Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Át Gjon Shllaku – «Shqiptari – Frati – Shqipnia»

| E shtune, 26.05.2012, 09:28 PM |


Vullkan ende i pafikun, qi bán, bëzân, prân, por qi zien kurdoherë permbrenda, vullkan qi zhberthen kur t’i teket. I randë e hijemadh si malet e hjedhta, me të cilat âsht e thurun kjo tokë, fisi ynë pau boenat e historive, ndieu hungrimet e kafshimet e egercive: u shkel, u shtrue, nuk u shue. Borë jetike e tretun gerdhatash të vetmueme, shí as diell nuk muejten me e shkrí; kermí krepatuese, fushkulluese, të cillen rribëve të kohës nuk u duel kurr me e ndalë. Ky kje, ky âsht fisi i shqyptarit. Ndo’i shkarth repacak mund të zgerdhîhet. Jetoi gjithmonë i lirë. Jetoi i lirë edhe në robní. Pse lirija nuk epet, nuk bieret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli i sajë të jetë i shndoshtë, kur nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zberthen, shprazet, hîn nen dhé, zhduket: pret. Pret puntorët me duer të pastra, të dêjë me kênë flamurtarërt e sajë. E Shqypnís nder kohë të vjetra e dikur nuk i munguen kësi puntorësh. Prej ksaj çerdhe dolen skyferë me çapoj perandorësh. Vigâj idésh së mëdhaja qi i realizuen me hov. Tokë e shkelun, popull i shtypun, komb gati në rektim. Kështu qindrote Shqypnija në XIII shekull. Gerhatëte në nji gjumë bore robnísh të pershkueme, flête e strukun, e hîme, mbetë gati kurrgjâ prej asaj qi dikuer kje. Trup i plagosun, i mbluem prej mizash, pá fuqín e duehun me i largue. Çë farë burrash e trimash mund të përftote gjaku i idhtë i racës s’onë. Në crescendo-n e këtij epos të madhënueshëm të fisit t’ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me butsin e shêjtit, në daç me urtín e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t’eger e fatos. P. Pál Matja hidhet në luftë, e, tu u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atê të Lirís. Frati matjanë del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e zhduket. Por ká lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mës? kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shperblimi i dêjë qi presin prej anmikut. Konopi, hûni e skreditimet janë nderimi qi u bân vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mâ të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín “edhè në vorr do t’a permendin.” Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun. Per me e dashtë nji popull, duehet me e njohtë. Nuk mjafton por as me e njohtë. Duehet me pasë lé, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi vuejtjet e deka t’i kenë shkrî zbashku zêmbrat. Kur dy vetë duehen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija e Shqypnís e historija franciskane në ket vendin t’onë ndjekin shoqa shoqen. Janë dý historí qi shkojn paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme, të njillojta në humbëje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t’ynë shfren rregullisht nder perjoda të shkurta, veç të lumnueshme, qi lân jeh të kumbueshëm per perjoda të gjata heshtimit. Shka i fali franciskani nder kohet e mbrame Shqypnís? I fali vehten, i fali jeten e vet. Janoshi e Zymbi janë stërklatë e lá me gjak fretensh të vrám. I fali, i pasqyroi Shqypnís edhè vehten e sajë. I këndoi më Lahutë Kangët e Kreshnikëve, Besën e Burrnin, i ruejti Kanunin e Lek Dukagjinit. Prrallat e Lojët kombtare, Gojëdhanen e Skanderbegut. Pse e pat gjithmonë per zêmer Visarin Kombtar. Franciskant i falen Shqypnís Poetin e fisit, të rracës. Shka u ká detyrë Shqypnija Franciskanvet? Kurrgjâ. Pse Francikant janë të Shqypnís.

Botue tek «Hylli i Dritës», 1940, n. 12 (At Gjon Shllaku 27/7/1907 – 4/3/1946)

Përgatiti: Ardian Ndreca - Për ZSH: Albert Vataj