Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Përkujtohen 12 Dëshmorët e Kombit që ranë në Grykën e Llapit

| E diele, 27.05.2012, 04:19 PM |


NË 13 VJETORIN E RËNIES

PËRKUJTOHEN 12 DËSHMORËT E KOMBIT QË RANË NË GRYKËN  E LLAPIT

Nga Milazim KADRIU

Para 13 vitesh  në Grykën e Llapit u zhvilluan një varg betejash ku UÇK mbronte me çdo kusht këto troje por edhe popullatën e shumtë që ishte strehuar në këto anë. Njëra nga këto beteja ishte edhe beteja e njohur si  “Beteja e  Majit të vitit 1999”, që u zhvillua në fshatrat e Grykës së Llapit, ku pjesëtarët e UÇK-së mbronin popullatën civile, ndërkaq forcat serbe tentonin të depërtojnë sa më thellë në këto fshatra. Edhe në këtë betejë ranë disa dëshmor të UÇK-së të cilët deri në çastet e fundit luftuan me guxim e heroizëm kundër forcave serbe. Forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe sulmuan nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Në këto anë u zhvilluan  luftime të rrepta në mes të UÇK – së dhe njësiteve të okupatorit serb . Gjatë këtyre luftimeve duke qëndruar të palëkundur në pozicionet e UÇK –së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit : Mentor Retkoceri, ra në fshatin Sylevicë, në fshatin Repë, bien heroikisht Milaim Qerimi, Ilaz Selimi dhe Musë Qerimi, në Reçicë bien Avdyl Nimani e Azem Hamiti, në Zhiti bien dëshmorët Hasan Jashari dhe Ahmet Shabani, në Murgull, Emin Sinani, ndërsa vëllai i tij Abit Sinani bie në mes të fshatrave Ahishtë e Murgull, ndërkaq në Pollatë ranë dëshmor Behram Behrami e Hasan Dema. Dëshmorët e rënë në muajin maj të vitit 1999 në Grykën e Llapit edhe në këtë përvjetor janë përkujtuar nga familjarët, bashkëluftëtarët dhe qytetarë tjerë të kësaj ane.