Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Gjuha shqipe nuk ka nevojë për fjalë të huaja!...

| E merkure, 23.05.2012, 08:04 PM |


GJUHA SHQIPE NUK KA NEVOJË PËR FJALË TË HUAJA!...

(Mr Eroll Sejdiu “Probleme të standardit të gjuhës shqipe (Pranimi dhe zbatimi i saj nga banorët e komunës së Preshevës). “Studio Iks “ Preshevë, 2012, faqe, 53).

Nga Bilall MALIQI

Dihet mirëfilli  se ne shqiptarëve na ndajnë dy dialekte të mëdha,  dialekti gegë në veri dhe dialekti toskë në jug. Duke studiuar, qoftë edhe përciptas, natyrën e gegërishtes e të toskërishtes, të vëmë re se dallimet në mes tyre nuk janë më të mëdha nga ato që shquajnë mënyrën e të folurit. Në fund të fundit mund të thuhet se ky dallim kufizohet në ngjyrime shqiptimore. Por në një vend ku traditat shkollore mungojnë, këto ndryshime shqiptimore janë theksuar në vend që të zbuten dhe shqiptarët, duke mos pasur për udhërrëfyes drejtshkrimor as fjalorë, doli se  kur menduan të lëvrojnë gjuhën e tyre  ata nuk ndoqën tjetër rregull drejtshkrimore veç asaj që t‘i shkruanin fjalët siç shqiptoheshin.. Lumi Shkumbin shënon pikënisjen e dy dialekteve.

Në komunën e Preshevës respektivisht në Luginë si tërësi gjeografike pak është studiuar e shkruar lidhur me të folmen, drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e gjuhës shqipe, e sidomos të ndonjë autori që jeton dhe vepron në këtë pjesë të shkëputur të etnisë, i cili ballafaqohet me përditshmëritë e të folmes së Preshevës me rrethinë si dhe të të shkruarit e të drejtshqiptuarit të shumë fjalëve e termave të gjuhës shqipe,  përveç të dy librave të karakterit shkencor të Mr. Eroll Sejdiut dhe ky i treti tani shënon një studim më të ri të këtij punëtori të vyeshëm shkencor.

Probleme të standardit të gjuhës shqipe

Kështu, pra Mr. Erolli gradualisht po merret me disa probleme të cilat aktualisht e rrethojnë të folmen e Preshevës të cilat i ka shënuar për t’u bindur lexuesi se kemi të bëjmë me disa fjalë të cilat nuk i takojnë gjuhës sonë porse janë të marra nga gjuhë të huaja, mandej drejtshkrimi e drejtshqiptimi i tyre, sepse dihet mirë se sidomos tani merren disa terme apo fjalë të cilat njerëzit i flasin por nuk ua dinë fare kuptimin e tyre. Me shembuj konkretë autori si në dy librat paraprakë por edhe në të tretin që po e vështrojmë autori ka bërë një “venerim” të këtyre fjalëve në të folme dhe të disa fjalëve në të shkruar, sidomos nëpër gazeta që dalin te ne por edhe më gjerë, mandej edhe drtejtshqiptimi i tyre edhe në media respektivisht nëpër televizione lokale të cilat gabimet e tyre në të shkruar e në të folur sa vijnë e shtohen. Prandaj, puna e këtij studiuesi shkencor në rrafshin gjuhësor ka bërë që lexuesit e sidomos shtresa intelektuale duke filluar nga nxënësit, arsimtarët, gazetarët shkrimtarët etj., etj., të përmirësohen në të folur dhe në të shkruar sepse kjo është e vetmja shpresë të ruhet gjuha jonë e bukur dhe me shumë vlerë…

Si duhet të shkruhet e të shqiptohet?...

Në këtë studim të thukët të Mr. Eroll Sejdiut vihen në pah gabimet në të shkruar e në të folur, mandej përdoren pa nevojë fjalë të huaja në vend të atyre shqipe.

Në shtresën e shoqërisë sonë e cila jeton në këtë nënqiell duke filluar nga qytetari i thjeshtë i pashkolluar deri te shtresa intelektuale e shoqërisë duke bërë një krahasim evident shohim se p.sh., tek shtresa jo e shkolluar si në të folur ashtu edhe në të shkruar shumë fjalë të huaja respektivisht nga gjuha serbe (sllave) e turke futen në leksikun e tyre dhe në të shkruar njëlloj, ndërsa te shtresa e shkolluar (intelektuale), futen fjalë e fliten në shumë raste nga gjuha angleze. Këtë e kemi parasysh sidomos te politikanët, shkrimtarët, gazetarët, televizionet ( të të cilave iu mungon lekturimi në masë të madhe), e që tani me këtë botim të radhës të autorit do të arrijmë t’ua ndalim hovin këtyre fjalëve të huaja.

Si duhet të shkruhet e të shqiptohet?

Mjaft mirë autori ka bërë shpjegime brenda kopertinave të këtij botimi të tij të radhës, ka marrë fjalë të huaja mënjanë dhe ka bërë shpjegimin e tyre në anën tjetër me shkronja më të theksuara që t’u bie në sy lexuesve të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë, e që së lexuari të librit do të bëhet edhe zhdukja e këtyre fjalëve të futura pa nevojë në gjuhën, drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin nga ana e popullatës së komunë sonë me rrethinë.

Me cilët tituj rrethohet ky studim?

Brendia e këtij libri shoqërohet me këta tituj me shembuj të thukët që autori ua ka servuar lexuesve të shtresave të ndryshme:/ Gjuha standarde/, /Baza dialektore e gjuhës standarde shqipe/, /Gjuha standarde shqipe/, /Nuk duhet prekur standardi i gjuhës shqipe/, /Të flasim e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare/,. /Përdorimi i fjalëve sllave në gjuhën tonë/, /Huazimet turke në gjuhën e folur shqipe/, /Disa vërejtje dhe sugjerime për mjetet e informacionit masiv/, /Reth përdorimit të drejtë të shkronjave të mëdha në gjuhën standarde shqipe/, /Iliro-albanizmat në gjuhën sllave/, /Rreth disa gabimeve të zgjedhjes së përcaktorëve gjatë përkthimit/, /Përdorimi i drejtë i pikës/, /Probleme gjuhësore në shkollat e Preshevës me rrethinë/, /Gabimet në të folmen raportuese arsimtar-nxënës/, /Gabime rreth përdorimit të parafjalëve TE dhe TEK nga nxënësit e shkollave të Preshevës/, /Përngjitja e fjalëve –problem kryesor te nxënësit/, /Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i disa fjalëve në gjuhën standarde shqipe/, /Disa gabime në përdorimin e trajtave foljore/, /Përdorimi i gabuar i emrave të gjinisë femrore/, /Ju falënderojmë apo ju faleminderojmë/, /Masmediat-problem me gjuhën/, /Paradigma e drejtë e zgjedhimit të disa foljeve/, / Kalket në gjuhën shqipe/, /Rreth shumësit të disa pjesëve të ligjeratës/, /Të shkruarit e emrave drejt në rasa/, /Rreth disa karakteristikave të së folmes së shqiptarëve të Preshevës me rrethinë/, /Kudrinori i drejtë/, / Togfjalëshi/ dhe /Figurat stilistike/.

Me këtë botim të radhës autori ka bërë një vazhdim të studimit të tij lidhur me të folmen, drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e fjalëve të Preshevës me rrethinë e që për këtë libër duhet seriozisht të merren edhe studiuesit dhe kritikët e gjuhës shqipe. Si i tillë ky libër i nevojitet nxënësit, studentit, arsimtarit dhe gjithë popullatës së Preshevës me rrethinë sepse sqarimet mund t’i kuptojë çdo shtresë e shoqërisë.

Kujtojmë se autori do të punojë edhe më tutje lidhur me shtjellimin e gabimeve të tjera si në të folur ashtu edhe në të shkruar në Preshevë dhe Luginë…