Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Unë tani eci vetë...

| E enjte, 31.05.2012, 06:09 PM |


UNË TANI ECI VETË ...

Tregim

Nga Sami ISLAMI

Unë jam Klea. Besoj se më njihni!  Si  shumë moshatarë e  moshatare të mia u linda jashtë Kosovës. Edhe pse këtu në mërgim  jam mirë, megjithatë më shumë kam pasë dëshirë të jetoja në Kosovë!  S’di pse më tërheq më shumë vendlindja e prindërve të mi, Kosova? Në Kosovë  kam qenë nja dy a tri herë. Dhe sigurisht do të shkoj prapë për pushime. Këtu në Londër  jetoj me prindërit, gjyshin, gjyshen, dajat, tetet, që i dua dhe më donë, por edhe  në Kosovë kam  shumë njerëz të mi. Edhe ata i dua pa masë!

Një ditë mami më tha se së shpejti do të shkojmë në Kosovë!  Ah, sa u gëzova!  Atje i kam gjyshërit e mi, që mezi po   pres t’i takoj! Si dhe hallat, xhaxhin , tetet ! Do të më shohin se sa jam rritë!  Do t’u tregoj  se sa gjana të reja kam mësuar! Tash po i bëj njëzet muaj. Kam nisë edhe të flas. Di ta them shumë bukur emrin tim Klea, pastaj fjalët: babi, mami, daja , axhi, e shumë të tjera. Gjyshen dhe gjyshin i thërras njësoj.  Po,  të dyve u them  “gjys”. Kur po e them këtë fjalë gjyshi e gjyshja po qeshin me mua, ndoshta,  që nuk po di ta shqiptoj mire, apo poi u duket interesant shqiptimi im. Ku ta dish? Ç’është e vërteta,  njëherë për një herë kjo fjalë po më duket e vështirë. Po do ta mësoj edhe këtë. Prej kur mami filloi të më dërgojë në qerdhe e kam vërejtë se gjuha që po flet mësuesja nuk është si kjo e jona. Megjithate edhe në gjuhën e vendit ku jetoj  kam nisë të kuptoj nga pak, bile i kam   mësuar dy këngë…

Para një muaji, kur isha pikërisht nëntëmbëdhjetë muajshe,  fillova të eci mjaft e sigurtë. Po e them nëntëmbëdhjetë muajshe , se të rriturit neve fëmijëve moshën na e llogarisin  kështu, pra me muaj. Bile kur jemi edhe më të vegjël na e llogarisin edhe me javë! Na e llogarisin kështu, ndoshta, sepse ,ata kanë dëshirë që ne të rritemi sa më shpejt!  Bile, më kujtohet, prej kur linda,  shpesh më ka rënë ta dëgjoj mamin , babin , kur u thoshin të tjerëve,  se Klea  ka mbushë një javë, dy, tri; pasataj  kur e mbusha një muaj, ia nisën me muaj; një, dy, tre muaj e keshtu me radhë.

Nejse .

Të kthehem prapë te “shqetësimi” i prindërve të mi. Është e vërtetë se unë nisa të eci pak më vonë se disa moshatare të mia. Po kjo nuk ishte pse unë nuk mundja, po thjesht pse nuk doja. Thashë t’i vë pak  në siklet  dhe t’i baj merak  prindët e mi, por edhe të tjerët nga familja ime më e gjanë , që po bezdiseshin për ecjen time!

Më kujtohet  që kur isha rreth një vjeçe, nisa të eci, por nuk e di si ndodhi dhe u rrëzova. Nga inati më nuk  desha të eci për disa muaj rresht. Me ecë këmbadoras, si disa fëmijë të tjerë, nuk kam provuar  thuaja fare. Nuk doja të ecja ashtu, si mace! Fundja as nuk kisha nevojë, se mami, gjyshi e gjyshja më merrnin hopa ose  për dore sa herë që doja unë. Kur isha vetëm me mamin, e dija se ajo nuk kishte edhe  aq kohë të merrej vetëm me mua, sikur kur isha me gjyshërit,  prandaj kur doja të ecja më duhej të  mbahesha për kanape ose për muri! Babi nuk ishte aq kohë të më shetiste , po ai  ma pat blerë nje lloj karroce për t’u mbajtur dhe me ecë me të,  të cilën e përdora disa kohë, por më vonë edhe atë e lashë.

Puna e ecjes sime shkoi deri aty, sa u vunë në dijeni edhe gjyshi, gjyshja, axhi  teta dhe hallat edhe në Kosovë! Po kjo  mua nuk më bënte thuaja fare përshtypje, se e dija veten se nuk kisha asnjë problem. Thashë nuk ecja se nuk doja dhe pikë.  Unë vazhdoja të ndihesha rehat. Mu për këtë çështje unë kisha përkrahjen edhe të gjyshit  tim në Angli, i cili më inkurajonte.  Shpesh e  kam dëgjuar t’u thoshte të tjerëve: “Mos e keni atë kasavet, se Klea do të ecë kur do vetë!”

Një ditë, pra  kur i mbusha  nëntëmbëdhjetë muaj,  derisa isha me prindërit, me gjyshin dhe me gjyshen në dhomën e ditës u shkëputa nga mami  dhe me vrap iu hodha gjyshit në krahëror! Eca vetë! U tregova se unë mund të eci, madje pa problem.  “Ja!- thashë, e shihni se unë mund të eci vetë”!  E vërejta se gjyshit i erdhi mirë që doli fjala e tij, por m’u duk  se prindërit e mi u gëzuan edhe më shumë. Edhe mua m’u shfaq një ndjenjë krenarie,  prandaj, si për ta dëshmuar  guximin,  të njëjten gjë  e përsërita disa herë!

Javën tjetër, derisa mami po më përgatiste për të më dërguar në qerdhe,  erdhën heret  tek shtëpia jonë gjyshi dhe gjyshja.  Kësaj radhe ata më morën dhe më dërguan në qerdhe, kurse mami mbeti për t’i kryer punët e shtëpisë. U nisa për në qerdhe me gjyshin dhe gjyshen! Mami më vendosi në karrocën time, kurse herë gjyshi, e herë gjyshja më vozitnin trotuarit ku kishte shumë këmbësorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë tjerë si unë me nënat e tyre që po i dërgonin , sigurisht në qerdhe , ku po shkoja edhe unë.  Të them të drejtën nuk më pëlqeu karroca, po nuk kundërshtova, se thashë mos ta hidhëroj mamin. E dija mirë që gjyshi e gjyshja nuk do të ma  kishin prishur qefin, por e lashë me kaq.

Edhe në qerdhe angazhohem shumë duke  vrapuar sa te një lojë sa te një tjeter.U, sa shumë lodra ka në qerdhe!, Atje kam qenë edhe herave të tjera.  Unë atë ditë kam ecë më shumë se asnjëherë më parë.Jam ulur vetëm atëherë  kur mësuesja na solli drekën dhe kur nisëm t’i këndonim këngët dhe lojërat e preferuara, të cilat i pëlqej shumë!

Koha në qerdhe më kaloi  shpejt.  Edhe pse dy orë eca dhe luajta, prapëseprapë nuk u lodha sa  rrugës për në shtëpi nuk hypa fare në karrocë, por gjatë gjithë rrugës eca vetë.