E merkure, 24.04.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Monografia që shkruhet për Nënë Neslijen

E enjte, 31.05.2012, 08:27 PM


Monografia që shkruhet për Nënë Neslijen.

Nga Kujtim Mateli

Monografia “ Nderim dhe mall për nënë Neslijen” është një krijim që shpirti krijues i artistit, i mishëruar në penën e Nuredin Nurçes dhe Tare Kasos, dha për miqtë dhe të afërmit e familjeve Kaso e Lutaj, në fshatrat Goricë e Vinokash,  por edhe më gjerë, për të gjithë dëshnicarët dhe përmetarët. 
Libri ka në qendër figurën e Nënës, të nënë Neslijes, një figurë që e rrit dhe e lartëson qënien njerëzore, e bën atë model për të gjithë njerëzit. 
I shkruar me shpirt, pastaj me shkronja e fjalë, libri është tërheqës dhe lexohet me dëshirë. Nënë Neslija është skalitur me mjeshtëri duke marrë përmasat e një figure artistike, duke përfaqësuar ato nëna që lindën dhe u rritën në Dëshnicë  Fiset nga ajo u lind, në Veleshnjar dhe aty ku shkoi nuse në Goricë, i kishin në Skraparin e afërt, fqinj dhe miq të dëshnicarëve, me të cilët brezat dëshnicarë dhe ata skraparllinj, kanë jetuar në harmoni e miqësi të vazhdueshme.
Autorët e librit nuk janë fokusuar vetëm në periudhën kur lindi dhe jetoi nënë Neslija. Ata janë zhytur në histori aq sa mundnin, duke na dhënë origjinën e këtyre fiseve, e cila ishte aty rreth viteve 1800. 
Trevat e Skraparit, Dëshnicës, Beratit e Tepelenës, si treva fqinje, shpesh herë i kanë këmbyer popullsitë me njëra-tjetrën. Kur një familje a fis nuk ndihej mirë në Skrapar, Berat a Tepelenë, atë e ftonte për të jetuar përkohësisht a përjetësisht Dëshnica. Po kështu ndodhte edhe e kundërta, mjaft dëshnicarë kanë shkuar e banuar në rrethet fqinje. Familjet dëshnicare mund të shkonin në rrethet fqinje për të gjetur strehë për aq kohë sa në vendlindjen e tyre të rregullohej harmonia apo miqësia e prishur.
Autorët e librit Nuredin Nurçe e Tare Kaso, janë fokusuar bukur në sfondin që do të ngrinin për bustin e Nënë Neslijes, t`i vendosnin një sfond historik e shoqëror, të jepnin një pjesë të historisë dëshnicare, në vazhdimësinë e rrugës së vështirë, por të admirueshme. Ata kanë skalitur personazhe realë duke u dhënë përmasat e personazheve të një vepre artistike.
Nuk mund të harrohen pjesëtarët e familjes Lutaj që zbritën nga Veleshnja e Skraparit dhe i dhanë emrin e tyre vendbanimit të ri: Veleshnjar. Në këtë vendbanim të ri, njëri nga pasardhësit e kësaj familjeje, Musai, do të lindëte 8 vajza që u mbijetuan vështirësive dhe u rritën në një mjedis gati mitologjik. Ndërmjet këtyre vajzave është edhe Neslija që në fshatin Goricë ku u martua, do të linte një emër të mirë, duke u bërë shembëlltyra e fiseve Lutaj e Kaso.

Njeriu gjithmonë ngre një model shoqëror për ta patur si pikë orientuese në udhën e tij të mirësisë dhe të dashurisë për të tjerët. 
Edhe autorët e kësaj monografie, brenda fisit Kaso të fshatit Goricë, zgjodhën Nënë Neslijen, si përfaqësuesen më të denjë të tij, por edhe si shembull e model për pasardhësit. Është mençuri e autorëve të librit që midis atyre njerëzve të shkëlqyer që kanë përbërë trungun familjar të fisit Kaso, zgjodhën për model një grua, një Nënë, nënë Neslijen, që lindi e rriti shumë fëmijë, me shpirtin bujar e zemër të madhe,  në të kundërtën e atyre monografive të shumta që zgjedhin për përfaqësues të fisit një burrë. 
Libri është ndarë në disa kapituj, njëri më i bukur se tjetri, thurur me mjeshtëri e dashuri njerëzore. Libri i ngjan një mozaiku ku të gjitha pjesët harmonizohen duke sjellë në epiqendër figurën e Nënë Neslijes.
****
Krahas skalitjes së figurës së nënë Neslijes, një tjetër figurë e spikatur është dhe ajo e nënë Haxhiresë. Ajo përfaqëson ato gra shqiptare që përjetuan atë plagë të rëndë të shoqërisë shqiptare që burrat i humbën teksa kishin shkuar nizam në skajin më të largët të Perandorisë Osmane, shkretëtirave nga ku dhe nuk u kthyen më. Megjithatë, këto gra nuk u gjunjëzuan. Morën përsipër edhe rolin e burrit në familje. Rritën nipër e mbesa dhe i dhanë vazhdimësi trungut të familjes, mbajtën të ndezur zjarrin e oxhakut që të mos shuhej kurrë. Nga kjo sakrificë e nënë Haxhiresë, dy djemtë e saj, Mehmeti dhe Ferriku, i dhanë jetë dhe zë fshatit të Goricës, u rritën e u shumuan aty në pragun e të parëve të tyre.
****
Dasma e Ferrikut me Neslijen është përshkruar me ngjyra të ndezura, ashtu si ngjyrat që jep stina e vjeshtës, kohë edhe kur bëheshin dasmat sidomos në të shkuarën. Një gëzim, si ai zjarri bubulak, vjen e na ngroh edhe në ditët e sotme. Është gëzimi që prodhojnë dasmat shqiptare. Gëzime që jetojnë gjatë dhe i kapërcejnë edhe kufijtë e brezave. Të duket sikur edhe Ti po gëzon e këndon bashkë me ata burra e gra, ashtu si ata njerëz të ndritur e të mençëm që i dhanë zë e emër shekullit që kaloi. 
Martohet Ferriku me Neslijen. Një zënkë që ishte shkaktuar pak kohë më parë u tret në muzgun e kaltërt të asaj mbrëmjeje vjeshte të viteve tridhjetë të shekullit që kaloi. Edhe brenga e Haxhiresë për burrin nizam u fashit para ritmit që jepte kënga e vallja. Gëzohej nënë Haxhireja, teksa i biri, dhëndrri Ferrik, shkonte drejt nuses për t`i hequr vellon e nusërisë.  
Jas i e përshkruajnë autorët e monografisë këtë moment solemn në jetën e njeriut: “Nusja e mbuluar me duvakun e kuq qëndronte e fiksuar në qoshen e djathtë të dhomës. Erdhi momenti kur dhëndrri do të hiqte duvakun. I veshur me fustanellë të bardhë, me tirqe dhe opingat me xhufka në majë, ecte serbes. Afrohet te nusja. Me dorën e djathtë kapi cepin e duvakut, e ngre lart dhe e vendos mbi kokën e saj. Zbulohet fytyra e nuses. Të gjithë të pranishmit i drejtojnë sytë te ajo. Nusja duke ngritur dorën e djathtë nga brezi deri mbi ballë, bënte herë pas here temena. Shfaqet para dasmorëve fytyra e rrumbullaktë e nuses që dukej tamam si një çupëlinë, me një trup të imtë, të hollë, e shkurtër dhe e dobët fizikisht”
****
Portreti i Ferrikut.
Autorët e monografisë kanë arritur të japin portetin individual të secilit prej protoganistëve të kësaj monografie, edhe pse ata vizatohen shkurtër dhe janë ndërtuar në funksion të figurës qëndrore të kësaj monografie, asaj të nënë Neslijes. Ja portreti i Ferrikut: “ Ai e kishte zotëruar shumë mirë profesionin e bariut, prandaj nuk do ta lëshonte kërrabën nga dora kudo që të shkonte. Ditën apo natën, në stinën e verës apo të dimrit, do ta gjeje me gjënë e gjallë në kullotat e Goricës, në malin e Trebeshinës, në Joboçarë e në Kutë të Mallakastrës. Përballonte motin e keq me shi e dëborë, në acar e në zheg. Pasioni për profesionin e blegtorit, por edhe vetmia e ndihmoi për t`iu futur me këmbëngulje e dëshirë mjeshtërisë së gdhëndjes së drurit. Ai u bë mjeshtër në përgatitjen e orendive shtëpiake si: lugë (xhovajga) të vogla e të mëdha, çibukëve, cingarishteve, kërraba, parmenda; bishta sopate e kazme, beli e shate etj. Por edhe orendi të ndryshme për qetë e punës si: zgjedha , telvigje, kofshina, hostena etj. Të gjitha këto i përgatiste me mjeshtëri. Kishte shpirt artisti për krijimin e figurave të ndryshme në punimin me dru si: kokë dashi, dele, qeni, ujku, të kaut etj. Për këto lloj punimesh përdorte dru të llojit bush ose siç e quante ai “dru pikësi”, një dru shumë i fortë, që merrte forma të ndryshme punimesh nëpërmjet gdhëndjes me mjete të përgatitura me dorën e vet, por edhe në ngjyrë të bukur në të verdhë. Thurte mjaft mirë çanta prej lëkure me rretra, duke u dhënë nuanca të ndryshme. Nuk do ta ndante nga vetja fyellin dhe cylën, të cilat i kishte për zemër. Fyelli në krahëqafë dhe cyla në brez i kishin lezet. Melodia e fyellit dhe e cylës së tij të çlodhnin shpirtin. Ato ishin të vetmet instrumente të kohës për argëtim…”.
 Autorët e monografisë na japin disa detaje mjaft interesante. Familjet qëndronin bashkë edhe kur ato arrinin në disa dhjetëshe. Cilat ishin arsyet  që e mbanin një familje të bashkuar  edhe kur ajo përbëhej më shumë se 35 vetë, siç ishte dhe ajo e familjes Kaso? 
Ishte dashuria vëllazërore ajo që i bashkonte dhe drejtësia që ata kishin me njëri-tjetrin. Për ilustrim po japim detajin e mëposhtëm midis vëllezërve Mehmet dhe Ferrik.  “ rreth viteve 60-të ata ndahen në dy trungje. Kjo qe një ndarje e vërtetë në fakt, por defakto ata nuk kishin asgjë të ndarë. I vetmi “sherr” që u bë midis dy vëllezërve ishte ndarja e një cope toke pranë shtëpisë. Ndarja u bë në prezencën e brigadierit të fshatit Ali Isufi. Rruga që kalonte nga porta në drejtim të hyrjes së shtëpisë ndante në dy pjesë atë copë tokë. Por ato ndryshonin me njëra-tjetrën në strukturë. Pjesa që ishte në krahun e majtë të rrugës kishte më shumë sipërfaqe dhe cilësore, e punueshme, kurse pjesa nga krahu i djathtë ishte tokë shkëmbore me më pak tokë. Për të mos patur qejfmbetje brigadier përdori shortin. 
- Mirë,- u tha Mehmeti,- me nënqeshje të lehtë në buzë. Vazhdo siç di Ti, o brigadier, po mos e vër shumë veten në sëkëlldi., se unë e kam ndarë mendjen.
Aliu po vështronte me habi, se çfarë mendimi kishte Mehmeti. U hodh shorti. Pjesa më e mirë i ra Mehmetit. 
- Mirë e bëre këtë punë, o Ali,- iu drejtua Mehmeti. Po ta them edhe unë fjalën time. Nuk e di se a do të jeni edhe ju dakord?
-Fol!- i tha Aliu.
- Unë tërhiqem nga shorti. Pjesën lart ta marrë unë dhe atë poshtë ta marrë Ferriku.”
Kjo ishte vëllazëria në Dëshnicë dhe kjo është edhe përgjigjia e pyetjes që secili mund t`i bëjë vetes. Si ishte e mundur që një familje dëshnicare të mbante të bashkur disa kurora martesore, ku brenda gjirit të familjes bashkëjetonin kurshërinj të parë dhe të dytë dhe prapë familja ekzistonte në unitet.  Ishte drejtësia që i pari i familjes mbante për pjesëtarët e saj dhe ligji i tretë që vinte nga lashtësia që i moshuari nderohej njësoj me perënditë. 
***
Ato që e plotësojnë dhe e bëjnë këtë libër me vlera të veçanta, janë edhe tregimet e njerëzve të afërt dhe të dashur të Nënë Neslijes si: 
I vëllai, Avni Lytaj, që drithërohet së largu për vdekjen e së motrës po që nuk mund të shkonte dot pranë saj për shkak të moshës dhe largësisë. 
Shasho Nurçe, tregon se si partizani Arshin Çela nga fshati Gostrenckë e Skraparit, i plagosur, u strehua në shtëpinë e tyre. Nënë Merushja dhe nënë Neslija u kujdesën në maksimum për të: Në këto kushte, përkujdesja dhe shërbimet që i bënë këto dy nëna, i zgjatën jetën vetëm 15 ditë. Vdiq në kraharorin e nënë Neslijes. U varros me nderime nga i gjithë fshati. Eshtrat e këtij luftëtari, sot e kësaj dite prehen në vorrezat e fshatit tonë”. 
Në kujtimet e Et`hemit e Myslimes tregohet dashuria që nënë Neslija kishte për të afërmit e familjes së saj. I gëzonte shpirti si për fëmijët e vet, kur ata e kujtonin dhe vinin aty në fshatin Goricë për ta takuar.
Nënë Neslija ka mbetur e paharruar edhe për mjaft kuadro që kanë punuar në Dëshnicë, njëra prej tyre është edhe mamija Arsino Fociro. Midis njerëzve të shumtë që ajo njohu në Dëshnicë është edhe nënë Neslija.
“ Sa herë që shkoja në Goricë do të kthehesha patjetër te nënë Neslija. Rituali i pritjes qe shumë prekës, shumë njerëzor, i sinqertë”. Të tilla kanë qenë nënat dëshnicare, e tillë ishte nënë Neslija, mysafiri në shtëpinë e saj nuk ndihej më i huaj sapo prekte portën e shtëpisë.
Për figurën e Nënë Neslijes hedhin mjaftueshëm dritë edhe fëmijët e saj: Minushja e Tarja, Selvija e Tekiu apo të afërm të tjerë. 
***
Nuk mungojnë në këtë libër edhe poezitë që kanë thurrur për Atë, të afërmit e familjes së saj. Janë 12 poezi të thurura bukur, ku ndihet një dorë e kujdesshme në redaktimin e tyre. Janë përjetime emocionale që i drejtohen nënës si qënie njerëzore që lind  dhe mban gjallë vazhdimësinë e jetës, por edhe një dashuri konkrete për nënën e tyre të dashur, Nënë Neslijen. Në këtë cikël ndihet fryma e ngrohtë e nënës që është e pranishme tek cilido edhe kur ajo nuk jeton më. Poeti Gëzim Voda, që ka një poezi në këtë cikël poetik kushtuar nënë Neslijes, e përshkruan bukur figurën e nënës. Para kësaj qënieje hyjnore përkulet e përthyhet cilido. 
“Te nëna s`ka vend fodulli,
Kërkush s`mund të ketë pushtet,
Para nënës rrinë : “Gatitu”
Mbret të jesh a president.
***
Libri mbyllet me vazhdimësinë e fisit Kaso, duke i dhënë librit një vlerë të veçantë dokumentare që të mos humbasin më, rrënjët e fisit tonë të lashtë e të nderuar.
Monografia “ Nderim dhe mall për nënë Neslijen” është një risi në fushën e monografisë. Risi se për herë të parë vihet në epiqendër një grua, një nënë. Risi për mënyrën e ndërtimit të kësaj monografie. Nënë Nëslija ka zënë aq vend  në libër, sa ka patur në jetën e saj reale. Ajo shërben si urë lidhse, rreth së cilës  kanë zenë një vend të respektuar fisi i Lutajt nga Vinokashi dhe i fisit Kaso në Goricë. Ajo është në epiqendër të fisit Kaso dhe bën lidhjen midis të parëve të këtij fisi deri tek brezi që jeton sot. Është monografi ku çdo lexues do të ndiejë kënaqësinë e leximit dhe krijuesi do të gjejë një model për të rritur mjeshtërinë e tij.
Tashmë që nënë Neslija nuk jeton më, tashmë që blerimi, flladi dhe era këmbejnë me njëra-tjetrën pranë varrit të saj , vargjet e poetit  i kujtojnë udhëtarit se aty prehet: Ajo e urta gjer në dhimbje, e thjeshta gjer në madhështi.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora