Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Sërish për gjakun tonë dhe atë turk!

| E shtune, 26.05.2012, 12:14 PM |


Sërish për gjakun tonë dhe atë turk!

Nga Elvi Sidheri

Ndodh rëndom që edhe kur duam t’i largohemi një teme dhe t’a lemë mundësisht jo në harresë, por sidoqoftë të mos merremi me të për ca kohë, ajo prapë na del para syve.

Ku na u shfaq herën e fundit, do thote dikush?

Po ja, pati këto javët e fundit edhe një tjetër vizitë “vëllazërore” turqish, në zyrat e institucioneve shqiptare.

Udhëtime e vizita reciproke diplomatike do të ketë gjithmonë mes shtetit tonë dhe vendeve të tjera, s’ka asnjeri gjënë më të vogël kundër kësaj.

Por kur këto shkëmbime bilaterale hyjnë në një fenomen më të gjërë, në të cilin ndërlidhen çështje gjaku e origjine, përveçse përkatësie historike kulturore, atëherë kujdesi ndaj mesazheve që aty lëshohen për publikun, është i domosdoshëm.

Çfarë saktësisht ngjau në vizitën e fundit të diplomatëve apo personaliteteve shtetërore turke që vijnë në vendin tonë apo zona të tjera shqiptare?

Si rastësisht, edhe kësaj rradhe s’u la aspak pa u përmendur afrimiteti ynë “i padyshimtë” si në origjinë e sidomos në gjak me njëri-tjetrin.

Iu tregua me krenari mediave tona që pasqyronin takimin e kryetarit të parlamentit a asamblesë kombëtare turke, me homologen e tij të nderuar shqiptare, se mbi gjysma e delegacionit me deputetë që kishin ardhur nga Turqia, ishin me ndonjë lloj origjine shqiptare!

Thagmë (lajm sensacional në dialekt Korçar) e madhe kjo!

Pra mbi 50% e e shpurës që kryeparlamentari turk kishte zgjedhur të merrte me vete në Shqipëri, ishin shqiptarë në njëfarë mënyre.

Tani gjetje më mediatike të sforcuar dhe të paramenduar se kjo, vështirë se ka!

Njëlloj sikur Bush Junior, para 5 vjetësh, të merrte në Tiranë për vizitën e tij të madhe (në mos e mori me të vërtetë), Joseph Dioguardin për shkak të origjinës së tij arbëreshe.

Por amerikanët s’i kanë ato probleme dhe lidhjen më shumë se miqësore me neve shqiptarët nuk e mbështesin në stisje të këtij modeli turk, për të cilin po flasim.

Entuziazmi në fytyrën e kryeparlamentarit turk gjatë deklaratës për origjinën e deputetëve që kishte zgjedhur të marrë si bashkëudhëtues drejt Arnavutlukut, sido që të jetë në pamje të parë, s’të linte pikë dyshimi për vetëbesimin e tij dhe bindjen që ndjente se po ia arrinte qëllimit.

Pati një lloj ndryshimi kësaj rradhe nëpër prononcime të paktën.

Nuk dolëm më hapur neve shqiptarët me gjak turko-mongol, por na dolën turqit me ca si shumë gjak shqiptar.

Edhe ky është një tip hapi përpara në gjykimin tim.

Kjo gjë s’i bën sikur edhe largësisht, vendet tona as vëllezër e as kushurinj, por na kthen secilin në stadin ku kemi qenë me të vërtetë dikur.

Neve në atë të të pushtuarit dhe turqit në atë të pushtuesit dhe rrjedhimisht na nxjerr në pah të gjitha marrëdhëniet që krijohen nga një raport i tillë, shpeshherë i zhdrejtë në të mirë të uzurpatorit dhe në të keqe të vendasit.

Pikërisht ky raport ka sjellë edhe prezencën e gjakut shqiptar në Turqinë e sotme, trashëgimtare e denjë të Osmanllëkut të dikurshëm.

A kanë shkuar në Azi të Vogël shqiptarët në shekuj për punë a pas ofiqeve perandorake? A mos kanë preferuar të qëndrojnë në Stamboll për shkak të rëndësisë strategjike të atij qyteti dhe fitimeve që atje mund të nxirreshin, apo sepse thjesht turqit kanë dashur të zbardhen dhe të formojnë trajta europiane në tiparet dhe mentalitetin e tyre me anë të gjakut tonë fisnik?

Kjo gjë tashmë ka sidoqoftë vetëm një rëndësi relative.

Ndoshta siç është edhe më e mundur, milionat e njerëzve të cilët në ditët tona, hipotetikisht kanë gjak shqiptar nëpër venat e tyre, aty kanë shkuar pa zgjedhjen e tyre të lirë, të përzënë me pahir e dhunë nga trojet e tyre në ish-Jugosllavi, të dërguar aty si turq Ballkani, me një marrëveshje që si të tillë i shihte si nga këndvështrimi turk, ashtu edhe nga ai sllav.

Tashmë vitet kanë kaluar dhe ata në shumicë edhe janë turqizuar me të vërtetë, ose seriozisht janë në atë rrugë pa kthim.

Por të vish në Shqipëri e të kesh guximin që të thuash që ke mbi gjysmën e anëtarëve të delegacionit tënd me shqiptarë, atëherë minimalisht duhet të kesh plotësuar ca kushte themelorë për të pasur të drejtën që t’a bësh këtë.

Për shembull, një detaj i vogël që turqit s’e kanë plotësuar as largësisht, është që me siguri të plotë, as edhe njëri prej atyre deputetëve me origjinë të supozuar shqiptare, në regjistrat civilë turq, nuk njihet si i tillë.

Pra ata nuk rezultojnë askund si SHQIPTARË!

Dhe si ata, asnjë banor i Turqisë me origjinë shqiptare, nuk është i regjistruar apo njihet si shqiptar.

Një hipokrizi të tillë, vetëm turqit mund t’a mendonin dhe zbatonin.

Kur vijnë në vizita tek ne, krenohen me gjakun tonë shqiptar të cilin e kanë absorbuar kryesisht me dhunë në ADN-në e tyre mongole dhe në të njëjtën kohë në vendin e tyre, po këta banorë me origjinë shqiptare i privojnë nga çdo e drejtë themelore etniko-historike dhe kryekëput i njohin principalisht vetëm si turq.

Djallëzore me të vërtetë kjo gjë.

Shqiptarët në Turqi, nuk kanë apo gëzojnë as edhe një të drejtë të vetme, si nacionalitet më vete.

Ata padyshim kanë të drejtat dhe detyrimet e çdo turku tjetër kundrejt atij vendi dhe ligjeve të tija, por për sa i përket lirive të tyre si komunitet i veçantë, ata nuk ekzistojnë fare për shtetin turk.

Ata rishfaqen vetëm kur turku i rradhës pret ndonjë zyrtar të tonin apo turqit vizitojnë toka shqiptare.

Atëherë nis edhe njëherë nga fillimi fanfara e vëllazërisë turko-shqiptare, bien me furi tamburet e bëmave në të mirë të popullit tonë nga Osmanër e Selxhukër dhe si pjatë kryesore në tavolinën (sofrën?) e madhe të mbushur plot me gjellë të përbashkëta, bakllava, musaka e pilaf, na serviret gjaku në mos i përbashkët, i shartuar mes dy popujve tanë.

Ajo është pjata e fortë e secilës darkë të rëndësishme bilaterale mes shqiptarësh e turqish.

Mënjanë që shqiptarët në Turqi, janë një popullsi kryesisht në zhdukje, me gjuhën edhe aty ku akoma flitet, në rrezik serioz harrese.

Nga kjo pikëpamje, shqiptarët e Turqisë, janë shumë më mbrapa bashkëatdhetarëve të tyre jo vetëm në rajonet arbëreshe të Italisë, ku ende janë ruajtur me xhelozi gjuha e traditat shqiptare, por ata janë edhe pas Arvanitasve apo Çamëve Ortodoksë të Greqisë dhe ku i dihet edhe shqiptarëve të largët të rrethinave të Odesës në Ukrainë.

500 e ca vite në tokë Italiane, nuk kanë bërë dot që Arbëreshët të harrojnë gjuhën e tyre mbi të gjitha, por po ashtu ata ende janë të lidhur me vendin e origjinës dhe doket e tyre të lashta.

Gjuha arbëreshe jeton sepse atë e flasin jo vetëm pleqtë por edhe bijtë e tyre dhe sidomos rinia dhe fëmijët.

Por ata kanë mbijetuar bashkë me tiparet e tyre të veçanta etno-kulturore, në një mjedis dominant italisht-folës, edhe sepse shteti Italian nuk ka pasur ndonjëherë qëllim të qartë për t’i asimiluar dhe njëhësuar me popullsinë Italiane shumicë.

Para se arbëreshët të kalonin detin dhe të iknin drejt gadishullit Italik për të shpëtuar nga zgjedha osmane, një degë tjetër e popullit tonë, 2-3 shekuj para tyre, ishte hedhur drejt jugut, apo asaj që tashmë quhet Greqi.

Ata sot janë arvanitasit, të shpërndarë nga Peloponezi në Atikë, Eube e Thesali.

Burimet historike duan të thonë se ata e ndërmorën atë emigrim masiv, të shtyrë ndër të tjera jo vetëm nga thirrja që iu vinte nga zotërit Venedikas e Gjenovezë të Moresë e Helladhës mesjetare, për të shkuar e populluar ato rajone, por edhe për shkak të zgjerimit të perandorisë jetëshkurtër serbe të Dushanit dhe mosdëshirës së arbërve për të duruar pushtetin sllav.

Shumë prej tyre, tashmë janë helenizuar apo janë në një rrugë të tillë, por sidoqoftë edhe pas rreth 700 vjetëve, mijëra prej tyre akoma e dinë që nuk janë grekë dhe që gjuhë e tyre është arvanitasja.

Ata kanë arritur të ruajnë karakteristikat e tyre unike arvanitase-shqiptare, megjithëse jetojnë prej shumë shekujsh në një shtet pa as tolerancën minimale ndaj çdo lloj minorance etnike dhe gjuhësore dhe i cili mbi popullsitë shqiptare, sllave dhe vllehe, ka krijuar boshtin e ekzistencës së tij moderne, të përzjerë me mitet e Helenëve të zhdukur të antikitetit.

Deri edhe shqiptarët e sipërpërmendur të Ukrainës, të ikur në ato anë përpara ndoshta 3 shekujve, e kanë më të gjallë ndjesinë nacionale dhe gjuhën se shqiptarët e Turqisë sot.

Të ketë ndodhur ky denatyrim etnik i shqiptarëve të Turqisë për faj të tyre apo çfarë?

Nuk besoj!

Kjo ka ndodhur sepse po të njëjtët turq që këta shqiptarë a ish-shqiptarë, i përdorin sa herë që ua do nevoja të paraqesin lidhjet e tyre me neve, po këta i kanë detyruar “arnavutët e Turqisë” që të fshijnë origjinën e tyre.

Këta shqiptarë, janë deportuar drejt Turqisë si Turq, jo si shqiptarë!

Dhe këtu e ka fillin gjithë kjo histori me sajesa e mashtrime tipike turke.

Turk vëllai, gjithmonë të gjithë shqiptarët, ka synuar t’i kthejë ekskluzivisht vetëm në turq të pastër.

Sa ia ka dalë në këtë sipërmarrje të vetën, është punë tjetër, por qëllimi ky ka qenë dhe kjo gjë shpjegon qëndrimin e tyre të vazhdueshëm dhe sjelljen e tyre ndaj nesh.

Ky ishte dhe ka shumë mundësi të mbetet objektivi i tyre afatgjatë kundrejt shqiptarëve.

Prandaj, kujdesit dhe syrit përherë vigjilent ndaj Helenëve dhe tentativave të tyre për të na kafshuar herë pas here, do të ishte e udhës patjetër t’u shtojmë edhe një vëmendje maksimale ndaj ofensivave Neo-Otomane apo thjesht Turke.

Sipas tregimeve të vetë shqiptarëve aktualë të Turqisë, që kur ata janë detyruar të vendosen nëpër rajonet më të largëta e të pabanueshme të atij vendi, atyre shteti Turk është “kujdesur” që të mos u lejojë të kenë mësues, hoxhë apo kryetar komune me origjinë shqiptare.

Kjo sepse po të kishte ndodhur që ata të kishin pasur ndonjë lider të tillë të tyrin, atëherë edhe identiteti shqiptar do të kishte mundur të mbijetonte më shumë mes tyre.

Por kur të gjithë kuadrot e rëndësishëm janë zgjedhur të jenë turq në një mjedis shqiptar për nga origjina, atëherë për pasojë llogjike ka qenë më e lehtë të zhbëhej përkatësia e tyre etnike me kohën që kalonte.

Veç këtyre masave shtrënguese, turqit nuk kanë lejuar kurrë përgjatë gati një shekulli prurjesh me shqiptarë të larguar dhunshëm nga ish-Jugosllavia, shkollimin apo edhe qoftë lejimin e kurseve në gjuhën amtare shqipe të këtyre njerëzve.

Është bërë e pamundura që ata të identifikohen dhe përfundimisht të asimilohen plotësisht në turq.

Pra autoritetet turke, kanë qenë më parë bashkëpuntore dhe po kaq bashkëfrymëzuese të largimeve masive të shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia, me valë të ndryshme deri në vitet 60-të shekullit të kaluar.

Ata kanë mbështetur në mos edhe i kanë dhënë themele tezës sllave që pretendonte se shqiptarët e ish-Jugosllavisë s’ishin në të vërtetë gjë tjetër veçse turq.

Këtë e kanë bërë duke e pranuar këtë gjë dhe më pas duke nënshkruar disa traktate kriminale dhe të turpshme  me Jugosllavët, të cilat parashkonin siç edhe u verifikua më vonë me fakte, pastrimin masiv etnik të qindra-mijëra shqiptarëve dhe nisjen e tyre drejt Turqisë e cila , meqë i kishte shpallur këta qyqarë si turq, tani i lindte e drejta edhe t’i priste në territorin e saj.

Po kaq turqve s’kishte si të mos u vinte përshtat, preferenca e theksuar e sllavëve në territoret shqiptare që ata administronin, për të ashtëquajturat minoritete turke.

Ata që sot vrapojnë pas qerres anadollake të filoturqizmës, bëjnë sikur e kanë harruar për shembull, se kudo nëpër ish-Jugosllavi, konsiderohej njëmijë herë më mirë që dikush të deklarohej turk se shqiptar.

Sepse po ashtu turku vlerësohej nga sllavët si më i fisëm dhe mbi të gjitha si banor autokton, ndërsa shqiptarët shiheshin gjithmonë si të huaj në tokat e tyre.

Turku gëzonte të gjitha të drejtat dhe liritë e çdo banori tjetër sllav të Federatës Jugosllave, shpesh edhe më tepër, vetëm sepse ai mendohej dhe trejtohej si më i mirë dhe i besueshëm se shqiptari dhe sepse mbi të gjitha turqit njiheshin se ishin “BESNIKË” ndaj pushtetit sllav.

Turqit përbënin atë që shqiptarët duhet të bëheshin sipas sllavëve.

Domethënë myslimanë jo shqipfolës, të devotshëm ndaj Turqisë dhe për rrjedhojë edhe Jugosllavisë.

Kushdo shqiptar që kalonte vijën e hollë që e ndante nga të kthyerit në turk potencial, në njëfarë kohë fitoi edhe të drejtën që të mos shpërngulej më për në Turqi, por të merrte ndonjë post shtetëror në institucionet Jugosllave, gjë që asnjë shqiptar tjetër s’do t’a kishte as edhe ëndërruar jo vetëm atëherë, por edhe sot në FYROM apo tjetërkund ku shqiptarët jetojnë pranë sllavëve.

Historikisht kështu, turqit kanë qenë shumëfish të dëmshëm për neve shqiptarët.

Ata na kanë pushtuar dhe na kanë sulmuar me egërsi të padëgjuar pasi ne i kemi luftuar me të gjitha forcat tona.

Vërshimi i tyre në tokat tona na ka bërë një dëm kolosal në jetë njerëzore, për shkak të mijëra arbërve të vrarë e masakruar nga jataganët e topat turq jo vetëm gjatë 25 viteve epike Kastriotase, por edhe para dhe pas asaj epopeje historike të popullit tone.

Sulmet e tyre e reduktuan në kulm prezencën arbërore në trojet tona me anë të vrasjeve, urisë e në fund eksodit masiv drejt Italisë.

Më pas turqit dhe Perandoria e tyre nga një anë përparonte drejt zemrës së Europës së qytetëruar nën drejtimin e Qyprillinjve tanë dhe nga ana tjetër kujdeseshin që vendin tonë t’a izolonin sa më shumë të ishte e mundur nga shtëpia jonë natyrale, historike dhe kulturore europiane.

Pikërisht me ne, turqit e gjetën të realizonin eksperimentin e tyre të implantimit të Orientit të largët Aziatik, prapambetjes dhe injorancës, në territor europian, pikërisht në trojet tona.

Sepse kështu u shkonte atyre për mbarë!

Sepse ndërkohë për vete në Azi të Vogël po thithnin si shushunja gjakun dhe aftësitë tona dhe po i përdornin për të përparuar vetë dhe për t’u bërë sadopak europianë edhe ata.

Këtu gjendet edhe një tjetër kontradiktë turke njëkohësisht.

Ata Europën e urrejnë pasi njëherë e një kohë kanë dashur dhe s’ia kanë dalur dot t’a pushtojnë dhe në të njëjtën mënyrë kanë shekuj që si europianë duan të duken dhe për të tillë e shesin vetveten sa herë munden.

“Dhelpra dhe rrushtë” e Ezopit, ka shumë kuptim në këtë rast!

Po aq ne shqiptarët ishim populli që më shumë i luftuam kur erdhën të na pushtonin dhe s’është për t’u habitur që pikërisht me neve ka 600 vjet që u ka ngelur sharra në gozhdë.

Kjo shpjegon pse me ne u kanosën më tepër nga të gjithë popujt e tjerë të rajonit tonë.

Prandaj nga neve patën interes që të marrin më të mirën për shtetin e tyre, vezirë e komandantë të shquar ushtarakë, filozofë e shkrimtarë, tregtarë e mëkëmbës të Sulltanërve.

Por po ashtu me ne do të përpiqeshin që të vinin në jetë një politikë të veçantë përçarjeje, asimilimi dhe shkombëtarizimi, pasojat e së cilës akoma i ndjejmë edhe sot e kësaj dite.

Turqit para shumë shekujsh kuptuan se me arbërit nuk ia dilnin dot përfundimisht në fushë të betejës, se me neve nuk bënin dot paktet që realizuan me ballkanasit e tjerë të frikësuar dhe se ne asnjëherë nuk do t’u hapnim atyre rrugë.

Atëherë nisën strategjinë që vazhdon edhe sot, të diversionit mes shqiptarësh me anë të propagandës së tyre dhe duke u mbështetur tek elementët e shumtë filoturq, të cilët me kujdes i kanë lënë prapa për t’i përdorur kur vjen nevoja.

Turqit luftuan dhe punuan me ashpërsi të ethshme për zhdukjen e gjuhës tonë, për fat pa ia dalë t’a eliminojnë këtë pengesë vendimtare si për ta e si për çdo pushtues e armik tjetër tonin.

E nuk do harruar se me pushtimin turk, u bë edhe ndarja e parë e territoreve shqiptare, në plot katër vilajete.

Teoria “Përça e sundo” e zbatuar në detaj.

Si përfundim edhe dorëzimet e territoreve shqiptare tek fqinjët filluan dhe mbaruan me pushtetin turk në tokat tona, sa herë që Perandoria e tyre e krimbur nga këmbët tek koka, humbte një luftë dhe si zgjidhje të problemeve të saja ekzistenciale, gjente dhënien e ndonjë cope Shqipërie tek sllavi a greku i rradhës.

Por turqve u do njohur edhe merita e “madhe” që orën tonë kombëtare e ndalën në 1468-ën me vdekjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe nuk na lanë që akrepat e orës sonë t’i lëviznim deri në 28 Nëntor të 1912-ës.

Ndërkohë që bota kishte evoluar e ishte zhvilluar dhe Europa jonë kishte përhapur njohuritë e kulturën e saj në çdo cep të globit, me përjashtim të Shqipërisë e cila ishte detyruar forcërisht të lidhej pas bishtit të “të sëmurit të Bosforit” dhe fatit të tij.

“I mbyturi të mbyt” thonë dhe edhe neve desh u mbytëm bashkë me Perandorinë Osmane.

Por ne u shpëtuam nga Rilindja jonë Kombëtare dhe forca e ideve dhe qëllimeve të saj, kurse vetë turqit u nxorrën nga hendeku ku kishin rënë, nga një tjetër shqiptar, Mustafa Qemali me origjinë diku nga Stëbleva e Dibrës, i cili i zgjoi nga ëndërra e makthshme osmane dhe i edukoi si Turq modernë.

Vështirë të ketë kush me mend në kokë të arrijë të gjejë sikur edhe një të mirë të vetme nga qindvjeçarët e këtij pushtimi për ne, sikundër lista e dëmeve nga ana jonë si pasojë të kësaj periudhe janë të panumrueshme.

Por tani jetojmë në kohëra kur pas një shekulli lirie, na takon ende të dëgjojmë jo vetëm dokrrat e zyrtarëve apo delegacioneve turke për gjakun e përbashkët apo hibrid mes nesh, por edhe të konstatojmë se para 100 vitesh nuk kemi fituar pavarësinë nga Turqit osmanë, por vetëm kemi luftuar kundër fqinjëve për të mbrojtur trojet tona!

Pavarësia e Shqipërisë sipas çdo të dhëne dhe fakti, u shpall për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga Perandoria Osmane dhe më pas u luftua me vendet e tjera të rajonit për kufinjtë e shtetit tonë.

Një bastardim e mëtejshëm i historisë ky, që ndonjë ditë do na çojë që të na thuhet edhe zyrtarisht, ashtu siç prej kohësh shumë turkomanë këndojnë natë e ditë, se në Rrethimet e Krujës s’është luftuar me vetëmohim për të shpëtuar Arbërinë dhe arbërit nga turqit, por për të mbrojtur Italinë e Perëndimin.

Për fat, sa kohë që ka njerëz që quhen shqiptarë të cilët flasin shqip dhe e njohin historinë e tyre, asnjë nga mashtrimet turke nuk do të ketë efektin e dëshiruar nga zyrtarët e Ankarasë.

Kështu edhe deputetët me origjinë shqiptare në Turqi, që së fundi na u prezantuan si arsyetim tjetër i lidhjes sonë të gjakut me turqit, para se t’i sjellin për t’i ekspozuar si mbetje arkeologjike shqiptarizme, të paktën ata dhe të afërmit e tyre, shteti turk t’i lejojë që të mësojnë gjuhën e tyre e t’u njohë identitetin kombëtar, pastaj t’i përdorë për qëllimet e tij Neo-Otomaniste.