Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Atentat ndaj Ilir Berishës dhe familjes së tij në Kosovë

| E diele, 27.05.2012, 02:34 PM |


Vilanc, Kosovë – Me 22 maj 2012, rreth orës 22:39, gazetari Ilir Berisha dhe familja e tij u sulmuan në shtëpinë e tyre, ku iu dogj makina në oborr nga persona të panjohur. Z. Berisha ndodhej në shtëpi në ato momente, duke vënë djalin në gjumë. Ndërsa gruaja e tij, motra, vajza e tij me dy vajzat e axhës së babait, si dhe axha ndodheshin në sallon. Sapo ndëgjuan detonimin vrapuan për të parë çka ndodhi.

“Nuk i di arsyet pse u sulmova. Të sulmohesh në oborr të shtëpisë, t’i vihet zjarri dhe eksplosivi makinës afër shtëpisë, është një akt i shëmtuar terrorrist. Familjarisht kemi përjetuar një natë të tramatizuar dhe frikësuar, sidomos fëmijët që janë lënduar psiqikisht. Mund të ketë shkaqe politike sulmi. Ndoshta dikujt i pengon aktiviteti im tani e 22 vite për një Shqipëri Etnike, si me paqe edhe me luftë. Me këtë rast është sulmuar UÇK-ja, Balli Kombëtar dhe Shqipëria Etnike, jo vetëm unë e familja ime.” – sqaron z. Berisha.

Policia u lajmërua menjeherë e cila erdhi brenda 10 minutash në vendin e ngjarjes. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar atentuesit e këtij krimi.

“Realisht u bë atentat ndaj meje dhe familjes time në shtëpinë time. Ftova edhe mediat të vijnë në vendin e ngjarjes. Asnjë nuk erdhi. Kjo ka një domethënie,” shprehet z. Berisha.

Z. Ilir Berisha më poshtë rrëfen detajat e incidentit:

“Familja ka vërejtur një dritë të madhe që mbërriti deri tek dritaret dhe pastaj ndëgjuan eksplodimin. Kanë dalë jashtë dhe panë veturën duke u djegur në flakë. Gruaja vrapoi dhe më thirri. Jam ngritur shpejt. Kur kam dalë në derë kam dëgjuar krisma armësh në drejtimin tim.

Makina ka qenë e parkuar në oborr të shtëpisë, afro 20 metra prej shtëpisë time. Makina tjetër e motrës ka qenë parkuar një metër e gjysëm afër makinës time. Axha ka vrapuar, duke u rrezikuar në flakë dhe ka tërhequr makinën e motrës. Në atë moment kam qenë duke biseduar me policinë në telefon, të cilët nuk vonuan për të ardhur tek vendi i ngjarjes, së bashku me zjarrfikëset.

Përballë ku ka qenë makina që digjej në flakë, larg 30 metra, ndodhet shtëpia e axhës time. Axha ishte tek ne në atë kohë, por e shoqja e tij dhe djali e kanë ndëgjuar eksplodimin dhe kanë dalë në ballkon. Kanë parë një person në ato momente afër makinës në zjarr, i cili më pas ka kaluar murin duke ikur. Në ato momente janë dëgjuar të shtënat me armë. Disa komshi afër rrugës kryesore kanë parë duke ikur dy persona duke shtirë me armë pas eksplodimit të veturës, të cilët dikund në lagje tjetër i kishte hasur një komshi të cilin e kishin kërcënuar me armë dhe gjuajtur. As ai nuk ka mundur t’i identifikojë dy kriminelët.” (Ilir Berisha, Intervistë për Prishtina Press, 26 Maj 2012)

Ky nuk është sulmi i parë ndaj Ilir Berishës. Me 23 qershor 1998 ai është plagosur nga disa njerëz të maskuar gjatë udhës për në Tropojë, për të dërguar ndihma kosovarëve të strehuar në Shqipëri. Ilir ishte me punë humanitare me Grupin e  Emergjencës nga Kosova. Iliri u qëllua në kokë. Nuk u përjashtua UDB-ja jugosllave si faktore në këtë atentat. (Qendra për Informim e Kosovë, “Musa Rexhaj, i atashuar i Qeverisë së Kosovës në Tropojë: Elementë mafiozë po përpiqen të shkatërrojnë punën e misioneve,” Prishtinë,29 qershor 1998)

Ilir Berisha ishte pjestar i UÇK-së prej krijimit të saj në aspektin propogandistik prej vitit 1990. Prej 1990-ës ka qenë antar i (KKIOB) Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror, nën udhëheqjen e Xhafer Shatrit. Ishte pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrës në Betejen e Kosharës. Në vitin 1995 ishte iniciatori dhe themeluesi i FRGJK-së  (Forumi Rinor Gjithëkombëtar), i cili kishte për qëllim rekrutimin e të rinjëve për luftë, në ushtrinë e Kosovës.

Kur ishte student në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë, ka marrë pjesë në protestat studentore. Në nëntor të 1989 pas protestave prezente në atë kohë, Iliri dhe studentët e konviktit u sulmuan nga policia Jugosllave.

“Në atë kohë banoja në konviktin nr 5 në qendrën studentore në Prishtinë. Atë natë ishim te bllokuar në konvikt  prej gazit lotsjellës dhe ishim të rrethuar prej policisë jugosllave . Unë kisha dhënë një intervistë për TVP, Televizionin e Prishtinës ku kritikova pushtetin e asaj kohe, që terrorizonte studentët protestues dhe shqiptarët e Kosovës. Që nga kjo kohë kam qenë në përndjekje.

Më pas, KKIOB-ja më tërhoqi nga Kosova për në Zvicër, ku kam vazhduar veprimtarinë time për ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përgaditjen për luftë për ta çliruar Kosovën,” shprehet z. Berisha.