Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eti ekspozon për paqe

| E shtune, 26.05.2012, 04:34 PM |


Në kuadër të konferencës Evropiane e Lidershipit “Parimet dhe praktikat për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkan”, artisti me renome ndërkombëtare Jetullah Haliti – Eti do të hap ekspozitë personale të hënën me njëzet vepra, kushtuar paqes, humanitetit, qetësisë dhe globalizimit. Ekspozita do të hapet në hotelin Sirius që ndodhet në Prishtinë. Nga cikli “Pëllumbat e paqes”, që u shfaqen vite më parë si shenjë proteste për regjimin e kohës së atëhershme, piktori vendosi që sërish t’i vejnë në funksion pëllumbat, ngase paqja ende mungon në shumë vend të botës. Fluturimi I tyre I lirshëm, me ngjyrë të bardhë, të zezë, që simbolizon lirinë dhe pikëllimin, ndeshën me të kuqën e cila dikur ishte magmë vullkanike për popullin shqiptar. Kjo magmë do aktivizohet të hënën nëpërmjet anës iluzive të pjesëmarrësve. Në këtë cikël do të bashkëngjitet edhe një punim zanafilla, anatomia e vezës, globi nga ngrohja globale. Do të ketë edhe peizazhe me motive nga Kosova dhe Zvicërra. “Ciklin pëllumbat e paqes e kam prezantuar në shumë qendra kulturore të Evropës, poashtu edhe në Kosovë dhe Shqipëri” thotë Eti. Sipas tij, mesazhi I pëllumbit është si kontribut për paqe dhe ky është kontributi më universal I globit. Jetullah Haliti është shpërblyer me 20 çmime ndërkombëtare, në mesin e tyre ka fituar diplomën ‘Kalorësi I nderit”, në kuadër të Akademisë Evropiane të Arteve , 1998 etj.

Kjo konferencë e rëndësishme, që është pjesë e "Iniciativës për Paqe në Ballkan" të lançuar nga Federata e Paqes Universale më 2006, do të organizohet me mbështetjen e Qeverise së  Kosovës, do zhvillohet në ambientet e hotel Sirius dhe në Ministrinë e Drejtësisë në datat 28 – 29 Maj 2012 dhe do të ketë një përfaqësim të nivelit të lartë institucional.

Konferenca do të fokusohet në temën:"Parimet dhe Praktikat për Sigurinë dhe Paqen e Qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan" dhe do të eksplorojë sesi Kosovarët dhe komuniteti ndërkombëtar, të cilit ajo tashmë i përket, të mbështesin ndërtimin efektiv dhe paqësor të shtetit të ri të Kosovës duke marrë në konsideratë vlerat universale të qeverisjes së mirë, edukimin për qytetarinë kombëtare dhe evropiane, zhvillimin njerëzor dhe rëndësinë e faljes, pajtimit dhe përfshirjes sociale në ndërtimin e një Kosove të zhvilluar dhe të begatë.