E hene, 19.08.2019, 07:18 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Flet Nikita, këngëtarja e re e suksesshme shqiptare

E diele, 27.05.2012, 11:37 AM


Albumi i ri do të jetë një befasi”

Albert ZHOLI

... Ajo pretendon shumë në jetë. Madje për çdo ditë kujdeset për të ardhmen duke i hedhur hapat e sigurt. Aktualisht, mund të themi se është një nga vajzat më të bukura shqiptare. Por ky fakt nuk e ka bërë mendjemadhe apo  indiferente ndaj realitetit shqiptar. Mbi të gjitha ajo emrin artistik e ka shumë interesant, Nikita (në fakt quhet Jonisa Pengu). Shqiptarëve të moshës së dytë dhe të tretë ky emër u kujton udhëheqësin e ish-BRSS, Nikita Hrushov, por ajo në fakt sot është vetëm 25 vjeçe dhe në vetvete ka shumë ëndrra dhe energji. E sigurt, energjike, plot ide, me ëndrra për të ardhmen  ajo përveç këngës se lë pas dore dhe leximin. Sipas saj, formimi i përgjithshëm i një vajze nuk mund të kuptohet pa librin. Nuk le pas dore as gazetat që i lexon me vëmendje çdo mëngjes. Për të arritur deri këtu, që të jetë e kërkuar në tregun muzikor,  ajo ka qenë pjesëmarrëse në shumë evente dhe kompeticione muzike. Në shoqëri është e dashur, e sinqertë, por dhe shumë korrekte.

Çdo profesion e ka një fillim, por për Nikitën kur është fillesa e karrierës muzikore?

E drejtë edhe unë si gjithë këngëtaret e kam një ditë të fillimit të karrierës time si këngëtare. Për të qenë sa më e saktë  starti im përkon në vitin 2007, ku unë për herë të parë mora pjesë tek Top- Fest 6. Kjo ishte dita më e bukur për mua, për të mos thënë se ishte një ditë feste. Po më hapeshin shumë dyer. Po shikoja të ardhmen time që u zbulua me këtë event. Atë natë nuk kam fjetur. Top- Fest, ishte një festë e madhe për mua. Ishte dita e hapjes së një rruge të re. Gëzimin e ndava me familjen dhe me gjithë shoqërinë.

Si eci rruga juaj si këngëtare pas këtij eventi kaq fantastik për JU?

Tashmë që rruga si këngëtare më ishte hapur mendova për më tej. Nuk duhej ndalur ky vrull. Nuk duhej të vija në vetëkënaqësi. Pas këtij momenti fillova të bëj klipet e mia muzikore, të cilat janë transmetuar në disa televizione shqiptare. Këto klipe treguan se po bëhesha e pëlqyer për publikun. Televizionet të bëjnë më prezente tek publiku. Dhe publiku është i ndjeshëm. Ai të jep notën që të takon. Por dihet që televizionet nuk mund të transmetojnë klipe që nuk kanë nivel artistik dhe interpretimi. Kjo fitore me televizionet më dha më shumë krahë më dha më shumë forcë.

Tashmë e njohur, por pak veta dinë për jetën tuaj. Jeni një femër shumë enigmatike, shumë delikate. Mund të dimë më shumë për Nikitën që mban një emër artistik kaq të veçantë?

Secili mund të ketë mendimin e tij për mua. Nuk marr për ters asnjë mendim, ndaj jetojmë në një shoqëri demokratike, mjafton të mos themi të pathëna që dëmtojnë. Unë mund ta përshkruaj veten time kështu: Jam një vajzë kërkuese, me temperament. Më pëlqen shoqëria dhe lëvizjet. Jam plot ëndrra dhe kërkuese ndaj vetes. Nuk merrem me thashetheme por shikoj punën time. Punoj vazhdimisht dhe kërkoj për çdo ditë dhe më shumë nga vetja. Kur kam kohë lexoj pasi e respektoj shumë dijen. I jap kohën që duhet lukut tim pasi kështu më duket se e respektoj më shumë veten time. I shmangem grindjes dhe më pëlqen debati konstruktiv. Jetoj të tashmen me sytë nga e ardhmja.

Çdo njeri ka një plan në mendje për fillimin e një dite pune apo sholle. Si është kjo ditë për Nikitën?

Më pëlqen paksa gjumi i mëngjesit dhe sa çohem shkoj në një lokal me miqtë e mi, ku pi kafen e mëngjesit. Asnjëherë nuk e pi kafen vetëm. Ndodh që ta pi dhe më pjesëtarët e familjes. Më pas? Direkt e në studio duke punuar apo me autor tekstesh apo kompozitor. Kjo është fillesa e ditës që mund të vazhdojë me aktivitete të ndryshme deri natën vonë. Disa herë dita dhe nata për mua janë pa nocion kohe. Më ikën koha pa e ndier, me një ritëm që s’mund ta përcaktoj.

Sot kënga për shumë këngëtare është kthyer në një biznes të mirëfilltë. Po për Nikitën çfarë është kënga?

Për mua kënga është vetë jeta. Nuk e kam menduar kurrë si biznes, por si dëshirën time, pasionin tim. Nuk mund të rri dot pa këngën ku biznesin e vendos të fundit. Dihet se n.q.s bëhesh një këngëtare e mirë biznesin e ke vetë brenda. Kjo është e padiskutueshme. Këtë nuk e them sa për të kaluar radhën e them me bindje dhe plot vërtetësi. N.q.s qysh tani do t’i futem këngës si biznes mendoj se, shumë shpejt do heq dorë nga cilësia dhe do të dështoj shumë shpejt.

Gjithmonë në lëvizje, mund të na thoni planet e tuaja të afërta?

Gjithmonë planizoj diçka. Kurrë nuk eci kuturu. Jam një njeri që eci me këmbë në tokë dhe nuk dehem nga sukseset. Po. Mund t’i them planet e mia. Tani po flasim jam në përgatitje e sipër të një albumi të ri. Një albumi që më ka bërë për vete. Jam çdo ditë nën tension se si do dalë. Të gjitha gjasat tregojnë se do jetë një album fantastik. Pra, kam në përgatitje një album dhe një klip.

Mund të dimë si do të titullohet klipi?

Tani s’mund ta them. Le të jetë surpizë për publikun. Jam e dhënë shumë pas surprizave. Por di të them  që këtë kohë e kam justifikuar. Albumi do jetë i një natyre krejt tjetër.

Kur do dalë në treg?

S’mund të them ditë të saktë,por di të them së afërmi. Në këngë nuk ka ditë fikse pasi dalin lloj -lloj problematikash dhe risi. Kur thuhet së shpejti dihet ka të bëjë më afate mujore dhe jo vjetore.

Një këngëtare e bukur e zgjuar mendoj se duhet të jetë e dashuruar?

(qesh). Në të vërtetë është ashtu siç thoni ju. Po, jam e dashuruar. Nga ana tjetër nuk mund të thuhet (sipas meje) se çdo këngëtare duhet patjetër e dashuruar (qesh sërish). E them me plot gojën se kam në krah mashkullin e ëndërruar, një mashkull, të cilin e kam zgjedh ashtu siç e kam pas ideuar në mendjen time. Dashuria është një forcë tjetër për të ecur përpara. Pa dashurinë njeriu  është si një lule pa erë. Si një lëndinë pa lule. Dashuria në momente të caktuara të jep forcë sa nuk e mendon.

Pra, keni zgjedhur mashkullin ideal?

Po! Për mua mashkulli ideal është njeriu i sinqertë, intelektual, që të mbështet në nismat që merr. Pra mashkulli ideal është ai që të do ashtu si je dhe ta duash ashtu siç është.

Ju kemi parë në disa foto me Balerinin & Modelin e njohur Hermes Nika. Cila është lidhja juaj me të?

Me Hermesin më lidh vetëm miqësia. Ai është shoku im më i mirë. Mund të them se me të ndaj çdo gjë. I besoj dhe më beson shumë. Flasim shumë për sfidat që na presin. Është mashkull kurajoz dhe me shumë ide.

Kushdo që të shikon merr me vete një luk të bukur…

Lukut i kushtoj aq kohë sa i duhet një femre për të qenë e plotësuar. Femra duhet të ketë një luk elegant në çdo kohë.

Kënga juaj më e dashur?

Ah, kënga më e dashur... Janë shumë, por unë do të veçoja këngën “Falma” pasi ka dhe një klip shumë interesant.

Femrat që kanë defekte bëjnë operacione plastike. Mendimi juaj për këto operacione?

Jam kundër tyre. Por respektoj dëshirat e gjithsecilës. Secila ka zgjedhjet e veta në jetë. Por vetë nuk e preferoj. Ndoshta ngaqë s’kam ndonjë të metë fizike.

Jeni pro apo kundër martesave Gay ?

Pse të mos jem pro. Jeta është shumëngjyrëshe. Jam plotësisht pro, pa asnjë përqindje kundër...

Cili është personazhi shqiptar më i dashur për ju?

Hermes Nika, Balerini, Modeli & Preazntuesi i Tv Klan.

Dhe së fundmi diçka për ta mbyllur ka surpriza Nikita?

Dhe për ta mbyllur këtu, Nikita ka shumë surpriza, por ... më ndiqni, në vazhdimin e karrierës time.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT