E diele, 20.10.2019, 09:47 AM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Normalistët kremtuan 51-vjetorin e maturës

E diele, 27.05.2012, 04:49 PM


NORMALISTËT KREMTUAN 51-VJETORIN E MATURËS

-Gjeneratë së cilës të gjithë ia kanë lakmi-

Nga Adil Fetahu

Ish-nxënësit e Shkollës Normale të Prishtinës, të gjeneratës 1956-1961, tash e shumë vjet e kanë praktikuar traditën që për çdo vit takohen, të shtunën e fundit të muajit maj. Zakonisht takimet i mbajmë në sallën e ish-Normales së Prishtinës (tash: Shkolla e Mesme “Gjin Gazuli”), ndërsa pas “orës së madhe” qe e mbajmë aty, shkojmë në një drekë të përbashkët, në ndonjë restorant në kryeqytet apo jashtë qytetit.

Kështu, edhe sivjet, në 51-vjetorin e maturës, kjo gjeneratë mbajti takimin vjetor më 26 maj 2012. Në takim morën pjesë 38 ish-normalista (ata nuk kanë qejf  t’i quajmë ish-normalista, por vetëm normalista, sepse thonë se ai që ishte njëherë normalist, gjithmonë ka mbetur dhe është normalist, pa marrë parasysh se çfarë shkalle kualifikimi a profesioni ka kryer pas Normales).

 

Në takimet e kësaj gjenerate rregullisht ftohen dhe marrin pjesë edhe ish-profesorët e   Normales. Këtë vit në takim morën pjesë Rexhep Hoxha, profesor i gjuhës shqipe, dhe Arsim Fehmi, profesor i kulturës fizike. Akademik Pajazit Nushi, profesor i psikologjisë, në pamundësi për të marrë pjesë në takim, u lajmërua me telefon për t’i përshëndetur pjesëmarrësit e takimit dhe porositi që këto takime t’i mbajmë rregullisht për çdo vit, sa të jemi gjallë!

Në fillim të “orës” së mbajtur në sallë, u bë thirrja e emrave të ish-maturantëve, e pastaj u mbajt një minutë heshtje në shenjë nderimi e kujtimi për shokët e shoqet dhe profesorët të cilët kanë ndërruar jetë.

Autori i këtyre rreshtave, pasi i përshëndeti të pranishmit, mbajti një fjalë rasti, pastaj i njoftoi të pranishmit me orarin e takimit, dhe sugjeroi ta ribotojmë Monografinë e Gjeneratës, të cilën e patëm botuar vitin e kaluar, me rastin e 50-vjetorit te diplomimit të kësaj Gjenerate. Në ribotimin e Monografisë të përfshihen biografitë e shokëve dhe shoqeve të cilat nuk janë përfshirë në botimin e parë. Po ashtu, sugjeroi dhe kjo u mirëprit, që në muajin shtator të këtij viti të organizohet për një ekskursion i kësaj gjenerate në disa qytete të Shqipërisë; këtë vit që është jubileu i pavarësisë. Të dy këto propozime u mirëpritën nga të pranishmit. Në fund, autori i këtyre rreshtave ua dhuroi të gjithë pjesëmarrësve një libër të vetin, të botuar para dy muajve, me titull: “Shtegtimi nëpër lajme”, që është një përmbledhje e 560 komenteve të tij të botuar në mediat elektronike serbe, si reagim ndaj lajmeve, ngjarjeve dhe qëndrimeve të politikës serbe ndaj Kosovës dhe në lidhje me Kosovën.  Ndërkaq, profesori Rexhep Hoxha ua dhuroi të gjithëve nga një ekzemplar të librit të tij: Liria e fjalës.

 

Në vazhdim të takimit, shumë ish-nxënës dhe ish-profesorë të kësaj Gjenerate sollën kujtimet e tyre për ditët shkollore, treguan ngjarje e anekdota të cilat iu kanë mbetur në kujtesë nga jeta e tyre në Shkollën Normale të Prishtinës, e cila ishte oazë e arsimit, mësimit, edukimit, kulturës, sportit, kultivimit të shoqërisë, solidaritetit, patriotizmit dhe unitetit. Ajo Shkollë ishte krenaria e qytetit, e tërë Kosovës dhe e të gjithë Shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Në atë Shkollë janë përgatitur për mësues dhe kanë diplomuar më se 5000 mësues,të cilët janë shpërndarë gjithandej Kosovës, por edhe në viset e tjera shqiptare. Përkundër viteve të moshës, të gjithë me mbi 70 vjet moshe, kanë ruajtur mendjen e kthjelltë dhe kujtime të cilat iu kanë lënë mbresa. Për këtë takim kanë ardhur ish-normalistët edhe nga shtetet e tjera: Hajredin Hajredini ka ardhur nga Gjermania, ndërsa Dalip Marku nga Dibra (Maqedoni). Këmbejnë fotografi të vjetra, ngjallin kujtimet dhe shprehin emocione, duke i kujtuar edhe shokët dhe profesorët të cilët nuk janë më në mesin e të gjallëve. Isa Bajçinca e lexoi një vjershë të përgatitur enkas për këtë takim. Biseda, kujtime, interesimi për gjendjen e njeni-tjetrit dhe për të tjerët të cilët nuk kanë ardhur në takim. Në sallën e takimit dhe në oborrin e shkollës bënë fotografi të përbashkëta e në grupe të ndryshme.

 

Duke u ndërlidhur me vendimin e FIFA-s, që sportistëve të Kosovës t’iu lejohet mundësia e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, të pranishmit miratuan propozimin e profesorit të kulturës fizike, Arsim Fehmiu, që kryetarit të FIFA-s, Sep Batler, t’i dërgohet një falënderim i sinqertë për angazhimin qëndrimin e tij parimor dhe respektimin e të drejtës njerëzore të sportistëve për të zhvilluar e përparuar sportin. Ndërkaq, u shpreh zhgënjim dhe indinjatë ndaj shefit të UEFA-s, Mishel Platini, i cili është angazhuar në anën e Serbisë, për të penguar sportistët kosovarë të luajnë ndeshje ndërkombëtare, qofshin ato edhe miqësore. Gjithashtu, u shpreh indinjatë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk lejon xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi të përfaqësojë Kosovën në Lojrat e 37-ta Olimpike “Londa 2012”, madje as si sportiste e pavarur, vendim ky që është në kundërshtim me idenë e lojrave olimpike!

 

Ish-normalistët e Prishtinës shprehën zhgënjim për faktin se në Kosovë nuk ekziston më asnjë shkollë normale, si shkollë e mesme për profesionin e mësuesisë, sikurse që janë të zhgënjyer që Shkolla e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” e Elbasanit, është ka ndërruar profilin, duke u shndërruar në gjimnaz. Këta normalistë bëjnë apel që të vazhdohet tradita e Normales së Elbasanit.

 

Takimin, bisedat dhe muhabetin e vazhduan në drekën e përbashkët, në “Vila Germia”, ku drejtori i Restorantit, Hysen Cërnavërni,  dhe personeli shërbyes, treguan një kujdes e respekt qe i nderoi mysafirët dhe ata vet. Në ndarje, prapë shtrëngim duarësh e përqafime, përshëndetje dhe urime që kështu të takohemi edhe shumë herë.

 

Ishte ky një takim mbresëlënës i kësaj gjenerate më të organizuar dhe më  homogjene,  cila jo vetëm se mbanë rregullisht takimin tradicional vjetor, veçse në grupe më të vogla takohen edhe shumë herë gjatë vitit, për festa të ndryshme, si bie fjala për Ditën e Flamurit, për Ditën e Mësuesit dhe në raste tjera. Është kjo gjeneratë shembull, së cilës ia kanë lakmi të gjitha gjeneratat e tjera, për organizimin, unitetin dhe kontaktet e pashkëta.

-------------------

(Dorëzuar per botim në ZSh-në, nga Z. Lushaj)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT