E enjte, 28.03.2024, 12:58 PM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Rreth disa perlave të këngëve të dashurisë

E diele, 27.05.2012, 04:05 PM


Nga folklori ynë muzikor :

RRETH DISA PERLAVE TË KËNGËVE TË DASHURISË

Shkruan: Demir KRASNIQI

Për pasuritë e pashtershme dhe vlerat e pakontestueshme të folklorit tonë muzikor burimor , është shkrua dhe analizua fare pak nga njerëzit tanë ekspert të kësaj fushe .

Sado që të shkruajmë dhe analizojmë , nuk do të arrinim dot që këtyre  vlerave  të trashëguara nga shpirti krijues i popullit tonë të lashtë autokton , t’ua japim hakun dhe t’i plasojmë deri aty ku ato e meritojnë dhe e kanë vendin historik, kulturor e shkencor .

Ajo që është edhe më e dhimbshme për vlerat e trashëguara nga të parët tanë, është fakti se ato kanë fillua me të madhe të harrohen, të mos trajtohen , të mos kultivohen dhe të mos ruhen ashtu si që e meritojnë !

Po t’i kishte ndonjë popull tjetër pasuritë dhe vlerat e folklorit tonë burimor muzikor , do të mburrej e krenohej kudo në botë . Madje , për këto vlera do të mund të shkruheshin edhe romane , vepra studimore dhe shumë filma dokumentarë të metrazhit të gjatë , nga se temat që trajtojnë këngët tona popullore , nuk janë vetëm folklor e dashuri, por ato na afrojnë shumë më tepër se sa që afrojnë këngët e zakonshme të ndonjë populli tjetër !

Populli shqiptar, ndonëse i robëruar , i pa arsimuar, i nëpërkëmbur nga varfëria e rëndë shekullore , asnjëherë nuk pushoi së kënduari dhe gjithë atë barrë që e barti në shpirt gjatë shekujve të zi, diti për mrekulli ta shprehë përmes vargjeve dhe ta këndojë përmes melodive shumë të pasura, duke e shoqëruar krijimtarinë e tij me instrumentet e veta autoktone burimore . Ai , i këndoi vuajtjeve, varfërisë, robërisë, luftërave, lirisë, atdheut, ushtrisë, kurbetit, sëmundjeve të pashërueshme , por mbi të gjitha , asnjëherë nuk harroi që t’i këndojë dashurisë .

Nga cikli i këngëve popullore të dashurisë, cikël ky që në folklorin tonë muzikor shënon një begati dhe kolorit shumë të madh, kësaj radhe zgjodhëm vetëm katër këngë për të cilat mendojmë se shënojnë perla mbi perla në fondin e këngëve popullore  të dashurisë .

Duke i analizua , rikujtua dhe rikëndua këto këngë, përveç temave të dashurisë që trajtohen në to, ne do të mësojmë edhe shumë çka tjetër nga rrethanat dhe kohët në të cilat janë krijua e këndua këto këngë .

  1. NË DËRRASË TË VEKUT KUSH PO KANË

Po qe se e lexojmë, e dëgjojmë, apo e analizojmë me përkushtim këtë këngë, atëherë do të mësojmë se kjo këngë është krijuar në kohërat shumë më të hershme, kur këngëtari dhe krijuesi anonim popullor nuk dinte shkrim e lexim, por që jeta e tij ishte e ndërlidhur kryekëput me jetën baritore dhe atë bujqësore .

Po ashtu edhe jeta e femrave në këtë kohë do të ndërlidhet ngushtë me punët e shtëpisë, bujqësisë, blegtorisë dhe përgatitjeve të çejzit përmes vekut dhe punës me dorë.

Në këto kushte dhe rrethana shumë të rënda jetësore , dashuritë në mes të dy të rinjve mund të lindshin vetëm gjatë jetës baritore. Ndonëse dashuritë e tilla ishin shumë të rralla dhe të rrezikshme për të dy protagonistët, ato ishin të shenjta dhe shumë besnike, të cilat mbroheshin me çdo kusht, madje edhe me frymën e fundit të jetës .

Për një dashuri të këtillë, të lindur në mes dy të rinjve , por që epilogu i saj do të përfundojë tragjikisht me vdekjen e djalit të dashuruar në moshën më të re dhe më të mirë, do të mësojmë se sa e dhimbshme do të jetë kjo humbje në zemrën e vajzës së dashuruar e cila humbi më të dashurin e saj dhe bashkë me te edhe shpresat për jetë!

Ajo edhe gjatë kohës kur do të thurë pëlhurë dhe çejz me anë të vekut, nuk mund ta harrojë të dashurin e saj dhe nuk mund t’i ndalë as lotët për humbjen e tij.

Përmes vargjeve të këngës dhe vajtimit të trishtueshëm për dashurinë e humbur, vajza do t’ia vizitoi edhe varrin të dashurit të saj dhe do t’ia përkujtojë besën e dhënë, fjalët, premtimet dhe trimërinë e tij të paepur ndaj një dashurie nga e cila nuk do të ketë fuqi që ta zmbrapsë atë, madje as plumbi i pushkës, as gjylja e topit!...

Por, ja qe vdekja është ajo që nuk njeh besë, premtime, forcë, as trimëri, por ajo ka fuqinë e vet që ta merr pas veti gjithë atë që e dëshiron :

 

E, n’ dërrasë të vekut , o, kush po kanë – e ?

Kanë syzeza , o, për jaran – e !

Dushk e barë , o, në mal po i thanë – e ,

Nuk po e len , o, verën me dalë – e !

S’ po e len verën me dalë sivjet – e ,

Për qatë djalë, o, që i ka vdekë – e !

Për qatë djalë, o, qatë djalë të ri – e ,

A e din nanë, n’ dhe ku e kanë shti – e ?!

-O, n’ vorre t’ reja , o, nër qatë bli – e !

-A m’ jep izë, nanë, me ta t’ shkoj t’ rri – e ,

Se kam pasë me ta shumë dashni – e ?

Nana – çikës , izë i ka dhanë – e ,

Drejt te vorri , çika po shkon – e .

Tanë tuj kajtë edhe tuj vajtue –

N’ vorre t’ reja , o, fill ka shkue !

E na i ra , o, vorrit përmbi – e ,

-Çou, jaran , o ti djalë i ri – e !

Çou, jaran , o, ti fol me mue ,

A e din besën qi ma ke dhanë mue ?!

A e din besën qysh ma ke dhanë – e ,

Mu livdojshe fort se je azgan – e ,

Top , as pushkë – thojshe – s’ kanë çka m’ bajnë – e !

Kur ta ndiej – thojshe – zanin tan – e ,

Dekë me kanë – thojshe – çohna n’ kamë – e ,

Dhe e dërrasa i qes me i anë – e ,

Gjylja e topit nuk ka çka m’ banë – e ,

Plumi i pushkës nuk mun’ me m’ zanë – e ,

I jap zor edhe çohna n’ kamë – e ,

T’i  qëndisi faqet me dhamë – e !

-Ama dorën, pra çikë , t’ çohna n’ kamë – e ,

Ama dorën , çikë, n’ kamë me u çue ,

Soll dy fjalë , o, me i kuvenue ,

Apet çikë, ti, n’ dhe me m’ lëshue !

Me duer tua lëshom n’ dhe apet – e ,

Ishalla piqem , o, të dy n’ xhenet – e !

 

  1. KËNGA E RRUSHE REXHËS

Edhe kënga e Rrushe Rexhës , është njëra prej perlave më të kënduara të dashurisë në këngët tona popullore .

Edhe përmes vargjeve të kësaj kënge, do të mësojmë për një dashuri të zjarrtë në mes të dy të rinjve fshatarë, të cilët dashurinë e tyre e kanë lidhur gjatë jetës baritore, por që fatkeqësisht , kjo dashuri do të përfundojë me epilog shumë tragjik, nga se i dashuri i përzgjedhur i Rrushe Rexhës – Zekë Hajdini, po sa të hetohet nga rrethi i afërm familjarë, do të vritet me armë zjarri , me qëllim që të shkëputet për gjithmonë kjo dashuri !

Se sa e rëndë dhe e dhimbshme do të jetë vrasja e të dashurit për Rrushe Rexhën, do të mësojmë nga vargjet e kësaj kënge, ku ajo gjatë tërë jetës së saj do të vajtojë për humbjen e dashurisë së saj dhe për të dashurin – Zekë, ku përmes këngës do t’i përkujtojë çastet dhe kujtimet më të mira të jetës së saj :

 

Rrushe Rexha , në fund t’ livadhit –

Po pisket ,o, si zana e malit ,

Ngryk po i merr , o, lisat e malit !

Ngryk po i merr, o, ren me ren – e

Kah asht kanë , o , çoban me dhen – e !

-Mshifu Zekë, o, mas trapazanit –

Se po vinë , o, burrat prej malit !

Mshifu Zekë, o, u mshefsh i zi – e ,

Se shumë,pushkët, o, janë mushë për ty – e !

Ka pesë pluma , o, ja u kanë shti – e ,

Me vra Zekën, qatë djalë të ri – e ,

Me m’ ja çartë der atë bukuri – e !

Rrushe Rexha , o, pe çon drekën –

Nalnu shoqe , t’ ja u kallxoj dertin !

Ma ka vra , o, Sadria – Zekën ,

I madhi Zot, oh, ai e vraftë vetën !

Zekë Hajdini, o , të plastë zemra ,

Fort të thojsha – po t’ vrasin mrena !

Fort të thash – po të vret Sadria ,

E vraftë buka e kumaria !

Zekë Hajdini , ni djalë sokoli ,

Pak pa dekë , o , ni fjalë e foli –

Ju, nër vorre , o, mos ëm çoni !

Ju , nër vorra , o, mos me m’ shti – e ,

Shtimni n’ bahçe , o, përmi shpi – e ,

Le t’ vjen Rrushja , t’ ëm kanë përmi – e ,

T’ ëm loton , o, me sytë e zi – e!

Me sy t’ zezë , o, me më lotue ,

Me gojë t’ vogël, o, me m’ vajtue !

-Kajë, moj Rrushe, o, kajë me men- e ,

Emnin tem, o, mos ma përmen- e !

Kujtoj venet , o, kah kem nejt – e ,

Kah kem nejtë, o , kah kem shkue ,

Hije m’ hije , o, tuj pushue ,

Krue m’ krue , o, tuj pi ujë – e !

Furkë e shtizë, o, t’i  kam marue ,

N’ rrasë t’ ni guri , o, t’i  kam rue !

N’ Bokë të Kuqe , kur t’ bajsh me shkue –

Punën teme , o, me kujtue !

Puna e jonë, o, me t’ ra nër men- e ,

Na shkoj jeta çoban me dhenë – e !

Çoban – jeta , o , na ka shkue ,

Trapazan , o, ti kofsh mallkue ,

A t’ bien n’ men , o, kush t’ ka marue ?!

-Zekë Hajdini, kuku për mue ,

T’ dhenke ty, ai , e m’ puthke mue !

Zekë Hajdini , o, na diq me mall – e ,

O, Rrushe Rexha , o, po kanë pa nal – e !

 

 

  1. KËNGA E DUDISË

Kënga e Dudisë, po ashtu është njëra ndër perlat më të bukura të këngëve të dashurisë, por që përveç dashurisë së zjarrtë, ruajtjes së besës ndaj të dashurit, kjo këngë trajton bindshëm edhe temën e varfërisë dhe të kurbetit .

Kjo këngë , në mënyrë besnike trajton kohërat e sundimit të Perandorisë Osmane , kur djemuria shqiptare rekrutohej dhe mobilizohej për të shkuar jashtë vullneti8t të tyre , për të shërbyer në ushtrinë osmane , ku shërbenin me vite të tëra dhe nga atje rrallë kush që kthehej i gjallë në shtëpi!

Kështu do të ndodhë edhe me fatin tragjik te të rejës shqiptare, e quajtur Dudije , e cila sapo ishte martuar me një djalë të ri, të cilin e donte shumë, pa marrë para sysh se gjendja e tij ekonomike ishte shumë e varfër dhe e rëndë për mbijetesë. Madje, i dashuri i Dudijes , ishte i vetmi djalë në familje dhe nuk kishte askënd tjetër në shtëpi për tu kujdesur për gruan dhe fëmijët e tij !

Dashuria e Dudijes ndaj të dashurit të saj, ishte e pa epur dhe e marrëzishme, aq sa në momentin kur burrit të saj i vjen thirrja për të shkuar ushtarë në ushtrinë e Pashait turk, ajo do të donte që të shkojë bashkë me burrin e saj në ushtri , vetëm e vetëm që të mos ndahet e gjallë prej tij!

Burri i saj që duhej të shkonte ushtar, mezi ia arriti që ta bindë nusen e tij – Dudijen , që të qëndrojë në shtëpi dhe t’ia ruajë fëmijët, duke e përdorë motivin e varfërisë se gjoja Dudija nuk ka rroba të bukura për të veshur e për të shkuar ushtare në vend të huaj dhe po të shkonte ashtu e varfër , ajo nuk do të nderohej nga askush, por do të nënçmohej !

Edhe pas shtatë vitesh qëndrimi në ushtrinë turke të burrit për të cilin Dudija nuk dinte asgjë, ajo prapë se prapë nuk do të heq dorë nga ajo dashuri dhe ai mall për të dashurin e saj !

Të njëjtin mall dhe vuajtje e përjetonte edhe burri i saj – ushtar, i cili në shenjë kujtimi, malli e nderimi për të dashurën e vet, e kishte ble një çifteli të cilën e kishte pagëzuar me emrin “Dudije”, kurse me shpresë se do të kthehet ndonjëherë i gjallë në shtëpinë e tij, ai i kishte ble për kujtim nuses së tij edhe shall e dimi .

Dudia , duke mos heq dorë kurrë nga malli e dashuria për të dashurin e saj, kishte dalë edhe në rrugë për t’i pyetur qiraxhinjtë endacakë , se a mos vallë dinë diçka për fatin e burrit të saj – ushtar, se ku gjendet ai ?

Nga qiraxhinjtë endacak, ajo mëson se burri i saj qenka i gjallë duke shërbyer në ushtrinë osmane në vendin e quajtur Demir Kapi , pra në kufirin e sotëm Maqedoni – Greqi.

Me të kuptuar të Dudijes , se burri i saj qenka i gjallë dhe vendin ku ai ndodhet në ushtrinë osmane , përmes qiraxhinjve ia dërgon burrit të saj një ultimatum me tone kërcënuese , me qëllim që ta detyrojë atë, që sa më parë të kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij, ultimatum ky që u realizua me sukses  :

 

O, mori Dudë, e mjera Dudi –e ,

Na ka ardhë ni haber i zi – e !

Po na thirrë , o, Pasha n’ ushtri –e ,

Tim për tim , o, ka nja për shpi –e ,

Dikun nja e dikun dy – e !

-Kur m’i the , njeri, qito fjal- e ,

Zemra n’ bark, oh, bre, sod m’ u  kall – e!

Zemra n’ bark, oh, bre, sod mu gri –e ,

Besa , o njeri , do t’ vi me ty – e !

-Rri , moj Dudë , rujmi qi ta thmi –e ,

Jam i vetëm , s’ kam kanë në shpi –e !

Nuk ki tesha për jabanxhi –e ,

Njeri i deshën nuk ka sajdi – e !

Menxi Duda , nejti në shpi –e ,

Shtatë vjet burri nejti n’ ushtri –e !

-Kur i shihsha shoqet me djal – e ,

Mentë prej kreje dojshin me m’ dal –e !

-Kur i shihsha shoqet me burr – e ,

Zemra m’ digjej si drutë në furrë – e !

Kur shkova , oh, n’ t’ shkretin qiler – e ,

Mbushë bërllok , besa , deri n’ derë – e ,

Qe shtatë vjet , oh, ujë n’ ta s’ kam derdhë – e !

U nisë Duda , në rrugë asht dal – e ,

Qiraxhitë , oh, po i sheh tuj ardh – e !

-O, qiraxhi , oh, ju shkoni e vini ,

Burrin tem , najkun a s’ ma shihni ?

Burrin tem , a ma keni pa – e ,

Sytë prej lotëve për ta mu kanë tha –e ?!

-Burri yt , o, n’ Demir Kapi – e ,

E ka ble , oh, ni çifteli – e ,

Ja ka ngjitë , oh, emnin Dudi –e ,

Soll me e hjekë, oh, mallin për ty – e !

Ty , t’ ka ble , oh, shallë e dimi – e ,

Me t’i pru, oh, kur t’ vinë në shpi – e !

-O, thujë qyqanit , hajde në shpi – e ,

S’ mun po i bajë, oh, teshat pa ty – e ,

Njeri i vetun , nuk ka sajdi – e !

Pasha nanën , o, t’i lash thminë – e ,

Pasha babën , ta dogja shpinë – e ,

Pasha atë vëlla , ta martoj kojshinë – e !

Kur i shkuen fjalët e Dudisë – e ,

I këputi telat e çiftelisë – e !

Copë me copë, oh, e ka coptue –

Ka marrë rrugën e ka tfillue !...

N’ skaj t’ katunit kur asht afrue –

E ka nisë , o, ni kangë me knue !

E ka ni Duda , ish kanë tuj gatue –

Sitën n’ tokë , oh, e kish pas gjue !...

Dymdhetë copash ish kanë coptue –

Ka dalë Duda , në derë me ngue !

Para dere ni pemë ish qillue –

S’e ka lanë, oh, qatë kangë me ngue !

-Oh, moj ti pemë, oh, që je n’ këtë derë – e ,

Raftë ni brymë, oh, bre , në pranverë – e ,

T’ tana u thafshi , o, për ni herë – e !

Qysh s’ëm latë ,oh, qatë kangë me ngue ,

Se mu dokt burri i jem tuj knue ?!

Kur i erdh , oh, burri tu shpija –

Oh, u gzue Duda, e u gzuen thmija !

 

 

  1. PREJ PODRIMJES PO VJEN HABERI

Edhe vargjet e këngës “Prej Podrimjes po vjen haberi”, na e japin një perlë të këngëve të dashurisë , e cila edhe në ditët e sotme vazhdon të këndohet e dëgjohet me ëndje nga shumë adhurues dhe kultivues të këngëve tona tradicionale .

Kjo këngë na e përkujton kohën e fillimit të prodhimit të sheqerit, produkt ky që tek shqiptarët mungonte dhe ishte i lakmuar nga të gjitha shtresat e popullatës. Madje, në këtë kohë, po të kishte dikush kokrra të sheqerit do të mund të vinte më lehtë deri tek lidhjet me ndonjë dashuri të re !

Në këtë këngë , trajtohet një element i rrallë i dashurisë në mes të dy të rinjve , ku si motiv kyç , trajtohet mungesa e të dashurës e cila shkon për një pushim të shkurtër tek dajallarët e vet, por që mungesën e saj do ta përjetojë shumë rënd i dashuri i saj , i cili për disa ditë nuk do të ketë se me kënd ta hajë sheqerin !

Mungesa e të dashurës , për të dashurin njëkohësisht do të ngjallë frikën se mos vallë, vajza që ka shkuar për pushime tek dajallarët e saj, do ta tradhtojë të dashurin e vet?!

Motivet  më të  veçanta të  kësaj kënge që e bëjnë të dallojë dukshëm nga këngët tjera të këtij cikli, pa dyshim janë dy :

  1. Motivi që e përshkruan fatin e atyre të rinjve që martohen me nuse të këqija dhe
  2. Motivi që e përshkruan fatin e atyre të rinjve që martohen me nuse të mira.

Të dyja këto motive , këngëtari dhe krijuesi anonim popullor i përshkruan bindshëm përmes figurave , veprimeve dhe krahasimeve te të dy palëve martesore .

Ajo që e bënë edhe më të fuqishme këtë këngë, është motivi i dashurisë së një të riu, i cili pati fat që të martohet me një nuse të mirë, e cila për çdo mëngjes ia përgatitë ushqimet më të mira burrit të saj, por që mbi të gjitha ato specialitete ushqimore dominon dashuria e cila nuk krahasohet me as një specialitet ushqimor dhe me asnjë çmim!

Pra, as pula, as pitja, as petullat ... nuk janë më të shijshme dhe më të vlefshme për të dashurin, se sa dashuria e sinqertë, bukuria e rrallë, sytë, vetullat, faqet dhe të gjitha pjesët fizike të së dashurës së tij :

 

O, prej Podrimjes po vjen haberi –

Top me top po na vjen sheqeri !

Top me top po na vjen  sheqeri –

Me ka e ha , more, unë o i mjeri ?!

More, me ka e ha, o, as vet s’e  di – e ,

Na shkoj vera në terr të zi – e !

More, n’ terr të zi , vera na ka shkue ,

Thujmi vajzës , o, ke gabue !

More, thujmi vajzës ,m o, ke gabue –

Kurrë s’ mun gjanë ma ashik si mue !

Ashik si mue, ashik si vet – e ,

Po shkon vajza te daja i vet – e !

More, po shkon vajza te daja i vet – e ,

Mos rri shumë , çikë , soll dy – tri net – e !

More, i le jaranat në kasavet – e ,

Nuk le shumë , veç nja shtatë , a tetë – e !

-O, more , ja lash motrës , o, amanet – e ,

Me mi këqyrë pak ma mirë se vet – e !

More, me u dhanë dardha e me u dhanë molla –

Janë të ri , tutna u thahet goja !

-More, si n’ të ardhshin , o, kallabllak – e ,

Merrjau dorën e kesh kapak – e !

More, si n’ të ardhshin , o, djem të ri – e ,

Merrjau dorën , o, me tradhti – e !

-More, si n’ të ardhshin , o, muhaxher – e ,

Merrjau dorën , o, pak me sherr – e !

More, ashik kofshin , ashik mos kofshin ,

N’ mal e n’ bjeshkë , o, dimnin ma çofshin !

-More , raftë ni borë , o, juve ju  mloftë – e,

Era e malit , juve ju shploftë – e !

More , ni rigë shi përmi ju rigoftë – e ,

Bari i verdhë ,o , përmi ju mloftë – e !

-More , bari i verdhë, o, përmi ju mloftë – e ,

Rrezja e diellit , o, ju rrezoftë – e !

More, edhe muglli , ju mugulloftë – e ,

Qyqja e rremit përmi ju knoftë – e !

More , po knon qyqja , po knon turreci –

Mjer’  qaj djali , o, nuse – keqi !

More, nuse – keqin , o, kush t’ ma kini –

Ata n’ deka , o, mos ma thirrni !

More, ata n’ deka , o, s’ ka pse e thërret – e ,

Dekë e vaj , i ngrati , i ka n’ shpi t’ vet – e !

More, dekë e vaj , i ngrati, i ka n’ shpi t’ vet – e ,

Dreq nër sy , more, therrë në xhep – e !

More, qajo e keqja , o, kamtë si sorrë – e ,

Po bien herët , po çohet vonë – e !

More, çohet vonë e po shkon në shpi – e ,

Hjek pështjellakun e pe fshinë shpinë – e !

More, hjek pështjellakun e pe fshinë shpinë – e ,

Po i ndjell pulat – ja lajnë tepsinë – e !

More, ndjell sharovin – ja lëpinë kusinë – e ,

Ja u plasë zemrën , o, robëve t’ shpisë – e

More, po knon qyqja , po knon bylbyli –

Lum qaj djali , o, nuse – miri !

More, nuse – mirin , o, kush t’ ma kini –

Ata n’ dasma , o, mos ma thirrni !

More, ata n’ dasma , o, s’ ka pse e thërret – e ,

Dasmë e gëzim , ai , i ka n’ shpi t’ vet – e !

More, dasmë e gëzim , ai, i ka n’ shpi t’ vet – e ,

Lulë nër sy , more , mollë në xhep – e !

More, lula thahet e molla hahehet –

Zemra e ashikut , o, kurrë nuk plaket !

More, bari thahet – vorri rrafshohet ,

Ashikija , o, kurrë s’ harrohet !

More , qajo e mira , çohet n’ sabah – e ,

Krehë zylyfet e i qet , o, mi krah – e !

More, i krehë zylyfet , o, i qet mi krah – e ,

Çka po prekë , po banë bismilah – e !

-More, bismilahi , o , mori sitë – e ,

Me duer t’ bardha , o, ta kam ngjitë – e !

More, se këtij djalit , ju ka mahitë – e ,

-Çka po don , djalë, për sillë me t’ qitë – e ?

-More, a don petlla , a fli të grytë – e ,

A don piten me ta mestitë – e ?

-More, a don  tamël , o, pa mazitë – e ,

A don pulën, o, me ta mytë – e ?

-O, more , se ky djali , ju ka mahitë – e ,

Nuk du’  petlla, as fli të grytë – e ,

More, nuk du ‘ piten me ma mestitë – e ,

Nuk du’ pulën , o, me ma mytë – e ,

Veç dy faqet me të dy sytë – e !

More, nuk due pite, as nuk due petlla ,

Veç t’i due , o, sy e vetlla !

 

Ju urojmë lexim të lehtë dhe çaste të këndshme !

 

Gjilan, më 20.05.2012.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora