E enjte, 25.04.2024, 07:11 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Heroi Sali Çekaj dhe llogaritë politike Presidente - Kryeministër (IV)

E hene, 28.05.2012, 10:48 PM


HEROI SALI ÇEKAJ DHE KALKULIMET POLITIKE PRESIDENTE - KRYEMINISTËR  (4)

JAKUP KRASNIQI DHE HYSNI MILLOSHI, ROBËRIT E STALINIZMIT

Kërkesa publike për amnistimin e krimeve, është dhunim i lirisë, i drejtësisë dhe i dinjitetit kombëtar e njerëzor.

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Dëmi që i solli Kosovës Adem Demaçi, me mbrojtjen fanatike të dogmës komuniste-staliniste të LPK-së, është aq i madh e tragjik, sa që edhe titulli fort meritor, Hero i Kosovës, i dhënë për veprimtarinë kombëtare të dikurshme, nuk do të mund ta amnistojë atë.

Për të keqen e Kosovës, së fundi, janë aktivizuar një grup akademikësh, pjata-lëpirës (për të mos e thënë një fjalë pezhorative, në vend të -pjatës), të pushtetarëve aktualë, fort përfolur për lidhjet e tyre me krimin e organizuar pokitik. Këta, biçim akademikësh, hapur e pacipshëm, mbrojnë krimet e bëra ndërshqiptare, duke i koracuar vrasësit me kostumin e UÇK-së! Një qasje e tillë servile, imorale e hiç akademike dhe intelektuale, ka zvetnuar personalitetin e tyre të maskuar deri më tani.

Kërkesa publike e tyre për amnistimin e krimeve, është dhunim i lirisë, i drejtësisë dhe i dinjitetit kombëtar e njerëzor. Kjo kërkesë, e turpshme dhe kriminale, i rivret luftëtarët institucionalë, veprimtarët e LDK-së dhe fyen jo vetëm ato qindra familje të viktimave të SHIK-ut, por edhe mijëra familje të ndërlidhura me ato si dhe popullin e përvuajtur, dje dhe sot, të Kosovës, duke poshtëtruar edhe tërë kombin shqiptar, i cili bashkëjeton me krimin, e ushqen dhe e mbron atë, qoftë me dhënien e votës, qoftë me përkrahjen e zëshme, qoftë me heshtjen  qyqare. Shqiptarët janë duke e ngrënë turpin me bukë!

Është bindje e përgjithshme se nëse Adem Demaçi, akademikët dhe intelektualët e Kosovës, do ta denonconin dhe dënonin krimin e organizuar politik në nismë, sot nuk do të kishim as enklavat serbe brenda Kosovës, të cilat i sollën argatët e Serbisë, me sulmet banditeske dhe djegien e shtëpive serbe dhe kishave të tyre, duke mos kursyer as Flamurin e shenjtë të Dardanisë, në mars - prill 2004; as problemin e sotëm të Mitrovicës të Veriut. Nuk do të kishim as këtë polarizim dhe armiqësi ndërpartiake dhe brenda vet popullit të Kosovës.

Parësia e suksesit të Demaçit me shokë, në stopimin e krimit të organizuar politik, ishte se burimi i krimit, tashmë, kishte një adresë të saktë, kishte një shtab vendim-marrës, kishte një krijesë politike-parti, e cila donte me çdo çmim pushtetin, qoftë edhe duke i vrarë kundërshtarët politikë. Dhe, Demaçi ishte epror i këtij shtabi kriminal e fatal për Kosovën dhe ishte në dijeni të planeve dhe të qëllimeve të kësaj bande vrastare. Dhe, megjithatë, ai heshti, heshtën edhe akademikët dhe intelektualët, të cilët, sot, turpshëm e mjerueshëm, kërkojnë amnistimin e krimeve dhe të kriminelëve!!!

Pse është kjo bindje? Bota, e cila investoi shumë për lirinë e Kosovës, i testoi shqiptarët dhe bilanci ishte fatal. Grupe njerëzish të organizuar në parti dhe partiza, të pa shkolluar dhe të pa emancipuar, duan ta marrin dhe ta mbajnë pushtetin dhunshëm, duke mos provuar forcën e votës të lirë e demokratike! Bashibuzukë, megallomanë, anarshistë, përlavdraçë e mosmirënjohës karshi asaj bote, e cila, faktikisht e çliroi Kosovën nga pushtuesi serbosllav! Këto grupe "vikingësh", të kthyera dhe të dyndura në Kosovën e lirë, me mendësinë e mykur të monizmit stalinian e enverist, grykës për pushtet dhe para, filluan nga hajnia dhe alltia, duke shpalosur para botës fodullëkun dhe banditizmin ekstrem. Edhe atëherë kur arrestohej ndonjë vrasës faktik, turmat të prira nga shefat e bandave, duke u thirrur në luftën, mbronin krimin dhe kriminelët.

Konstatimi i madh dhe fatal për Kosovën dhe popullin e saj ishte se këta njerëz nuk duan shtet ligjor dhe as demokratik; nuk dinë dhe as nuk duan të mësojnë për ta administruar shtetin; përkundrazi, duan anarshi, krime dhe hajni, madje hajni zyrtare - korrupsion e haraç, reket. Ngjarjet e mars-prillit 2004, edhepse të organizuara nga Serbia, lojtarë ishin shqiptarët, mjerisht! Bota e zhgënjyer fort dhe për shumëçka nga shqiptarët, filloi konçensionet ndaj Serbisë: decentralizimin, enklavat, bisedimet për Veriun e Mitrovicës. Çështja rëndohet edhe më shumë kur projektuesit dhe zbatuesit e krimeve janë në pushtet dhe bali Adem Demaçi i mbron me slloganin paushall, ireal dhe skajshëm marroq: "Cili është më i mirë se Hashimi në Kosovë"?!!

Jakup Krasniqi dhe Hysni Milloshi - rob të dogmës staliniste - enveriste

Në letrën e hapur dërguar Adem Demaçit, më 10 dhjetor 1990, me titull "KUR NDJENJA MUND ARSYEN", me të cilën kundërshtoja atë, për vlerësimin pozitiv të dhënë për Enver Hoxhën dhe partinë e tij, në një gazetë kroate, në mes tjerash, i shkruaja se "shteti ligjor shqiptar pushoi së ekzistuari më 7 prill 1939, duke mos funksionuar kurrë më deri me sot".

Nostalgjiku komunist, Jakup Krasniqi, fort i bindur në politikën dogmatike të Enver Hoxhës, nuk mund ta pranonte që idhulli i tij Hoxha të qendronte më poshtë se Mbreti Zog, edhepse Mbreti ishte themelues i shtetit shqiptar. Andaj, u përgjigj, gjithë mëllef e vrerë, me shkrimin e sertë "Tradhtia ndër shekuj", duke më akuzuar si armik, njësoj si Enver Hoxha që më kishte akuzuar dhe përplasë në burg në vitet `70-a!

Si të dashuruar në dogmën staliniste-enveriste, mund të tërheqim një paralele të Jakupit me Hysni Milloshin, kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili, këto ditë, ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare dhe jo 71, siç njoftoi media në Kosovë. Ndjesë pastë dhe ngushëllime familjes të gjerë Milloshi në Tiranë, Burrel dhe Macukull të Matit.

Me Hysni Milloshin ishim studentë të një auditori në Univesitetin e Tiranës. Pas studimeve atë e emëruan në qytetin Stalin (Kuçovë), në një repart ushtarak kodrinor, i cili kishte edhe një fushë aviacioni ushtarak në rrafsh. Pra, nuk ishte hiç i privilegjuar nga partia, e degdisën në provincë, ndërkohë që kolegët tanë, me shumicë, u sistemuan, kryesisht, në kryeqytet.

Pas arrestimit tim, gazetarët e poetët të shkëlqyer: Demokrat Anastasi dhe Apostol Duka, kishin shprehur keqardhje e dyshim për arrestimin tim, në prezencë të Hysniut, duke thënë se "mos ka ndonjë keqkuptim nga organet përkatëse"? Por, Hysni Milloshi ishte përgjigjur prerazi se: "Partia dhe shoku Enver kurrë nuk kanë arrestuar dhe dënuar ndokënd kot dhe pa faj"! Dy miqtë e i mij gjirokastritë, të penduar dhe të frikësuar, ishin stepur e kishin heshtur, duke kaluar shumë netë pa gjumë, nga droja e denoncimit për "blasfeminë, tashmë, të bërë.

Më 1990 Hysni Milloshi, për ta mbrojtur figurën dhe "veprën" e Enver Hoxhës nga "gojëkëqinjtë" demokratë, themeloi Shoqatën "Vullnetarët e Enverit". Në Përmetin e Frashëllinjëve, në një miting të kësaj Shoqate, të organizuar nga Milloshi, u dëgjuan thirrje e sllogane, madje të përsëritura: "Nuk e duam Kosovën", "Poshtë Kosova" e të tjera të kësaj natyre. Miku im Sali Kabashi reagoi në "Republikën" e tij, duke shkruar se "dy Millosha, tashmë, po dihen: njëri në Beograd dhe tjetri në Tiranë, por, i treti kush është?! Më duket se aludonte për ndonjërin nga ata që nuk njihnin pushtetin moral të dr. Rugovës dhe institucionet paralele të Kosovës, siç ishin kuqaloshët enveristë?!

Asaj kohe u fol se këtë zemratë, të "Vullnetarëve të Enverit" dhe të shefit të tyre - Milloshi, e shkaktoi përgjigja e dr. Rugovës, dhënë "Zërit të Amerikës", në pyetjen se "nëse, vërtet, "Balli Kombëtar" ka qenë organizatë tradhtare e  kolaboracioniste"?! Dr. Rugova, si gjithëherë, i përkorë dhe i saktë, qe përgjigjur: "Organizata "Balli Kombëtar", e themeluar dhe e udhëhequr nga djali i ideologut të Lidhjes të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Mit`hati, nuk ishte as kolaboracioniste dhe as tradhtare, por, ishte një Lëvizje kombëtare, në zbatim të dekalogut të Lidhjes të Prizrenit, e cila veproi e luftoi për bërjen e Shqipërisë Etnike". Kjo deklaratë publike e tërboi jo vetëm Shoqatën në fjalë, por të gjithë komunistët shqiptarë, madje edhe pas konvertimit në "socialistë". Shtrohet pyetja, pse përgjigja në një pyetje shkaktoi kaq shumë jehonë e reaksion?! Sepse filosllavi Enver Hoxha, me komunistët e tij, për gjysmë shekulli me rradhë e kishte akuzuar për tradhti e  bashkëpunim me pushtuesin "Ballin Kombëtar", duke vrarë, burgosur dhe internuar ballistët, familjet e tyre, përfshi këtu edhe familjen e Vëllezërve Frashëri!!! Tashmë, tradhtia ishte e komunistëve, të cilët, të vëllazëruar me serbët, rusët dhe sllavët tjerë, kishin ndarë e dëmtuar rëndë shqiptarët e kudondodhur.

Si adhurues i pa hile i Krishtit tonë, për shpirtin e madh dhe zemërgjerësinë unikale e proverbiale, duke e lutur Zotin t`i falë edhe ata, që pafajshëm dhe pamëshirshëm, po e gozhdonin dhe kryqëzonin, sepse nuk dinin çfarë bënin, me një arsyetim të tillë, e fala edhe unë mikun tim të vjetër, Hysni Milloshin dhe vazhdoj të lutem për shpirtin e tij, fort mëkatar, sepse, për më shumë se dy dekada, provokoi rëndë kombin shqiptar, sidomos ish-burgaxhinjtë politikë dhe familjet e tyre, që vuajtën, të zitë e ullirit, nga idhulli i tij, Enver Hoxha me banditët komunistë.

Sado katran të jetë njeriu, duhet shpresuar se ka një kënd mirësie e drite. Kjo u provua bindshëm ke Hysni Milloshi ynë. Shoqatën e ngriti në parti, me emërtesën e gatshme dhe anakronike për kohën: Partia Komuniste e Shqiprisë. Ai kandidoi për kryetar të Bashkisë të Tiranës, krahas Lulëzim Bashës dhe Edvin Ramës. Dhe, fitoi diç më shumë se një mijë vota! Duke llogaritur diferencën prej 10 votash epërsi të Ramës në numrimin fillestar dhe afro 90 vota epërsi të Bashës, pas rinumërimit, nëse Hysniu nuk do të kandidonte, ato vota do të ishin supër të majta. Hysni Milloshi sakrifikoi shumë, por i bëri një shërbim të madh demokracisë, kombit. Sepse, mbetja e sërishme e Ramës në krye të Bashkisë të Tiranës, do të ishte jo vetëm nonsens, por dhe torturë për shqiptarët, në përgjithësi dhe për Tiranën në veçanti, nga që Edvin Rama ka dëmtim serioz të trurit, gjë që e bën të vështirë komunikimin. Ai ia ka zënë frymën edhe vet partisë së tij, sepse egoja personale e tij, është më primare, më e rëdësishme se partia dhe se sa vet Shqipëria.

Hysni Milloshi, edhepse ka lindur në Berat, ishte nga Macukulli i Matit. Ky fshat gjendet në shpatin e lartë, përballë Burrelit. Nga një kënd i oborrit të burgut, me mure të larta tej 6 metrave, përveç qiellit, duket edhe Macukulli. Familja Milloshi ishte e shkolluar, e organizuar në parti dhe pushtet. Por, me fitoren e pluralizmit, ajo përqafoi demokracinë, duke iu bashkangjitë partisë të Azem Hajdarit dhe të Sali Berishës. Sami Milloshi ishte kryeredaktor i "Zërit të Popullit", por, hodhi librezën e PPSH-së dhe aderoi në PDSH-e. Përjashtim bën Hysniu i tyre, i cili nuk u shkëput dot nga dogma staliniste-enveriste, njësoj si kipsi i tij, Jakup Krasniqi ynë! Në zonën e Matit dhe në atë të -Peshkopisë, në veçanti, në Lurë, disa familje të besimit islam, kanë mbiemra të krishterë. Kështu ka rastisur edhe me familjen Milloshi.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora