Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet aktorja Violeta Trebicka: “Roli i Anthullës më ka shijuar shumë”

| E diele, 27.05.2012, 12:36 PM |


“Teatri dhe filmi, janë dy dashuri me ndryshimet e tyre”

Para disa ditësh në Teatrin e Komedisë u shfaq komedia “Fqinjët” e Ruzhdi Pulahës. Kjo komedi me regjisor të talentuarin Alfred Trebicka tërhoqi vëmendjen e gjerë të publikut. Për ditë të tëra salla ishte e mbushur plot. Midis shumë aktorëve në këtë komedi spikati dhe aktorja Violeta Trebicka me rolin e saj, Anthulla. Një lojë plot finesë, me batuta, përqendrim, dinamikë, këto ishin cilësitë e saj në këtë rol të parë të luajtur në komedi, të cilin e realizoi me sukses. Dhe pse bashkëshorti i saj ishte regjisor i komedisë, Violeta punoi me sforco më të madhe se në rolet e tjera dramatik.

-Kur ka filluar të aktrojë Violeta dhe kush e ka zbuluar si talent?

Debutimet e mija të para kanë qenë nga viti 1986-1989 në disa role te vogla në filmat që prodhoheshin në Kinostudion Shqipëria e re, i cili më vonë mori titullin Alba-Film. Mund të përmend filmin “Rrethi i Kujtesës”, i H.Musliut, “Vitet e Pritjes”, regjisor H.Musliu, “Flutura në Kabinën time” e V.Priftit, “Jeta në duart e tjetrit” A.Xholi etj.. Ndërkohë në vitin 1989 unë fillova Akademinë e Arteve.

Kush më ka zbuluar si talent? Pedagogu im, më vonë partneri im i skenës dhe i jetës Alfred Trebicka.

-          Në Akademinë e Arteve ndoshta një ditë e veçantë. Kush ju nxiti për konkurrim. Kë kishit si juri, pjesa që luajtët dhe si qe reagimi i jurisë.

Me këtë pyetje më ke ngacmuar në pikën time të dobët. Jo vetëm që më ke kthyer në vite, por më kujton përpjekjet dhe emocionet e atyre viteve që unë kam përjetuar me njeriun tim të shtrenjtë, Babain Tim. Ai ishte shoqëruesi im në çdo hap që kam hedhur, shoku, miku im pa harruar të jetë Babai im. Pyetja Juaj, kë kishit në juri, do të kërkonte një përgjigje të gjatë, sepse unë nuk kam konkurruar vetëm një herë, por tre herë dhe tre herë do të thotë 6 konkurse. Pse, 6-konkurse? Në kohën kur unë konkurroja për Akademinë e Arteve kërkesat kanë qenë të mëdha, si rrjedhojë zhvilloheshin konkurse seleksionimi në të gjitha rrethet në fillim, pra Tirana zhvillonte një konkurs ku bëhej seleksionimi i kandidatëve për studentë të Tiranës, dhe ky konkurs zhvillohej në Teatër, ku merrnin pjesë rreth 10 anëtarë jurie (të them të drejtën nuk e mbaj mënd nr. e saktë) por mbaj mend që kanë qenë anëtarë jurie duke filluar nga dramaturgë, aktorë jo vetëm të Teatrit Kombëtar, por edhe aktorë të teatrove në rrethe dhe pastaj zhvillohej konkursi përfundimtar ku ishin të gjithë kandidatët fitues të rretheve, dhe ky konkurs zhvillohej në Akademi. Në juri kanë qenë regjisorë dhe pedagogë të Akademisë. Dy nga monologët që më kujtohen kanë qenë Andromaka e Rasinit, Frosina e Molierit. Kujtoj komente të ndryshme nga juria, ku më cilësonin si një kandidate shumë potenciale, emocionale dhe të ngrohtë. Dhe ajo që nuk do harroj është krahasimi që më bënë me aktoren italiane Ana Manjani, megjithatë unë përsëri ngelesha pas vizës së pranimit. Ashtu siç po më ndodh edhe sot pas kaq vjetësh që jam ende jashtë dyerve të Teatrit Kombëtar.

-Cili ka qenë roli më i vështirë i jetës suaj si aktore dhe pse?

Për mua çdo rol ka vështirësitë e veta. “ Nuk ka rol të vogël, apo rol të madh” me këtë duhet të kuptojmë se me çdo rol sado i vogël të jetë duhet të punojmë shumë dhe jo ta nënvletësojmë në bazë të rreshtave në fjalë që artikulon personazhi. Pra, dua të them që nuk ka role të lehta, mund të ketë personazhe që janë më afër qenies tënde si mendësi, pjekuri, por për realizimin e çdo personazhi, apo karakteri duhet një punë serioze e punuar deri në detaj.

-A e keni ndjerë veten keq në skenë dhe si keni vepruar?

Para tre vjetësh kam marrë pjesë në një aktivitet që organizohej për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Aktiviteti u organizua te “Piramida”. Gjithçka atje ishte shkatërruar, nuk kishte as pllaka dhe era depërtonte nga të gjitha anët. Si në çdo aktivitet bëhej një prove gjenerale një ditë para se të zhvillohet aktiviteti dhe aty morra një të ftohur, por nuk e pashë me rrezik për të nesërmen. Ndërsa në 28 Nëntor sapo aktiviteti filloi mua më duhej të lexoja disa materiale historike për 28 Nëntorin, zëri më iku si me magji, u përpoqa që ta haja mikrofonin, por edhe ai nuk bëri punë. Nuk bëhej fjalë për ngjirje të zërit, por ikje të zërit. Nuk jam ndjerë më keq në jetën time se atë ditë, kur bëhet fjalë të jesh para publikut. Shpresoj të mos më ndodh më kurrë!

-Cilët kanë qenë idhujt tuaj në aktrim dhe regjisurë që ju kanë paraprirë në jetë?

Që në vogëli ëndërroja të bëhesha aktore dhe këtë e kam reflektuar me imitimet e ndryshme që kam bërë vazhdimisht. Çdo aktor i mirë, apo regjisor i mirë kanë qenë udhërrëfyesit e shpirtit tim për këtë profesion, duke filluar që nga filmat Ëest- të Regjisorit S.Leone, apo filmat të regj.italian F.Fellini, D.Damiani. P.P.Pazolini etj., apo aktorë si Al Pacino, De Niro, Meril Streep, G.Gianini, F.Nuare etj…..apo shumë nga aktorët tanë për të cilët ne krenohemi sot kur flasim për historinë e teatrit apo të kinemasë. Në mendjen time është skalitur një zë dhe organicitet i P.Mimës, apo aktorë si Sandër Prosi, S.Pitarka, K.Roshi, M.Logoreci, V.Manushi, A.Qirjaqi etj..

-Sot a e mendoni se aktrimi është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Aktrimi është profesioni që unë dua dhe di të bëj, nuk mund të them se ky profesion më ka dhënë qetësi shpirtërore, sepse aktrimi nuk mund të të japë qetësi shpirtërore. Sa më shumë të hysh në labirinthet e qenies aq më shumë trazohet shpirti yt.

Sa për emrin, ai vjen me punë. Është bërë mani këto kohët e fundit , gjë që po shkatërron edhe brezin e ri sot “Fama”. “Emri”, apo,” Fama”nuk t’i jep njeri ajo fitohet vetëm me punë. Ndërsa për të ardhurat, është një temë më vete. Të ardhurat lënë shumë për të dëshiruar.

-Ku ndihemi më mirë në role komike apo dramatike?

Për mua personazhi i Anthullës është roli im i parë në Komedi. Unë kam luajtur më shumë drama, nuk mund t’i ndaj dot komedinë apo dramën, mund të them që roli i Anthullës më ka shijuar shumë, ashtu sikur nuk mund të ndajë dot teatrin me filmin, të dyja janë dashuri me ndryshimet e tyre.

-Bashkëshorti regjisor, ju aktore, bëheni xheloze për njëri-tjetrin?

Nuk e njoh xhelozinë në këtë profesion. Dua të them që asnjëherë nuk kam patur problem për gjithçka që ndodh në skenë. Nëse do të ndodhte diçka pas kuintave atëherë është tjetër gjë, që unë nuk do ta quaja xhelozi. Sepse nëse ndodh diçka atëherë si mund të quhet partneri xheloz. Kur nuk ndodh gjë dhe ti ke dyshime atëherë mund të përdorim termin xhelozi.

-Të vijmë tek komedia e fundit “Fqinjët”, ku Alfred Trebicka është regjisor, si ndiheni me këtë rol?

E thashë dhe pak më lart, që më ka shijuar roli i Anthullës. Vërtetë ishte e vështirë si rol si nga ana profesionale , por edhe nga ana njerëzore, do të thoja që për publikun personazhi i Anthullës është “I keq, shumë i keq, aspak i dashur”. Anthulla është personazh që zhvillon konflikt në të gjithë veprën. Ajo është në konflikt me të gjithë për një arsye shumë të rëndësishme, po i humbet pushteti në familje. Nga fillimi i punës me veprën, pra nga analiza e saj, përtypja e deri në ekzekutim të veprës, të rolit, fillova ta besoje Anthullën dhe t’i jepja të drejtë. Për mua Anthulla është njeriu më i drejtpërdrejtë dhe më i vërtetë në vepër.

-Cila është e veçanta e kësaj komedie?

E veçanta e komedisë “Fqinjët” e R.Pulahës, është struktura dramaturgjike . Kthesa që merr vepra në aktin e tretë, kur deri në atë moment të gjitha situatat në vepër janë të mbarsura me humor, vjen një moment tepër dramatik dhe emocional.

-A ishte ky rol roli më i gjetur i karrierës tuaj?

Roli i karrierës? Unë mund të them që është herët për të folur për karrierë. Kam shumë punë përpara për të përdorur fjalën “Karrierë”. Shpresoj që, e kam nisur mirë. Për një gjë jam e bindur. Që do të vazhdojë t’i krijojë mundësinë vetes të merrem me profesionin tim. Shpresoj që, në një të ardhme të them që kam ndërtuar një karrierë, sepse mund të bësh gjithë jetën këtë profesion, por edhe mund të mos ndërtosh kurrë karriere. Jo gjithmonë cv- e punëve mund të përkufizohen në karrierë.