E enjte, 25.04.2024, 05:49 AM (GMT+1)

Mendime

Kristina Rasi: Intervistë me udhëheqësin e Lëvizjes  Vetëvendosje, Albin Kurti

E enjte, 27.03.2008, 07:32 PM


Intervistë me udhëheqësin e Lëvizjes  Vetëvendosje, Albin Kurti, për Albania Today  - Shqipëria Sot

Intervistoi: Kristina RASI

 1. Së pari duam të dimë diçka nga biografia juaj, kush është Albin Kurti, duam të dimë për shkollimin tuaj dhe sa kohë ke që merresh me politikë?

Kam lindur në Prishtinë më 24 mars 1975. Shkollën fillore dhe Gjimnazin „Xhevdet Doda“ i kam mbaruar në Prishtinë kurse Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës. Në verën e vitit 1997 jam inkuadruar në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP). Kam qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestave paqësore dhe të padhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Milosheviqit. Mund të thuhet se që prej atëherë ka nisur veprimtaria ime politike.

2. A mund të na tregoni, kur u themelua dhe për çfarë arsyeje u themelua Lëvizja VETËVENDOSJE? Për çka angazhohet Lëvizja e juaj, konkretisht?

Rrjeti i Aksionit për Kosovën (KAN) është formuar në vitin 1997. Ai u ringjall në konferencën "Drejtimet e reja" të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. Në këtë mënyrë KAN e siguroi vazhdimësinë me anë të një fillimi të ri. KAN ishte lëvizje e aktivistëve të rinj, që për mision kishin ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive. Aktivitetet përqendroheshin në tri fusha kryesore: çështjet e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale, arsimi, kultura dhe arti. KAN përbëhej edhe prej shumë anëtarëve ndërkombëtarë. Me 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën "JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE", që solli në transformimin e KAN-it në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të padhunshme sikurse janë aksionet simbolike, tubimet e shumta publike, bllokadat e deri te demonstratat masive. Shërbimi Policor i Kosovës në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare arrestoi e burgosi (ndërsa gjykatat dënuan) qindra aktivistë, përfshirë edhe mua këtu. Qershori i vitit 2005 ishte momenti i duhur. Për Kosovën po përgatiteshin negociata me Serbinë që medoemos do të përfundonin në kompromise e zgjidhje gjysmake. Në vend të negociatave të cilat e vënë në kompromis lirinë, Lëvizja jonë kërkoi që populli i Kosovës të ketë mundësi të vendos për vetvete, si don ai të jetë i qeverisur dhe nga kush. Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkoi referendum gjithëpopullor në Kosovë, si e vetmja zgjidhje e drejtë dhe paqësore për të vendosur për statusin e Kosovës. Ne me të drejtë konsideruam se Kosovës nuk i mungon statusi porse popullit të Kosovës i mungon liria; se Kosova nuk është problem porse ajo ka një problem që quhet Serbi (dhe UNMIK).

3. Ju keni qenë udhëheqës i studentëve demonstrues të Universitetit të Prishtinës, në 1 Tetorin e lavdishëm të vitit 1997; kjo qe shkëndija e parë e fillimit të luftës çlirimtare, ju e thyet bllokadën e pacifizmit joaktiv në krye me I. Rugovën i cili atëbotë thërriste me atë zërin e tij të mekur “ju lutemi mos e provokoni situatën”?! Me sa kemi dëgjuar atëbotë ishin paraqitur dhe në radhët e studentëve zëra pro-dhe kundër atyre demonstratave, a mund të na evokoni kujtime si fitoi krahu përparimtar, pra, krahu juaj për ta thyer atë status-quo që e ngulfaste lirinë e Kosovës?!

Sigurisht se kishte studentë të influencuar e të mashtruar nga LDK-ja madje edhe nëpër disa udhëheqje të degëve të UPSUP-së. Megjithatë ata ishin pakicë dhe ishte me rëndësi që e gjithë udhëheqja qendrore e UPSUP-së dhe Rektorati ishin të pavarur nga LDK-ja e cila atëbotë dëshironte ta ruante status quo-n.    

4. Pas atyre ngjarjeve dramatike, keni hyrë edhe në radhët e UÇK-së në krahun politik të saj, dihet, keni qenë edhe sekretar i Zyrës së UÇK-së, me qendër në Prishtinë; përkrah simbolit të rezistencës sonë, Adem Demaçit. Në muajin prill të vitit 1999 ju ka arrestuar regjimi kriminal i S. Millosheviqit; a mund të na thuani, cila ishte aktakuza e atëhershme? Pastaj, në dhjetor të vitit 2001, u liruat nga burgu; si erdhi deri tek lirimi juaj?

Në gusht të vitit 1998 kam filluar punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, si sekretar i zyrës. Me 2 mars 1999 kemi dhënë dorëheqje meqë nuk jemi pajtuar me dokumentin e Rambujesë. Gjatë bombardimeve të NATO-s kam qëndruar në Prishtinë. Më 27 prill 1999 policia serbe më arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë jam transferuar në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, më kanë dënuar me 15 vjet burg nën akuzën e rrezikimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë. Si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe i përpjekjes së Koshtunicës (i cili atëbotë ishte kryetar i RFJ-së) për ta ndrequr imazhin para ndërkombëtarëve në kontrast me Milosheviqin jam liruar më 7 dhjetor 2001. Në fakt, kam qenë në burg një vit e pesë muaj gjatë periudhës së Milosheviqit dhe një vit e dy muaj gjatë asaj të Koshtunicës. (Gazetarëve të huaj shpesh u them se prandaj) Koshtunica ishte për nja tre muaj më i mirë se Milosheviqi. 

5. Ju edhe pas “lirisë” së Kosovës jeni arrestuar dhe burgosur nga “drejtësia demokratike” e UNMIK-ut, disa herë në Kosovë. A mund të na sqaroni: çfarë dallimi kishte burgosja e juaj e atëhershme nga regjimi i Serbisë me burgosjet aq të shpeshta nën regjimin e UNMIK-ut?

Kushtet dhe trajtimi në burg janë shumë të ndryshme. Në kohën e Serbisë (dhe sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s) burgjet ishin kampe përqendrimi në të cilat na jepnin një herë në ditë fare pak ushqim kurse torturat ishin sistematike. Pas përfundimit të luftës, në burg nuk kam pasur maltretime (përveç ndonjë provokimi me produkte ushqimore të Serbisë aty-këtu). Motivi i burgosjes është i njëjtë: izolimi nga zhvillimet politike dhe pamundësimi i veprimtarisë politike.

6. Tani dëshiroj të kalojmë tek rrethanat e sotme të gjendjes në Kosovë. Me 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Çka mendoni ju z.Kurti, çfarë fshihet pas “harresës” së politikanëve “kosovarë” kur me atë rast nuk u përmend fare fjala sovranitet?! Kush është në Kosovë sovrani sipas jush, populli, qeveria, ndërkombëtarët apo Kosova s’ka sovran fare?

Në Deklaratën e Pavarësisë përmendet fjala sovranitet mirëpo Hashim Thaçi nuk e lexoi fare atë fjalë ditën kur u shpall pavarësia! Kush e di se kujt krejt përpiqej që t’i pëlqente! Apo ndoshta auto- censura e tij është zhvendosur tashmë thellë në domenin e së pavetëdijshmes?! Në 25% të territorit ku janë enklavat serbe në Kosovë të kontrolluara prej strukturave paralele të Serbisë, sovranitetin dhe pushtetin e ndajnë UNMIK-u, KFOR-i dhe ato struktura të Serbisë. Ndërkaq, në pjesën tjetër të Kosovës, sovranitetin e ka UNMIK-u (përmes policisë ndërkombëtare dhe SHPK-së që e ka nën komandë të veten) dhe KFOR-i. Pra, sa i përket sovranitetit dhe ushtrimit të pushtetit në tërë territorin e Kosovës, përkatësisht mungesës së këtyre, nuk ka ndryshuar puna edhe pse është shpallur e njohur pavarësia.    

7. Shoqatat e dala nga lufta çlirimtare e kanë kundërshtuar rreptë flamurin partiak të LDK-së, dhe të propozuar nga i ndjeri I.Rugova! Dihet, ky flamur u prit me shumë indinjatë nga shumë qarqe përparimtare; bile qe djegur në rrugët e Prishtinës. A kishte reagime atëbotë dhe nga Lëvizja VETËVENDOSJE? Mirëpo, ngjarjet e më vonshme treguan se: kjo fatkeqësi u përsërit, pra, më 17 shkurt 2008, u realizua ndryshimi i Flamurit të Kosovës, pra, erdhi në fuqi, një flamur tërësisht i ndryshëm nga Flamuri ynë kombëtar!!! Flamurin e ndryshuan krejtësisht, tani po e hapin konkursin dhe për ndryshimin e himnit të tij – a janë këto elemente demokratike për një shtet të ri që pretendon të jetë shtet demokratik? Tani Shoqatat e dala nga lufta çlirimtare kanë heshtur! Mirëpo, ne na intereson: të dimë - çfarë qëndrimi do të ketë Lëvizja VETËVENDOSJE, rreth këtij ndryshimi, a do ta pranojë këtë flamur, a do të pajtohet me këtë shkelje flagrante të identitetit tonë kombëtar, apo do të ketë reagime të arsyeshme?!

Këtë flamurin e Kosovës ne e kemi quajtur ‘Flamur të Shkombëtarizimit’. Flamuri e paraqet Kosovën si joshqiptare. Shqiptarët e Kosovës nuk janë vetëm një nga gjashtë komunitetet (të simbolizuara me yje). Ne përbëjmë mbi 90% të popullatës. Flamuri i i Kosovës i ka dy ngjyra të flamurit serb (kaltër dhe bardh) dhe asnjë nga flamuri shqiptar (as të kuqen e as të zezën). Flamuri i Kosovës është i ngjashëm me atë të Bosnjës së ndarë: i ka ngjyrat e njëjta me të. Flamuri i Kosovës është i ngjashëm me atë të Qipros së ndarë: e ka hartën e vendit të vizatuar në të. Ky nuk është flamur i Kosovës për në BE por flamur i BE-së në Kosovë. Ai do të mund të ndërrohet vetëm duke pasur edhe votat e 2/3 të deputetëve minoritarë. Pra, ky flamur e meriton epitetin ‘Flamur i Shkombëtarizimit’. Edhe flamuri i I.Rugovës ka qenë i papranueshëm për neve. Madje, ai ka qenë i papranueshëm edhe për PDK-në e cila tash e pranoi një flamur edhe më larg atij shqiptar! Heshtja e Organizatave të dalura nga Lufta e UÇK-së ka qenë e paarsyeshme.

8. Kam dhe një pyetje lidhur me këtë – çfarë mendoni ju: nga kush kishte presione udhëheqja “kosovare” apo vullnetarisht e pranuan, pa asnjë presion evropian apo serbian, këtë flamur?! Kur po shihet qartë se ky flamur nuk ka madje as një ngjyrë të Flamurit tonë, pa lëre më shqiponjën krenare?!

Presionet politikanëve që kryesojnë partitë dhe institucionet e Kosovës u vijnë nga të gjitha anët. Dhe, presionet në politikë janë normale. Problemi qëndron se këta politikanë duke mos pasur më parime dhe ideale në njërën anë, dhe duke qenë të korruptuar e shantazhuar në anën tjetër, nuk mund të kenë as rezistencë ndaj këtyre presioneve. 

9. Siç lajmëroi RTK-ja më datë 10.3.2008, misioni i UNMIK-ut, në anët kufitare me Serbinë, nuk do të mbarojë së shpejti në Kosovë – pse ngjanë kjo? Nga disa anë UNMIK-u, e në disa anë të tjera të Kosovës EULEX-i, plus qeveria “me Kosovën e pavarur dhe sovrane” – siç po deklarojnë politikanët e sotëm?!!!

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në Deklaratën e Pavarësisë e kanë futur edhe Rezolutën 1244! Kjo është arsyeja pse ato e tolerojnë UNMIK-un dhe sundimin e tij edhe tash. Njëkohësisht, mu kjo është arsyeja legale pse PSSP-ja, Joachim Ruecker, nuk intervenoi ndaj Deklaratës së Pavarësisë. 

10. Kushtetuta e Kosovës, po shkruhet këto ditë, sa jeni të kënaqur me këtë Kushtetutë – a keni për të thënë diçka pro-apo kundër saj? Ka ndonjë nen që ju gëzon apo ka ndonjë nen që nuk ju dëshpëron?! Dhe, sa mund të realizohet kjo Kushtetutë  kur Kosova po udhëhiqet nga EULEX-i, UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës?!…

Këtë Draft-Kushtetutë e kemi quajtur Udhëzim Administrativ për Planin e Ahtisaarit. Ajo na e mohon çdo gjë të rëndësishme: Identitetin tonë kombëtar, Demokracinë dhe fuqinë ekzekutive, Sovranitetin dhe integritetin territorial, Gjyqësorin e pavarur, Barazinë para ligjit, Demokracinë shoqërore, Të drejtën e pronës. Kjo Draft-Kushtetutë me qëllim e ka lënë Planin e Ahtisaarit kah fundi: pra, prej nenit 143 e tutje në mënyrë që njerëzit të mërziten duke lexuar gjëra që duken jo edhe aq keq dhe mandej mbase të mos e lexojnë atë pjesë fare. E, Plani i Ahtisaarit në mënyrë normative dhe kategorike ndodhet mbi këtë Draft-Kushtetutë në të cilën nuk figurojnë dy fjalët më të rëndësishme për një shtet tonin të ri: fjala shqiptar dhe fjala ushtri.

11.  Për shumë vite, rezistenca  paqësore kundër Serbisë, e trumbetuar si shpëtimtare, nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, por ajo doli e pa suksesshme, a nuk keni drojën që  kjo rezistencë juaja po ashtu paqësore, nuk do të japë rezultate të dëshiruara?! Ku qëndrojnë dallimet midis asaj rezistence paqësore dhe rezistencës së Lëvizjes VETËVENDOSJE?

Problemi i rezistencës paqësore të LDK-së dhe Ibrahim Rugovës ishte se ajo ishte rezistencë pasive. Për pasojë ajo degradoi në përshtatje me kushtet e robërisë. Rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është shumë aktive. Ajo tashmë ka dhënë rezultate. Jo vetëm duke i ngadalësuar proceset politike negative por edhe, ta zëmë, duke e organizuar fshatin Cërnicë e duke e larguar nga komuna e Parteshit. Ne, nuk mendojmë se aktualisht lufta e armatosur është zgjidhja: jo vetëm për shkak të humbjeve e dëmeve në njerëz por edhe për shkak se do të humbisnim territor me vetë faktin se lufta do të zhvillohej në tokën tonë, në oborrin tonë. Natyrisht që neve na nevojitet ushtria dhe për këtë gjë besojmë që TMK-ja duhet menjëherë të shpallet ushtri dhe të nis bërja e saj. Fakti që Kosova nuk ka ushtri për ta mbrojtur veten, e josh dhe inkurajon Serbinë për obstruksione drejt një agresioni të ri.  

12. Lëvizja VETËVENDOSJE!, e dimë që e  ka shtrirjen e vet në Kosovë, në qytete dhe katunde, por duam të dimë që kjo Lëvizje a e ka shtrirjen e vet në trojet tjera shqiptare në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), pastaj, në Iliridë (Shkup, Tetovë)? Pastaj, a shtrihet organizimi juaj dhe në Malësinë e Madhe, Plavë, Guci, e deri në Ulqin etj. A i ka kaluar kufijtë shtrirja juaj organizative dhe në Shqipërinë e andej Drinit? Sa  e keni përkrahjen nga Tirana?  A keni degë atje? A keni degë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në diasporë?

Po, ne kemi aktivistë të Lëvizjes sonë edhe nëpër trevat e banuara me shqiptarë jashtë Kosovës. Mirëpo ende nuk kemi Qendra të mirëfillta atje për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të aktivistëve nga radhët e kuadrit intelektual. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka Qendrën e vet edhe në Tiranë. I kemi nëntë Qendra në Diasporën tonë në vendet perëndimore.   

13. Kush e financon Lëvizjen VETËVENDOSJE!, për të mbajtur të gjallë veprimtarinë e saj, kur dihet se duhen  mjete për veprimtari në favor të vetëvendosjes, për parullat, gazetën etj?
 
Ne financojmë veten tonë me pagesën e anëtarësisë sonë. Secili anëtar deklarohet nëse do të mund të paguajë 2, 5 ose 10 euro në muaj për Lëvizjen. Kemi edhe anëtarë të cilët i paguajnë edhe nga 50 euro në muaj meqë u punojnë familjarët në diasporë apo kanë paga solide në Kosovë. Mirëpo, anëtarët që i takojnë shtresës së varfër nuk paguajnë fare, d.m.th. pagesa e anëtarësisë nuk është kusht për të qenë anëtar. Ka edhe ndonjë ndërmarrës apo zejtar të vogël që na ndihmon me shërbime të kohëpaskohshme.  

14. Pse nuk shkove në takimin, kur z.Thaçi ju ftoi më 17 shkurt 2008 Zyrën e UÇK-së në Prishtinë, gjegjësisht Përfaqësuesin e përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi, i cili shkoi me disa shokë, por Ju edhe pse dihet se ishit sekretar i tij munguat në atë takim?

Kisha bindjen se ftesa e Hashim Thaçit për ish-Zyrën e UÇK-së në Prishtinë nuk po bëhej si rezultat i ndërrimit të qëndrimit të tij por i lakmisë për të përfituar për vete sa më shumë dhe për të shfrytëzuar përshtypjen pozitive që ka populli për neve. 

15. Ka zëra në opinion se lëvizje, organizata qeveritare dhe joqeveritare, por dhe parti përparimtare do të ishte më mirë të bashkohen në  një parti apo front – ta quajmë si të duam, atëherë do të artikulohej më fuqishëm – me mjete paqësore zëri i vetëvendosjes, referendumit, pra i lirisë së vërtetë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare – a mund të na thoni pse nuk po arrihet ky bashkim?

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka pasur bashkëpunim me shumë organizata të ndryshme gjatë këtyre dy viteve e gjysmë. Mirëpo, këto bashkime nuk kanë qenë bashkime statike strukturash por bashkime dinamike në aktivitete të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim mirëpo duhet të kemi kujdes që nuk mund të ketë bashkim sidomos me ata që e pranojnë Planin e Ahtisaarit.
 
16. Gjendja  në Mitrovicë dhe në pjesët tjera të Kosovës, ku jetojnë serbët të mbyllur në enklava, është tejet e rrezikshme, a mund të ketë rreziqe të reja në të ardhmen në Kosovë dhe më tej? Apo, Serbia do të heshtë, për faktin  se nuk ka humbur shumë sovranitet  nga Kosova me paketën e Ahtisarit?

Serbia duket se aktualisht ka një strategji të katërfishtë për Kosovën: Në Veri të dobësohet kufiri me Serbinë dhe të përforcohet ai në lumin Ibër; Në Anamoravë dhe Graçanicë bëhen përpjekje për forcimin e institucioneve dhe strukturave të Serbisë drejt ndërlidhjes territoriale; Në veriperëndim të Kosovës synohet kthimi i serbëve për sajimin e komunave të Osojanit dhe Gorazhdecit; kurse, pjesa tjetër e Kosovës të bëhet jofunksionale përmes enklavave më të vogla dhe zonave të veçanta rreth kishave e manastireve ortodokse. Qeveria e Kosovës nuk duket se ka kurrfarë plani për t’iu kundërvënë strategjisë së katërfishtë të Serbisë ndërsa UNMIK-u e KFOR-i nuk kanë vullnet, gatishmëri e as interes për ta bërë Kosovën me sovranitet dhe integritet territorial. Ata do të intervenojnë eventualisht nëse gjendja rrezikon të bëhet edhe më e keqe por jo për ta bërë atë të mirë, p.sh. jo për ta bashkuar veriun e Kosovës me Kosovën. Serbia sigurisht se do ta pranojë Planin e Ahtisaarit por me një emër tjetër, ca më vonë, por me një përmbajtje edhe më të volitshme për të (pas negociatave të reja që po i kërkon).

17. A do të pajtohet edhe Rusia me këtë lloj pavarësie me mbikëqyrje të Kosovës, apo reagimet e saj janë vetëm trille politike sa për t´u hequr më tej se ende është ajo Rusia e fortë që përbënte dikur fuqinë e një superfuqie botërore?

Rusia është në ngritje. Ajo nuk do të mund të bëhet sërish BRSS. Mirëpo, gjithsesi është në ngritje. Vladimir Putin udhëhiqet nga një nostalgji pansllaviste dhe ai po e përdor njëlloj centralizmi etatist mbi Rusinë e pasur me gaz e naftë por edhe çështjen e Kosovës dhe Serbinë për t’u ngjitur sa më lartë në skenën politike botërore. Rusia e ka thënë qartë se pajtohet vetëm me atë që pajtohet Serbia. Kjo është një mënyrë dinake me të cilën Rusia po e shfrytëzon Serbinë.   

18. Si e komenton faktin e dezertimit të SHPK-së kur serbët i dogjën pikat kufitare të Kosovës?

Së pari, SHPK-ja nuk ishte e mjaftueshme për t’u marrë me atë sfidë. Duhej ose njësitë speciale të policisë ose ushtria. Së dyti, SHPK-ja në veri përbëhet kryesisht prej serbëve të cilët jo vetëm që nuk i ndalin protestuesit zjarrvënës por madje iu ndihmojnë atyre.

19. Zëdhënësi i FBKSH-së, Gafurr Adili, ka deklaruar se tri komunat në veri të Kosovës, deri në vitin 1956 ishin nën administratën e Republikës së Serbisë dhe ato duhet kthyer Serbisë, por jo edhe Mitrovicën veriore dhe ato t´i këmbejmë me Preshevën, A do të pajtoheshit ju me këtë alternativë të tij? Si e projekton Lëvizja VETËVENDOSJE!, zgjidhjen e këtyre tri komunave: Albanikut (ish-Leposaviqit), Zveçanit dhe Zubin Potokut?

Së pari, Kosova duhet ta bëjë menjëherë TMK-në ushtri të Kosovës. Së dyti, SHPK-ja duhet të vendoset nën kontrollin e Ministrisë së Rendit dhe të bëhet polici e Kosovës. Vetëm më pas, pra vetëm atëherë kur politika në Kosovë të ketë forcë, do të mund të shohim se deri ku mund ta shtrijmë pushtetin dhe sovranitetin dhe me çfarë mënyrash. Aktualisht Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk e kontrollon as Luginën e Preshevës dhe as veriun e Kosovës por as pjesën tjetër të Kosovës meqenëse s’kemi ushtri tonën kurse SHPK-ja që financohet nga buxheti i Kosovës ndodhet në kuadër të Shtyllës së Parë të UNMIK-ut.

20. Maqedonia, ende nuk e njohu pavarësinë e Kosovës; si duket ajo po ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, dihet rasti me Debëlldehin, çfarë mendoni ju – a ka rrezik që kjo pjesë e atdheut të na zhvatet , pra Kosova të ri-copëtohet?

2.500 hektarë në Debëlldeh Maqedonisë ia ka dhuruar Grupi Negociator i Kosovës atëherë kur e ka pranuar Planin e Ahtisaarit. Marrëveshja e vitit 2001 ndërmjet Beogradit dhe Shkupit për tokën e Kosovës u pranua plotësisht nga Grupi Negociator i Kosovës. Kjo gjë ia ka bërë të mundur arrogancën shtetit të Maqedonisë. Nuk duhet të harrohet edhe fakti që Beogradi tradicionalisht ka ndikim në Maqedoni. 

21. E kishe një akuzë të padrejtë nga gjykata e UNMIK-ut, dihet se në mungesë të mbrojtjes suaj nga avokatët shqiptarë e fituat “lirinë”, a mund të na tregoni, kjo çështje a konsiderohet e mbyllur njëherë e përgjithmonë, apo, ka rrezik që do të ndiqesh prapë po për atë akuzë – nga “drejtësia” e gjykatave të Kosovës?
 
Procesi gjyqësor kundër meje nuk ka përfunduar. Ai është pezulluar përkohësisht. Në vendimin e tij të fundit, gjykatësi italian Maurizio Salustro ka kërkuar ndihmë prej PSSP-së, Joachim Ruecker, dhe prej kreut të Departamentit të Drejtësisë, Robert Dean, se si të veprojë më tutje. Ndërkohë, nëse arrijnë që të gjejnë ndonjë avokat që më ‘mbron’ atëherë sigurisht se do ta vazhdojnë procesin kundër meje.

22. Si e komentoni kthimin e policëve rumunë në Kosovë, përderisa kontigjentet e tyre i vranë dy të rinj të Kosovës dhe për më tepër kur Rumania, ende nuk po e njeh
pavarësinë e Kosovës?

Kjo është dëshmi se Kosova nuk ka një qeverisje vetanake e sovrane. Kjo është dëshmi se UNMIK-u vazhdon të sundojë me Kosovën duke e bërë pavarësinë (e shpallur e të njohur) pa substancë, pa përmbajtje. Rumania jo vetëm që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës por ajo madje është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. Për më keq se kaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Adrian Cioroianu, ka deklaruar se Kosova juridikisht është pjesë e Serbisë dhe se ushtarët rumunë nuk do të jenë pjesë e misioneve ndërkombëtare të cilat Kosovën e shohin si entitet të pavarur! Pra, nuk ishte aspak i rastësishëm refuzimi i policëve rumunë që të shkojnë në veri të Kosovës pak javë më parë sikurse edhe intervenimi i tyre kriminal me 10 shkurt 2007.

23. ...Dhe, pyetja e fundit, a ke ndonjë mesazh për shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut?

Të mos pranojnë kurrfarë autoriteti në mënyrë jo kritike. Të organizohen për të drejtat dhe lirinë e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora