E premte, 29.03.2024, 03:59 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Heroi Sali Çekaj dhe llogaritë politike Presidente - Kryeministër (V)

E marte, 29.05.2012, 06:25 PM


HEROI SALI ÇEKAJ DHE KALKULIMET POLITIKE PRESIDENTE - KRYEMINISTËR (5)

ISH LPK-ja, PDK-ja, ME SHIK-un VRANË USHTARAKË

DHE VEPRIMTARË TË LDK-së

Jakupi duhet t`i qëndrojë besnik deklaratës-dëshmi, të bërë në Hagë, se përlavdërimet gjithë gënjeshtra, ishin propagandë lufte dhe grupet e luftëtarëve nuk kishin komandë unike, nuk kishte UÇK-e.

Jakup Krasniqi - zëdhënës i bandës të `97-ës

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Në njërën nga vilat e Bllokut kriminal komunist të Tiranës ishte vendosur Jakup Krasniqi, në cilësinë e "zëdhënësit të UÇK-së". Ndonëse ishte emëruar nga banda e kuqe e Tiranës, ajo edhe e "menaxhonte" atë. Vendimi i bandës të "revolucionit të vonuar" të `97-ës, për përçarjen e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, ishte pa alternativë. Nëse gazeta paçavure përçarëse e antikombëtare "Zëri i Kosovës" duhej të shpifte, të shante me fjalë rrugaçësh dhe të denigronte prof. Sali Berishën dhe dr. Ibrahim Rugovën - paralelisht, Redaksia televizive për Kosovën i sulej vetëm Rugovës dhe partisë të Tij.

E gjithë kjo bëhej, kryesisht, nëpërmjet intervistave telefonike të "komandantëve të "UÇK-së" në mërgatë! (Lexo vëmendshëm:..të "komandantëve të UÇK-së në mërgatë"!) Sepse, atje bëhej "luftë", pa krisma, por me fjalime bombastike e britma, sepse ishte luftë për para: për marka, dollarë e franga. Ndoca "komandantë" të tjerë, të cilët asnjëherë nuk e kishin kaluar Martaneshin (vargmal në zonën e Matit), bënin "luftë" vizive, të veshur me uniforma e armë, para kamerave, në mjedise rurale dhe këtë e favorizonte flora, bimësia, pyjet me ngjashmëri të padallueshme me ato të Kosovës. Fiktivja maskohej, duke e paraqitur si të vërtetë!

Jakupi i numëronte komunikatat e "Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së", në fillim të çdo transmentimi. Për habinë e të gjithëve, "Shtabi", në emër të të cilit flisnin: Demaçi, Hashimi, Jakupi dhe shpura tjetër "komanduese" fiktive, do të shpallej inekzistent, madje nga vet shefi i "Shtabit" si dhe nga komandantët zonalë. Ata në Kosovë dhe këta jashtë saj nuk e njihnin, nuk pranoheshin - reciprokisht. Për rrjedhojë, i gjithë delegacioni, i cili, kinse përfaqësonte UÇK-në në Rambuje, ishte pa bazë deleguese, nuk përfaqësonte askënd, ishte i paligjshëm. Po aq i paligjshëm ishte edhe akademik Rexhep Qosja me grixhën e tij, sepse përfaqësonte partizën, pa hyrë kurrë në zgjedhje! Dhe, kur hyri, nuk arriti as kuotën e partisë të hashkalive! Dhe, krejt pacipshëm, LPK-ja, me gazetën e saj "Zëri i Kosovës", por, që nuk dallonte, në sharje  e denigrime ndaj LDK-së e Presidentit Rugova, nga gazetat e Serbisë, i legjitimoi, madje edhe i parësoi!!

Zëdhënësi i Bllokut komunist, Jakupi, për ta kulmuar horllëkun e tij, veshi uniformën e UÇK-së, në njërën nga vilat e Bllokut, si bibani flatrat e palloit dhe akuzoi për tradhti Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugovën, pikërisht, kur Ai ishte peng i Millosheviçit! Ai përsëriti akuzat e bëra nga Gjinushi e Milo më parë, sepse, tashmë, ai ishte pjesë, lodër dhe vegël e bandës të Tiranës zyrtare. Dhe, këtë akuzë, poshtërsisht të poshtër, e lëshonte Jakupi nga studioja e Televizionit Shqiptar, në mbremje, ndonëse ditën mrizonte nën pishat plot hije të Bllokut, ndërkohë që Presidenti Rugova, trimërisht, sëbashku me prof. Fehmi Aganin, kishin vendosur ta ndanin fatin me popullin e përgjakur të Kosovës!

Kur social-komunistët e Tiranës zyrtare po kompozonin Qeverinë e Përkohëshme të krimit të organizuar politik dhe ekonomik; të vjeljes të haraçit (reketit); të terrorizimit të popullit, duke i dhënë autorizime të pakufishme SHIK-ut vrastar, donin Jakupin për kryeministër. Ata kishin mësuar se Jakupi e lëvizë fotografinë e idhullit të tij, Enver Hoxha, nga dhoma e pritjes në atë të gjumit ose siç thuhet në Kosovë - në qiler të gruas-, varësisht nga mysafirët që pret. Por, ky dogmatik i pandreqshëm, ashtu si kurrizon që vetëm varri e drejton, ishte i papranueshëm nga bota demokratike, e cila e çliroi Kosovën. Megjithatë, Jakupi është njeriu i dytë i Partisë Demokratike dhe i pari i Legjislativit të Kosovës!! Vërtet, "Parti Demokratike" dhe  "shtet demokratik" me shefa supër-komunist!!

Dogmatiku Jakup Krasniqi, me mendësinë e vjetër provinciale, nuk mund ta durojë madhështinë e Presidentit Rugova, shtetbërësin e Kosovës, hyjnorin kombëtar, andaj e shqetëson edhe fotografia e Tij. Ai po  t`i kishte edhe një duzinë jetësh, nuk do të mund ta arrinte kurrë lartësinë mendore të të madhit Rugovë. Ky mjeran, të cilin SHIK-u dhe krimi e ngritën atje ku nuk e meriton, as për së afërmi, tani, pas asaj biçim doktorate, në vend që të ulët, të mësojë, të paktën, ta arrijë një gjimnazist të Tiranës, bën karaxhozllëqe, duke provokuar dhe fyer rëndë të gjithë shqiptarët, madje kudo që janë, me heqjen nga stenda e fotografisë të Presidentit Rugova! Ka gjetë shesh e bën përshesh. Përndryshe. idealistët e mirëfilltë të filozofisë rugoviane, do t`i vinin fre këtij batakçiu megalloman dhe të pacipshëm.

Në kuadër të rishikimit të historisë, Jakup Krasniqi duhet t`i qendrojë besnik deklaratës - dëshmi, të bërë në Hagë, në rastin Limaj, se përlavdërimet gjithë gënjeshtra, të transmetuara nga Televizioni paçavure i Tiranës - bandë, ishin propagandë lufte dhe grupet e luftëtarëve nuk kishin një komandë unike, nuk kishte UÇK-e, pra, ishin jashtë kontrollit. Dhe, duhet shtuar se qëllimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe i LPK-së ishte marrja e pushtetit me dhunë e terror, duke e përdorur UÇK-në e SHIK-ut, e cila i ka tre protagonistë ballorë: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Qosjen dhe bandën e Tiranës zyrtare të `97-ës.  Ndërsa për Kosharën, Prekazin, Llapin e tjerë, Jakupi me shokë mund të mburrën për sabotimin e luftës, denoncimin dhe vënien në pritë të komandantëve si dhe vrasjet seriale të komandantëve institucionalë dhe të veprimtarëve të LDK-së, gjatë dhe pas luftës.

Shqiptarët kërkojnë shtetin ligjor të Kosovës

LPK-ja, përkatësisht, PDK-ja, nuk luftoi. Por, shqiptarët pyesin:

Pse dje e sabotoi luftën dhe sot ngulmon në përvehtësimin e

luftës, privatizimin e dëshmorëve, të varreve dhe të familjeve të

tyre, me qëllimin e qartë - falsifikimin e historisë?!

Kur flasim për luftën, kujtojmë heroin Fehmi Lladrovcin dhe zhgënjimin e tij të madh në shokët e Lëvizjes. Ai i ftoi ata në luftë, por mbeti pa përgjigje! Pastaj, zemërplasur, i denoncoi dhe i qortoi, madje botërisht, për hilenë dhe hipokrizinë e tyre, të cilët, me kot zhurmojnë në sallat luksoze të Evropës ose verdallosën në bulevardët e Tiranës, duke iu shmangur luftës. Ai shkoi drejt vdekjes me mallkimin për shokët hileqarë e karrieristë, fjalëshumë dhe luftë hiç!

Kur flasim për rishikimin e historisë më të re të Kosovës, për hir të drejtëshkrimit të saj, të vërtetësisë të saj, shqiptarët presin përgjigje të disa pyetjeve, të cilat ua bëjnë pikërisht atyre që e kanë katandisur e përtokur Kosovën dhe popullin e saj të zhgënjyer. Shqiptarët, me emër u drejtohen: Hashim Thaçit, si kryeministër, Jakup Krasniqit, si kryeparlamentar dhe Rexhep Qosjes, si ideolog i tyre:

1.- E pranojmë se LPK-ja kërkoi luftë. Por, shqiptarët pyesin: Pse ajo nuk hyri, fizikisht, kurrë në luftë, në betejë, edhepse rasti i trokiti në derë?!

2.- Tashmë, dihet botërisht, LPK-ja, përkatësisht, PDK-ja nuk luftoi. Por, shqiptarët pyesin: Pse dje e sabotoi luftën dhe sot ngulmon në përvehtësimin e  luftës, privatizimin e dëshmorëve, të varreve dhe të familjeve të tyre, me qëllimin e qartë -  falsifikimin e historisë?!

3.- LPK-ja, përkatësisht, PDK-ja voli paratë e shqiptarëve në Mërgatë, për Fondin "Vendlindja thërret", në emër të luftës. Mori të gatshme edhe milionat nga Fondi i 3 %-shit, gjithashtu, në emër të luftës. Por, shqiptarët pyesin: Pse nuk i përdori ato para për luftën?! Përkundrazi, i përvehtësoi dhe i keqpërdori për pasurim marramendës të shefave të saj, të kuadrove të saj, me grykësi të tepëruar.

4.- PDK-ja thotë se lufton korrupsionin, përvehtësimin e paligjshëm ekonomik. Por, kur faktohet vjedhja, me të cilën është akumuluar pasuria e paligjshme, nuk e sekuestron këtë pasuri të vjedhur, siç vepron, natyrshëm e ligjërisht, bota demokratike. Dhe, për mosveprim aryetohet se mungon ligji i sekuestrimit!! Shtrohet pyetja tjetër: PDK-ja është në pushtet, mjerisht. Kush e pengon për ta nxjerrë dhe miratuar ligjin përkatës??! Justifikimin e demanton pyetja: A mund të veprojë njeriu kundra vetvetës?1?

5.- Është faktuar katërcipërisht se LPK-ja dikur, tani PDK-ja, me SHIK-un e tyre, kanë vrarë ushtarakë institucionalë dhe veprimtarë të LDK-së. Kryeministri, kryeparlamentari. ministri i drejtësisë, ministri i mbrendshëm, prokurori, gjykatat e të gjitha niveleve, thonë dhe e përsërisin se do ta luftojmë krimin e organizuar dhe krimet e tjera të çfarëdo lloji. Por, shqiptarët pyesin: Pse kriminelët janë të lirë, bile janë kalaveshur dhe koracuar me pushtet, të gatshëm për t`ia bërë gjëmën kujtdo që guxon t`u kërkojë llogari! Miratimi i ligjit për gazetarët, vetëm me votat e pozitës, është dëshmi vetëfolëse e revanshizmit të pushtetarëve aktualë. Shqiptarët ngulmojnë në pyetjen: Pse nuk i arrestoni kriminelët, të cilët e kanë përgjakur Kosovën dhe janë gati të bëjnë krime të tjera, vetëm e vetëm për ta ruajtur pushtetin e tyre kriminal?! Por, përkundrazi, edhe atëherë kur EULEX-i arreston ndonjë vrasës apo grup vrasësish, ju i nxirrni turmat, bandat protestuese në rrugë, përfshi këtu edhe akademikë e studentë, në mbrojtje të krimit!

Shqiptarët mbesin në pritje të përgjigjeve të këtyre pyetjeve dhe të dhjetrave të tjerave të kësaj natyre. Por, ama, janë skeptikë, mosbesuesë, sepse, është e vështirë, në mos e pamundur, që njeriu ta luftojë vetvetën.

Gjaku i luftëtarëve të Kosharës dhe të tërë Kosovës, i fton shqiptarët t`u vënë frerë kalkuluesëve politikë të djeshëm dhe të sotëm, duke e lënë popullin të frymojë shpengueshëm, për të ndërtuar shtetin ligjor dhe demokratik të Kosovës, dëshirë  kjo që ende mbetet në përmasat e një ëndrre të largët, madje, me ritmin e ecjes aktuale, shumë të largët, mjerisht!

Duke parë tërë prapësitë e disa bashkëkombasëve, njeriut nuk i shkon mendja të mburret për origjinën, por, vetëm lutet: "O Zot, më ruaj nga tundimi për pushtet dhe para"! O Zot, më ndihmo të mbetem njeri"!!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora