E premte, 19.04.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Homazh për Pirro Kuqin

E diele, 27.05.2012, 05:17 PM


Homazh për Pirro Kuqin

Nga Reshat Kripa

Pirro Kuqi i përket asaj plejade krijuesish që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por, për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Ata kishin lindur në atë epokë kur nuk mund të shprehnin ato që ëndërronin, ato që u buronin nga zemrat e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “ Realizëm Socialist “, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre në vend të nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda  veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve  apo formave të tjera artistike, jepeshin mesazhe të qarta të mendimit të lirë. Midis këtyre do të mbeten në altarin e poezisë shqipe emrat e Trifon Xhagjikës, Genc Lekës, Vilson Blloshmit dhe Havzi Nelës.

Të tjerë do të pranonin më mirë prangat e rënda ndër duart e tyre se sa lirinë e dhunuar. Merita e tyre ishte se me veprat e shkruara mbanin gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe shoqërore të vendit, qoftë dhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit, me shpresën se një ditë do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin që, në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten, duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes, dhe mendimit të lirë.

Me gjithë kushtet e rënda në të cilat ndodheshin, ata shkruanin. Dora e tyre i hidhte ato në letër.  Autori i lexonte dhe rilexonte, pa guxuar t’ia tregonte njeriu, me përjashtim ndoshta të ndonjë shumë të afërmi. Këto shkruheshin me gjakun e tyre në qelitë e errëta të burgjeve ku i kishte degdisur sistemi. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën. Shkruhej për gjithçka. Në ato shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.

Një nga këta ishte edhe Pirro Kuqi. Ai nuk u bë kurrë servil dhe hipokrit, nuk u bë kurrë poet obori. Në vargjet e tij nuk shkruhej kurrë

Falmë Enver se pena m’u rëndua!

apo vargje të tjera të këtij lloji. Vargjet e Pirros ishin krisma pushke dhe  topi,  ishin gjëmime rrufeje. Në vargjet e tij ushtonin:

Ju që tendosur mbanit harqet,

Për luftë klasash përgjithmonë,

Me djersën tonë i frytë vargjet,

Dhe në çdo hap na ngritët harqet,

Kameleonë!

Pirro Kuqi ishte atje ku ishte dhimbja. Ishte 25 janari i vitit 1991. Një grup banditësh, të shtyrë nga mjeshtrit e krimit, të tërbuar nga humbja e pushtetit, masakruan barbarisht në pragun e portës së shtëpisë të ndjerën zonjën e nderuar Kaliopi Dilo, bashkëshorten e Mihal Dilos nga familja e madhe e Dilenjve të Sheperit të Zagorisë. Një krim i neveritshëm. Pushtetin që e kishin fituar me gjak, gjaksorët po e linin po ashtu me gjak. Ironia më e madhe e këtij krimi makabër ishte se mbeti, si dhe shumë të tjerë, pa u ndëshkuar, me gjithë vendosjen e sistemit demokratik.

Një gjë e tillë nuk kish se si të mos prekte zemrën e Pirro Kuqit dhe vargjet e tij oshëtinë në gjithë hapësirën shqiptare:

Ata, të hatashmit

Dolën nga nata

Si ujqër nga një shpellë

Të errët si shtërngata

Në shpirtin djallin thellë

Ata i masakruan

O, sytë e tu të kthjellë!

Dhe na u tkurr mënxyra

Sikur na shqeu brinjën

Dhe na u tkurr fytyra

Dhe flokët na u thinjën

Ata që pesëdhjetë vjet

Me krime nuk u nginjën.

Po vrasësit ku janë?

Askush nuk na përgjigjet

0, kjo kasaphanë

Si një rrufe mbi brigjet

Kur pyesim për krimin

Na mbyllën gjithë shtigjet.

Ata dolën nga nata

Si ujqër nga një strofull

Mbi neve ra shtërngata

Ata ende vinë rrotull

Vampirë nëpër popull.

Fati u tregua i pamëshirshëm për Pirron. Ai e rrëmbeu nga gjiri i ynë në një kohë kur pjekuria poetike e tij kishte arritur majat e saj. Duke përkujtuar atë, nuk ka se si të mos të  kujtohen vargjet e tij të paharruara, nuk ka se si të mos prekesh për ndjenjat e shprehura në to. Para syve ke një poet  të afirmuar plotësisht. Merita e veprave të tij është se në to sejcili nga ne do të gjejë diçka nga vetja. Duke i lexuar sejcili prej nesh do të bashkëjetojë me autorin për ato që  shkruan.  Dhe  kjo  për arsyen se ai ato që shkruan i ka mbijetuar vetë, ashtu si dhe gjithë bashkëvuajtësit e tij.

Pirro Kuqi do të mbetet simbol i urtësisë dhe nderit, simbol i poetit demokrat.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora