E premte, 26.04.2024, 12:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Kamberi: Të  dashurosh do të  thotë të jetosh. Të dashurosh  është  art

E diele, 30.03.2008, 06:03 PM


Skënder Kamberi: Të  dashurosh do të  thotë të jetosh. Të dashurosh  është  art

Brenda qenies së  një  piktori ekziston flirti

Nga Albert Zholi

Box

Lindi më 1939 në Vlorë. Mbaroi Liceun artistik e më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Pikturës më 1965-ën. Galeria Kombëtare e Arteve në fonetekën e saj mban me krenari shumë punime të Skënder Kamberit, puna dhe emri i të cilit kapërcyen dhe kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Kajro, Paris, Angli, Stamboll, Itali, Athinë etj. Është nderuar dhe me titullin “Artist i Merituar” dhe më pas titullin e lartë “Piktor i Popullit”.

Hyrje

Gjithmonë e shikon me një beretë në kokë.  E mban paksa çapkënçe djathtas anash. Energjik si një i ri dhe gjithmonë në lëvizje. Të qeshurën rrallëherë e heq nga buza. I sinqertë në bisedë, sepse sipas tij, artisti nuk ka çfarë fsheh dhe nga çfarë  të ketë frikë. Rrebel në vetvete, ai nuk mund të bëj kompromis me askënd me idetë, bindjet pikëpamjet e tij për jetën, shoqërinë, politikën. Nuk e pëlqen liberalizimin e tejskajshëm të jetës ashtu sikundër kritikon njerëzit parazit që përpiqen të mbijetojnë me servilizëm apo mashtrime. Rritur mes kaltërsisë së detit, ai me këtë frymëzim ka mjaftuar që ai të “derdhte” në telajo forma dhe ngjyra nga më mahnitëset Brenda tij jeton një shpirt vullkanik që përherë kërkon shpërthim në emër të vlerave më të bukura njerëzore. Artisti i Popullit Kamberi përherë ishte në kërkim të së bukurës. Këtë ai e kërkon tek shpirti i njeriut dhe tek natyra.

Intervistë: Skënder  Kamberi

-Me çfarë  merret  aktualisht  piktori i  madh  Skënder  Kamberi?

-Unë  aktualisht merrem me  reflektimin e  kohës  sonë, fenomenet  psikologjike të shqiptarëve, konceptet  tona, në  këtë tranzicion  të tejzgjatur. Kam në dorë Antigonën,  e cila është një figurë  historike,  e cila  në  një vëllavrasje (vëllai vret vëllanë) shkoi  dhe varrosi vëllanë  tjetër, e  ndaluar  nga  vëllai  që  vrau, që  të  mos  e varroste. Kjo dramë njerëzore   është  identike deri diku edhe në shoqërinë e sotme shqiptare. Probleme të tilla hasen dhe sot në botën e qytetëruar dhe Shqipërinë e mpakur nga problemet e shumta të kësaj demokracie të brishtë.

-Ishin  problemet  e sotme  shoqërore  që të nxitën të portretizoje këtë  personazh?

- Ky fenomen  edhe  sot më  dhemb  edhe  pse  kanë kaluar  mbi  2 mijë vjet që ka ndodhur ngjarja. Edhe psikologjia  e njeriut  qenka  shumë pak  e lëvizshme. Vitet kalojnë, por shumë  pak lëviz  bota  shpirtërore. Unë  kam  qenë  vetë  në  Greqi, në vendin, ku përshkruhet ngjarja, pra aty ku është bërë ndeshja  mes  vëllezërve. E kam  parë me shumë vëmëndje kalanë. Kalatë kanë diçka të magjishme për ne piktorët. Kanë madhështinë dhe enigmën. Ngjyra e gurit  të jep përshtypjen e mistereve. Antigonën e kam lënë në një cep të kalasë, e  cila  qan  vëllanë e saj dhe  do ta varrosi. Në përgjithësi më pëlqejnë  kompozimet.  Njëkohësisht  unë  po bëj një kompozim tjetër. Kam një  temë nga Korça, (këngët korçare) këndoj aty edhe pikturoj. Edhe njerëzit e thjeshtë këndojnë edhe  artistët  këndojnë. Një këngë në kor. Sikur të ishte gjithë jeta një këngë? A nuk do të ishte një gjë madhështore? Njeriu kur të uron nga zemra të thotë: e paç jetën këngë. Kënga është qetësia e shpirtit, burimi hyjnor i ëndrrave të bukura.

-Pra  janë  dy vepra  që  ju bëni  paralelisht. Një  problem  shoqëror  dhe  tek tjetra  një gëzim  të  madh po  përsëri shoqëror?

-Ideja është që  jetën duhet ta  gëzojmë, të  zbulojmë të bukurën, se ka  boll vendi  jonë aspekte dhe  fenomene që mund  ta bëjnë jetën të bukur.  Mua më pëlqen të zbuloj të bukurën  edhe kur  ajo është  e shëmtuar. Edhe tek njeriu, tek njeri-tjetri të bukurën duhet të qëmtojmë. Atë duhet të propogandojmë.

-Sa  vepra ka  krijuar  deri  më  sot Skënderi ?

-Rreth  3 mijë  vepra.

-Kë  do të veçonit  nga  veprat  tuaja?

-Janë  10 deri  në 20 kompozime të veçanta  si  “Vajza  e  valëve” , “Djepi i  shqipes”, “Kosovarja”, “Vëllezërit” Punimin “Vajzë e Valave”, e cila është për emancipimin dhe lotët e emigracionit, ku jam frymëzuar nga një këngë Himarjote. Punimi tjetër që do të veçoja është “Partizani i plagosur” ose “Ndihma e shokut”', “Buka e duarve tona”, “Vëllezërit Frashëri në Vjenë”, “Zenel Gjoleka në grykë të Kuçit” plus një sërë portretesh si Kapedan Sali Vranishti, Hodo Zeqiri, si dhe punimet për Kongresin e Përmetit, Sami Frashërin, Naim Frashërin, Dora D'Istrian, Vaso Pashën

-Nga  të  gjitha  këto  vepra  kush  të ka  marrë  më  shumë  kohë?

-Procesi i  veprës  është  metamorfozë. Ato  kanë  vështirësitë  e veta të  gjitha,  por kryesorja është të realizohet  qëllimi i  saj. Unë  kam  bërë edhe Kleopatrën, e  cila  nuk  dorëzohet  tek njerëzit  që e pushtuan,  tek  romakët. Ajo është  një  grua krenare. Kam  disa  kompozime  edhe për paqen. Unë mund të them  se jam  qytetar  i  botës  nuk  jam  vetëm i  Vlorës dhe i Shqipërisë. Pikturat kur dalin nga dora e piktorit janë për të gjithë. Ai që e merr mund të jetë kushdo. Mund të jetë afrikan, aziatik, evropian, amerikan etj... Piktori është i të gjithëve dhe nuk ka paragjykime.

-Vlora ka nxjerrë shumë  piktorë të mëdhenj, kush  është ajo që  ju  ushqen  deri në  gen këtë, ndoshta kaltërsia e detit përcjell tek njerëzit një të  veçantë  si piktura?

-Unë  do  të  jap një  arsyetim  timin.  Selenica  që  është  një  nga piktorët  më të  mëdhenj  është  nga  Selenica  e Vlorës. Pra nuk është vetëm deti. Kryesore mbetet shkolla. Periudha e  socializmit  në  Shqipëri  ka bërë  që të  hapen shkolla të shumta. Dhe  shkollat e  shumta  zhvilluan  edhe Vlorën, sepse  deti  ka qenë  edhe  më  përpara. Ajo  periudhë  socialiste  pavarësisht nga të metat e saj, pati  një  sukses  të  madh  për  kulturën  dhe artin. Kështu  ne  jemi  pjesë  përbërëse  e asaj  periudhe  që u zhvilluan  shkollat. Unë e kam mbaruar vetë atë shkollë dhe vinin  talente që nga  Saranda  e  Lushnja. Periudha e  komunizmit  përveç  shumë  anëve   negative solli  edhe një  risi  në  drejtim të  arsimimit. Unë këtë e kam  thënë edhe  në  një  intervistë  në  stacionet  greke  që  kam thënë  se çdo  epokë  ka  të  mirat  e veta dhe të  këqijat  e saj. Në këtë  drejtim  në  atë  kohë  u   zhvilluan  talente   në  sajë  të  shkollave të  para që u  hapën.

-Vihet re diçka shumë interesante sot, piktorët shqiptarë po pushtojnë  botën, ata  janë  bërë përcjellës  më të mirë të  imazhit më  të  bukur  të  kulturës  shqiptare, të intelektualëve  shqiptarë dhe imazhit  real të  Shqipërisë.

- Piktorët kanë rolin e tyre si dhe artistët e tjerë. Unë  vetë  si  Skënder  kur  kam  qenë  Sekretar i  Lidhjes  së Shkrimtarëve të Shqipërisë kam thënë: e vetmja  gjë  që  ka  forcë  Shqipëria  të  eksportojë  janë  artet   figurative. Dhe  ne i  ngjajmë  pak  Hollandës në shekullin  e 17. Edhe pse Hollanda e vogël mbasi fitoi  lirinë  dhe pavarësinë  nga Spanja zhvilloi  shumë  kulturën  dhe artin. Ky zhvillim kulturor i Hollandës  edhe pse i vogël pushtoi pothuajse të  gjithë botën. Kështu  epoka  e pikturës, e piktorëve  të  mëdhenj hollandez (ku nuk  po  përmend  emra  sepse  janë një  listë  e madhe) duket sikur erdhi në njëfarë mënyre në  Shqipëri  me shkollat  që u hapën në sistemin komunist. U hapën 10 shkolla  artistike  të  mesme, dhe  një  Akademi  e  Arteve. Kjo  ishte simptomë e kulturës  më  të  mirë europiane të Akademive  të  Europës, nga Peterburgu, Parisi, Roma, Firence, Praga, Varshava, Berlini, Vjena, Athina. Të  gjithë këta  piktorë  kanë krijuar  një  trevë  shumë  të  mirë metodike. Dhe ne kemi marrë  ajkën më të mirë të eksperiencës  botërore. Këto i kemi marrë me modesti  dhe me përkushtim, sepse një njeri  i  patalentuar  nuk  mund të bëhet artist. Kjo është si një  farë gruri  që hidhet në tokë, dhe në qoftëse toka është e papunuar  ajo  nuk  zhvillohet. Kështu që  toka zgjodhi talented, të cilat zhvilluan  artet   figurative. Ky  është çelësi  për  mua  i  anës figurative. Po imitojmë  fqinjët tanë  nëpër  botë me  një  nivel shumë  të  mirë  artistik.

-A meret  me  politikë  Skënder  Kamberi?

-Jam marë  dhe  nuk  dua  të  merrem.

-Jeni  penduar?

-Nuk jam penduar sepse çdo artist është i lidhur me politikën. Por  drejtëpërsëdrejti nuk  mundem,  sepse nuk e njoh  këtë gjuhë të  shkathtësisë  të  politikanëve, të cilët kanë një koncept pak primitiv në Shqipëri. Nuk janë  transparent,  por  kanë  interesat  e tyre  personale  që  mbulojnë  detyrën e  tyre të  përgjithshme.

-Pra tashmë keni hequr dorë  përfundimisht  nga  politika?

-Unë merrem me  idetë e njerëzve, me  emocionet e  njerëzve, dhe si  reflekton kjo  politikë  tek këta  njerëz.

-Pra  çfarë i mungon  sot  politikës  shqiptare?

-Për  mua  politikanët duhet të heqin dorë nga pangopësia sepse e kanë bërë këtë  vend shesh-përshesh në disfavor të  popullit.

-Çfarë nuk pëlqen dhe çfarë pëlqen  më shumë tek një njeri?

Unë dua tek  njerëzit  sinqeritetin, pastërtinë, drejtësinë, të  jenë transparentë  dhe kjo  është epoka  më e mirë  e  të ardhmes  sesa  ato intrigat  mesjetare, nga  pangopshmëria për  para. Nuk e di nëse erdhën nga uria  dhe  ende janë të  pangopur  këta  njerëz.

-Kush ka qenë  dita më  e bukur  e juaja  si  artist?

-Unë  edhe  ditët  e mërzitura  i  bëj të  bukura.

-Në  ç’kuptim?

-Nuk  merrem  shumë  me mërzinë e saj, por e gëzoj  ditën.

-Sot në Shqipëri  tentohet të ruhet ndjenja maskiliste, por kriza  familjare ka  bërë që të ketë  shumë  divergjenca në jetë mes  mendimit  maskilist  dhe  atyre  femëror dhe  kjo ka  bërë  që të ketë  shumë  divorce, kush  është mendimi juaj  në  këtë drejtim?

-Epoka socialiste pati një trillim të dashurisë dhe divorcet nuk ishin të stimuluara, por të ndaluara. Por Demokracia si sistem la shumë të lirë  këtë fenomen dhe  e ktheu  në  mënyrë spekullative. Liria  është  e   drejtë,  por  kjo  nuk do të  thotë  të  prishësh marrëdhëniet familjare. Unë  dua të them  se në  kohën  e Romës në  shekullin e parë u la e lirë marrëdhënia. Romakët imituan  athinasit, dhe kjo u përhap në  Europë. Ky fenomen tashmë është bërë materialist. Pra konceptet  shqiptare të familjes tani janë  materializuar shumë. Këtu del përpara femra lakuriqe, ku kërkon një mashkull të kamur, kur vetë ajo  nuk  ka punë. Pra paraja si  fenomen  është  shumë  tronditës,  por  është  shumë i  përsëritshëm.

-Ç’është dashuria për  një piktor?

-Dashuria është gjithçka. Të dashurosh do të  thotë të jetosh. Të dashurosh  është  art.

Ndonjë detaj nga ditët e para të dashurisë suaj?

Si çdo i ri dhe unë kam kujtimet e mia. Rinia nuk mund të konceptohet pa dashuri. Kur ulesha natën vonë për të pikturuar, fotografinë e gruas e kisha pranë. E mbaja me vete se ajo ishte në fshatin Kuç të Vlorës dhe unë rrallë veja atje. Që kur u fejuam, por edhe më pas foton e saj e kisha përherë në xhep. E kisha idhull dhe e kam. Kështu veprohet në dashurinë e vërtetë.

Përse të ngacmon ngjyra e kuqe?

E kuqja ka disa kuptime, është ngjyra e gjakut, gjaku i rinisë, i flamurit tonë. Është gjaku në kuptimin optik, çka të ngacmon syrin. Janë ngjyra kompleatore. Ashtu si bluja, e kuqja dhe e verdha Është ngjyrë që të kënaq.

-A ekziston brenda qenies së një  piktori flirti?

-Po ekziston. Ekziston  për  shumë  arsye.

-Në  qoftëse do të  ishe i pasur sot  çfarë  do të bënte  Skënder Kamberi?

Unë do të  vazhdoja  po  këtë  punë. Megjithëse më  kanë  vjedhur  shumë, më kanë  marrë para, më kanë marrë vepra dhe nuk më kanë paguar, unë  përsëri jetoj normal.

-Sa  kohë  i  kushton   shtypit,  por  edhe  librit  Skënder  Kamberi?

-Unë  lexoj tre  orë  në  ditë. Lexoj  në  shqip dhe  në gjermanisht. Dhe  jam i  mirëinformuar për kulturën  Europiane, nga kronikat  kulturore që shtypet  në Gjermani, dhe njëkohësisht edhe nga  librat e tjerë që  sot  janë më të  bollëshme  në  shqip qoftë  ato filozofikët, ato  shoqërore, politike, qoftë  edhe  shtypin, që është i ngarkuar  më  shumë me krime. Dua  që  këta  gazetarë  redaktorë dhe kryeredaktorë këto  kronikat e zeza t’u japin sa më pak vend. Kështu kemi të  bëjmë  me  një infeksion të  trurit të  njeriut në Shqipëri. Lexime të tilla nuk japin dobi dhe për  mua  duhet të  ndalohen  rreptësisht.

-Sa  ekspozita  nëpër  botë  ka  hapur  Skënderi?

-Unë kam hapur ekspozita në Greqi, Itali, Hamburg, Gjermani, këto kanë qenë  private  ose  individuale. Kam hapur edhe shoqërore ose kolektive si në Gjermani, Kosovë, Athinë, Kinë, Stamboll, Ankara, Izmir. Kam edhe mbi 50 punë që janë shitur  në  Argjentinë, Amerikë.

-Ku e  ke  ndjerë  veten  më  të  entuziazmuar  në  këto ekspozita?

-E kam ndjerë veten njësoj në të gjitha.

- Duke qenë në shumë ekspozita mund të na përcillni si jeni pritur jashtë Shqipërisë?

Kam ngelur shumë i kënaqur. Kryesisht nga kritikët dhe pedagogët e këtyre vendeve jam pritur mjaft mirë ku rezultati u duk tek blerja e menjëhershme e punimeve, sepse piktura blihet nuk shitet.

-Keni bërë ndonjë pikturë që ia   dedikoni emigracionit?

-Unë kam bërë  “Vajzën e  valëve”. Kjo  vajzë  qan  buzë  detit  dhe pyet  zogjtë kur  do  të  vijë  ai  që ka  vajtur  në  emigracion. Ajo don që ai të  vijë  me  anije  këtu, sepse  kam  parë  një ëndërr  sikur  u martua  jashtë.

-Këtë  pikturë  e ke  bërë   me  më shumë dashuri ?

-Unë  të  gjitha  pikturat i bëj me të njëjtën dashuri. Mua  porositë  nuk më pëlqejnë, kjo  është  cilësia  ime.

Ju flisni vazhdimisht për të bukurën. Koncepti juaj për të bukurën?

Në jetë, në natyrë, në botën shpirtërore, në të parë dhe në zemër. Në mendime ndahen dy gjëra: e shëmtuara dhe e bukura. Unë shoh sot në Shqipëri më shumë të shëmtuara. Dikur shija të bukura dhe të shëmtuara. Mund të them se bota e artit është futur tek të shëmtuarat e jetës, por duhet theksuar se arti merret me të bukurën. Unë do të merrem gjithmonë me të bukurën.

-A  ke ndonjë  peng në  krijimtari?

-Jo, në krijmtari  nuk  kam  asnjë  peng.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora