E premte, 19.04.2024, 09:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Nijazi Ramadani: Vepër e dijes dhe e vlerësimit kritik

E hene, 28.05.2012, 08:00 PM


Vepër e dijes dhe e vlerësimit kritik

(Nuhi Ismajli: “Përsiatje letrare”, bot. “Era”,  Prishtinë, 2012).

Nga Nijazi RAMADANI

Studiuesi Nuhi Ismajli, pas veprave: “Nga vlerat e traditës” (2000), “Kureshtje letrare” (2001), “Aktualizime letrare” (2009) e “Vepra e Gjon Buzukut” (2010), këto ditë nxori edhe veprën “Përsiatje letrare”.

Vepra “Përsiatje letrare” shquhet për larminë dhe gjerësinë e interesimeve letrare të autorit. Në të trajtohen e vlerësohen dukuri, autorë e vepra të periudhave e formacioneve të ndryshme letrare të letërsisë shqipe, duke filluar nga fillimet e njohura të letërsisë shqipe e deri në letërsinë e sotme shqipe.

Autori merret me çështjet e ndryshme të letërsisë shqiptare të humanizmit, letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, letërsinë shqipe të romantizmit, letërsinë shqipe ndërmjet dy luftërave botërore, letërsinë shqipe të viteve tridhjetë dhe veprat e letërsisë së sotme shqipe.

Veprën e përbëjnë shkrimet për vlerësimin e mendimit për letërsinë (termat letrarë, historia e romanit në letërsinë shqipe), letërsinë e hershme shqipe, veprën e Migjenit, M. Kutelit etj.; shkrimet për vlerësimin e veprave të ndryshme letrare në prozë e në poezi.

Kështu, autori vlerëson mënyrën e përdorimit të termave letërsi shqipe dhe letërsi shqiptare, interpretimin e paqëndrueshëm dhe mohimin e vlerave të letërsisë shqiptare të humanizmit dhe të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII; interpretimin e paqëndrueshëm të veprës së Gj. Fishtës, të Migjenit të Kutelit etj.

Në veprën “Përsiatje letrare”, një vend i rëndësishëm i jipet vlerësimit të teksteve të letërsisë për shkollat e mesme. Në këtë rast, në mënyrë kritike, autori ka vlerësuar tekstet për letërsinë shqipe (për kl. 10, 11 dhe 12), të Sabri Hamitit. Nga vështrimi kritik i këtyre teksteve del vlerësimi se tekstet e përmendura të letërsisë për shkollat e mesme, krahas vlerave, kanë edhe të meta të natyrave të ndryshme, të cilat duhet korrigjuar.

Studiuesi N. Ismajli, në veprën “Përsiatje letrare”, jep edhe vlerësimet e tij për një varg veprash shkencore të autorëve, si: Z. Xholi, A. Hamiti, B. Kosumi, K. M. Shala. A. Atashi, A. Gojçaj, B. Çapriqi, N. Krasniqi, M. Dreshaj- Baliu e Stefan Çapaliku.

Vlerësimet e tilla shquhen për erudicionin e autorit dhe akribinë shkencore.

Në veprën “Përsiatje letrare” zënë vend edhe interpretimet e vlerësimet për veprat në prozë të autorëve, si: Migjeni, M. Kuteli, I. Kadare, K. Trebeshina, B. Musliu e I. Kadriu, si dhe veprave në poezi, të autorëve, si: De Rada, Migjeni, M. Ramadani, G. Xhafolli, S. Gjergji e N. Ukaj.

Në shkrimet për prozën e poezinë shqipe, përmes një argumentimi të qëndrueshëm, autori vë në dukje veçanti dhe vlera të veprave të autorëve të rëndësishëm.

Në shkrimet e veprës “Përsiatje letrare” vërehet këmbëngulja e vazhdueshme e autorit për një vështrim të thellë e të argumentuar, të çështjeve të ndryshme letrare që trajton, dhe shmangies së mendimit sipërfaqësor e gjykimit subjektiv për to.

Në mënyrë të veçantë, shkrimet e veprës “Përsiatje letrare”, shquhen për artikulimin e mendimit kritik për letërsinë shqipe. I çliruar tërësisht nga interesa jashtëletrare, autori përpiqet që në saje të dijes dhe arguenteve të qëndrueshme, të japë mendime e vlerësime të çmuara për letërsinë shqipe. Prandaj, në këtë kohë kur nuk kemi një kritikë të mirëfilltë në letërsinë shqipe, vepra “Përsiatje letrare” e N. Ismajlit paraqet një kontribut shumë të çmuar për ktitikën letrare shqipe.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora