E enjte, 28.03.2024, 08:56 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Sa shumë gjëra kishin ndërruar...!

E premte, 01.06.2012, 05:23 PM


P o e z i

Sejdi BERISHA:

SA SHUMË GJËRA KISHIN NDËRRUAR…!

1.
Para se të shkoj në odën e burrave
U përshëndeta me nënën
Natën e mirë më tha
E putha në të dy faqet
Dhe në sytë e saj m’u shtang shikimi

2.
Atë natë
Luajtëm kapuçash deri vonë
Me vëllezër e me mysafirë të dashur
Plisin e babait e vura në kokë
Për t’i treguar atij rrugën që ndjek
Motrës ia kërkova një tas ujë
Nga burrelja prej pishe
Pas pites që e kishte gatuar gjyshja
Me duart e motmoteve
Në prehër e ula nipin dhe i thashë
Dëgjo si këndohet malësorçe
Ai vetëm më shikonte
Duke m’i puthur faqet

3.
Ishte bërë vonë
Gjelat kishin filluar të këndonin
Për t’u zgjuar në ditën e re
Në odë tani mbretëronte qetësia
Nesër dielli do ta ngrohë tokën

4.
Zgjohemi herët
A i keni bërë gati shytnit
A i keni cokatur kosat
Babai i pyeti meshkujt e shtëpisë
Atëherë shkojmë ta lusim gjumin
Për pak pushim

5.
Në odë kishte ngelur tymi i duhanit
Nga loja kapuçash
Kishte bërë mjegull pluhuri i cergave
Era e gazit të llambave
Kishte mbetur vërdallë duke u sjellë
Në odë shëtiste
Edhe një grimë erë e pites me mazë
Dhe urata për gjumin e ëmbël

6.
Në mëngjes
Një ëndërr e llahtarshme më zgjoi
Sa shumë kohë kishte kaluar
Sa shumë gjëra kishin ndërruar...
Sa shumë gjëra kishin ikur

7.
Në dhomë pushka e varur buzë oxhakut
Përskaj një grimë rrjeti merimangash
Në varësen tjetër plisi i bardhë
Në gozhdën plotë ndryshk
Çiftelia me tela pa akordim
Edhe mestet me të cilat kapuçash luanim
 
8.
U solla rreth e rreth e vetes
E preka mjekrën edhe këto pak flokë
Thinjat më kishin kapluar

9.
Ç’bëra kështu
Asgjë
Ngela në kërkim të pyetjes
Por hapat
Tunxh m’i kishin bërë këmbët
Ëndërr e keqe, apo jo...
O, vargu im i lodhur nga unë 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora