E premte, 29.03.2024, 05:29 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Caio Werneck: Engjëll Koliqi sjell freski me muzikën burimore shqiptare

E hene, 31.03.2008, 07:03 PM


NË PROGRAMIN E RREGULLT TË PREFEKTURËS SË BELO HORIZONTES – E DIELA KULTURORE, NË PARKUN QENDROR TË KRYEQYTETIT MINEIR:

Engjëll Koliqi sjell freski me muzikën burimore shqiptare

Caio Werneck
Të pranishmit, që kishin mbushur sallën karakteristike të parkut qendror të kryeqytetit tonë, të dielën e fundit të marsit janë befasuar këndshëm, me ligjëratën e veprimtarit kosovar, mbi muzikën burimore shqiptare, e posaçërisht me tingujt e ëmbël dhe shumë joshës të instrumentit tipik shiptar – çiftelisë. Shumë nga ata i kanë kërkuar organizatorit Sergio Fantini, që këso freskishë t'u sjellë sa më shpesh.

Nga Caio WERNECK

Belo Horizonte, 31 mars 2008. – Dje, në të dielën e fundit të marsit, përgjegjësi i veprimtarive publike kulturore të Prefekturës së kryeqytetit tonë – Sergio Fantini, për dashamirësit e kulturës, në parkun qendror të qytetit, kishte sjellur një befasi shumë të këndshme, që – siç thanë shumë nga të pranishmit – do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Kësaj radhe, E Diela Kulturore e Belo Horizontes, që tashmë është një veprimtari e rregullt kulturore në parkun tonë qendror, në sallën karakteristike (të rrumbullakët), i ishte besuar Institutit për bashkëpunim mes Brazilit e Kosovës – BRAKOS.

Ishte e vogël salla për t'i pranuar të gjithë të interesuarit për muzikën burimore shqiptare, prandaj njerëzit e përcillnin programin special të së dielës kulturore edhe nga dritaret
Për befasinë e këndshme të dashamirësve të kulturës dhe të specifikave kulturore të kombeve të ndryshme, BRAKOS kishte sjellë një program shumë interesant: një ligjëratë të bukur mbi muzikën burimore shqiptare, nga Prof Engjëll Koliqi, i cili ligjëratën e tij e kishte shoqëruar edhe me këndim me çifteli, instrument ky tipik i shqiptarëve, që nuk e kanë kombet tjera.

Edhe në këtë ligjëratë speciale, Prof Koliqi ishte i shoqëruar nga Profesoresha jonë e nderuar dhe nga të gjithë e respektuar – Dr Vera Lúcia Alves Neves, jo vetëm në rolin e përkthyeses, por që edhe ajo ka dhënë shpjegime të mira për traditat shqiptare e sidomos për vlerat e mirëfillta të bashkëjetesës me tolerancë e harmoni të shqiptarëve të Kosovës, me pjesëtarët e kombeve të tjera që jetojnë atje, duke i lidhur edhe me shembullin e gjashtë yjëve të barabartë në Flamurin e Republikës së Kosovës.

Prof Engjëlli, duke folur për traditën muzikore burimore ndër shqiptarët, ka thënë se në shekuj ky komb i lashtë, që nga Iliria, ka qenë i detyruar që më së shumti të këndojë këngë kushtrimi për luftëra çlirimtare, këngë epike për heronjtë e dëshmorët e kombit, për tragjeditë... Këto këngë janë krijuar para shumë shekujsh. Quhen këngë popullore, sepse autori i tyre nuk dihet. Ato – ka thënë ligjëruesi – janë përcjellë brez pas brezi, pothuajse të pandryshuehsme. Pak ndryshime janë vërejtur vetëm në shqiptimet rajonale dhe në theksimet e heronjëve e dëshmorëve rajonalë. Këngët burimore shqiptare – ka thënë Koliqi – kryesisht janë kënduar si këngë vokale. Pastaj kanë filluar këndime me lahutë, me fyell e me çifteli.

Çiftelia është një instrument me dy tela - i thjeshtë, por me një muzikalitet shumë të ëmbël, që ka shoqëruar këngëtarin popullor nëpër shekuj. Ky instrument është karakteristik, vetëm në kombin shqiptar dhe kombet tjera nuk e kanë. Nuk është i fabrikuar, por punohet gjithnjë nga dora e njeriut shqiptar. Ëmbëlsia e tingujve të çiftesisë, viteve të fundit po kombinohet shumë bukur edhe me orkestrat popullore dhe me ato të muzikës rock e pop, ndër shqiptarë. Nën tingujt e këtij instrumenti shqiptarët, për shumë shekuj edhe kanë vallëzuar bukur – ka  thënë ligjëruesi.

Interesim i jashtëzakonshëm i të pranishmëve për muzikën burimore shqiptare
Duke folur për realitetin e hidhur shqiptar, që nëpër shekuj ka kushtëzuar dhe drejtuar në binarë të caktuar edhe muzikën burimore të këtij kombi, Z. Koliqi ka thënë se ka qenë rrezik për familjen shqiptare, kur organet policore serbiane kanë gjetur në shtëpitë e tyre një çifteli. Edhe ky instrument tipik shqiptar i ka penguar pushtuesit gjakatarë, të dirigjuar nga aparatet shtetërore terroristike të Beogradit – ka thënë ligjëruesi, i cili në përfundim fare ka thënë se tashmë në liri, edhe çiftelia tingëllon më ëmbël, duke shoqëruar tashmë më shumë këngë lirike dhe me motive dashurie.

Në fund të ligjëratës së tij, shumë interesante, Prof Engjëll Koliqi ua ka treguar çiftelinë të pranishmëve, të cilët, së pari janë mahnitë me punën e bukur dhe dekorimin e saj me simbole kombëtare. Pastaj, Ai ka luajtur melodi instrumentale dhe ka kënduar këngë trimërie dhe këngë nga motive dasmash, me çiftelinë e tij të bukur. Edhe këndimi i Tij është pëlqyer jashtëzakonisht nga të pranishmit, të cilët në fund e kanë lutur organizatorin e këtij programi – Sergio Fantini-n, që të sigurojë sa më shpesh programe të tilla të këndshme.

Prof Engjëlli duke ligjëruar, i përkthyer nga Profesoresha Vera

Prof Engjëll Koliqi duke kënduar me çifteli

Edhe në këtë ligjëratë Z. Koliqi shpalosi Flamurin e Republikës së Kosovës

Engjëlli shfleton librat në bibliotekën mobile në park

Pamje e bukur nga parku qendror i kryeqytetit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora