E enjte, 25.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Thirrja në ''Din e Iman'' për hakmarrje

E merkure, 30.05.2012, 07:18 PM


THIRRJA NË „DIN E IMAN

PËR HAKMARRJE

NGA KALOSH ÇELIKU

- O plak, pendohu për të gjitha ato që i fole pas “teravisë” në xhami!

- Kush je ti tani, që më urdhëron natën?! Përgjumshëm në vend të Allahut, e thirrë nateditë  Shejtanin në minare. Edhe, atë: në Ditën e sotshme të Motit Madh (2012) ma përmend autobusin, do të më përzësh me dhunë në Turqi?! Në protesta qytetare del me “Allahu akbar” dhe flamur arab. Kësulë - leckë të zezë në kokë. Ose, “shajkaçë” serbe.

- Unë?

- Po, ti me ferexhenë krahëve.

- Unë jam Lugati i Koçajve. Ose, me “veprimet artistike-patriotike”: Hoxha i Allahut. Bindu dhe lutu përpara këmishës së bardhë me oja e xixëlla deri në fund të këmbëve, kur dal natën!

- Jo, or Lugat i Koçajve! Jo. Frikë kam mos më rrahin me dru kur të dalë drita! Vulën e Dexhallit të ma vënë në ballë pas Përmbytjes Madhe (Kiametit). Shkaku se, ti në faqen tënde të Facebook –ut si “pejgamber i fundit” mysliman pas Muhamedit a. s. mu si dje ma ke paraparë edhe fundin tim, vdekjen solemne.  Edhe atë, ma përmend pa fije turpi të ndjerin Ardian Klosi. I mjeri ti me këmbët dhe trutë në legen. Ende nuk e di gjakun tim që më ec nëpër damarë. Karakterin që më ndjek si hije brez pas brezi me shekuj. Kurrë, nuk mund ta vras veten si qen në mes të rrugës. E di, ju mund të më helmoni, vrisni kur të doni në çdo hap. Vetëm e keni gabim si dje edhe sot se, unë vetë mund t’ia heq këmbëzën e revoles vetes në kokë?!... Veprimin e këtillë nuk e lejon as edhe Kur’ani në të cilin ju thirreni si myslimanë “ehamdurila”. Haram sipas Kur’anit është ta vrasësh veten si qen. Kush je ti o Hoxhë i Allahut, që thirresh në “din e iman” e këndej më rrëfen përkundër dëshirës Zotit rrugën e vetëvrasjes?! Përmëtepër, edhe thirr në ndihmë: “apelon te ndonjë shqiptar musliman në Shkup, në mungesë tonën atje, të padis Kaloshin për shpifje që ia bënë hoxhës… AlbaNur i merr mbi supe gjitha shpenzimet gjyqësore”. Imzot, ky është kërcnim klasik?! E në anën tjetër trumbeton se, unë kurrë nuk kam pasur kërcnime e as sulme fizike. Edhe, ju u thoni këtyre dudumve myslimanë, që thirren nateditë në “din e iman”?! Përbaltin Fenë Islame tradicionale me thirrje terroriste për hakmarrje.

- Mos u tremb, o plak! Unë dal edhe ditën. Thuaj, atë ditë isha i marrë kur fola marrëzira në xhami! Lotët e Shën Mërisë Virgjër më mashtruan nën hije të Rrapit. Cuca Boheme me dy shtamba verë mes poezive.

- Ti thua që del edhe ditën, por ditën del pa këmishë. Lugatin ditën pa këmishë të bardhë deri në fund të këmbëve, nuk e kanë frikë njerëzit.

- O plak! Unë aq sa jam i rrezikshëm natën, jam edhe ditën.

- Të besoj, por kam frikë… Frikë… Ditën nuk ke këmishë të bardhë, por çallmë turku e Kur’an në vend të kësulës së bardhë të Bajram Currit.

- Plak, ti duhet të më kesh frikë mua, të kap për fyti, ta nxjerr shpirtin me thonj.

- Jo, or Lugat i Koçajve! Jo. Të marrët, asnjëherë nuk frikohen nga ata të rrezikshmit! E, as nga Bajlozi Zi që del nga deti, po nga të urtët…

- Plak, do të pendohesh një ditë. Mos u përzi në punë të kojshive!...

- Kurrë! Eci pas një ylli.

- Ai yll të çon në varr.

- Plak, hiq dorë nga zbulimi i mëkateve! Mendohu edhe një ditë! Nesër, do të vij të bisedoj prapë një natë. Edhe të tjerët janë njerëz.

- Mos eja kurrë! Të mëshoj me shkop aty ku lidhet Sagjini, në lule të ballit. Vështirë e ke të më hipësh mua në autobus për në Turqi. Ose, të më shtish me hajmali të bëj vetëvrasje. Edhe atë, kush më ndërsehet pas shpine: Buça e Katundit me Këlyshin me zgjebe. Bërlloku shqiptar, që e fsheh veten nën ferexhe dhe dimi të grave. Askush Askushi, që mezi e njeh nëna e vet, e ku më Katundi ose lexuesi shqiptar. Pavetëdije e zbuloni veten si autorë të komenteve ofenduese, kërcnuese dhe gjysëmanalfabete nën shkrimet e mia publicistike. Frikë keni të dilni me emër e mbiemër si burrat në fushën e mejdanit. Ferexhenë dhe shaminë e zezë nëpër shekuj me të cilën e fshihni fytyrën me gjithë sy ta hidhni në përrua. Flamurin kuqezi kombëtar në këtë Njëqindvjetor të pavarësisë të Shqipërisë ta nxirrni të valojë nëpër minare të xhamive. Publikisht, para botës këmbëkryq ta shpallni Xhaminë shqiptare.

Hoxha i Allahut, që harron se unë vij nga Katundi i xha Derallës. Burri i mençur, që gjithë jetën është tallur me hoxhën, kur i është kërcnuar pse nuk shkon në xhami me zjarr të Xhehnemit. E dini si i është përgjigjur plaku i mençur Hoxhës Allahut? Jo, nuk e dini.  Hoxhë, harron ti se nëntë muaj janë dimër, e vetëm tre muaj verë. Acari madh kur do ta kaplojë Xhehnetin tënd me lule do të vish të më lutesh në Xhehnem për pak zjarr, por jo nuk do të të jap, do të të përgjigjem: rri mërdhiu në Xhehnet! Pastaj, përderisa unë të arrij në Xhehnem, ti më me gjithë ato mëkate në shpinë veç ke shkuar para meje me shokë. E ke shuar zjarrin e Xhehnemit.

Katundi im, vjet për vjet ka nxjerrë në mal nga një kaçak ta luftojë pushtuesin osman, u ka ra stacioneve të policisë serbe e fashsite me armë në dorë. Nuk do t’i përmendim kësaj radhe emrat e kaçakëve të maleve, ata i di e gjithë bota. Mjafton kësaj radhe të përmendim mësuesin patriot e ardhur nga Shqipëria Llaqi Prenqi, që me nxënësit e Katundit dhe flamurin kuqezi kombëtar në ballë e sulmoi stacionin e karabinierve në fshatin Shutovë të Kërçovës (1944). Flamur, që edhe sot e kësaj dite ruhet me xhelozi si kujtim në një familje patriotike të fshatit Cërvicë.  Përmëtepër, vij nga Katundi i xha Dulit i Riu, që në lokalet e xhamisë Katundit na furnizonte për “ilaç” me Lotët e Shën Mërisë Virgjër. Dhe, të nesërmen  krah për krahu me shokë edhe në kohën e egër komuniste me lodra e muzika veshur me tirqi, xhamadan e kësula të bardha i binim me këngë e valle përmidisi Çarshisë Kërçovës. Edhe, gjatë ndryshimeve demokratike, kohë kur ti vite me radhë je deklaruar si sllav e je regjistruar turk “ehamdurila”, unë me poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare në kohë lufte (një autobus me targa TR.) përmidisi me poezi e këngë qytetare i kemi rënë Çarshisë Shkupit nën Rrap. Të gjithë nuk jemi njerëz!... Rrugës nga kemi ecur, kemi lënë gjurmë të thella që nuk i fshin dot asnjë stuhi. Shtrëngatë.

Vështirë është të të bindin se si duhet të ecësh, kur ti ecën me vite e vite. Lirinë e sheh edhe pas maleve. Askushi nuk e sheh në mes të Ditës Madhe, as edhe para syve. Rrugës ke thyer këmbë… Duar… Kurrizin… Qafën… Falë Zotit, nuk e ke thyer kokën… Ke ecur para… Përmbrapa… Lartë… Poshtë… Nëpër bar… Ferra… Apo, cilin ta duash… Ta urrejsh… Vrasësh… Të gjitha i ke mësuar një nga një. I ke futur në gji. U ke rënë me këmbë. Ose, cili është i mirë. Cili i keq. Të gjitha i di ti. Të gjitha. Mu për këtë nuk dua të të rri mbi kokë me këshilla. Se, ti di vetë ta ndajsh bykun nga gruri në mes të Lëmës. Ec rrugës! Ec! Vetëm kjo rrugë të shpjer në Baba Tomor. Malin e Perëndive. Të gjithë nuk kemi merituar t’u marrim erë luleve. Dikush do të shtrihet në bajga… Kalbësira… Plehëra… S’i kemi hapur të gjithë sytë cilës rruge ecim nëpër errësirë. Na janë përzirë rrugët… Na janë lidhur nye… Na janë bërë lëmsh… Disa nga ne fare s’e kanë kërkuar rrugën. Kanë hyrë kanaleve. Këtë e kanë bërë pse s’kanë ditur apo me dëshirë, është krejtë njësoj. Vonë, shumë vonë kanë parë se një ecje e tillë symëshelë i ka qitur në gjiriz. I kanë rënë atij deti të zi me krimba kryemëshehtas, për t’u larë lakuriq. Por, në vend që të lahen, janë çuditur kur kanë parë se si fytyrës u kanë ecur krimbat. Xhepat u janë mbushur me mut. Teshave teposhtë nga këmbët u ka rrjedhë ujë i zi…

- Tungjatjeta, plak-o! Tungjatjeta!

- O ti qenke, zoti Shkrimtar! Tungjatjeta!

- Plak, sot më duket, si herët ia ke nisur të flasësh rrugëve?

- Herët sot, zoti Shkrimtar, ka lindur Dielli…

- Po, ç’është plak, Ditë apo Natë?

- Ditë, zoti Shkrimtar… Ditë… Dritë…

- Plak, e ka marrë edhe gazeta!

- Zoti Shkrimtar, mos ka pjellë Bushtra këlyshë me zgjebe?!

- Po, plak! Përmëtepër, edhe qorra me katër sy pas porte…

- Zoti Shkrimtar, te ne populli thotë: Hu më hu, huni në bythë…

- Ore, lere gjithë e gjithë, po ai i paska pasur edhe thikat e operimit. Mirë që u zbulua me kohë, se do të na bënte të gjithëve një popull sallatë… Burra… Gra… Fëmijë…

- Budallai. Nuk i kanë mjaftuar hajmalitë, tabletat,  injeksionet, por ka dashur t’i përdorë edhe thikat e Kasapit të Ballkanit.

- Plak, paskemi qenë ditëgjatë. Shpëtuam edhe kësaj radhe nga thikat e Kasapit.

- Zoti Shkrimtar, edhe nga thikat e Kasapit edhe nga hajmalitë…

Është kënaqësi e madhe të ecësh i lirë. T’i fusësh duart në xhepa dhe të dalësh si kaçak mali në rrugë. Por, jo të ecësh me frikë. Të shikosh kush të vjen prapa… Anësh… Para… Ose, t’i trembesh çdo porte… Ferre… Lisi… Guri… Se, të jetosh gjithë jetën me frikë, është njësoj sikur nuk jeton fare. Po, a mundemi të çlirohemi nga frika? Jo. Nuk mundemi, se edhe frika është një lloj trimërie më vete që i ka hipur kalit me shalë…

Vrapoj rrugëve të gjata, herë me njërën këmbë, herë me të dyja këmbët. U turrem rrezeve të diellit si xhenazja varrit. Shkopin e kam ngritur lart në dor. Ndaleni! Heu, ndaleni! Juve ju bërtas, më kuptoni?! Ndaleni! Dua të ju them dy fjalë në vesh! Afrohuni mos na dëgjojnë sorrat me ferxhetë krahëve! Ë, ju dridhen këmbët? Keni frikë! Mos e lëshoj si lopa bajgën në mes të Lëmës. Jo. Hiqni nga koka ato marrëzira! Unë u tregoj si ecet rrugëve. Nga sa shkallë t’i kapërceni përnjëherë. Në cilën torbë e keni çelësin e Derës Madhe të Shtëpisë… O Zot, si më plakët para kohe. Po, deri kur unë do të vrapoj para jush me kokën në torbë? Mos mendoni se nuk më duhet koka? Gabim. Dikushi kokën e ka si veksh. Po, ç’të duhet një kokë e tillë në qafë? Aq e trashë, aq e varfër. Aq e mjerë. Ikni! Ikni nga kokat e tilla, o njerëz! Mirrni nga sytë këmbët! Rrezik është të të turret një kokë e tillë rrugëve të Qytetit. Rrezik!... Po, ç’duhet bërë, e pyes veten në mes të këtyre rreshtave? Duhet të ecni rrugës me mend në kokë. T’i shihni gropat… Kodrat… Egërsirat… Mos e lakoni rrugën! Vazhdoni! Ecni! Vazhdimi është fitore. Në fund do të bindeni edhe vetë, se ditët e lumtura fitohen me luftë në fushën e mejdanit. Edhe Liria, që nuk e sheh Askush Askushi me brekët nëpër këmbë. Dhe, asgjë nuk ka bërë në jetën e vet për Lirinë, por edhe sot e kësaj dite e ka rrokur me të dyja duart për fyti. Mjerë ai që është shtrirë të cofë në mes të udhës si qen me zgjebe…

- Plak, a të thash se Hoxhë Efendiu do ta gjejë nga Allahu?

- Po, zoti Shkrimtar. Vetëm se, edhe unë i ndihmova Allahut.

- Plak, mos m’i nxirr edhe këto pak mend që më kanë mbetur në kokë! E pabesueshme, si i ndihmove ti Allahut?!

- Zoti Shkrimtar, Hoxhë Efendiut ia ngrita këmbët nga minaraja e xhamisë…

- Mos u huto, plak!

- Vetëm i ndihmova Allahut, zoti  Shkrimtar.

- Po, Rrufjani si dual në hekururdhë para trenit Shkup - Beograd?!

- Allahu, zoti Shkrimtar.

- Allahu, po kush i ndihmoi, plak?

- Ai e lidhi veten me litarë për qafe dhe e tërhoqi si qen në hekurudhë, para trenit…

Tani, më në fund mund të më bindni edhe mua plakun se jetoni mirë nëpër shtëpi… Ecni rrugës pa frikë… U këndoni ditëve të reja… E doni Lirinë… Keni bukë… Ujë… Por, kurrë nuk jeni aq të sigurt për vdekjen e Përbindshit… Kuçedrës me dy kokë… Qikllopit me një sy… Bajlozit Zi që herë pas here del nga deti… Shejtanit të Allahut me ferexhenë krahëve. Ata vërtet vdiqën ose cofën, thuaj si të të vij ty më së miri. Po, ku ta dijmë ne? Ndonjëri ndodh ka mbetur ende gjallë. Apo ngrihet lugat. Ose, lind. Më shkurt, nuk jemi gjithmonë të sigurt këtyre vrapimeve maratonike për në Baba Tomor. Me rëndësi është të ecet përpara. S’do të thotë gjë, nëse ndonjëherë biem poshtë, shtrihemi përdhe. Armët nuk duhet lëshuar nga dora. Përsëri duhet të ngrihemi më këmbë. Të ecim përpara… Përpara… Përpara…

- Mirë thua, o plak! Përpara! Vetëm përpara! Po. ç’bën aty në përrua?

- I varros sorrat e zeza me ferexhetë krahëve:

HOXHË EFENDIU - LUGATI I KOÇAJVE

Lindi në vitin kaq e kaq.

Njeri.

Vdiq në vitin kaq e kaq.

Lugat me ferexhenë krahëve.

- Po, ky tjetri o plak?

- Edhe ai zoti Shkrimtar, ka emër dhe mbiemër mbi varr.

RRUFJAN RRUFJANI

Lindi në vitin kaq e kaq.

Cofi në vitin kaq e kaq.

Qen me zgjebe…

Lavdi “heronjve” të Xhadisë!... Amen…

Dhe ja, o Hoxhë i Allahut me ferexhenë krahëve në mes të Shkupit ta plotësova dëshirën: po qesh pas varrimit të sorrave me ëndrrën tënde arabe plot pordhë e piskamë: ”Pranverën islame-shqiptare”, në Shkup. Shkaku, se: E shoh Lirinë edhe prapa maleve… Krushqit e sjellin Nuse në koçi me këngën popullore: Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës!…



(Vota: 501 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora