Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mustafë Rugova: Na kan’ mundë Nanat Shqiptare

| E merkure, 30.05.2012, 08:03 PM |


Na kan’ mundë Nanat Shqiptare

-BALADË PËR FUSHËMIRËN-CERROLLUKËN-

Nga: Mustafë Rugova

N’ Cerrollukë, atje, n’Podgur,
Burra t’mirë ka pasë dikur,
Besa-besë, deshta me thanë,
N’tana stinët ashtu asht kanë.

Brezi pas brezi na kanë thanë,
Besë t’pa besit mos me i nxanë.
Edhe brezat lidhë si rr’fanë,
Ishin ba, gjithkah muranë.

Qysh kanë thanë e kanë kallxue,
N’tana luftrat që kanë shkue,
Do tu’ britë e shumë tu’ k’nue.
Brezi ynë, që tash asht’ gjallë,
Mbajtëm mend fjalë për fjalë
Gjithë rrëfimet për t’parët tanë.

Kur m’shkoi mendja për baladë,
Thashe me veti, -si me ja dalë?
Por i meçmi s’ka thanë kot:
Nisja Ti…, t’nimon një Zot.

Unë prandaj s’e kam pasë zor,
T’parët e mi t’i përkujtoj.
Tash po e la këtë parathanë,
K’shtu po m’thotë e urta zanë.
…!
Qysh se kur, na mur Serbia,
Ish lidhë besa e trimnija.
Tash po i shkoj rend e me rend,
Mos me lanë nja pa përmendë.

Po ia nisi me Nokshiqin,
Me i kujtue djemt edhe fisin.
Ky Nokshiqi, na koftë bekue,
Boll shumë djem kishte bashkue,
Me i dalë zot trollit të vet,
Mos me rr’nue ma për gazep.

Me ‘tetëqind shtatdhjetë e nandë
Janë mledhë burra n’katër anë,
Pashë Gucija prijsi i parë,
Jakup Ferrit po i çon fjalë,
Mblidhi krenë e bajraktarë,
Mark Milanit me i dalë përballë.

Janë mbledhë burrat varg e vi,
Me mbrojtë Plavë me mbrojtë Guci.
Si përherë në histori,
Prinë Rugova me djem t’ri,
Çelë Shabani e Kadri Bajri,
Nure Kurti e Kurt Asllani,
Kaje Gajla e Zhuj Selmani,
E thotë kanga n’tel t’sharkisë,
Motra e Zhuj’s, qafën kapricë,
Katër shkie i preu n’sakicë.

Tahir Hysa me gjithë vëlla
Po luftojnë po bëjnë hata,
Shpinë për shpinë ata zatetë,
N’nanë e n’babë tue u përbe,
Sa t’rrezojë dielli n’këtë dhé
S’i lamë t’huejt me shkelë mbi ne.

Pa përmendë tash s’po kam çare,
Dy të tjerë, burra t’kësaj fare:
Shaban Smaken e Niman Podrimen,
Kushërij në verë e n’dimen,
Njani tjetrit tu’ ia ruejtë shpinën,
T’merrën n’bark tue u shti shkive.

Kështu ka ndodhur dikur moti,
S’dihej se. -kush ish ma i zoti.
Brezi brezit ia la një fjalë
Mos m’e lanë Atdheun për t’gjallë.

Edhe brezi që po lindte,
Çdo fjalë t’vjetrit e përbinte,
Fjala e tyne ish amanet,
Me u fliju për vend të vet.

Ditë për ditë e stinë për stinë,
Mali i Zi bashkë me Serbinë,
Jetën shqipes po ia nxijnë,
Mbeshtetje kishin në Kremlin.

Kështu me rradhë e mot për mot,
Duhej dalë vatanit zot.
Cerrolluka, vend xhevahirë,
Jo më kot i thom Fushëmirë.

Fshat i mirë, me marifet,
Gjithë tue kqyrë punën e vet.
Por Serbia me Mal të Zi,
Si gjithkund në Shqiptari,
vra na’i kan dy djem të ri:
Dy djem të ri, e dy djelmosha
I vrau Gali e Radoja
Veç pse ishin djem sokola,
veç pse mbajshin plisa t’bardhë,
flisnin shqip, ishin shqiptarë.

Gal çetniku, i biri shkinës,
kur i vrau djemt e Fushëmirës,
njanin haptas, tjetrin tinëz,
s’e kish ba ai hiç hesapë,
se do t’vinte një ditë e bardhë.

Kështu nji ditë, sa ish n’livadh,
Sadri Xhema i del përballë,
I thotë Galit: -Kam një falë.
Gali tash, trim me “fletë”,
Menzi fjalët po na’ i qet,
Prej vormakut ish përmjerrë:
Mos m’merr n’qafë! - i thotë Sadrisë,
- mos m’i le shkret robt’ e shpisë.

Po Sadria e kish da mendjen
m’ia lanë shkret Galit manxerren.
Dy-tri fjalë ia kish pasë thane:
-Nguli kam’t, o qen vrastar,
se sot dita më ka ardhë,
me qit pushkë për çdo shqiptar,
Në emën të nanave shqiptare,
Po t’i jap plumbat batare.

Thonë ata që e kanë pa,
rrashta e kresë i shkoi hava.
Sadri Xhema, nipi i Bardhit,
kish çue n’vend fjalen e plakut.

Kur s’lufton nipi për dajë t’vet,
zor se dheu ka me e tretë.
Me i ra shkurt muhabetit,
Ish Sadria nip i’Ademit.
…!
Mbas këtij rasti e kësaj pune,
m’del përpara zana e lume,
Hajt më thotë, vazhdo o djalë,
për Sadikun thuej dy fjalë.

I them unë të urtës zanë:
Pasha Zotin po m’vjen randë,
po ty fjalën dy s’ta baj...,
Mos me u prishë une me Zanën,
po ia nisi me zh’ba rrëfanën,
pa përmendë nuk po muj Vanen.

A e dini kush ish Vana?
Nana e Galit ish viranja,
nana e Galit dhe Jovanit,
si dhe gjyshja e Radovanit.

Radovani, ky fatzi,
ish kanë shkue e ra n’çarshi.
Aty ndeshet me dy djem t’ri.
Ndal! - i thonë - ti Radovan,
se diçka kemi me t’thanë.

Nis me ikë ky Radovani,
Çarshisë Madhe, shatërvanit.
Kish pasë mbrri te Ura e Gurit,
aty i kputen leqet e gjunit;
e merr pushka anë përtej,
bash te Ura, mu në Pejë.

Thonë se kur kish pas’ ndie Vana,
n’kupë të qiellës i kish shkue gjama.
Kështu e ka kjo botë e shkretë,
bane keq, vet ke me e hjekë.

Besa –besë, kot s’e kanë thanë:
Se zor jet’ gjaku pa u marrë.
Unë k’tu deshta me u ndalë,
porse zana po m’çon fjalë:
Fol ti djalë, përse je ndalë?

I them une: -Ah, moj Zanë,
Veç me kaq deshta me e lanë.
Zana e malit po më thotë:-Jo,
Kie me folë, për djemt kallxo.
 Po ia nisi me nipin e Bardhit,
që i kanë thanë Tahir Shabani,
ishte trim Muzli Nimani,
Sejd Halili e Isuf Bajrami,
Sadri Suti e Mustafë Shabani,
Brahim Sokoli e Azllani,
Rexhë Sadiku e Xhemajl Rama,
Shabë Jakupi e Nezir Mala,
Shpend Pepiqi e Mehmet Suti,
Adem Muzlia e Haxhi Jakupi,
Rruste Ademi e Januzi,
Tahir Syla pika e burrit,
Arif Ademi sikur uku,
Kurrnja s’lujeti nga huduti,
 
 Aty  ndejtën pa ia da,
tue luftue përditë me shka,
n’Kacuberr e n’Pazar t’ri,
Fut  a fyt,  përditë me shki,
n’Shekullar e në Velikë,
zanin shpipes me ia ngritë.

Menjëherë mbas këtij brezi,
vjen sa ora profesor Rexhepi,
vjen Rexhepi e Selmani,
vjen Imeri dhe Hasani,
Hajdar Suti e Nimani,
Sylë Rugova e Xhafer Muzlia,
lum po bante Fushëmira.

Lum ka ba katundi jonë,
Djemt e vet tashma me shkollë,
I dhanë dritë arsimit shqip,
gjithandej në Dukagjin,
n’Dukagjin e n’gjithë Kosovën,
hapen dijen e mësonjtoren.

Në Fushëmirë, pak ma vonë,
vjen Ahmeti po me shkollë,
vjen Sylë Suti e Ukë Xhema,
bashkë me ta vjen edhe Skenda,
I lumi trolli  për këta djema.

Por diçka që na gëzon shumë,
që n’ket anë kishte ba bum,
kur n’ Fushëmirë dolën do fjolla
lanë xhypnert’ për me shku n’shkolla
Ish Hysnija në krah t’ Zejnepit,
vajzat t’profesor Rexhepit,
që ia msynin universitetit.

E po kështu, si këto dy çika,
n’shkollë kish shkue dhe Hatixhja,
pak ma vonë Mihanja e Tahirit
behet hallkë e këtij zingjirit.

Sa ma shumë që vret Serbia,
aq ma e rrept bahet trimnia.
Por një gja s’duhet harrue:
Nanat tona, kofshin bekue,
nanat tona, u kofshim falë,
djepat plot e zemrën valë,
Nuk e lanë Kosovën thatë.

Kush ma mirë se nanat tona
E ka dijtë çka don Kosova?
Sa herë shkau vriste shqiptarë,
 …Nant tona lindshin djalë.

Bile, edhe vet Çubriloviçi,
që betohej në Pashiqin,
pati shkrue një referat,
mos ti lamë shqiptar’t rahat!
Pati shkrue si asht mA  zi :
krejt shqiptarët duhet me i’gri,
mos me’ lanë asnjë për farë,
S’duam tirqë as plis të bardhë.

Por, kur i erdh koha me dekë,
i kish mledhë do shokë të vetë,
N’goni djema, u kish pas thanë,
Një fjalë t’fundit du m’jau lanë,
Sa s’kam shkue në botën tjetër,
Amanet  po jau la n’ letër:

Kem luftue, kem ba kërdi,
kem vra burra, gra e femijë,
por këtë rracë s’muejtëm me e’zhbi;
Pa jau thanë, nuk po kam çare:
-Na kan mundë Nanat Shqiptare.
                ./.
 Shenim: Zoti Mustafë Rugova po përgatitë një Monografi për vendlindjen e tij FUSHËMIRË. Kjo baladë që lexuat më lart, është pjesë e monografisë, dhe unë si redaktor i këtij libri të ri, I propozova autorit që ta botojmë tani, edhe si lajmëtare të kësaj monografie. Dhe ramë dakort.

(Për ZemraShqiptare, nga NJ,USA, Zeqir Lushaj)