Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


K.S.U.SH: Letra të hapur për Berishën e Ramën

| E merkure, 23.05.2012, 05:51 PM |


KESHILLI STUDENTOR

Universiteti i Shkodrës

"Luigj Gurakuqi"

Dt.23-05-2012

LETËR E HAPUR

Drejtuar:   Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali BERISHA

Lënda:   Për çështjen aktuale politike të zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë

I nderuar Shkëlqesia Juaj,

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), me këtë letër të sinqertë u drejtohet Ju, liderit të së djathtës dhe mazhorancës qeverisëse shqiptare, duke shprehur mendimin se zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë duhet t'i kushtohet një vëmendje maksimale nga Partia Demokratike dhe qeveria që Ju kryesoni. Sipas opinionit të ndërkombëtarëve, zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit mbart me vete suksesin ose dështimin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj shprehim mendimin se Presidenti i Shqipërisë duhet të ketë një profil kombëtar, të vlerësuar dhe me konsensus sa më të gjerë nga përkrahja popullore dhe deputetët e parlamentit shqiptar.

Ne, studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi" shprehim bindjen tonë se zgjedhja e një presidenti, i cili përmbush kriteret e lartpërmendura është një siguri për të ardhmen demokratike integruese të vendit tonë.

Këshilli Studentor beson se figura të tilla si shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, kanë profilin e duhur për t'u ulur në pozicionin e të parit të shtetit. Ne, studentëve shqiptarë europian na intereson fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj zgjedhja e presidentit të vendit duhet të jetë një zgjidhje, e cila buron nga ndërgjegjia e thellë dhe përgjegjësia morale. Gjithashtu jemi të mendimit se dy forcat e mëdha të jetës politike shqiptare, PD dhe PS, duhet të ulen të bisedojnë dhe të vendosin në interes të integrimit të shqiptarëve një president me vlera kombëtare dhe që gëzon një mbështetje të gjerë popullore.

Zoti Kryeministër, në mbyllje të kësaj letre të shkurtër, Këshilli Studentor shpreson që të kenë mbetur sadopak vlera, përgjegjësi, ndërgjegje të pastra dhe moral fisnik brenda politikës shqiptare. Shumçka, në mos gjithçka varet personalisht nga Ju. Pra, jepjani mundësinë shqiptarëve dhe Shqipërisë që të kenë një president të tyren dhe jo një president për interesat politike të ditës. Le të shpresojmë se ju do të mund të gjeni zgjidhjen më të mirë të mundshme!

KRYETARI

Redan BUSHATI

____________

 

KESHILLI STUDENTOR

Universiteti i Shkodrës

"Luigj Gurakuqi"

Dt.23-05-2012

LETËR E HAPUR

Drejtuar:   Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi RAMA

Lënda:   Për çështjen aktuale politike të zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë

I nderuar zoti Rama,

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), me këtë letër të hapur dhe të sinqertë ju drejtohet Ju, liderit të së majtës shqiptare, duke shprehur mendimin se zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke qenë një çështje delikate dhe e komplikuar, duhet t'i kushtohet një vëmendje maksimale nga forca juaj politike. Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit mbart me vete suksesin ose dështimin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj shprehim mendimin se Presidenti i Shqipërisë duhet të ketë një profil kombëtar, të vlerësuar dhe me konsensus sa më të gjerë nga përkrahja popullore dhe deputetët e parlamentit shqiptar.

Ne, studentët e Universitetit "Luigj Gurakuqi" shprehim bindjen tonë se zgjedhja e një presidenti, i cili përmbush kriteret e lartpërmendura është një siguri për të ardhmen demokratike integruese të vendit tonë, Shqipërisë.

Këshilli Studentor beson se figura të tilla si shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, kanë profilin e duhur për t'u ulur në pozicionin e të parit të shtetit. Ne, studentëve shqiptarë europian na intereson fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj zgjedhja e presidentit të vendit duhet të jetë një zgjidhje, e cila buron nga ndërgjegjia e thellë dhe përgjegjësia morale. Gjithashtu jemi të mendimit se dy forcat e mëdha të jetës politike shqiptare, PD dhe PS, duhet të ulen të bisedojnë dhe të vendosin në interes të integrimit të shqiptarëve një president me vlera kombëtare dhe që gëzon një mbështetje të gjerë popullore. Është e domosdoshme që lidershipet e këtyre dy partive të shtrojnë për diskutim këtë çështje madhore, nga zgjidhja e secilës varet e ardhmja e shqiptarëve, dinjiteti i tyre dhe përgjegjësitë politike tuajat.

Në mbyllje të kësaj letre të shkurtër, e cila buron nga zemrat patriotike dhe mendjet intelektuale studentore, të cilat dëshirojnë një Shqipëri më demokratike dhe me sa më pak brenga e halle, Këshilli Studentor shpreson që të kenë mbetur sadopak vlera, përgjegjësi, ndërgjegje të pastra dhe moral fisnik brenda politikës shqiptare. Ne besojmë se ka dhe do të ketë elemente të tilla në politikën shqiptare që dinë të sillen dhe të veprojnë, atëherë kur nevojat e vendit kërkojnë përgjegjësi qytetare dhe pjekuri intelektuale. Le të shpresojmë në zgjidhjen më të mirë të mundshme!

KRYETARI

Redan BUSHATI