Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (IV)

| E diele, 20.05.2012, 07:03 PM |


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

Nga Dr. Nuhi Veselaj 

U përmand disa herë se                   

III. FaktoGRAFI rreth shtrirjes së përdorimit

                              të asnjanësve prejpjesorë 

                                        në gjuhën shqipe

1. Rreth qëndrimit jo të qartë teorik e praktik ndaj asnjanësve

                në shqipen e sotme letrare                                     

 

E thamë haptazi dhe paksa tërthorazi më sipër se shembujt e asnjanësve të përfshirë në FShS (2002), nëse nuk kuptohen si shembuj të vetëm e jo si shembuj përfaqësues, sidomos e kemi fjalën për tipin e asnjanësve me prejardhje prejpjesore, atëherë lënda e tillë del shumë e mangët dhe e varfër në raport me realitetin. Së këndejmi, kjo mosnjohje e realitetit, madje mund të krijojë apo mbase edhe do të ketë krijuar keqkuptime në përmasa jo të vogla tek një numër i konsiderueshëm të konsultuesve të Fjalorit në fjalë. Kështu po themi, ngase një manifestim i tillë, në njëfarë mënyre, del i shfaqur subjektivisht te mjaft kuadro, të vjetër e të rinj: gazetarë e përkthyes, arsimtarë, kritikë e krijues letrarë e të tjerë, deri edhe tek disa hartues fjalorësh dygjuhësh (shqip-gjuhë e huaj dhe anasjelltas). Me fjalë të tjera del i shfaqur një keqkuptim i tillë i realitetit edhe te disa kuadro që nuk mund të konsiderohen joprofesionistë nga vendi i punës ose për punët e detyrat që i kryejnë ose për pozitat që zënë në shoqëri dhe konkretisht këtë qëndrim e ndeshim të zbatuar mjaft dallueshëm pas viteve ’70 të shekullit të kaluar në disa burime tona normative (andej e këndej), sepse në ato burime leksikografike dhe përgjithësisht asnjanësit nuk dalin të favorizuar sa do të duhej, kur kemi parasysh realitetin ligjërimor, nga i cili, gjithsesi  ofrohen  në vazhdimësi edhe mjaft shembuj të rinj e atraktivë, të cilët në kuadër të strukturës shprehëse dalin pothuajse të pazëvendësueshëm. Ndërkaq, ndonëse si të tillë, nuk figurojnë në burimet përkatëse normative (!). Si fakt më konkret që jeta ofron shembuj të rinj po përmendim rastin se vetëm në revistën  Seminari...25/1 Prishtinë 2007 manipulohet me mbi 40 raste asnjanësish. Aty i ndeshim edhe këta shembuj që nuk dalin të shënuar në Fjalorin e shqipes së sotme (2002): të nxënit, të emërzuarit, të lexuarit, të jetuarit, të kënduarit  e ndonjë tjetër. 

Pra nuk është i drejtë mendimi se mungesa e numrit të konsiderueshëm të asnjanësve në fjalorët përkatës lidhet me mungesën e tyre në realitetin tonë gjuhësor. Madje ka individë që këtë mungesë të asnjanësve në fjalorët përkatës e shprehen me ekstremin tjetër, gjoja se kjo dukuri, është fjala për mungesën e përfaqësimit, mund të arsyetohet (hamendshëm) se gjoja ashtu është vepruar, sepse shembuj të tillë kanë shtrirje aq të gjerë, sa që kjo rëndomtësi s’ka nevojë të theksohet a të shënohet veçan në burime të caktuara, ngase do ta rëndonte pa nevojë fjalorin përkatës(?!).

Sido që ta marrësh, për mendimin tonë, veprimet e tilla rreth anashkalimit të asnjanësve të paranyjëzuar në burimet përkatëse nuk dimë si mund të arsyetohen, qoftë nga autoritetet tona të larta gjuhësore, qoftë nga hartuesit e fjalorëve normativë përkatës, sidomos e kemi fjalën për ata autorë shqipfolës hartues fjalorësh  (pas viteve të ’70-a), të cilët edhe e kishin domosdo të ravijëzuar trashëgimisht tipin e asnjanësve të tillë në sistemin e tyre ligjërimor.

Për një dukuri të tillë pasivizimi të asnjanësve, sipas gjase kanë ndikuar mendimet e disa studiuesve tanë, mendimet e të cilëve u cekën pak a shumë në fillim të këtij punimi, por aq më tepër ndoshta do të ketë ndikuar edhe mendimi i prof. A. Kostallarit i shprehur që në vitin 1967 në punimin e tij monografik:”Parimet themelore  për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku në kreun e tretë A te Struktura e fjalorit, pika 15, kryerreshti i dytë theksonte:

a)      Emrat participorë asnjanës e femërorë që kanë kuptimin e procesit të veprimit ose të rezultatit të veprimit nuk do të jepen për çdo folje, por në mënyrë të kufizuar. Zakonisht ato me të njëjtin kuptim, p.sh. të vjellët, të bëra e të pabëra etj.;

b)      kur i kundërvihen emrit parashtesor nga pikëpamja e kuptimit ose e ndonjë nuance kuptimore (krh, thënje dhe e thëna,, dhënje dhe të dhënat etj.);kur i kundërvihen emrit parashtesor nga pikëpamja e përdorimit (krh. p.sh.”shtënja në përdorim” dhe vras dy zogj me një të shtënë” etj);

ç)   kur janë diferencuar e veçuar në  gjuhën letrare nga tipat

      prapashtesorë dhe kanë fituar kuptim e përdorim terminologjik   

     (krh. në filozofi mendimi e të menduarit, procesi i të menduarit

     etj.). (Shih: Studime mbi leksikun...II, Tiranë 1972, f. 49.)

           

            Siç po shihet nga teksti i mësipërm, vetëm pika a) pjesërisht dhe pika ç) tërësisht, kanë të bëjnë me asnjanësit e paranyjëzuar, ndërsa dy pikat e tjera te pika a) pjesërisht vlejnë për femërorët e paranyjëzuar abstraktë, tipi e mira të mirat.

Lidhur me mendim-propozimin e tillë, paksa konfuz, të prof. A. Kostallarit pati reaguar me kohë prof. A. Xhuvani, i cili ndër të tjera pati theksuar:

...Krahas  me këto (formimet me –im e –je n.v.) duhet të regjistrohen në fjalor edhe gjithë emrat mashkullorë ose femërorë p.sh. e ftohta dhe të ftohtit, e zbehta dhe të zbehtit, e bukura dhe të bukurit, e dalmja e dalura dhe të dalët, e folmja dhe të folurit a të folët, e pamja dhe të pamët a të parët, e lidhura dhe të lidhurat,  e ardhmja dhe të ardhurit a të ardhunit, e vena dhe të venët, të pyeturit dhe pyetja, të përgjigjurit dhe përgjigja, e ngrëna dhe të ngrënët etj. Këta emra janë të gjuhës së folur popullore dhe janë përdorur prej rilindësve... Pse ka marrë hov të madh në praktikën e sotme të gjuhës përdorimi  i emrave sufiksorë me –im e –je, nuk do të thotë se emrat e substantivuar prej mbiemrash e foljesh të përdorur edhe këta në gjuhën e folur e të shkruar, të mos zënë vend në “Fjalor të gjuhës shqipe” ose të zënë vend të kufizuar, sikurse kuptohet nga ajo monografi”. (Shih  Studime mbi leksikun ...II, Tiranë 1972, f. 124.)

 

Siç po shihet nga dy insertet (pasuset) e sipërcituara nuk ndahen mirë kuptimisht asnjanësit nga emrat e substantivuar femërorë e mashkullorë, madje prof. A. Xhuvani nuk i përmend fare shembujt përkatës si asnjanës, por i quan vetëm si emra abstraktë të gjinisë mashkullore, ndërsa prof. A. Kostallari, pothuajse i njëjtëson (i përzien) funksionalisht te shembujt përkatës: substantivat prejpjesorë të nyjëzuar asnjanës me femërorët e paranyjëzuar abstraktë. Mjerisht një përzierje të tillë e ndeshim edhe në ndonjë shkrim të studiuesve të rij që rrahin çështje ti tilla.

Sidoqoftë, mendim-rekomandimi i prof. A. Kostallarit, i kuptuar sipërfaqësisht, mbase edhe i keqkuptuar si rekomandim uniform, për njerëz të uniformëzuar të kohës, do të ketë ndikuar që përgjithësisht edhe në burimet leksikografike të botuara më vonë, numri i asnjanësve, të jetë sadokudo, i reduktuar ose pa shembuj të rij. E thamë të keqkuptuar, sepse nuk duam të besojmë se ai (profesori i nderuar A. Kostallari) i kishte zhvlerësuar tërësisht në atë kohë konstatimet rreth asnjanësve, siç u cekën në fillim të këtij punimi, ngase vepra “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”, qe botuar nën bashkautorësinë dhe përkujdesjen e tij, përkatësisht nën drejtimin dhe redaktimin e tij. Madje, prof A. Kostallari, në një vend tjetër, pikërisht lidhur me zëvendësimin e asnjanësve me emrat e prejardhur me –im dhe -je  tërhiqte vërejtjen si vijon:

“Po kjo prirje tipologjike në strukturën fjalëformuese nuk duhet ngatërruar me përdorimin e emrave asnjanës të paranyjëzuar e sidomos të atyre prejfoljorë në shqipen e sotme ngase përdorimi i tyre në raste ... është edhe sot në normë, ndërsa zëvendësimi i tyre me emra prejpjesorë (prapashtesorë) me -im ose –je  që vihet re nganjëherë është i papranueshëm nga norma”. (Shih: Studime mbi leksikun...III, Tiranë 1981.)

 

Pra, vërejtja e prof. A. Kostallarit rreth nënfushave përkatëse semantike të asnjanësve ka vlerë edhe sot, prandaj e thamë se mendimi i mëparshëm i tij për mospërfshirjen e një numri më të madh të asnjanësve në fjalorët përshkrues normativë, mbase për arsye thjeshtëzimi a ku ta dimë, do të jetë keqkuptuar.

Para se të kalojmë në analiza të tjera do të përmendim në vijim disa nga burimet leksikografike të me të hershme e më të vonshme, në krahasim me botimet zyrtare të pas viteve të ’70-a, ku paraqitja e asnjanësve përkatës del, si me thënë, jo e plotë ose e diskutueshme për nga numri i përfshirjes. Si burime më të hershme do të përmendim disa tekste burimore si faktografi që nga Rilindja e këndej si dhe disa nga botimet e më vonshme, për të fituar kështu idenë se si ishte gjendja e asnjanësve në periudha të caktuara, kur asnjanësit, sidomos të paranyjëzuarit, si me thënë,  herë frymonin lirshëm  e herë jo aq. Është fjala për etapën e diskutueshme prej nesh, pa harruar edhe burimet e viteve të fundit, pas vitit 2002, kur mbase si reaksion ndaj qëndrimit inert në fazën e diskutueshme prej nesh, ndodhi, si të thuash, edhe ndonjë dukuri paksa shpërthyese rreth përfshirjen enorme të asnjanësve, jo gjithherë funksionalë e në përshtatje me zhvillimin e sotëm. 

 

2. Rreth përfshirjes së asnjanësve në disa burime të caktuara

                        leksikografike të gjuhës sonë

 

Në vazhdim, pra, duke shëtitur kronologjikisht nëpër titujt e disa burimeve leksikografike, fare shkurtazi, do të përmendim kalimthi praninë e asnjanësve, duke cekur edhe ndonjë veçori tjetër karakteristike gjuhësore të burimit përkatës.

 

 1) Në Fjalorin  e K. Kristoforidhit ku janë të regjistruara mbi 100 asnjanës për nga numri mbizotëron tipi i prejpjesorëve si dhe i prejmbiemërorëve ndaj asnjanësve primitivë burimorë, çka na jep për të kuptuar se rrudhja e përdorimit të asnjanësve të mirëfilltë primitivë kishte filluar më herë se kjo periudhë që i takon fundit të shekullit XIX. Natyrisht në këtë burim ndeshin edhe trajta të shënuara në gegërishte dhe në toskërishte. Ndahet me vizël trajta e shquar  me -të si p.sh. të ngjyemi-të / të ngjyerë-itë etj., mbase nën ndikimin e  ortografisë së emrave të tillë nga shkrimtarët tanë të vjetër (Budi, Bardhi, Bogdani).

 

2)  Edhe në Fjalorin e “Bashkimit”, janë përshirë mjaft asnjanës që me marrë numerikisht janë disa dhjeta më shumë nga fjalori e sapopërmendur i K. Kristoforidhit. Në këtë burim mbizotërojnë po ashtu shembujt e tipit të prejpjesorëve, të cilët shënohen në të dyja trajtat, por më shumë në trajtën e pashquar. Që të gjithë shembujt janë shënuar në dialektin e gegërishtes (shkodranishtes), madje edhe nyja e përparme (në emëroren e shquar shënohet pa –ë-në fundore. Krahaso: t’ajmit, t’çamit, t’cnuem, t’cofun, t’llaptuem, t’kuptisun, t’qekunit, t’qejnuemit, t’qitunit, t’qethunit, t’murmruem, t’skajuem, t’pruum, t’shaam, t’shpejtuem, t’shpeshtuem, t’teshun, t’trakulluem etj. Asnjanësit prejmbiemërorë, me sa pamë, nuk shënohen veçan nga mbiemrat a prejmbiemërorët e tjerë.

 

3) Edhe në Fjalorthin e N. Gazullit, ku paraqitet lëndë nga viset e Gegnisë ndeshim disa asnjanës si në Fjalorin e Bashkimit, por tash ndiqet ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila u mbështet edhe në Kongresin e Lushnjës (1920). Nyja e përparme shënohet e plotë përgjithësisht. P.sh. të kaluem-t, të dhanun-t të shtimë-it, të ranë-t etj.  Nuk gabohet nëse thuhet se Fjalorii i N. Gazullit karakterizohet me përdorimin e asnjanësve si dhe  të paskajores së mirëfilltë me + pjesore.

 

4) Pas Fjalorit të N. Gazullit po e radhisim Fjalorin e Tahir Dizdarit  (Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë 2004), i cili, ndonëse i përfunduar nga fundi i viteve ’60-a të shekullit të kaluar, kur njësimi i letrarishtes mbi bazë të toskërishtes konsiderohej i kryer, gjuha e autorit dhe e krejt veprës del si vazhduese e gjuhës letrare mbi bazë të gegërishtes, sipas ndikimit të vendimeve të Komisisë Letrare të Shkodrës (1917) dhe Kongresit të Lushnjës (1920).

Si veçori karakteristikë të gjuhës së kësaj vepre mund të veçojmë këto tri fakte:

    pari, shembujt ilustrues autori i ka marrë nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke përfshirë edhe veprën letrare të Gj. Fishtes,

së dyti, autori e ka përdorur fare natyrshëm paskajoren e mirëfilltë me + pjesore si barasvlerës të infinitivave jo vetëm të gjuhëve të familjes indoevropiane (persishtes, sllavishtes etj), por edhe të gjuhës turke (si gjuhë aglutinante uraloaltaje) dhe të gjuhës arabe (si gjuhë semite), por edhe në gjuhën e vet autoriale.

së treti, ndonëse paskajoren e mirëfilltë e ka përdorur edhe për mbulimin e disa koncepteve abstrakte, të cilat mbulohen edhe me asnjanësit prejfoljorë, ai megjithatë në veprën e tij ka manipuluar me mbi 100 asnjanës, të cilët zakonisht dalin brenda togfjalëshave përkatës, si p.sh.:

 

të dhanunit e fjalës, të marrunit nëpër gojë, të shkuemit për sajdi, të përmbytunit e botës, të shikuemit me kureshtje etj, ose vepri (veprimi n.v.) e të dalunit (të zbuluesit, të shtyemit, të gjetunit etj. ose dukunia a mënyra  e të punuemit, zanati i të qepunit,  friga e të rrëzuemit, lezeti i të ngranmës, ose një të ecun me kali etj.

. 

Siç po shihet shembujt janë të shënuar në gegërishte, mirëpo në atë vepër ndeshim edhe ndonjë shembull të tillë të shënuar në toskërishte si p.sh: të pshuarit (të shfryerit), të hequrit, të bitisurit  e ndonjë tjetër.

Pra, siç po vërehet, nga gjuha e T. Dizdarit (1900 -1972), i cili ishte punonjës i Institutit të gjuhësisë të Tiranës kuptojmë se në atë Institut vazhdonte të përdorej gegërishtja edhe pas  LDB-së deri në vitet ’50 - ’60 jo vetëm nga prof. A. Xhuvani, por edhe nga punonjës të tjerë, siç ishte edhe T. Dizdari.

 

5) Pra kjo trashëgimi e ish shqipes letrare mbi bazë të gegnishtes që vazhdoi si të themi zyrtarisht deri në vitet e ’40-a të shekullit të kaluar, përkatësisht pas LDB-së, po që ndërroi kahe që në vitet e para pas LDB-së, duke dalë i favorizuar shkallë-shkallë dialekti i toskërishtes, siç shihet edhe nga gjuha sqaruese Fjalorit serbokroatisht -shqip (grup autorësh, Tiranë 1948), ku shihet qartë animi drejt toskërishtes  edhe në trajtat shkrimore të asnjanësve. Pra si veçori e këtij Fjalori (1948) është se tashti, mbizotëron letrarishtja mbi bazë të toskërishtes. Po përmendim faktin se aty ndonëse mbizotërojnë trajtat e toskërishtes, nuk mungojnë edhe trajta të gegërishtes, por vetëm  për disa shembuj të tillë shënohet sigla (g), d.m.th. trajta dialektore gege. Edhe në këtë burim mbizotërojnë barasvlerësit asnjanës të shqipes në trajtën e shquar dhe numri i tyre është relativisht i madh.në krahasim me gjendjen në Fjalorin e shqipes së sotme (2002).

 

6) Pothuajse e kundërta ndodh, sa i përket gjuhës dialektore ose variantit letrar, në Fjalorin e Henrik Bariçit me titull Fjalor i gjuhës serbishte ose kroatishte dhe i shqipes (a-o) (Zagreb 1950), sepse në këtë burim mbizotëron pothuaj tërësisht varianti i gegërishtes, edhe pse aty-këtu ndeshim ndonjë trajtë-fjalë me rotacizim, si p.sh. djalëri, arshikri, ndonjë folje me paskajoren e mirëfilltë me + pjesore, por të toskëzuar me -r-në karakteristike, si: me u kurvërue (kurvënue) me dashurue (me dashtë, me dashunue), si dhe asnjanësi të paralajmëruar-it (të paralajmëruem-it). Autori njeh emrat e veprimit me -im dhe me -je, por këta për nga numri janë shumë më të paktë në krahasim me asnjanësit e paranyjëzuar përkatës sinonimikë, të shënuar mbi temë të njëjtë fjalëformuese. Asnjanësit a shembujt e tillë janë me qindra. Sa për ilustrim po i shënojmë nja tre-katër shembuj:

 

dubljenje – të dhenun-it, të gërmuem-it, të gërryem-it, të lugosun-it, të biruem-it (birim-i), të ndejunit në krye;

grçenje – të gërmuqun-it, të cenguem-it, (cengim-i), të garravaçuem-it, të galucuem-it, të drynuem-it;

ljutnja – hidhënim-i, zemërim-i, acari--ja, egërsim-i, të ashpëruem-it, bufitje-a, të dufitun-it, inat-i;

diranje – prekje-a, prekë-a, ngucë-a, gërgim-i, të gërgam-it, ngallmim-i, gëzatë-a, gëzmim-i, cytë-a, të cytun-it, dukuni-je-a, të dukunisun-it.

 

Siç po shihet nga shembujt e sipërm autori e ndan shquarsinë  e emrave të numrit njëjës të tri gjinive, ndërsa nyjë-mbaresën e shumësit nuk e shënon fare.

Sidoqoftë, te ky burim ndeshim forma të ndryshme emërformuese, veç tjerash edhe mjaft raste të emrave prejpjesorë pandajshtesorë, si: prekë-a, ngucë-a, gëzatë-a, cytë-a pastaj: dhanë-a, falë-a,  bindë-a,  ethë-a,  përmbysë-a, pasë-a etj.

 

7) Në Fjalorin serbokroatisht-shqip të Sokol Dobroshit, (Prishtinë 1953), i cili ka luajtur rol shumë pozitiv në ruajtjen sadokudo të gjuhës shqipe edhe në administratën  e përkthyer të kohës dhe në vazhdimësi te ne, si barasvlerës të emrave asnjanës foljorë të serbokroatishtes të tipit me –a/nje ose –e/nje dalin të shënuar në shqipe afro 2000 shembuj asnjanësish, kryesisht mbi bazë pjesoreje. Kuptohet se, pothuajse, që të gjithë janë shënuar sipas variantit të gegërishtes, duke e respektuar ortografinë e kohës mbi këtë bazë. Pothuaj që të gjithë shembujt janë shënuar në trajtën e pashquar, mënyrë kjo që, siç do të shohim, nuk do të praktikohej në fjalorët e tjerë, me ndonjë përjashtim.

 

7) Në Fjalorin rusisht–shqip, Moskë 1954 (rib. Prishtinë 1966), nën redaktimin e A. Kostallarit (rib. Prishtinë 1966) ndeshim me qindra asnjanës prejpjesorë e prejmbiemërorë. Trajtat janë shënuar tërësisht mbi bazë të variantit të toskërishtes letrare. Si trajtë përfaqësuese mbizotëron njëjësi i shquar. Bie në sy fakti se ka më shumë raste që shënohet vetëm asnjanësi i paranyjëzuar, d.m.th. i pashoqëruar me prapashtesorët sinonimikë të tipit me –im ose –je. Në këtë burim bie në sy gjithashtu se prapashtesorët shënohen vetëm për kuptimin e dytë d.m.th. vetëm kur del, si me thënë, i formëzuar koncepti i emërzimit të rezultatit të veprimit, por përgjithësisht përherë asnjanësit zënë vendin e parë ndaj prejpjesorëve të prejardhur. Ka edhe veçori të tjera me interes në raportin gjuha ruse (sllave) ndaj gjuhës shqipe, njëra prej tyre si më e rëndësishme, për mendimin tonë, del fakti që po e veçojmë: asnjanësi i shqipes nuk del kurdoherë si barasvlerës i asnjanësit të rusishtes, madje nuk janë të rrallë shembujt, kur asnjanësi i shqipes del si barasvlerës edhe për emra, qoftë të gjinisë femërore, qoftë të asaj mashkullore të rusishtes. Po e ilustrojmë këtë të vërtetë me këta dy shembuj:

odvod m. – të shpuarit, të hequrit,  të larguarit; të mospranuarit, të refuzuarit;

zatjazhka f.  - të zgjaturit, zgjatje; të hequrit, të thithurit.

 

Nga shembujt e tillë konstatojmë edhe diçka tjetër me shumë interes se shumimi asnjanësit të shqipe (siç ishte në Fjalorin e S. Dobroshit) nuk është pasojë e ndikimit të serbokroatishtes, por ishte dukuri e zhvillimit të brendshëm të gjuhës sonë, ngase asnjanësit tanë do të kenë lindur a do të kenë pasur përdorim shekuj para se shqipja të ketë kontaktuar me gjuhët sllave e neolatine.

Këtu është vendi, për mendimin tonë të përmendim konstatimin me vend të prof. Idriz Ajetit se “huazimet e gjuhës shqipe me gurrë sllave e riogreke duan veçuar nga huazimet lashtogreke e latine, sepse asnjanësit sllavë e riogrekë nuk u pasqyruan në neutra” në gjuhën shqipe. (Vepra e cit .f. 94.) Po ky fakt u vërtetua,  pra, edhe me shembujt tanë ilustrues.

 

9) Në Fjalorin terminologjik serbokroatisht-shqip (grup autorësh), Prishtinë (1961), të gjithë asnjanësit dalin të shënuar në trajtën e shquar, kuptohet edhe këta në variantin e gegërishtes letrare, p.sh., prejmbiemërorët: të nxehtit, të randët, të ftohët, të fikët, të pakë etj.; prejpjesorët: të ndëgjuemit, të shijuemit, të mësuemit; të pamit, të ndymit, të bamit, të  qenunit, të ulunit, të prekunit,  të rrahunit  etj.

 

10) Natyrisht botimi i Fjalorit të gjuhës shqipe (1954) edhe lidhur me asnjanësit paraqet interes tejet të rëndësishëm. Në këtë burim, me sa pamë, ndeshim të shënuar afro 60 shembuj asnjanësish, prej të cilëve  nja 10 janë asnjanës të paparanyjëzuar (të mirëfilltë), mbi 20 prejmbiemërorë dhe afro 30  janë prejpjesorë. Disa prej tyre janë shënuar në variantin e gegnishtes letrare si: të hasunit, të pakunit, të pamët (!), pasi paraqitnin koncepte të veçanta, të paplotësuara me trajtat e toskërishtes. Ndonëse dalin mjaft mbiemra të shënuar në gegërisht si: i kenuni,  të kenun-it,  i shnjerëzuemi, të shnjerzuemit, i shëmtueti, të shëmtuetit,  asnjëri prej tyre nuk del i cilësuar edhe si asnjanës. Me këqyrë hollë e hollë, prejmbiemërorët dhe prejpjesorët dalin të regjistruar në zëra pothuajse  të përafërt, ose edhe të barabartë dhe në numër relativisht të vogël, mirëpo sa i përket realitetit duhet theksuar, në mënyrë të veçantë, se në atë Fjalor manipulohet me mbi 1000 shembuj asnjanësish kryesisht prejfoljorë, të cilët janë përdorur si fjalë sqaruese brenda tekstit përkatës që jepet lidhur me përkufizimet e fjalëve a të koncepteve përkatëse. Të mbahet mend se të gjithë asnjanësit prejpjesorë, me të cilët manipulohej në sqarimin e fjalëve në fjalorin përshkrues  FGJSSH (1980)  dhe FSHS 1984, 2002,  nuk futen më në veprim, sepse sqarimi tani bëhet me trajta foljore, veta e parë njëjës e mënyrës dëftore e jo me asnjanës.

Në përgjithësi shihet njëfarë konsolidimi i trajtave të asnjanësve edhe drejtshkrimisht edhe përmbajtësisht, prandaj  ky material  është shfrytëzuar, përkatësisht del i shënuar (kopjuar), me ndonjë përjashtim, edhe në fjalorët e tjerë të mëvonshëm. Tashti po i përmendim nja tri raste përjashtimi që nuk dalin të shënuara në FShS (2002): të përqethët, të prirët, të përthyerit (ky i fundit cilësohet si term në fizikë). Sa i përket trajtës përfaqësuese vazhdon një larushi, por megjithatë, mund të thuhet se mbizotëron trajta e shquar si trajtë përfaqësuese.

 

11)  Fjalorin serbokroatisht - shqip, grup autorësh, botim i IA të Prishtinës, (1974, rib, 1986) respektohet drejtshkrimi i pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), përkatësisht ndiqet, pra, drejtshkrimi i njëzuar i vitit 1973. Në këtë burim mbizotëron trajta e shquar ndaj së pashquarës, por kjo ndërdyshje trajtë e shquar / trajtë e pashquar dallon nga autori në autor. Sa i përket numrit të asnjanësve mund të thuhet se është shënuar numër i konsiderueshëm i tyre. Në këtë burim përgjithësisht asnjanësi nuk del i injoruar në krahasim me trajtat përkatëse sinonimike të emrave të veprimit me prapashtesat –im ose –je. Një injorim i tillë vërehet në fazat e pak mëvonshme, kur në përgjithësi shprehej njëfarë rezerve lidhur me të shënuarit e trajtave të asnjanësve. Këtë që e thamë po e ilustrojmë me një fakt që lidhet me Shtojcën që i është bërë këtij Fjalori me rastin e ribotimit, 12 vjet më vonë. Në këtë Shtojcë mbizotërojnë emrat e veprimit me prapashtesim, por dalin të shënuar vetëm nja 20 shembuj asnjanësish të paranyjëzuar, nga të cilët si më karakteristikë po i përmendim shembujt, d.m.th. të shënuar në trajtën e shquar, në njërën anë, si: të niveluarit, të nivelizuarit, të ngurtësuarit, të programuarit, të shmallkuarit e ndonjë tjetër, por edhe vetëm  në trajtën e pashquar, në anën tjetër, si të rrafshuar, të respektuar, në anën tjetër. Një larushi të tillë e ndeshim veç Shtojcës edhe në brendinë e Fjalorit në fjalë dhe për tipa prejfoljorësh të tjerë. Në këtë burim që nuk është rast i vetëm, bie fjala, për barasvlerësin e serbokroatishtes rastenje dalin të shënuara të dyja trajtat veç e veç: të rritur dhe të rriturit (f. 705) e jo si një  fjalë e vetme me nyjë-mbaresën e ndarë me vizël nga trajta e pashquar: të rritur-it.

Nuk e shohim të arsyeshme të përmendim edhe raste të tjera të diskutueshme, edhe pse nuk janë të pakta, po tash po përmendim një çështje tjetër që zgjon interes Bie në sy, gjithashtu, se asnjanësi i nyjshëm i shqipes, siç e pamë edhe në Fjalorin rusisht –shqip, përdoret nganjëherë edhe si barasvlerës togfjalësh edhe për ndonjë emër të gjinisë femërore të serbokroatishtes me –ost fundor, si p.sh.:

progresivnost – të qenët progresiv, akromatiçnost – të qenët akromatik, rastvorenost – të qenët të shkrirë, desnorukost – të qenët djathtak,  raspolozhivost – të qenët në qejf etj. 

 

Pra asnjanësi i shqipes (në togfjalësh); përdoret edhe për shembuj të gjinisë femërore me –ost fundor të asaj gjuhe. Po shtojmë edhe këtë se zakonisht koncepti i emrave më --ost të serbokroatishtes  (të gjuhëve sllave) në shqipe ka si barasvlerës emrat me –shmëri të shqipes, p.sh,.

rastvorenost – shkrishmëri, kurse në huazime ka barasvlerësi me emrat  me  –itet fundor progresivnost – pogresivitet, e kështu me radhë.

 

Sigurisht mund të përmenden edhe çështje të tjera që dallojnë, siç u tha, edhe nga autori në autor, por si veçori, po përsërisim edhe njëherë, se në këtë burim është përfshirë numër i konsiderueshëm i asnjanësve, gjë që ndryshon paksa kjo praktikë në versionin tjetër të fjalorit shqip-serbokroatisht të hartuar pothuajse nga autorët e njëjtë.

 

12) Në Fjalorin shqip-serbokroatisht  të Mikel Ndrecës (Prishtinë, 1976), duke pasur parasysh fondin jo të madh të fjalëve ndeshim numër jo të vogël asnjanësish, afro 50 sish. Gjithsesi barasvlerësit serbokroatisht e ndërsjellazi dalin të qëndrueshëm. Megjithatë zgjon interes fakti se aty  b.f. shënohen dy trajtat të asnjanësit të shqipes mbi temën e njëjtë: të qeshët (pjesore e shkurtër) dhe të qeshurit (pjesore e zgjeruar) që aty jepen në serbokroatishte me barasvlerës të njëjtë: smeshanje dhe osmeh. Në këtë burim bien në sy edhe trajta gege të pakunit, d.m.th. veç trajtës letrare të pakëtit, pastaj edhe trajtat drejtshkrimisht të diskutueshme: të pamë–it, të thermë-it (në vend: të pamë-t, të thermë-t), po marrë në përgjithësi asnjanësit janë paraqitur konsiderueshëm.

 

13) Veç këtyre, për ne siç u cek pak më parë, edhe më shumë interes, zgjon lënda e asnjanësve e përfshirë në Fjalorin shqip-serbokroatisht, Prishtinë (1981). Ky fjalor mjaft voluminoz për kohën, te ne ka shërbyer shumë pozitivisht për mirëmbajtjen dhe kultivimin e letrarishtes së shqipes në administratën  e  ringjallur dygjuhësore e më gjerë. Duke e konsideruar këtë Fjalor si burim normativ, edhe lëndën sa u përket asnjanësve e konsultuam më vëmendshëm.

Edhe në hartimin e Fjalorit në fjalë sa u përket asnjanësve vërehet lehtë qëndrimi jo i qartë ose kryesisht jofavorizues i shumicës së  hartuesve, që përputhet me atmosferën jo favorizuese rreth asnjanësve që mbretëronte në botimet e Tiranës në atë kohë. Supozojmë se ndoshta pas mendim-rekomandimit të përmjegullt ose të keqkuptuar nga të shprehurit e prof. A. Kostallarit dhe të tjerëve, siç e pamë në Konstatimet hyrëse të këtij punimi, tek autorët tanë ishte e pranishme njëfarë rezerve ndaj asnjanësve të shqipes. Sidoqoftë, ndoshta edhe ky ishte shkaku që hartuesit tanë, nuk e kishin lehtë, pra, të vendosnin, ngase ishin të ballafaquar me dy skajet, në njërën anë me realitetin, ku asnjanësit paraqiteshin shumë të gjallë në jetën tonë gjuhësore dhe në anën tjetër, duke pasur në dijeni konstatimin jo favorizues që u bëhej, si me thënë, subjektivisht gjithandej emrave të tillë në burime të caktuara.   Sidoqoftë, ndërsa prof. Mehdi Bardhi hartues i materialit për shkronjat: A, B. C, Ç, D, DH, E, Ë, F është mjaft dorëlirë, ngase shënon numër të konsiderueshëm asnjanësish, afro 70 sish, pothuajse të gjithë mbi bazë foljore (prejpjesorë) të cilëve u shënon dhe e barasvlerësin sinonim me prejardhje të shqipes veçan, të tjerët si Abdullah Zajmi, hartues i materialit  për shkronjat L, LL, M, N, NJ, P, Q, T, U, V është paksa më i kursyer me asnjanësit. Vërtet, shënon disa asnjanës në zëra të veçantë, por ka mjaft raste që ata i fut në kllapa pas prejpjesorit përkatës të veprimit me –JE ose –IM, si: pallje (të pallurit), pohim (të pohuarit) etj., duke u dhënë kështu përparësi formave të prejpjesorëve sinonimikë me prapashtesat përkatëse, d.m.th. emrave të veprimit ndaj asnjanësve të nyjshëm përkatës. Edhe Sulejman Drini për shkronjat G,GJ, H, I, J, K, shënon disa asnjanës, por edhe ky është mjaft i kursyer e dorështrënguar, sidomos tek prepjesorët asnjanës. Prof. Latif Mulaku, hartues i materialit për shkronjat O, R, RR nuk e rrudh fort dorën në paraqitjen e asnjanësve edhe atyre prejpjesorë, por edhe ky asnjanësit i vë zakonisht nën hije të emrave sinonimikë të prejardhur, ngase si trajtë sinonimike parësore e vlerëson emrin e veprimit me prapashtesën përkatëse me –im ose me –je e në kllapa vendos sinonimin asnjanës të nyjshëm. Kështu me një veprim të tillë, si me thënë, jep për të kuptuar se e përqafon subjektivisht pasivizimin e asnjanësve përkatës, pasivizim ky që del edhe më haptazi nga prof. Gani Luboteni, hartues i lëndës për shkronjat SH, TH, ashtu si edhe nga Sitki Imami, i cili  trajton  materialin për shkronjat S, X, XH, Y, Z, ZH dhe veç ndonjë rasti si të zbehurit, të zitë ose zdrypje (të zbriturit) nuk shënon asnjë shembull tjetër asnjanësi të nyjshëm prejpjesor të paranyjëzuar.

 

14) Edhe hartuesit e fjalorëve të tjerë dygjuhësh të hartuar pas viteve të ’70-a kanë ndjekur kriterin e Fjalorit të shqipes së sotme, d.m.th. numri i asnjanësve del i kufizuar, ngase u janë dhënë përparësi emrave sinonimikë të veprimit me prapashtesat përkatëse Është interesant se edhe në aktivitete të ndryshme rreth gjurmimeve gjuhësore shkencore asnjanësit nuk i vërejnë fort, madje nuk i shënojnë mjaftueshëm as disa nga mbledhësit e folklorit ose vjelësit e fjalëve të reja, edhe pse në bazë, siç dihet, siç e dëshmon edhe prof. A. Zymberi, ndeshin mjaft shembuj të tillë, që nuk figurojnë në fjalorët tanë përshkrues normativë. Po e përmendim si shembull Fjalorin e fjalëve të reja të Ali R. Berishës,  Klinë 2006, ku nuk shënohet asnjë fjalë  e re nga asnjëri tip i asnjanësit. 

Meqenëse, siç dihet, gjuha jonë është plot e përplot me shembuj të tillë dhe që përdoren fare natyrshëm nga të gjitha shtresat e shoqërisë sonë dhe nuk dalin të shënuar në FShS, atëherë mendojmë se hartuesve të fjalorëve ose mbledhësve të fjalëve të reja dhe sidomos studiuesve të profileve përkatëse, duhet t’u tërhiqet vërejtje që të kenë parasysh edhe tipat e asnjanësve dhe t’i shënojnë dhe t’i përdorin sa herë që këtë e kërkon konteksti.

 

15) Për ekzistimin e asnjanësve në gjuhën shqipe në përgjithësi, nuk dëshmojnë vetëm fjalorët dialektorë ose lënda përkatëse e vjelë së voni e folklorit tonë, por kjo dëshmohet katërçipërisht edhe nga Fjalori i gjuhës shqipe i Mehmet Elezit (Tiranë 2006), ku dalin të regjistruar në zëra të veçantë mbi 1000 (njëmijë) asnjanës, ndërsa në sqarime numri i tyre del edhe më i madh. Sidoqoftë, shumica prej tyre janë të gjallë në sistemin tonë ligjërimor, por ka edhe raste që autori i ka vjelë në burimet përkatëse nga e kaluara, të cilët nuk kanë sot për sot përhapje të gjerë, madje mbase edhe të ardhme përdorimi në atë trajtë

Po e theksojmë edhe një veçori tjetër të këtij burimi. Shumica e shembujve, ndonëse të vjelë nga trevat e gegërishtes ose nga dokumentacionet të shkruara në variantin e këtij dialekti, aty dalin të shënuar në trajtën përfaqësuese të shqipes së sotme letrare (toskërisht), por ka edhe përjashtime, çka e bëjnë çështjen mjaft të diskutueshme. Gjithsesi, kur kemi të bëjmë me trajta shkrimore asnjanësish të shënuar sipas drejtshkrimit të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, ose të vjelë, qoftë nga burime shkrimore letrare të reja, qoftë nga goja e popullit ose nga burimet folklorike e të tjera, çështja, siç u tha, del e diskutueshme. Këtij problemi ne do t’ sillemi në kreun e parafundit të këtij punimi, por këtu s’mund të lëmë pa e dhënë një mendim tonin për punën e autorit.

Mehmet Elezi me vjeljen e fjalë-trajtave të tilla ka bërë një punë shumë të mirë, për admirim, ngase ka dëshmuar atë që e kanë konstatuar edhe të tjerët, ashtu edhe ne, kur ka të bëjë me shtrirjes së emrave të tillë në të gjitha stilet  dhe në të gjitha trevat e gjuhës sonë, por edhe për faktin se ka sjellë në dritë mjaft shembujsh asnjanësish të paranyjëzuar me të cilët pasurohet gjuha jonë letrare, edhe pse ndonjë trajtë mund të jetë e diskutueshme. Ja disa shembuj të përfshirë në veprën e M. Elezi që zgjojnë interes:

            1. të ardhur-it,  të arritur-it,. të baritur-it, të britur-it etj. etj.

            2. të binduar-it, të avulluar-it, të bjeshkuar-it, të brishuar-it,të cikluar-it, të cakluar-it,. të cubuar-it, të gemuar-it etj. etj.

3. të pëlqyer-it, të pëlkyer-it

4. të kllinj-të, të ledh-të,  të mbram-të, të klluq-të,

5.  të ligsht-it,  të largët-it, të kthjellët-it,  të nalt-it të lëmykët-it, të qethët-it

            6. të gjallë-t, të bardhë-t, të gjatë-t,  të kuqlimtë-t,  të larë-t, të lënë-t,  të llanë-t, të mamë-t, të mbarë-t, të mbjellë-t,  të mirë-t, të ngranë-t, të nxehtë-t,  të panë-t (edhe të tëpanë-t),  të prunë-t, të rënë-t,  të verbë-t,  të zgjerdhanë-t etj.

Në të vërtetë, edhe nga kjo përzgjedhje ka raste që kërkojnë sqarim plotësues, ngase nuk përputhen drejtshkrimisht me normën e sotme në fuqi dhe perspektivën e saj, por me një përpunim të lehtë ato mund të harmonizohen e në raste të veçanta edhe mund të tolerohet lojalisht konkurrenca e tyre.

 

16) Po nga qendra e Tiranës, jo fort moti, doli një fjalor i ri shpjegues normativ me titull Fjalor i gjuhës shqipe (2006) i hartuar nga një grup autorësh nën redaktimin e prof. Jani Thomait. Shumica e hartuesve si dhe materiali i shfrytëzuar vijnë nga  FGjSSh (1980, përkatësisht  i FShS 1984, 2002), materiali i të cilëve është shfrytëzuar, por nuk do të thotë se nuk ka risime e material të ri të përfshirë në këtë burim. Pikërisht lidhur me lëndën që po e trajtojmë ne, ofrohet material me shumë interes, i cili tregon se hartuesit tani kanë qëndrimi më të liberalizuar se përpara ndaj asnjanësve. Përveç shembujve që ishin përfshirë në FShS (2002) me sa pamë, janë shtuar edhe shembuj të tjerë, por jo tek të gjitha grupimet ka shumësi të ndjeshme numri. Sidoqoftë, materialin e tillë, siç thuhet,  po  e marrim nëpër duar dhe po e vëmë në pah më poshtë në tri pika, duke e sistemuar sipas tre tipave të asnjanësve:

 

1. Kështu grupimit të parë, d.m.th, tipit të asnjanësve primitivë të paparanyjëzuar i është shtuar shembulli qallë-t, sinonim për syzet. Nuk mund ta dimë sa do të ketë shtrirje dhe sa do të jetë funksional ky emër kur ka për ballë një fjalë të njohur dhe të përgjithësuar, pra, sinonimin syzet a syzat. Sidoqoftë edhe ky rast i vetmuar na zgjon vëmendjen, ngase edhe tek tipi i parë i paparanyjëzuar është shtuar një shembull sinonimik që bën pjesë tani në fjalorin e shqipes standarde me prestigj detyrimi(!).

 

2. Grupimit të dytë, d.m.th. asnjanësve mbi bazë prejmbiemërore, me sa pamë, i janë shtuar dy shembuj: të shkumtë-t dhe të njomë-t, shembuj këta që ngjallin interes, sepse sipas nevojës rritja e tyre del me mundësi të hapur, ndonëse këtu shumimi i tyre është simbolik, vetëm me dy shembuj.

 

3. Grupimit të tretë, asnjanësve prejpjesorë u është shtuar një numër relativisht i madh shembujsh. Kështu:

a) mbi temë të pjesores me –RË  ose -NË fundore dalin 5 raste:

  palarët, të mpirët, të shkrirët; të shpënët, të shtënët;

b) mbi temë të pjesores më –ur, të foljeve me bashkëtingëllore që në emërore shumës marrin nyjë-mbaresën  -t dalin të regjistruar këta shembuj:

të bërtiturit, të diturit, të ikurit, të kalburit, të pasurit, të kënaqurit, të kërrusurit, të kositurit, të kurdisurit, të mahisurit, të magjepsurit, të majmurit, të maturit, të mëkëmburit, të meshuarit, të ngjeshurit, të përkiturit, të përkulurit, të përsëriturit, të qepurit, të qethurit, të qokurit, të qukurit, të qullurit, të qullosurit, të rastisurit, të rendurit, të ndenjurit, të shkrepurit, të shprehurit, të shtrydhurit, të shmangurit, të sosurit, të shpikurit, të shoshiturit, të shtrydhurit,  të shthururit, të zbathurit, të zbehurit,të zbrazurit, zdrypurit, të zbuturit, të zhyturit, të zhagiturit – gjithsej 43 shembuj;

c) mbi temë të foljeve me –Oj (-uar/ue): janë shtuar këta shembuj, që zgjojnë interes:

të çaluarit, të çuarit I të çuarit II, të dëgjuarit, të kopjuarit, të korrigjuarit, të krahasuarit, të qerthulluarit, të qetuarit, të qetësuarit, të qëruarit, të qorruarit, të qulluarit, të penduarit, të shijuarit, të shikuarit,  të shkuarit, të shoqëruarit, të shpëtuarit, të shpjeguarit, të shpuarit, të shtruarit, të shtrënguarit, të shndërruarit, të tradhtuarit, të vepruarit, të zbatuarit -  gjithsej  28 raste;

ç) mbi temë të foljeve me -UAj (-uar/uajt), janë shtuar këta 3 shembuj::

të kruarit, të shquarit; të quajturit;

d) mbi temë të foljeve me -IEj (-yer/ye) janë shtuar nja 6 shembuj: :

të shkëlqyerit, të shqyerit, të ushqyerit, të zbardhëllyerit, të zhgënjyerit, të zhgërryerit.

 

Pra në krahasim me numrin e pranishëm të asnjanësve në FShS (2002) këtu janë shtuar mbi 80 shembuj. Kështu në letrarishten e sotme, kur kemi parasysh numrin shembujve të regjistruar dhe ata të futur në përdorim në FShS (2002) që numri i tërësishëm i afrohej 100 -shit si dhe këta të shtuarit mbi 80, atëherë numri i tërësishëm i “legalizuar” për përdorim të asnjanësve në shqipen e sotme letrare, sipas fjalorëve shpjegues normativë, arrin shifrën 180, në mos më tepër. Madje kur kemi parasysh edhe numrin e shembujve që sqarohen me ndihmën e trajtës së asnjanësit të qenët + fjala përkatëse, e ndonjë tjetër, që në FShS 2002 sillej aty rreth 300-shit  dhe që në këtë burim (FGjSh 2006) kalon 500-shin, atëherë nuk duhet të ketë më ankesë nga askush se numri i asnjanësve del i injoruar. Me fjalë të tjera, çështja e asnjanësve në përfaqësimin strukturor të prejpjesorëve dhe prejmbiemërorëve numerikisht pothuajse del në gjendje reale, por kur është fjala të përfaqësimi i tyre me shembuj konkretë sipas tipave sipas bazës foljore mund të kërkohet një kriter edhe më i pranueshëm.

 

17) Lidhur me asnjanësit konsultuam edhe burimin më të ri, Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (Tiranë 2011), me autorë: Ali Dhrimo e Rami Memushaj dhe ndër të veçantat që dalin nga kjo vepër lidhur me temën tonë po i shënojmë më poshtë të përmbledhura në tri pika:

 

Së pari,  ndërsa në Fjalorin drejtshkrimor (1976) ndeshim afro 30 asnjanës në këtë fjalor (2011) ndeshim afro 200 shembuj të regjistruar. Kështu në Fjalorin e vitit 1976 nga grupi i asnjanësve të mirëfilltë paparanyjëzorë ndeshim vetëm këta dy shembuj:dhjamët, kryet,  në Fjalorin e vitit 2011 hasëm vetëm dy shembuj më shumë: leshtë dhe ujët. Pra numri i tyre është më i vogël se në FGJSH 2006. Madje nuk ndeshim aq rritje numri lidhur me grupin e asnjanësve mbiemërorë. Por sa u përket asnjanësve prejpjesore raporti del mbi 160 shembuj ose del  pak më shumë nga shembuj  e regjistruar FGJSH 2006, por, kur kemi parasysh numri e tërësishëm të fjalëve që FD 1976 kishte 32.000, ndërsa ky i vitit 2011 ka 73 mijë njësi, në burimin e fundit dalin mbi 5-6 herë më shumë njësi asnjanësish ndaj atij të vitit 1976.

Edhe nga ky fakt shihet se gjatë periudhës 30 vjeçare në shqipen letrare, sipas dëshmisë së hartuesve të fjalorit përkatës, numri i asnjanësve nuk ka shkuar duke u paksuar, por ka shkuar duke u rritur për 6-7 herë, kjo dëshmon gjithashtu se asnjanësit  prejpjesorë më shumë e prejmbiemërore më pak janë aktivë e prodhimtarë në shqipen e sotme standarde.

Së dyti, në Fjalorin e 2011 dalin edhe disa gjëra të veçanta që ia vlen të vihen në pah

a) Brenda fjalësit të fjalorit ndeshim këta shembuj pa siglën as. të përkiturit,  të shpënët dhe të verdhët, por sipas formës së të shkruarit që kanë këta shembuj padyshim janë asnjanës. Mbase kemi të bëjmë me gabim shtypi.

b) Aty ndeshëm edhe nja dy shembuj: të shtriqurat dhe të shirat të shenjuar me siglën as, d.m.th. emra asnjanës, të cilët, në tëvërtetë,  për të qenë asnjanës do të duhej të merrnin mbaresë-prapashtesën -ë/t e jo –at, Dhe për këto dy raste mendojmë se ka ndodhur gabim shtypi, andaj duhen korrigjuar, qoftë duke i përforcuar me mbaresën –ë/t, qoftë duke ndërruar siglën në vend as të vehet f., d.m.th. emra të gjinisë femërore. Një veprim a korrigjim i tillë duhej bërë edhe në Fjalorin 1976 për shembullin të korrat. Për të qenë emri në gjininë asnjanëse, ai patjetër duhet të marrë mbaresë-prapshtesën ë/t, Pra format të shtriqurët, të shirët, të korrët konsiderohen emra asnjanës, përndryshe nëse mbajnë trajtat  me –a/t fundore  konsidrerohen  si shumësa të gjinisë femërore.

c) Ndeshim në këtë burim (2011) në zëra të veçantë edhe këta 6 shembuj me siglën as, të prirë nga nyja e përparme e rrjedhores :

së kënduari, së luajturi, së qeshuri, së prituri, së punuari, së vrapuari,

të cilët kanë kuptim vetëm nëse paraprihen nga një folje si plasa, u lodha, u mëzita etj. P.sh.: plasa (...) së prituri (së punuari, së foluri etj). Në këto raste nuk kontestohet karakteri asnjanës i shprehjeve të tilla. Mirëpo edhe pse ne fillimisht nuk e patëm paramenduar si objekt trajtimi këtë çështje, tashti na u imponua, prandaj edhe e shënuam për arsye se edhe në këtë mënyrë e tjera janë gjurmë që ka lënë asnjanësi, kur në shqipe kishte prani e shtrirje më të madhe e më të gjerë se që ka sot. Pikërisht, kjo gjurmë a dukuri tregon se kjo gjini e emrit kishte edhe eptim më të zhvilluar, pra kishte lakim edhe në rasën rrjedhore ndërsa sot asnjanësi merr pjesë në lakimin e katërt dhe si forma  të veçanta aktive ka vetëm dy rasa: emëroren e kallëzoren dhe këto vetëm në njëjësin e shquar.

Sido që të jetë, te shprehjet e ngurosura si më sipër e raste të tjera, nuk kontestohet asnjanësi në formën: së punuari, së mbari, së bashku etj., madje formimet e tilla kanë model të pranuar fjalëfomues, dhe gjithsesi, siç do të shohim në kreun e fundit të këtij punimi, kanë pjesën a ndhmesën e vet në identifikimin e asnjanësit në gjuhën tonë.

3. Kemi vërejtur nga lënda e këtij burimi se një numër i konsiderueshëm i shembujve të regjistruar shpreh gjëra konkrete, të cilat ende nuk janë zëvendësuar me  emrat e prejardhur sinonimikë që janë më të ditës. Lidhur me këtë po ritheksojmë se ne nuk i kontestojmë trajtat e tilla që ende mund të jenë në përdorim e sipër për të mbuluar nocione të tilla konkrete, por kemi bindjen se vendi i kuptimësisë së asnjanësve prejmbiemërore e prepjesorë të rasës emërore nuk është te gjësendet ose dukuritë konkrete, por në mbulimin e nocionit në fushën abstrakte, andaj insistojmë siç e kemi arsyetuar më përpara e do ta ritheksojmë edhe më që në fjalorët e ardhshëm përshkrues normativë, së pari, duhet të shënohet nënfusha abstrakte që mbulon ose priret të mbulojë emri përkatës asnjanës prejpjesor ose prejmbiemëror e pastaj të shënohen edhe nocionet e tjera që mund t’i ketë trajta e caktuar, por për gjëra të tilla pritet të dalin sqarime edhe më kompetente nga ekspertët e standarologjisë së gjuhës sonë.

 

Sidoqoftë, për normalizimin e plotë të asnjanësve në sistemin emëror të shqipes, po përsërisim, lypsen edhe sqarime teorike, ngase siç e pamë vlerësimet e duhura në burimet tona relevante normëzuese mungojnë. S’do mend se në gramatikën normative të Akademisë dhe në burime të tjera, duhen bërë korrigjimet dhe (ri)interpretimet e  përpunimet e nevojshme, sepse siç po tregojnë faktet tipat e caktuar të asnjanësive assesi nuk dalin si “mbeturina”, por dalin si fjalë aktive e produktive me perspektivë të qartë dhe me prirje shumimi si aktualisht ashtu dhe në të ardhmen.

  

            Nga sa u tha, në fund të këtij kreu, po ripërsërisim kërkesën që gjithsesi duhen njohur edhe më mirë nënfushat përkatëse semantike që mbulojnë a priren të mbulojnë tipat përkatës të asnjanësve dhe atyre duhet me u dhënë haku ose vendi i merituar në burimet normative standarde të gjuhës sonë.

Po ashtu duhet tërhequr vërejtje që kurrsesi nuk është e drejtë të zëvendësohen arbitrarisht asnjanësit e nyjshëm prejpjesorë, në çdo rast, me trajtat e prejardhura sinonimike me prapashtesat –IM ose -JE, ose me femërorët e nyjshëm e ndonjë tjetër, siç kanë bërë e po bëjnë aktualisht disa hartues fjalorësh, ose përkthyes të papërvojë, sepse, siç do të argumentohet edhe në kreun vijues e në vijim, asnjanësit e  paranyjëzuar prejpjesoë e kanë vendin e posaçëm të pazëvendësueshëm në kuadër të sistemit ligjërimor brenda strukturës emërore të gjuhës shqipe, sidomos ose kryekëput në fushën e abstraksionit.