E enjte, 25.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Editorial

Gazmend Krasniqi: Piktori i imazheve të fëmijërisë<BR>

E hene, 31.03.2008, 11:08 PM


Ismail Lulani
ISMAIL LULANI
Piktori i imazheve të fëmijërisë
(Shënime nga një ekspozitë)

Nga Gazmend Krasniqi

1.
Një herë, një fëmijë, i nxitur prej shokëve të vet, kopjoi, duke vizatuar me dorë të lirë, një dollar amerikan dhe me këtë monedhë të falsifikuar u ble bukë te furrtari. Qeveritari i vendit tha se ky fëmijë duhej dërguar në një shkallë arti.
Duket sikur po lexojmë Giorgio Vasari-n (1511-1574), kritikun dhe biografin e famshëm fiorentin, që po flet për mjeshtrit e mëdhenj të Rilindjes Italiane, në një kohë legjendash, mirëpo ngjarja jonë ka ndodhur diku nga mesi i shekullit XX në një lokalitet fare të vogël, të banuar përgjithësisht prej shqiptarësh, megjithëse jashtë kufijve të sotëm shtetërorë. Ky qeveritar qe i ati i artistes së ardhshme Tinka Kurti, ndërsa ky fëmijë qe piktori i ardhshëm Ismail Lulani.
Në të vërtetë, piktori do të shkollohej shumë vite më pas dhe e tregonte këtë histori kur tashmë qe bërë artist i njohur, si duke dashur të gjejë arsyet pse u bë i tillë.
Rasti i tij ilustron faktin se magjia e artit u ikën përcaktimeve shabllone.

2.
Shprehja e Xhanbatista Vikosë se poezia janë “imazhet e fëmijërisë” është thënë për poetët, por sigurisht kjo ka vend edhe për krijimtarinë e një piktori poet. Ismail Lulani është një piktor i tillë dhe këtë e tregon ekspozita retrospektive e hapur në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Ai i lexonte me admirim lirikat e Frederik Rreshpjes (poetit që është brenda shprehjes së Vikosë), duke thënë se prej tyre “buron një mirësi”.
Pa dyshim, këtë shprehje e themi edhe për pikturat e tij, megjithëse kjo mirësi tashmë është realizuar jo me anë të fjalës, por me gjuhën e një arti tjetër: ngjyrave e linjave. Edhe pse ndryshon gjuha e artit, është pothuajse e njëjta transcendencë dhe metafizikë.
Ashtu si edhe në rastin e poetit Rreshpja, te Lulani kemi një alfabet të kufizuar, për të shprehur artistikisht botën: pemë, zogj, mullarë, borë, vjeshtë, plaku me dash, plaka me dhi, vajza te pusi, kodra e kreshta malesh, kafshë të lidhura me jetën e njeriut dhe hëna, një hënë përrallore. Kjo e fundit ka qenë arsyeja që, kur kam parë një hënë të tillë në Alpet shqiptare, kam thënë me vete: “Hëna e Ismail Lulanit!” Interesante janë edhe reminishencat e lëvizjes së një familjeje fshatare shqiptare me temën e famshme biblike “Ikja në Egjipt”, piktura të pëlqyera nga Lin Delija, piktori shkodran që vdiq në Itali, pa realizuar ëndrrën e mbushjes së Katedrales së Shkodrës me tablo të kësaj natyre.
Idenë e imazheve të fëmijërisë e mbështet fakti se fëmijërinë e parë artisti e ka kaluar pikërisht pranë këtyre elementeve të natyrës, të cilat janë përthithur fort nga ndjeshmëria e tij e zhvilluar. Kjo përthithje ka qenë përcaktuese për të ardhmen, sepse, megjithëse e fillon jetën si ndihmësmjek, një ditë do të studiojë për piktor, një thirrje prej së cilës nuk mundi t’i shpëtojë, siç kishte ndodhur shpesh me artistët e lindur të llojit Gogen apo Van Gog. Mirëpo këtij alfabeti të kufizuar piktori i shton aftësitë e vizatimit, koloritin e lindur, koherencën dhe frymëzimin e fuqishëm, duke shfaqur një artist shumë të veçantë dhe origjinal.
Pas mbarimit të studimeve të larta, ai imponohet si piktor me cilësi të rralla në ekspozitat kombëtare të hapura në atë kohë. Sipas kujtimeve të tij, që në shkollë, piktori e pedagogu Danish Jukniu i flet për piktorë si Gutuzo, me qëllimin që t’i zhvillohen dhe t’i marrin drejtim të caktuar cilësitë natyrale. Tabloja “Shote Galica”, peizazhet dhe portretet e periudhës së quajtur “të liberalizimit”, tregojnë një piktor të talentuar dhe modern. Periudhën e mëpasme, atë të ideologjizuar, e ilustrojnë tablo si “Kreshniku dhe Balozi”, e cila hiqet nga ekspozimi, sepse dikush e quan “frojdiste”. Tabloja “Fushë-Kosova” ia arrin të ekspozohet dhe të zërë vend në fondin e Galerisë Kombëtare, megjithëse ishte aq larg skemave të kohës. 
Është e qartë për të gjithë se ndryshimet politike e shoqërore të viteve ’90-të, shprishja e sistemit që kishte mbizotëruar artin e kulturën shqiptare për disa dekada, e lanë secilin piktor shqiptar ballë për ballë me artin e vet. Ismail Lulani nuk u tërhoq, siç do t’u ndodhte shumë kolegëve të tij. Për fat, imazhet e fëmijërisë mund ta ushqejnë artin e tij për shumë e shumë vite. I pazoti për t’u bërë piktor komercial, dhe i vetëdijshëm për këtë, ai gjen strehë vetëm në motivet e lartpërmendura.
Se sa i lidhur qe me motivet e veta, e tregon edhe kjo histori. Në kohën e tërmetit të vitit 1979 që preku edhe zonën e Nënshkodrës, Ismail Lulanit dhe Danish Jukniut iu kërkua që, me këtë rast, të bënin një tablo të përbashkët. Për të realizuar këtë tablo, dy artistëve u duhej të shkonin në zonat e prekura nga tërmeti, ku punohej për riparimin e pasojave të tij, dhe aty të skiconin e të hidhnin etyde në shërbim të atij synimi. Sidoqoftë, Ismail Lulani gjendej shumë shpesh duke pikturuar diçka krejt tjetër: pikërisht ato që qenë motivet e tij të zakonshme, kodrat, fushat, mullarët, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me tërmetin në fjalë.
Siç e tregon edhe ekspozita retrospektive, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, këto motive janë aq të gjalla saqë vijnë nëpërmjet ca vizatimeve të shkëlqyera, të cilat i kanë zili edhe vizatuesit më të mëdhenj. Epik dhe lirik njëherësh, piktori i derdh motivet e veta në ngjyra të gjalla, shpesh të ndezura, me të cilat jep një botë tepër origjinale e poetike, duke i bërë vetes një vend të veçantë në artet pamore shqiptare.
Si piktor, Ismail Lulani qe shumë prodhimtar: këtë e tregon dhe numri i tablove që zotëron fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ai i Galerisë së Shkodrës. Me gjithë daljen jashtë vendit të shumë veprave, blerë nga koleksionistë të huaj, fondi që zotëron familja, gjithashtu, është shumë i madh, ekzistencën e të cilit përpiqet ta vërë në dukje kjo ekspozitë: gjë që tregon lidhjen fatale të piktorit me penelin. Ishte nga ata artistë që punojnë çdo ditë. E bëri këtë gjë edhe ditën e fundit të jetës, megjithëse nuk e shtynin ekspozitat e projektuara si dikur, por vetëm dëshira për punë dhe përkushtimi ndaj artit, vetëm se nuk arrinte ta kuptonte jetën pa artin e vet.
Ata që e kanë njohur nga afër, bien në një mendje se, si rrallëkush, arriti t’i mbajë në të njëjtin nivel ndershmërinë ndaj artit dhe jetës që bënte. Pjesa më e madhe e artistëve pamorë shkodranë që vinin pas tij i detyrohen si mësues apo si mbështetës i karrierës së tyre.
Me ikjen e tij la një boshllëk të madh në këtë drejtim.
Ndërsa jeta që bën me artin e tij, sigurisht, vlen të studiohet e të analizohet.

3.
Për të shikuar një piktor origjinal si Ismail Lulani, duhet të zhvishemi nga shumë konvencione që ia atribuojmë artit të traditës. Nëse linja apo penelatat tregojnë më shumë forcë se arsye, piktori është përqendruar në gjërat thelbësore, pasi kërkon t’i paraqesë ato në një dritë të veten. Ai e quan pikturën e tij të plotë, kur ajo përcjell vizionin e tij të skenës reale apo legjendës, sepse përdorimi i mjeteve të tjera do ta largonte vëmendjen tonë nga poetika e tablosë. Me një fjalë, artisti i përdor motivet e veta për të studiuar problemet e veçanta artistike të cilave u kërkonte zgjidhje. Përpjekja kryesore do të mbetej arritja e një kompozimi të organizuar saktë, por pa sakrifikuar gjallërinë e ngjyrave. Ai i përdor ngjyrat e format për të përcjellë atë çka ndjen për objektet që pikturon dhe atë që do të donte të ndjenin shikuesit e tablosë. Herë-herë, ai e tepron me ngjyrën apo linjën, sepse një gjë e tillë i përshtatet synimit të tij.
Padyshim, paraqitja e këtyre shëmbëllimeve, të pashqitshme lehtë nga vetja, i ka dhënë kuptim jetës artistike të njërit prej piktorëve shqiptarë më të veçantë të këtyre dekadave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora