E shtune, 20.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Skifteri

E hene, 28.05.2012, 07:34 PM


Resmi Osmani

Tregim

SKIFTERI

Markua,i njohur edhe si Skifteri, që kishte qenë pseudonimi i tij i luftës, ishte njeri i frikshëm. I gjatë, shpatullshtrembër, gjoksin të futur nga tuberkolozi , flokë të ashpër  e të kreshpëruar që i tallaziteshin sa herë luante kokën. Fytyrën e kishte të verdhë e të rrudhur si një maskë, ballin të ngushtë, vetullat të kreshpëruara, sytë të futur  thellë në zgavra i digjeshin si dy thëngjij. Hunda si e skifterit, buzët e holla dhe mjekra e dalë përpara i jepnin një pamje të hakërruar e kërcënuese. Zëri i plotë, me tingëllim metalik. Fjalët i nxirte me forcë, si fërshëllima dhe përpiqej t’i ngulte si gozhdë në trurin e bashkëbiseduesit. Ecte lakadredhas,si gjarpri. Tymoste cigare papushim dhe si ndahej kolla e keqe dhe e thatë.

Nuk kishte arsim,asnjë specialitet,për çudi ai mburrej për këtë. Ishte militant, punëtor partie, njeri politik, agjitator e propagandist, me nje kujtesë të habitshme dhe logjikë të hekurt. Kishte mbajtur detyra të larta drejtuese e me përgjegjësi në pushtet, në parti dhe ekonomi. Kur u Riorganizua dikasteri, Markon, që ishte inspektor në kabinetin e ministrit e liruan nga ajo detyrë, pa i thënë se edhe ai kishte një pjesë të përgjegjësisë. Ulja në detyrë e nënkuptonte. Tashmë që ishin vitet e fundit të punës, e shihte që e braktisën si gunën e vjetër, si një tepricë administrative, si një hedhurinë , rrangallë, që s’i hyn në punë askujt. Ishte koha e të rinjve, por ai ishte kockë e fortë për tu gëlltitiur. Nuk dorëzohej kurrë. Sa për sy e faqe, për t’u gjendur në punë, e lanë specialist të thjeshtë në një sektor të  drejtorisë se Ndërmarrjeve Bujqësore. Ishte një mbyllje pa lavdi e një karriere të gjatë e të shkëlqyer. Ai nuk e thoshte, por e ndjente veten si të papunë, si një të mishëruar,që duhet të merrte një rrogë.

Prej tij ruheshin, e pse jo, e kishin frikë, i shmangeshin, nuk donin ta hasnin e të hapnin bisedë me ‘të. E dinin që ishte mjeshtër I provokimeve. Ai edhe temave të çfardoshme, që u jepte drejtim politik e të partishëm, thurte rrjetën e merimangës, e kapte atje viktimën dhe pastaj i turrej si skifter e me forcën e fjalës së partishme e torturonte ngadalë,  duke e detyruar tjetrin ta ndjente veten një hiç, ndërsa ai shijonte kënaqësinë e triumfit të tij. Si inspektor i ministrit ai akuzoi si sabotatorë, pushoi nga puna dhe burgosi shumë drejtues ndërmarrjesh. Kur shkonte për inspektim shoku Marko, njerëzit  s’dinin ku të futeshin. Pritej të rrëzoheshin koka.

Në sallën e mbledhjeve, që ishte në katin e dytë të dikasterit, bëhej analiza e punës së nënëtmujorit që ishte e para pas ndryshimeve dhe riorganizimit.  Në tryezën e madhe, prapa së cilës nën portretin e madh të Enver Hoxhës, spikaste një parrullë e madhe në sfond të kuq dhe flamuri kombëtar, ishin ulur ministri i ri, zëvëndësat etij, sekretari i byrosë së partisë dhe të deleguarit nga qeveria dhe Komiteti Qëndror i Partisë. Pritej që mbledhja të ishte e fortë e nxehtë dhe të përfundonte me detyra të rëndësishme.

Markua, tërë sy e veshë, ishte ulur në radhën e parë dhe ndiqte me kërshëri zhvillimin e mbledhjes, si të donte ti vinte një notë ministrit të ri.”Pa të shohim si e përcjell ky birçja vijën e politikës së partisë në ekonomi dhe si e ve politikën në plan të parë?”- mendoi ai. Që në krye të herës, pasi përfundoi raporti, (që Markos nuk I pëlqeu se iu duk si shumë I sheqerosur) të cilin të pranishmit e ndoqën tërë sy e veshë, për të kapur kritikat që u bëheshin, ministri iu turr me tërbim e fjalë të ashpra njerit nga drejtorëve.   Plani nuk ishte realizuar. Edhe në sektorët e tjerë gjërat nuk ishin më mirë. Ministri i rrokëzonte fjalët, dhe vinte theksa të fortë, fjalët delnin nga goja e tij të rënda si plumb e si breshëri mitralozi. Pllakosi një heshtje e rëndë, njerëzit u mrrolën e u mpakën si të donin të hynin nën tryeza. Pesha shtypëse e saj reëndoi mbi secilin. Ndërhyrja e ministrit Markos i pëlqeu, por, sidoqoftë, mendoi  ai, ajo duhet të ishte më e fortë, më e ashpër, përvëluese, tu shtinte drithmat dhe tu kallte frikën. Të shihnin se me cilin kishin të bënin. Si i thonë asaj fjalës? Ah, po: Të dridhej fëmija në barkun e së ëmës!

Pas kësaj, ftesës së ministrit për diskutim nuk guxonte ti përgjigjej askush. Në mungesë të vullnetarizmit, ai i ngriti vetë. Këto ishin mbledhje të vështira e të çuditshme. Me kritika të forta dhe autokritikë. Sekretari i Byrosë së partisë,i ndërhyri një diskutanti:

-Thellohu, thellohu më shumë në veten tënde, te faktori subjektiv, te shkaqet e mosarritjeve, te dobesitë e punës tënde drejtuese, mos i kërko shkaqet te të tjerët dhe bëje autokritikën të plotë, të sinqertë. Nuk kemi ardhur në analizë të dëgjojmë gjepura!

“Bravo,-mendoi Markua- kjo po, që ishte ndërhyrje me vend, paçka disi e vonuar”. Ai ia nguli sytë e tij prej skifteri diskutantit, nuk deshi të dëgjonte se çfarë do të thoshte, por të shijonte atë shndrrimin e çuditshëm, që  e shkaktonte kjo fjalë e magjishme. Autokritika, eh ç’fjalë! Ishte një nga gjetjet e mrekullueshme të doktrinës. Ndofta ishte huazuar nga kisha. Por ndryshe nga rrëfimi, që për të lehtësuar shpirtin bëhej fill vetëm para priftit, që ruante të fshehtën, autokritika ishte ngritur në art. Bëhej hapur para hallkut. Autokritika  e pavullnetëshme, ishte një normë, detyrim i diktuar nga eprorët për vetësharje, vetëposhtërim, për ta bërë personalitetin vetiak leckë e të pavlerë. Ti hidhje vetes baltë në fytyrë. Thellohu, thellohu, hapju kolektivit, thuaj përgjegjësitë e tua.  Personi niste të ndjehej ligsht, si i pavlerë, prishej nga fytyra, herë skuqej e herë zverdhej, e pllakoste djersa, mezi gjente fjalët, bënte lëvizje të pakontrolluara, i merrej goja. Ishte si ti fuste thikën vetes. Autokritika duhej bërë, për tu ulur hundën kapadainjve dhe për të shkundur qullashët dhe dembelët. Ishte një ilaç i hidhur, që si shpëtonte askush. Mund të kishe arritje, por e mira s’ka fund, gjej te vetja shkaqet pse nuk është bërë më e mira. Thellohu,thellohu, gërmo në shpirtin tënd, zhvishu nga egoizmi dhe mbeturinat mikroborgjeze! Askush nuk është i pagabueshëm! Markua zotëronte mrekullisht  aftësinë për ta detyruar tjetrin të bënte autokritikë të shëndoshë. Psetë e tij nuk mbaronin kurrë deri sa tjetrin ta vinte përfund, si ta shkelte me këmbë. Kishte rastisur që viktimave të tij tu binte të fikët. Ai e shijonte triumfin, ndjente një ngazëllim të brendshëm dhe e konsideronte detyrën të arritur, ashtu siç ishin porositë e partisë. Ditëzinjtë mallkonin ditën që kishin lindur dhe nuk guxonin më ti dilnin përpara.

Pasi folën të deleguarit,ministri bëri përfundimet. Si rastësisht hodhi sytë nga Markua dhe i tha:

-Shoku Marko,mos kishe gjë për të shtuar?

Markos i dogji pyetja. Ishte me kunj. Mesa duket, i kishin thënë për huqin e tij, që pas përfundimeve të ministrit ai bënte një ndërhyrje, për të vënë në dukje edhe përfundimet e veta që, ia jepta e drejta prej kuadri të vjetër.

-Faleminderit,shoku Ministër. E vlerësoj konsideratën Tuaj, por ju I thatë të gjitha. Megjithatë dy fjalë do ti shtoj: Kritika ishte në lartësinë e duhur, ndërsa autokritikat e kuadrove të reja , të cekëta, të vakëta e të pasinqerta!

- Do t’i kemi parasysh në analizën tjetër shoku Marko-tha ministri dhe e deklaroi  mbledhjen të mbyllur.

Kur mbledhja u mbyll, njerëzit që të shpëtonin nga ankthi i frikshëm, dihatën, u ngopën me frymë e u çliruan nga trysnia dhe tensioni I nervave. Në bufe, nuk gjeje radhë për të pirë kafe.

Ishte fundi i orarit zyrtar. Markua u kthye në zyrë. Dhimitri, ish kryespecialisti i vjetër, kishte hapur një revistë të huaj të specialitetit të vet dhe Kujtimi, kryespecialisti i ri, që kishte gjysmën e moshës së tyre, po rrëmonte në një dosje. Markua nuk u ul. U mbështet në pezulin e dritares dhe thithte me ashk cigaren deri sa e zuri ajo kolla e thatë dhe e keqe. E flaku bishtin e cigars nga dritarja dhe nisi të ecejakte në zyrën e ngushtë. Qëndroi në mes të saj dhe iu drejtua Kujtimit:

-E , shoku kryespecialist, si tu duk analiza?

Kujtimit nuk i erdhi mirë që ai e quajti me titullin e vendit të punës. Kishte tre muaj në atë zyrë, por ata të dy i qëndronin ftohtë, hatërmbetur, sikur t’ua kishte ai fajin, mbanin një farë largësie zyrtare dhe shkëmbenin ndonjë bisedë vetëm për çështje pune. Nuk u vinte mirë , që I kishin vënë nën varësi të tij.

-Mirë- tha ai pa e zgjatur.

-Prita që ti të diskutoje.

-Nuk qe nevoja,na përfaqësoi drejtori.

- Ishte, si jo? Kur u vendosën detyrat. Si pranove , që të na ngarkonin deri në fund të vitit ato detyra në dy muaj,kur të paktën duhen pesë. Ty të duken të realizueshme?

-Vështirë ta thuash . por kemi kohë ta mendojmë.

-Po,apo jo? Mos i dredho përgjigjes! - fërshëllima si e gjarpërit po bëhej kërcënuese.

- Gjërat,shoku Marko,nuk priten si me sëpatë.

-Priten që çke me të. Më jep nje përgjigje!

Kujtimi ndjeu ti binin në fytyrë spërklat e pështymës dhe u ngrit më këmbë. Për të vazhduar bisedën, doli në anë të tavolinës dhe u mbështet pas murit. Atëhere Markua hapi dy krahët, si dy çatalle sfurku dhe i mbështeti në mur. Kujtimi mbeti mes tyre si i mbërthyer. Në atë fytyrë të shtrembëruar e kërcënuese, sytë e Markos, me një dritë të keqe të verdhëreme, e shihnin me ngulm.

-Po, apo jo. Folë!

I ndodhur nën atë sulm të beftë, shikimin tinzar që e shponte si thikë dhe akërrimin si të një demi të egërsuar,Kujtimi u gabua.

-E po të them jo, çfarë? Këtë kërkon!

-Dëgjo mirë djalosh: Ne jemi të vjetër, nuk kemi më se kur ti shlyejmë mosrealizimet, mbetemi me njollë dhe kjo për shkakun tënd. Ti je I ri, ke ende kohë për ta rregulluar biografinë. Prandaj, lumë miku shko te ministri dhe kërko edhe në emërin tonë korregjimin e detyrës. Nuk pranoi Ministri, për këtë jam i bindur, shko te kryeministri!

Kujtimi u shtang, por kishte ende për të dëgjuar.

- A e di se në ç’karrige e ke ulur bythën? Po nuk e di ta them unë: Ajo nuk është karrige, ndën të ke një vullkan, që mund të shpërthejë kur s’ta merr mendja dhe të-të  hedhë në erë! Ky është fillim i keq, prandaj në qoftëse nuk ke guxim e kurajo, bën mirë ta dorëzosh detyrën dhe të ikësh andej nga ke ardhur! He si thua, ta mban?

Dhimitrit, që po e ndiqte skenën, iu dhimbs djali dhe i nervozuar u ngrit nga vendi. I zuri të dy krahët e Markos, i tërhoqi dhe e çliroi Kujtimin nga çarku i krahëve.

-Boll more Skifter i Zi, mos ke ndër mend ti çash gjoksin dhe ti çukitësh mëlçinë! Lere djalin.Nuk të dha shkak. Mos e fut në ato ujëra, se ai nuk e di atë not dhe mbytet! Atje ku I thua shko vetë, se ti je mësuar dhe di ta bësh mirë atë notin tënd në ujërat e turbullta, të thella e të rrëmbyera!

Markua, që sapo kishte nisur t’a shijonte masakrën dhe terrorin psikologjik, nuk e priste ndërhyrjen e Dhimitrit. Fytyra inatçore e pa pikë gjaku iu ngërdhesh dhe shfytyrua  nga zemërimi:

-Edhe ti more Dhimitër, i del krah. Ai s’ka nevojë për dado! E kam ditur  me kohë, që je oportunist e me dy fytyra, ndryshe nuk do të punoje në dikaster tridhjet vjet!- Tha ai dhe doli me vërtik nga zyra.

Kishte ende kohë, që të gjente një viktimë tjetër për ta hedhur në rrjetën e tij të merimangës, që ta shushaste me helmin e fjalës.

Kujtimit iu duk sikur u zgjua nga një ëndërr e keqe.

-Faleminderit xhaxhi- I tha Dhimitrit.

-Maskarai. Provokator mbeti gjithë jetën. Është si ujku. Qimen e ndërron por zakonin se harron. Mos pandeh se e ka vetëm me ty. Tashti që e di se kush është, vari hejbet. Ja kanë pirë lëngun dhe s’ja dëgjon më kush fjalën.

Kujtimi I buzëqeshi dhe e ndjeu, se ai njeri pa pritur iu bë i afërt. Orari zyrtar kishte kaluar dhe ata të dy dolën për të ikur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora