E marte, 23.04.2024, 10:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Përkushtimi i krijuesit dhe shprehja e revoltës artistike

E enjte, 24.05.2012, 07:46 PM


PËRKUSHTIMI I KRIJUESIT DHE SHPREHJA E REVOLTËS ARTISTIKE

Muharrem Kurti: “Dritë e zezë”, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2012.

Shkruan Dr. Besim Muhadri 

Viteve të fundit  proza shqipe në përgjithësi dhe tregimi i shkurtër në veçanti, sikur kanë pësuar rënie të dukshme, qoftë në aspektin kualitativ, qoftë në atë kuantitativ, karshi poezisë, e cila, hiq aspektin kuantitativ, është shndërruar në një nga “zejet” më në modë” në qarqet tona kulturore e mbase edhe jokulturore. Mirëpo, megjithatë, aty-këtu, ndonjë autor i përkushtuar po përpiqet që të mbulojë këtë boshëllëk tonin  letrar, qoftë me botimin e ndonjë romani, qoftë të ndonjë libri me tregime.

Në mesin këtyre krijuesve tanë letrar, mjaft serioz, i cili u mundua të kompensojë këtë mungesë zhanri, është edhe Muharrem Kurti, i cili para lexuesit solli vëllimin me tregime me titull Dritë e zezë, që është një libër me një tematikë, sa interesante aq edhe domethënëse. Në librin e Kurtit po të fillojmë nga titulli, mund të vërejmë një simbolikë interesante dhe kuptimplote, ku ngërthehet dhe zbërthehet simbolika e kontrasteve bardh dhe zi: Emri Dritë, që simbolizon të bardhën, të dëshirueshmën, që shoqërohet nga cilësori e zezë, e që përveç të zezës, simbolizon edhe errësirën. Kemi këtu paraqitjen e figurës së kontrastit, e cila fuqishëm  shpreh intencën e autorit për të paraqitur nyancat e realitetit jetësor dhe artistik në një kohë krize, qoftë politike, qoftë kulturore e pse jo edhe shpirtërore të qenies sonë kombëtare.

Vëllimi me tregime “Dritë e zezë” i Muharrem Kurtit është i ndarë në tre cikle, brenda të cilëve hasim tregime tematikash të ndryshme. Në ciklin e parë “Llahtar” kemi të trajtuar temën e luftës së fundit në Kosovë, por gjithsesi të shikur nga prizmi i kujtimeve dhe i dëshmive, në të dytin “Dritë e zezë” shpërfaqen deformimet e mëdha të shoqërisë shqiptare të kohës së paluftës, ndërkaq në të tretin “Perlë zemre” autori sjell përvojën dhe emocionet intime, por të ndërthurura gjithsesi me një mjeshtëri dhe përkushtim të lakmuar artistik.

Lufta e shikuar nga prizmi i kujtimeve dhe dëshmive

Kur jemi te tregimet e ciklit të parë, duhet të themi se ato trajtojnë temën e luftës së fundit të Kosovës, të parë dhe të evokuar nga prizmi i kujtimeve dhe reflektimi i këtyre kujtimeve në një moment të caktuar të kohës së pasluftës. Personazhet e këtyre tregimeve janë protagonistë të atyre ngjarjeve rreqethëse, që kanë mbetur vrragë të pashlyera në kujtesën tonë. Tregimi Tmerr lufte, ndonëse i ndërtuar në formë rrëfimesh më tepër i përngjanë një synopsisi për dokumentar, ku rrëfehen ngjarje tmerri, që duhet të trokasin në ndërgjegjen e sëmurë njerëzore. Ai është një tregim me prosede interesant dhe me një ndërthurje rrëfimesh për ngjarje dhe dëshmi të një kohe jo të largët, brenda të cilës ngërthehet një kronikë rrëqethëse lufte, ku dhimbja dhe malli, pritja dhe zhgënjimi pothuajse bashkëveprojnë në qenien e njeriut të traumatizuar të kohës së pasluftës, dhe ku, për shkak të devijimeve të mëdha që ndodhin në kohën e pasluftës, thyhen dhe fundosen idealet.

Në tregimet e Muharrem Kurtit shohim pak dritë e shumë zezësi. Kjo e fundit zbeh pamëshirshëm ndriçimin e shumëpritur të lirisë së lënduar. Lëndimi i lirisë vjen në një moment të caktuar, delikat dhe të papritur. Kjo dëshmohet më së shumti te tregimi “Varret”, i cili është sajuar me mjaft mjeshtëri, jo vetëm për të treguar përmasën trishtuese të varrit, por edhe të rrëfimit të nënës, që sjell mesazhin e heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë idealistëve që ranë për lirinë e atdheut, të cilët, për shkak të devijimeve të mëdha të atyre që mbetën për të udhëhequr dhe për të sendërtuar idealet për të cilat ata u flijuan, janë të pakënaqur dhe tëpër të dëshpëruar.

Revolta për këto devijime shpërfaqet edhe në tregimin  Kthimi i kryekriminelit, ku kemi një ftesë të hapur artistike jo vetëm për të mos harruar të kaluarën tonë të dhimbshme, por edhe për të denoncuar dhe madje edhe për ta dënuar. Ardhja e kryekriminelit në vendin e krimit, jo vetëm që zgjon asocacione dhimbjeje dhe urrejtjeje, por edhe kërkesën për hakmarrje ndaj kësaj krijese të turpshme e të urryer, siç është kryekrimineli që pa fije turpi vjen në vendin e krimit, tash si zyrtar i lartë që bën politikë dhe që provokon ndjenjat e lënduara e të vrara të viktimave të tij. Në krijimet e tij krijuesi letrar Muharrem Kurti, përmes kësaj forme, me mjaft mjeshtëri aludon në gjëra të mëdha, të cilat reflektojnë në jetën e njeriut tonë që i është ekspozuar fenomeneve dhe dukurive më të shëmtuara të kohës, siç janë korrupsioni, prostitucioni, tradhtia, imoraliteti, injoranca etj., që janë e zeza e përspektivës shtetërore e kombëtare,  e cila jo vetëm që zbeh, por edhe e vret reflektimin e dritës së ëndërruar.

 Shpërfaqja e deformimeve shoqërore në kohën e pasluftës

Në një shoqëri të mbushur imoralë, injorantë, debilë, që madje edhe udhëheqin me vendin, autori nuk ka se si të qëndrojë indiferentë pa shprehur revoltën e tij, qoftë edhe në mënyrë artistike, por që rrezaton vlerë në një kohë tepër të rëndë dhe të stërmbushur anakroni gjithëpërfshirëse. “Tregimi i Nobelistit”, është strumbullari i ironisë së autorit kundruall udhëheqësve injorantë të kulturës kombëtare, të cilët njëkohësisht janë edhe vrasës së përspektivës sonë kulturore dhe artistike, ashtu sikurse që një mesazh të tillë shprehin edhe tregimet e tjera të kësaj natyre e në mënyrë të veçantë “Letër nga Gjakova”, ku përmes letrës që i dërgon mikut të tij, autori arrin që mikut të tij t’ia shpërfaqë shqetësimet për devijimet dhe deformimet e mëdha të shoqërisë sonë në të gjitha aspektet. E vetmja gjë që e bën optimist autorin, si duket është liria e fituar, mirëpo këtë optimizëm sikur e zbehin të gjitha defektet që e shoqërojnë dhe që janë bërë kancer për këtë shoqëri.

Tregimet e ciklit të fundit, janë tregime, që në një farë forme relaksojnë zemërimin e autorit. Ato janë krijime që burojnë nga bota intime e autorit, e përjetuar nga jeta studentore. Në këto tregime Kurtin e shohim një lërues të talentuar dhe të përkushtuar të prozës së shkurtër dhe moderne. Atij nuk i mungon as informacioni, por as pasioni dhe as vokacioni për të shkruar tregime të kësaj tematike, të cilat janë mjaft të realizuara dhe që lexohen me mjaft ëndje nga ana e lexuesit. Kurti në këto tregime shpërfaq talentin dhe sensin e të shkruarit dhe e të çuarit përpara të vokacionit të tij krijues.

Në fund më duhet të konkuldoj se, marrë në përgjithësi, tregimet e Muharrem Kurtit, të prezantuara brenda për brenda kopertinave të  vëllimit “Dritë e zezë”, janë tregime të shkruara me mjaft përkushtim krijues dhe një shprehje e revoltës artistike të tij në një kohë përmbysjesh dhe shqetësimesh të mëdha morale e kombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora