Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Në tokën që kërkon drejtësi!

| E enjte, 24.05.2012, 08:08 PM |


Në tokën që kërkon drejtësi!

“Në tokën e gjakut e të mjaltit”, film amerikan sipas skenarit dhe regjisë së Angjelina Xholit.

Nga Gani MEHMETAJ

“Në tokën e gjakut e të mjaltit’ është film i zymtë, i rëndë, i tmerrshëm, gati i papërballueshëm, që të rrëqeth nga kuadri i parë deri të ai i fundit. Rrëfimi dinamik, dendësia e ngjarjeve, zymtësia e atmosferës, egërsia e pashpjegueshme e ushtrisë serbe të paraqitur në ekran, të mbanë pezull. Pas disa dhjetëra minutash hamendesh të rrish në sallë apo ta braktisësh sallën, sepse ky film nuk është për të gjithë, nuk është për ata që nuk e përballojnë dhunën e përdhunimet, egërsinë e policëve e të ushtarëve ndaj civilëve, sidomos mizoritë ndaj femrave të cilat i marrin peng për keqtrajtime seksuale dhe për t’iu kundërvënë armikut me trupin e tyre. Ndërkaq, filmi atë synim ka ta paraqesë tragjedinë e Bosnjë me një vërtetësi që të lë pa mend, me drejtëpërdrejtshmërinë që s’të le mundësi dyshimi dhe me sinqeritetin që nuk u përngjasin atyre filmave të cilët për hir të baraspeshave politike, sikur i njëjtësojnë viktimën e xhelatin. Apo, kur luftën e paraqesin si një veprim absurd të pashpjegueshëm pa fajtorë dhe pa viktima, përkatësisht ku të gjithë dalin viktima.

Kuadrot e para fillojnë me shpërthim eksplozivi në një qytet boshnjak, duke e këputur në mes romancën në mes dy të rinjve. Djegia e diskotekës paralajmëron tragjedinë, e cila fillon me një intensitete të paparë, ndërsa në kuadrot e fundit filmi përfundon me shpërthimin tjetër, që pretendon t’i jap fund dhunës. Në mes të kësaj kohe zhvillohet drama tragjike: lufta në Bosnjë, përkatësisht përmasat absurde të gjenocidit, përdhunimit, vrasjeve në masë, dëbimeve që nuk i ka njohur historia më e re që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe e tëra kjo, na e thotë filmi, zhvillohet para syve të bashkësisë ndërkombëtare, para trupave paqësore të cilat rrinë duarkryq, shohin dhe bëhen dëshmitarë të masakrave në Srebërnicë, në Sarajevë, e në gjithë Bosnjën, duke mos ndërmarr asgjë për të shpëtuar popullatën civile.

Syzheu në dukje të parë është trivial, por që fatbardhësisht nuk rrëshqet në klishetë e njohura të romancës së luftës. Romancën dashurore në mes të një polici serb, Darko dhe piktores boshnjake Ajla e ndërpret lufta tepër e pabarabartë. Pastaj fillojnë dëbimet, bastisjet, vrasjet e përdhunimet...

Dhe kur përmasat e përdhunimeve e vrasjeve marrin shtrirje të madhe, ish i dashuri shndërrohet në një njeri tjetër, megjithëse dallon nga ushtarët dhe vrasësit tjerë ( në një rast nuk i vret me snajper babë e birë që kalojnë urën e qytetit të pandërgjegjshëm se janë nën vrojtimin e snajperit). Të dashurit sërish takohen, por tash në rrethana të çoroditura: ai është vrasës dhe pjesëtar i ushtrisë serbe që dhunojnë e masakrojnë, ajo është viktimë e bashkëkombësve të tij, sepse edhe Ajlen, sikurse të tjerat i marrin në kampin e përdhunimeve. Ai ka edhe një bagazh tjetër; është biri i një gjenerali serb kriminel të frustruar, që nuk e pengon asnjë skrupull të vrasë të gjithë ata që i dalin para.

Dashuria në mes të policit e piktores është vetëm kornizë veprimi, formë për të paraqitur gjithë atë që ndodhi në Bosnjë dhe që deri në fund askush nuk e pengoi. Danieli (në interpretim  të Goran Kostiqit) dhe Ajla (e interpretuar nga Zana Marjanoviq), janë përçuesit e ngjarjeve dhe të veprimeve, ata megjithëse në tabor armike ende ndjejnë dashuri ndaj njëri-tjetrit. Kjo lidhje emocionale është e frustruar, sepse ajo ndjenë se e tradhton popullin e vet, kurse ai se është afruar shumë me femrën e taborit armik.

Fundi i dashurisë mbyllet me krim, polici Daniel vret piktoren dhe kërkon nga trupat paqësore ta arrestojnë për krime lufte. Ushtarakët dhe gjeneralët e tjerë serbë nuk dorëzohen, as nuk pendohen për krimet e bëra.

Filmi “Në tokën e gjakut e të mjaltit’ godet në ndërgjegjen e fjetur njerëzore, në moskokëçarjen me të cilën është ndjekur kjo luftë mizore, ku popullata civile është vrarë, shpërngulur e përdhunuar në mënyrë sistematike. Vrasësit dhe ata që i tërhiqnin penjtë e këtij gjenocidi ia hedhin, kurse pasojat e luftës do të ndjehen edhe një kohë të gjatë.

Për tragjdinë në Bosnjë janë bërë disa filma të cilët në një mënyrë apo tjetër e kanë zgjuar kureshtjen e shikuesve në Perëndim, por nuk janë bërë aq filma sa do të duhej të zgjonin ndërgjegjen e fjetur të bashkësisë ndërkombëtare, sepse atje u bënë masakra të tmerrshme, gjenocidi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore. Derisa filmat amerikan paraqesin inserte nga kjo luftë (megjithatë mbetet kinematografia më e angazhuar për paraqitjen e krimeve e të gjenocidit serb kundër boshnjakëve), gjithnjë duke u përqendruar në aksione, filmat boshnjak herë më më shumë sukses, herë më pak kanë arritur të qesin në pah tragjedinë, pasojat në popullatën vendëse-boshnjake, gjithnjë duke pasur kujdes në një mënyrë apo tjetër të mos i akuzojnë për njëanshmëri.

“Në tokën e gjakut e të mjaltit” është filmi më real i prezantimit të përmasave të dhunës e përdhunimit, të gjenocidit e mizorisë serbe ndaj popullatës civile.

Përmasat e tragjedisë ishin gati të njëjta edhe në Kosovë, mirëpo paraqitja e luftës para shikuesve të huaj e vendës qe e pakët, me inserte, ndonjëherë triviale, shpesh në pasqyrë të shtrembëruar e diletante.

Disa qarqe vendimmarrëse te ne e kanë një problemë të pasqaruar: ishim viktimë të gjenocidit serb, për ç’arsye ndërhyri NATO, në emër të humanizmit, apo ishim palë ndërluftuese që e bëri namin? Kinematografia shqiptare në Tiranë nuk u mor fare më këtë  temë si të ishte fjala për ngjarje të Amerikës latine (amerikanët bënë disa filma për gjenocidin në Kosovë), ndërsa në Prishtinë  pos trajtimit amator, filmat paraqesin inserte të luftës, që nuk i kalon caqet lokale të katundeve tona.  Një si direktivë e pashpallur është të trajtohet lufta në përmasat e heroizmit, duke u lënë anash pikërisht atë që e karakterizoi këtë luftë të pistë: mizoritë e ushtrisë e policisë serbe ndaj popullatës së pambrojtur civile, përdhunimet e vrasjet në masë. Derisa të ndryshon mendësia jonë të shpresojmë që të na buzëqesh fati dhe të angazhohet Angjelina Xholi, Bred Piti, Mel Gibsoni apo ndonjë mega yll tjetër i Holivudit.