet te shtëpia e saj.

 

Turqia së afërmi në Europë. E shikoni këtë gjë, apo ju duket një vizion i largët?

 

Marrëdhëniet Turqi-BE gjatë viteve 2005-2006 ishin të mira, në atë kohë dhe unë e mbroja këtë ide, që dukej sikur ishte një hap larg. Unë jam rritur në Stamboll, qytetin im është perëndimor dhe europian. Përgjigja ime është; po Turqia duhet të hyjë.

Por bota ka ndryshuar shumë, Bashkimi Europian ka shumë probleme, Turqia ka problemet e saj dhe në këto momente në horizont nuk duket një martesë e tillë.

Ju tani jeni një shkrimtar më i qetë, më i pjekur, më pak i zemëruar me Turqinë dhe botën rreth jush?

Nuk jam më një shkrimtar aq shumë i zemëruar. Dhe kur zemërohem nuk janë ngjarjet politike ato që më mërzisin. Jam mjaftueshëm i zënë me faktin sesi shkruaj librat e mi, i shkruaj mirë, apo jo. Thellë-thellë nuk merrem me politikë, nuk ndihem njeri politik. Jam shkrimtar dhe gjërat i shoh në një perspektivë morale. Tani më ndodh shpesh një gjë e çuditshme; kur jam në Turqi, më del në pah qenia ime europiane dhe perëndimore. Ndërsa jashtë, është qenia ime turke, që del jashtë në mënyrë prepotente.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora