Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelku Maksuti: Roli historik i shqiptarëve të Rumanisë

| E diele, 27.05.2012, 03:28 PM |


Roli historik i shqiptarëve të Rumanisë në proklamimin e Pavarësisë kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë

(Fjalim i mbajtur në selinë e Ambasadës Shqiptare për studentët e Shqipërisë që studiojnë në Rumani. Bukuresht, 11 maj 2012)

Nga Dr. Xhelku Maksuti

Pavarësisht nga rrethanat historike, që nga kohërat më të lashta kemi atestime dokumentare lidhur me ilirët si stërgjyshër të shqiptarëve dhe dako-trakasit e rumunëve. Rumunët për të përpunuar dhe eksploatuar xeheroret e arit të maleve të Apusenit (Roshia Montana e sotme), kanë prurë specialistë nga rradhët e ilirëve pirustë. Mendoj se kemi madje edhe ngjashmëri të shumta nga rendi linguistik ndërmjet shqipes dhe gjuhës rumune. Ndoshta kështu spjegohet edhe gjesti i udhëheqësit të madh të Vllahisë, Mihai Viteazul (Trimi), që u mundësoi 15 mijë shqiptarëve të kalojnë Danubitn më 1595 dhe të vendosen me familjet e tyre në trojet rumune për të shpëtuar nga turqit. Disa nga ta arrijnë në funksione të larta, siç janë ata të familjes Gjika, nga e cila do të shndrisë emri i Elena Gjikës (Dora d’Ostria), e cila, pas gjysmës së dytë të shek. XIX do të redaktojë e botojë në gjuhën italiane edhe një histori të shqiptarëve të Rumanisë. Disa vjet para saj Naum Veqilharxhi do të botojë abetaren e parë në gjuhën shqipe kurse kah fundi i shek. XIX-të, fillojnë të krijohen shoqatat e para kulturore të kësaj kolonie në Bukuresht, Konstancë, Brailë, Plojesht dhe lokalitetet tjera.

Kështu mund të shpjegohet arësyeja pse Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin do të vijnë nga Stambolli në Konstancë dhe nga Konstanca në gjirin e shqiptarëve të Bukureshtit, të shoqëruar nga Dr. Ibrahim Themo nga Mexhidia dhe shqiptarë të tjerë, duke u tubuar në sallën e hotelit Continental, në rrugën Victoria, ku do të mirret vendimi historik për shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe shtetërore të atdheut tonë etnik – Shqipërisë. Ngjarjet e Vlorës, në brigjet e Adriatikut, të përmbyllura me proklamimin e çlirimit të Shqipërisë nga sundimi osman, u janë të njohura. Referimet tona të shkurta ndërlidhen me kontributin e shqiptarëve të Rumanisë në këtë eveniment krucial, si dhe në reflektimin e këtij kontributi,  jo vetëm në gjirin e komunitetit tonë, por edhe në mbarë botën shqiptare dhe atë të huaj.

Mentori im, profesori universitar Nicolae Ciachir, në studimin e tij monumental “Një historian rumun i ankoruar në botën bashkëkohore”, do t’u dedikojë një kapitull bashkatdhetarëve tanë, nën titullin “Shqiptarët, komuniteti më besnik i Rumanisë: Nga Vasile Lupu dhe Dora d’Istria, e deri te Viktor Eftimiu dhe Xhelku Maksuti”. E citova këtë punim edhe për shkak të faktit se profesori i shquar dhe i ndjerë, më ka shoqëruar vazhdimisht në evokimin e Ditës Kombëtare të Shqipërisë, që e kremtonin për çdo vit në sallën e Universitetit Dalles, në disa qendra e lokalitete tjera, sidomos në Konstancë dhe Piteshti, si dhe në lokalet e ndritura të Ambasadës së Shqipërisë. Historiani i shkëlqyer Nicolae Iorga, mik i ngushtë i shqiptarëve, që intenciononte të krijojë një Institut rumun të studimeve të Europës Juglindore në Sarandë, dijetari që e ka shkruar një histori të Shqipërisë në gjuhën frenge (1919), ka mbajtur disa konferenca për rëndësinë e shqiptarëve. Në këtë kontekst, ai dëshmon për evenimentet/ngjarjet e vitit 1912 dhe reflektimin e tyre në botën rumune, duke theksuar:

“Sa u përket rrethanave ballkanike, qesh i ftuar në Sinaja ta pregadis nipin e mbretëreshës sonë, princin Wilhelm de Wied, lidhur me vajtjen e tij në Shqipëri, qeverisjen e vendit... Ishin atje, pranë Trashëgimtarëve, edhe çifti bashkëshortor Wied... Hijerëndë, i shqetsuar, tejet i ligështuar, mbreti konsumonte dietën pa e shprehur asnjë fjalë. Nga ana ime, ndërmjet zonjës llafazane Bengescu, dhe ende më llafazanes princesha Widi, e gjallërishmja e zeshktë, pasardhësja e Cantacuzinëve, përmes shoqes së princit Sayn-Wittegenstein, memorjet e të cilit ia kam dhuruar asaj që do të bëhet mbretëresha e parë e Shqipërisë... Dhe në fund, princi, i lartë, i drejtë, bjond, diskret, më mori mënjanë që të më pyesë se ç’mendoj për misionin me të cilin pason ta angazhojnë. “Shkëlqesi Mbretërore” (kështu më thanë t’i drejtohem mbretit shqiptar), nëse Shkëlqesia Juaj Mbretërore do të sundojë në Shqipëri, mendoj se ardhmëria do të më japë të drejt të them se Shqiptari nuk lejon të zotërohet nga askush tjetër, veçse nga vetë Shqiptari”.  (Nicolae Iorga, Ovia?? de om a?a cum a fost, Chi?in?u, Universitas, 1991, f. 201)

Ç’duhet të bëjmë ne? Asgjë tjetër veçse ta shpiem më tej këtë Flakadan të Pavarësisë, i ndezur këtu e 100 vjet më parë, së pari në Bukuresht (5 Nëntor 1912), e pastaj në Vlorë (28 Nëntor), që Shqipëria të shndrisë në të gjitha pikëshikimet, të mburret edhe pas njëmijë vitesh me këtë ditë të shenjtë, të dëshmojë se është e aftë për një bashkim të mbarë kombëtar, dhe të shquhet përmes të vërtetave të veta.

(Përktheu nga rumanishtja. Baki Ymeri)