E enjte, 28.03.2024, 11:29 PM (GMT)

Kulturë

Fatmire Duraku: Poezi e afërt dhe e ngrohtë

E enjte, 31.05.2012, 06:28 PM


Poezi e afërt dhe e ngrohtë

(Lidhur me librin me poezi “Portret i fshehur” të Remzie Zekollit, botuar më 2oo5)

Nga Fatmire Duraku

Poezia e Remzije Zekollit, sidomos kjo e librit të fundit Portret i fshehur, në radhë të parë është e qartë dhe e afërt.  Komunikon lehtë me lexuesin. Pra, pa ndonjë vështirësi, mund të shijohet nga shtresa të ndryshme të lexuesve,  që është vetvetiu një nga vetitë e artit të mirë,  të poezisë së mirë...

Këtë poezi unë e njoh nga fillimi, nga vargjet e para të autores,  e cila filloi të shkruaj në heshtje,  duke e rimarrë nëpër duar me durim nga disa herë vjershën.  Kjo ka bërë, që poezia e saj - përveç  arritjes të vërë kontakt të lehtë me lexuesin, të arrijë të na bindë se arti  i njëmend, nëse krijohet me përkushtim, i takon gjithsecilit. Nuk është kjo ndonjë filozofi  e ndërlikuar, por e thjeshtë – t`i jap gjak poezisë, gjak nga kjo tokë dhe nga njeriu i së njëjtës tokë. Një filozofi e thjeshtë, por e bukur. Duke qenë e tillë, poezia e saj le mbresë, gjithherë të pushton me ritmin e vet të brendshëm, e cila hetohet gjithnjë e më fuqishëm, bëhet tërësi. E parë nga kjo prizë, nga kjo tërësi, fitohet përshtypja se kemi të bëjmë këtu me një vjershë të gjatë-poemë, e cila vetëm për hir të praktikës ndahet në njësinë vjershë. Në këtë tërësi poetike, pra në këtë poemë të ndarë në shumë pjesë – me tituj të veçantë, është dominonte vetmia, pritja, ëndrra, dhembja... plaga e ndarjes nga pjesa e zemrës, nga bota ku i ke këngët dhe varret, ku i ke vajet dhe rrënjët. Pritja bëhet më e rëndë nga përsëritja, nga prania e vazhdueshme e vetmisë në shumë nga vjershat e librit. Në një vetmi të tillë heroi lirik përjeton dridhje, parafytyrime, halucinacione.

Ja ta zëmë si do të mund të dëshmohej kjo, me disa nga vargjet e poezisë “Kalaja e dashurisë”:

 

E unë ngela me zemër në dorë

kur Ty pas shpine të ndriti gjaku...”

 

Halucinacion apo jo, për çfarë është fjala? Për ndarje, apo për vrasje. Për ikjen e të dashurit, që ai tërë jetën të kujtohet në vetmi, të pritet të kthehet prapë... E thënë qartë, por prapë jo drejtpërdrejt, jo bardh e zi, gjë e cila do ta lëndonte poezinë. Dhe, vetëm kaq, dy vargje të një poezie do të mjaftojnë të meditosh, të gjendesh para dilemës – kush, çka? Dy vargje të një poezie me çiltërinë dhe peshën e tyre, do të mjaftojnë të bashkë ndiesh dhembjen dhe gëzimin, temën që shtjellohet, tërë mozaikun e gjërave, që nuk shkruhen e aty e kanë zjarrin e vet, aty e flasin veten dhe hijen e tyre, me të cilat preokupohet autorja.

 

II

Po të bënim një krahasim me librin e parë të autores, do të hetonim qartë se kjo përmbledhje është realizuar në mënyrë krejt tjetër. Derisa vargjet e librit të parë i përshkonte këndimi pa ndonjë ndërtim me kuptim metaforik, vargjet e librit të dytë janë të realizuara më me zell  dhe herë-herë me kuptim më të thellë, simbolik. Duke bërë një përpjekje të tillë - të jetë më racionale, autorja tash na sjell një libër me ndërthurje të re, më mjeshtërore, ku me përkushtim i këndon, etjes, netëve të trishtuara,  vetmisë, ëndrrave të vrara, etj.

Simbolet janë të njohura, disa të marra nga letërsia popullore, por këtu kanë marrë dritë dhe dimension të ri. Kështu ajo, sado me përvojë të vogël në krijimtarinë letrare, në librin “Portret i fshehur” na sjell poezi të formuluara mirë, vargje të gdhendura dhe artistikisht të realizuara. Në këtë mënyrë, ndërsa e lexon këtë poezi, të pushton një ndjenjë e ngrohtë, njihesh me një botë tjetër, me një botë të një gruaje e cila nga thellësia e shpirtit të saj prej poeteshe qan hallin e gruas shqiptare në stuhitë e egra të kohës, tash dhe në të kaluarën. Përpjekja e autores që të çel një dritare të re në krijimtarinë poetike të femrës te ne në disa raste del mjaft e suksesshme, që për një penë e cila ende është kërkim të rrugës së shkrimit të vet artistik,  nuk mbetet e pa domethënie.

 

III

 

“Gjakut tim

Që prej kohësh

Kërkon liri”

 

Me këtë moto autorja e fillon poezinë e vet, të librit “Portret i fshehur”, i cili në të vërtetë është kuptimi i jetës, i etjes për liri në tokën e vet të lashtë, është alfa e omega e preokupimit të saj. Kjo simbolizon një gjendje të rëndë, përmes cilës ajo  shpalos veten, këndon, thur vargje, që përmes këngës të ngrihet mbi dhembjen. Sepse, nuk kanë thënë kot poetët sa e sa herë, se kënga është ilaç.

 

Dhe, ja, ilaçi, ja fjalët që shërojnë, të cilat duke u radhitur në dirtën e qiririt njëra pas tjetrës e flasin natën e pafund të autores, pritjen, dhembjen që nuk zbutet, në çastet e vetmisë së thellë, por në tëç njëjtën kohë edhe shërojnë, lirojnë nga Ëankthi, nga klithja q heshtur e shpirtit;

 

“Sonte nuk kërceu heshtja

Nuk heshti zemra sonte...”

 

Sepse

 

“Ja si e mbajnë fronin

Në letrën e bardhë

F j a l ë t”.

 

Dhe, në këtë mënyrë ngadalë por gjithnjë e më e pranishme bëhet fjala, ajo tashmë është e prekshme e gjallë, është në çdo objekt përreth. E autorja, duke i prekur thellësitë e saj, fshehtësitë e saj, zë dhe kthehet në vete, të shpalos hirin dhe zjarrin e kujtimit, të shkëlqimit të humbur. Kështu fjala bëhet bërthama e besimit, e derdhur brenda dhe jashtë heroit lirik, në vetveten e autores, nga e cila nuk mund të ikën. E si do të mund të ikën njeriu nga vetvetja!?  Kështu, me vetminë, besimin, ëndrrën, ajo shpalos gjërat, pak-pak ndrit portretin e fshehur dhe krijon një mozaik poetik.

 

Cili është ky mozaik në këtë poezi, në shikim të parë – poezi e çastit? Po të merremi pak më gjatë me këtë poezi, po të thellohemi pak më shumë në të,  do t`i hetojmë shtresimet kuptimore, që qetë dalin në sipërfaqe nga thellësia e vargut, nga thellësia e krijimit poetik. Ajo nuk trillon, ajo nuk imagjinon, nuk ik në re... Ajo prek aty rreth vetes, regjistron impulset e jetës, gëzimet dhe hidhërimet, dridhjet e shpirtit, ritmet e së përditshmes. Duke i ndërlidhur pastaj të gjitha këto fije magjike në vargun poetik,  ajo krijon vargoin e gjatë dhe të pashkëputshëm të jetëmbetjes sonë këtu, lidh fijet e së kaluarës  -  të traditës, me fijet e së sotmes, me synimet për një të nesërme më të mirë.

 

IV

 

Shumë gjëra në jetë e kanë enigmën e vet. Autorja do ta zgjidh këtë fshehtësi, do të shoh atë që dëshiron, por rruga është mjaft e gjatë dhe e mbuluar me mjegull.

“Mjegulla ka mbuluar rrugët

Xhamat e ngrirë

Nga të ftohtit e natës...”

 

Pastaj shton plot rezignim, krejt në dridhje, në dilemë të thellë, apo edhe  fare e  pashpresë.

 

“Me plagë në trup

Si të të gjej...”

 

Njëri ndër preokupimet kryesore të poetes është fati i njeriut në vorbullën e kohës, në këtë truall – në Ballkan, më afër - në Arbëri, por edhe më afër - në Kosovë. Ky preokupim, që do të mund të lexohej thjeshtë – njeriu dhe fati i tij, nuk është frymëshkurtër. Ajo e shtrin interesimin e vet në periudha të ndryshme të kohës... Niset nga një detaj i vogël që më pastaj të thellohet pak nga pak, të prek tutje në kohë, në lashtësi. Duke i realizuar të gjitha këto me sukses, Remzije Zekolli ka krijuar një libër të mirë, një poezi, që sjell kënaqësi.

Njeriu dhe fati i tij prapë. Dhe, gjithherë. Sepse, këtë njeri (dhe fatin e tij - në këtë truall), Remzije Zekolli e prek në të gjitha dridhjet e tij shpirtërore, në të gjitha plagët, por edhe në gëzimet – shumë të rralla, që i përjetoi;  duke qenë gjithnjë rob, por megjithatë gjithnjë i paepur.  Remzije Zekolli, njeriun e vet, pra njeriun tonë - këtë sot dhe këtu, nuk e sheh në asnjë rast vetëm bardhë e zi, thjesht, por në të gjitha nyansat shpirtërore, jetësore, në të djeshëm, në të sotmen dhe tutje - në të nesërmen. Sepse, “nuk ka asgjë pa rrënjë”, sikur thotë ajo. Dhe, kjo do të ishte alfa dhe omega e poezisë së saj. Ja, të shohim poezinë Pse Europë, ku ajo i drejtohet Europës, në këtë mënyrë:

“... Një pjesë e lashtësisë sate jam

Butrinti jam Unë

Dardania jam Kruja...”

Kështu, ajo - në këtë sferë, duke pohuar rrënjët e veta, lashtësinë e vet këtu, shkruan  për trimat që  mbajtën gjallë ëndrrën për liri,  për heronjtë kombëtar, siç është poezia “Ti dhe ulliri” kushtuar Skënderbeut, apo ajo “Shndrit në përjetësi” – një poezi e bukur për Adem Jasharin, pastaj poezitë për nënën e heroit, për të dashurën e dëshmorit, për  gjyshin e vet, etj., të cilët me gjakun e derdhur i sollën dritë të sotmes. Brenda kopërtinave të librit “Portret i fshehur” zënë vend edhe vargje të latuara me kujdes, të cilat prekin anë të tjera të jetës, kënde intime; ajo shkruan edhe për dridhjet e bukura të zemrës së dashuruar, por edhe për bukuritë e natyrës, për damarët e lashtësisë...  për Durrësin, për Vushtrrinë... Duke i ndërlidhur bukur në vargje të gjitha këto,  ajo ia ka dalë të krijojë një poezi të afërt, të çiltër dhe të ngrohtë.

Libri është organizuar me kujdes. Fillon me  moton “Gjakut tim, që prej kohësh kërkon liri”, për t`u prirë nga vjersha programatike “Zoti ju bekoftë”, që është një përkushtim për paraardhësit e autores, të cilëve ajo u falet për hir të zemrës, për hir të dashurisë dhe të dritës që ia falën, pastaj - libri ndahet  në tri cikle “Për hir të zemrës”, “Mjegull në xham” dhe “Qielli i syrit”.

Për fund, dua të cek se me këtë libër Remzije Zekolli ia ka dalë të na bindë se e ka mësuar mirë zanatin e shkrimit poetik. Mbetet të presim libra të tjerë edhe më të suksesshëm. Ajo ka çfarë të thotë dhe atë di ta thotë...



(Vota: 64 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora