Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kush luan me kufijtë në Ballkan, luan me BE

| E marte, 29.05.2012, 06:01 PM |


Bundestagu zgjat mandatin e Bundeswehrit në Kosovë. Deputeti gjerman Rainer Stinner vlerësoi punën e KFOR-it në stabilizimin e Kosovës, dhe theksoi se nuk kanë shanse ëndrrat politike për ndryshime kufijsh në Ballkan.

Parlamenti gjerman miratoi zgjatjen e mandatit të Bundeswehrit në Kosovë edhe me një vit tjetër. Parlamentarët gjermanë ranë dakord të Premten (25.05) në një votim emëror për zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it. 486 deputetë votuan pro zgjatjes së mandatit, 70 kundër, tetë të tjerë abstenuan.
Si edhe më parë kufiri maksimal i prezencës gjermane në Kosovë do të jetë 1.850 ushtarë. Por në mision marrin pjesë shumë më pak ushtarë. Për shkak të gjendjes së tensionuar në Veriun e Kosovës dhe zgjedhjeve presidenciale në Serbi, aktualisht prezenca gjermane në Kosovë u përforcua në 1.200 ushtarë. Në javët e ardhshme pritet reduktimi i saj me rreth 500 ushtarë.
Përgjegjësi për rajonin
Në fillim të debatit në Bundestag, zëdhënësi për çështjet e politikës së Jashtme në fraksionin liberal gjerman (FDP), Rainer Stinner vlerësoi si të suksesshëm misionin e FOR-it në tërësi dhe punën e ushtarëve gjermanë. KFOR-i ka qenë në gjendje të sjellë stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, dhe ta ruajë atë deri më sot. Ky është një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin në rajon dhe Europë, tha parlamentari gjerman.
 Deputeti liberal gjerman, Rainer Stinner
Me zgjatjen e mandatit të Bundeswehrit ne dërgojmë mesazhe të qarta, tha Rainer Stinner. Mesazhi i parë është që ne si Bundestag e bëjmë edhe një herë të qartë se kemi gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë për rajonin. Ky është mesazh i rëndësishëm, se me këtë ne themi se ky rajon është Europë, ai është para shtëpisë sonë, prandaj ne e ribëjmë premtimin tonë me fjalë të qarta.
Nuk ka ndryshime kufijsh në Ballkan
Kufijtë në Ballkan janë vendosur dhe ne refuzojmë qartë disa ëndrra politike për ndryshimin e tyre. Kush luan me kufijtë në Ballkan, humb shanset e të ardhmes së rajonit në Europë, u shpreh pa ekuivoke deputeti gjerman i shoqëruar me duartrokitje në sallën e parlamentit. "Çfarëdolloj përpjekje nga çfarëdolloj pale për të ndryshuar kufijtë në Ballkan, qofshin ëndrra shqiptare që ndonjëherë dalin në dritë, qofshin iniciativa serbe, ne i refuzojmë kategorikisht", tha Rainner Stinner në fjalën e tij në Bundestag të Premten.
Stinner kërkoi gjithashtu një qëndrim të njësuar të Bashkimit Europian në çështjen e statusit të Kosovës nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Të njëjtin qëndrim përkrahën edhe politikani demokristian, (CDU) Peter Beyer dhe deputeti i të Gjelbërve, Omid Nouripour. Nga të 27 shtetet e Bashkimit Europian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Autor: ag/Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica

dw.de- Per ZSH: Tahir Shabani