E premte, 19.04.2024, 06:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Zeqir Lushaj: Veç me Krishtin e armët tona

E diele, 20.05.2012, 06:02 PM


VEÇ ME KRISHTIN E ARMËT TONA

“…Se ka djem Nikaj-Mërturi,
M’bijnë si lisat e t’fortë si guri…”

-Një antologji, me një 12-she- djem nga krahina legjendare e Nikaj-Mërturit-

Nga:  Zeqir Lushaj
* * *
-Si në apelin e fiseve,
Për tu rrethue në sofër,
Artistë me emën,
…Në çdo votër-
* * *
(Vargje, nga një vjershë për Nikaj-Mërturin)


1. Nga: Anton (Ndoc) Papleka

NJË NËNË

Askush s'mund ta dijë sa vjet ka:
Ajo është e mocme sa dhimbja,
Ajo është e re sa krenaria!

Në shtepizen e qetë s'ka njeri,
Pervec fotografisë së dy djemve të saj:
Në një mal me borë ranë për liri.

Njerën këmbë e ka të paralizuar,
Gishtat e duarve i ka të holluar nga soda:
Ajo që në vegjëli ka larë rroba.

Megjithatë as tani nuk rri shtrirë,
("s'mund të rri kurrsesi" , thotë ajo.)
Në oborrin e vogël del që pa gdhirë.

Në kopshtin e saj ka shumë trëndafila,
Të kuq e të bardhë gjer në vjeshtë.
(Midis tyre ajo ngjet si fiongo e zezë!)

Ajo çon tufa në varret e të rënëve,
U fal të rinjve të fejuar në lagjie,
U fal të gjithëve për ditë feste e dasme...

Asaj jeta nuk i dhuron lule:
Ajo tërë jetën rriti trëndafila,
Për lirinë dhe njerëzit e mirë.


2. Nga: Pal Neçaj

GJAKUN E KEMI VEÇ PËR LIRI

Të bardha i ke kullat, Tropoja ime,
Të bardha krojet plot ligjërime,
Të bardha bjeshkët me borë të pa shkrime.

Dhe djemtë e Tu, gjithmonë faqebardhë,
Me armë të bardha e tirq të bardhë,
E permbi krye, po kapuç të bardhë.

Në odat tua, sofra e bardhë,
E në ato sofra, buka e bardhë,
Buka e krypa e zemra e bardhë.

Tufat e bardha në ato rudina,
Lumenj të bardhë nëpër lugina,
Dhe retë e bardha në vjeshta e dimna.

Tropoja ime, në be’ po të shti:
Pash qiell e tokë e këto bardhësi,
Mos e le gjakun e djemve te ri,
Me u derdh kot e me sjellë zi,

Se gjakun e kemi veç për liri!

(Nju Jork,tetor 1993)


3. Nga: Gjon Ndue Markokaj

GURI I VIRGJËRISË

Në Arvejë, me njëqind dele,
I kulloste, një djalë beqar,
Vjen virgjëresha, me gur në krah,
-Ku po shkon, moj vajzë e mbarë?

Ky gur më lëlqeu,
Në mollë të Kuqe e kam marrë,
Te Kisha e Shën Mëhillit, do e çoj,
Due m’e ngulë te një varr.

E merr gurin se je virgjëreshë,
Ke forcë e ke shëndet,
T’ishe e martuar me burrë,
Gurin lart, s’mund e ngjet.

Edhe me burrë, të isha e martueme,
Deri në Dushaj, gurin e çoj,
Fjala fjalës, mendja u thye,
Gurin në tokë virgjëresha e lëshoi.

Rrin me djalin, për ngadalë,
Dashurohen, me lezet,
Erdhi koha me u nda,
E me ngritë gurin përpjetë.

Mbërtheu e ju mblodh gurit,
S’mujti gurin me e lëvizë,
Sot e asaj dita, guri aty mbet,
U pagëzua: -Guri i Virgjërisë.

Njerëz udhëtarë e barinj,
Shohin gurin në Arvejë,
Fuqinë e virgjërisë, s’e kanë,
Me peshue as m’e levizë.

Në këto kushte:
Mbet simbol i dashurisë,
Guri i virgjërisë, në Arvejë,
Në zemër e në mendje të rinisë.


4. Nga: Marash Mëhilli

ZHGËNJIMI I KORBIT

Të gjithë më quajnë;- i zi, i zi,
Më duhet patjetër të ndërroj ngjyrë…,
Pasi e shestoi në kokën e tij,
Filloi nga puna një herë e mirë.

Me sqep i shkuli puplat e veta,
Dhimbje kish, por ndihej i lumtur…,
Tani që hoqa të zezën nga vetja,
Të gjithë do thonë: -Sa korb i bukur!

Nuk fluturonte, pa kërma s’i rrihej,
Shpejt u zhgënjye nga zgjidhja që gjeti,
Ditë pas dite, nisi prap të nxihej,
Emri Korb i Zi, i mbeti se i mbeti.


5. Nga: Agim Mërturi

LODRAT E FËMIJËS

Kur vën në radhë lodrat,
Ngjallë fantazinë,
Rrafshon malin, kodrat,
Bën fushë krejt Shqipërinë.

Ecën ecën treni,
Paralele shinat,
Treni shtypë gjarpërin,
Ujqër e shtrigat.

Dhe duke udhëtuar,
Një herë me tren,
Iu shfaq djalit,
Përpara një liqen.

Një traktor ka blerë,
Të lërojë gjithë vendin,
Djali tha i bindur:
-Do plugoj liqenin!

Mori dhe i hapi,
Dy shkopinj të gjatë,
Kështu edhe Van Dami,
Bie në sparkatë.


6. Nga Fran Ukcama

Zogu i zbardhun

Unë prapë jam trinca e borës në kreva rrushi,
me flatra të ngrira, si çerpikë bore,
bredh mbi akuj me kambët zbathun,
kur dielli i ftohtë ka ikun,
e siper kreshtës një kungull i verdhë ka dal,
si mbramë,
më tha motra Katerina se ajo e ka emrin hanë,
dhe unë në pshtjellën e borës,
prapë cicëroja vajtueshëm:-Nanë, oj nanë!!

Po nana ishte veshun me petka të reja,
e ngrime rrinte mbi një rrasë,
ku dija unë i shkreti i të shkretëve,
se ajo, pa deshirën e saj ishte nisur për Parajsë.

Jam zogu i zbardhun,
lotuesi i heshtun i kohës,
-Nanë, përsëri nanë!! thërras,
dhe vuaj se kam mbi gjashtëdhjetë vjet,
përgjigjen e piskamës nuk po e marrr pas!


7. Nga: Frrok Vukaj

KOSOVË TRIMJA, PO ÇON FJALË

Kosovë trimja, po çon fjalë:
-Kush ma qet zanin në Shalë?

Tym për tym, kush t’jesh me dalë,
Nuk ka plumba trimat me i’ndalë.

Janë bashkue Nikajt te tanë,
Kan kcye lumin e dalë mat’anë.

E i kan thirrë fisit t’Mërturit,
Me i’bashkue djemt e barutit.

Me i’bashkue djemt e fisit,
Me i’nisë luftën Nil Bogiçit.

N’at’ Qaf t’Kolçit ka hip djelmnia,
Ka krisë pushka asht’ tundë Malsia.

Tahir Sokoli mustaqe-gjati,
E merr pushka e s’po i del gjaku.

Ç’po ushton ky mali i Drelës,
Kërcet pushka e Kamer Prelës.

Dirgjen shkijet gur mbas guri,
Mitroloz po qet Merturi.

Ç’ka ka thanë, Ai Nil Bogiçi:
-Se s’ka djem, toka e k’tij fisi.

Bre Bogiç, mbylle tefterin,
T’vrasim Ty e t’zamë asqerin.

Se ka djem Nikaj-Mërturi,
M’bijnë si lisat e t’fortë si guri.

Janë kala, këto bjeshkët e mia,
S’të lëshon-gjallë, me dalë Malsia.


8. Nga: Gjon Neçaj

EH,  JUSUF GËRVALLA!

Nepër rrjedhat e historisë,
Rrodhi gjaku i Arbërit, e bulëzuan lulkuqet:
Bijtë e shqipes mrroleshin nën zymtësinë e kohës,
E prej qindra vjetësh nën flamurin kuq e zi,
Luftuan me pushkë e penë për fe e atdhe….

Jusufin e kish lindur Loke Ajshja me këmishë,
Në një cep të quajtur Arbëri;
Ndaj engjëllonte dhe dritëzonte në vargje e këngë,
Duke luajtur melodinë e përhershme të kushtrimit,
Për pak dritë, për diell, për liri.

Gjarpërinjtë  helmonin damarët e jetës;
Kosova kërkonte hisen e qiellit,
Jusuf Gërvalla me rilindasit kosovarë,
Luftonte me këngë e penë Bjeshkëve të Nemuna,
E liria nuk ish larg, por hienat vraponin,
Derisa frymën e fundit ia morën kreshnikut,
Në një ditë të ftohtë  me borë gjermane,
Ku çdo fije ishte e lyer me gjak, me gjak Jusufi,
Ku-ku biri im, ku-ku gjaku i gjakut tim !

Eh , Jusuf Gërvalla!

Në hisen e pashuar të fisit Gërvalla,
Bulëzojnë shekujve filiza n’amshim…


9. Nga: Yllirian Mërturi

FISIT TË  MËRTURIT

Në këto kohë, kohë dramatike,
Do t' këndoj një këngë epike.
Historinë e shprush ngadalë;
Per Mërturin, fis krenarë!

Kur ra, kalaja e I’skenderit,
Erdhën ditët e kijametit.
Burrat trima që gjallë pshtuen,
Thelle, në male u strehuen.

Nuk duruen osmanllinë,
Janë krenar, veç me lirinë,
Ata u shkulën nga bregdeti,
I pari i fisit,  ish Murr Deti.

Ngulun n’shkamb,fjetën në shpellë,
Nalt mbi krye, dy plambe qiell.
Na ndan Drini per mjedisi.
Me Berishën, si dy degë lisi.

Në shpat malesh ku rrëshqet toka,
Ishin larg, t' harruem nga Bota.
Në kohë t' herëshme e tek e vona,
Veç me Krishtin e armët tona!

Bukën në shkamb e kemi nxjerrë,
Një grusht berre, per çdo derë,
Ditë e natë në çdo shtëpi,
Bukë e krypë, besë e burrni.

Kushtetutë, ligj per katundin.
Ish  Pleqësia me Kanunin,
Me marreveshje “sunduem” veten.
Mbajtëm fjalën e lidhem besën .

Nanat burrenesha, motrat zana;
Gratë malësore, shumë fisnike.
Në çdo punë e luftë që bamë;
Rriten trima e qendruan pranë.

Na ndaluen, librin edhe shkollën,
Por, nuk mund ndaluen ODËN.
S' patëm letër, bojë as pendë,
Gjithçka duhej, mbajtun n' mend.

Per mos t' harrue historinë,
Lëvruem kangën e rapsodinë.
Per të mos hupun fjala e gjuha.
Ruejmë legjenda e fjalë të urta.

Per pastërti, të rracës e oxhakut;
Arkivi ynë- asht’ Lisi i Gjakut.
Lidhun me miqësi dy bajrake;
Mërtur e Nikaj = dy binjakë.

Malet tona se njohën tutën,
Vat Buça vetë, nxirrte barutin.
Burrat e dheut çarkun ngrehun,
Ushtarët anmikut kurrë s'ia njehen.

Turgut Pasha, gjenerali turk.
Urdheron Prel Tulin: " Dorëzo armët",
Atje ku je futur, mor’ arrnaut,
"Armët merri"! - nga Guri Murg.

Pritëm derzhavët turra- turra,
Ngusht na pruni diktatura.
Liria,e pronat iu grabiten Fisit,
U mohue edhe Feja e Krishtit!

Si krymi n' lis shpirti pisket,
Djlm e vajza tretun n'gyrbet,
Sterpikë Botës n' të katër anët,
Pa harrue, se ketu janë rrajët.

Pesëqind vjet i mundi ky fis,
Sup m' sup vëlla me Berishë.
Çetinë e fortë  dalë prej gurit,
Legjendar, Fisi i Mërturit!

(Bruksel, 2012)

 

10. Nga: Zef Mulaj

ANATOMIA E ATDHEUT TIM

Ta bëra autopsinë,
e kohëve,
duke gërmuar me thonjtë e mi,
si bisturi…..
Ti kam prekur damarët e gjatë,
të prerë …
I gjeta rrjedhjet e tyre nga,
shkojnë dhe vinë.
Lëkure e trupit, këmbë e duar,
Sa herë t'i kan prerë….
Ti lypa sytë,
ndezur të kishin mbetë.
Ta lypa koken, nuk të kishte tretë ….
Ta lypa gjuhën,
në çdo thërrime të dheut të kishte mbetë.
Ta lypa zemrën, gjallë ishte me të vertetë.
Ti kërkova zërat e njerzve,
ngrirë në muret e kalave,
të kishin mbetë….
Eca nëpër trupin tënd,
duke lypur damarët e tu,
të bëra analizën DNA-anë,
ta bëra autopsinë, t'i gjeta pjesët,
e trupit tënd të gjatë ..
O toka ime…….
Kudo që të kanë mbetë.
I mora malet e mia,
Fushat, bregdetin, lumejtë, bjeshkët,
i mbështolla në lëkurën tënde,
O atdheu im:
I gjeta kohët njëra pastjetrës,
në damaret e tu lidhur kishin mbetë.
Sa herë të kan vrarë, e kurrë nuk ke vdekë,
Sa herë t'i trembën njerëzit e tu,
ata u lëshuan mbi detë duke ikë.
Anatomia e atdheut tim…..
Sa herë të kanë prerë,
sa herë të kanë vrarë,
të pabesët e tradhtarët.
Nëpër rrugë kan ikur e janë tretur,
njerëzit, gra, burra e fëmijë.
Mbeta duke mbledhur kocka nëpër kohë.
Atdheu nuk i vret kurrë njerëzit e tij,
Por ka nga ata që e vrasin atdheun,
Per një grusht” pare”o për lavdi”.
Atdheu im, mbi trupin tënd,
kuaj të vjetër e kuaj të rinj damarët t'i shkelin ,
duke lënë pas hijen, hijen, hijen……ikin!!
Anatomia e atdheut tim,
lëkurën e copëtuar,
duhet ta qepim…..
Ndaj ta bëra autopsinë,
t'i prek damarët, të rri në sytë e tu.
Mbi trupin tënd një dritë të pashuar,
një grusht qirinj …
Të mbroj nga gjarpërinjtë që herë ikin,
herë vijnë …
Jo kurrë…
Anatomia e atdheut tim…!
Dorën në derën e shtëpisë vendosë kam,
rreth e rotull heshtje, muret e oxhakut për tokë,
ra kanë.
Ikën, ikën, pas lanë trupin tënd,
heshtja mbuloi gjithë fshatin.
Mure të kullës sime maje gurit,
Jeni pjesë e anatomisë së atdheut tim…..


11. Nga: Gjin Gjonpali

DITËT

Ne iu kërkojmë ditëve lumturi,
Ato na e falin sipas mënyrës së tyre,
E ne lumturohemi deri në shtat qiej.

Por ditët nuk janë tonat…
foto
Ne ju kërkojmë ditëve gëzime,
Po ato ngatërrohen e na japin edhe brenga,
E ne i fajsojmë e nxihemi sterrë.

Por ditët nuk janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve dashuri,
Ato na e shpërfaqin sipas mënyrës së tyre,
E ne digjemi flakë ndjesive të kaltra.

Por ditët nuk janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve, rini të përjetshme,
Po ato na zbulojnë thinja me imazhe vjeshte,
E ne zhgënjehemi në pafuqinë e tyre.

Por ditët nuk  janë tonat…

Ne iu kërkojmë ditëve të tjera ditë,
Po ato sosen për ne e shtohen për të tjerët,
E ne iluziojmë për tjetër jetë.

Pa e mësuar kurrë se ditët nuk janë tonat.

E hënë 28 Mars 2011


12. Nga: Jak Përpali

POETËT

Vajza, mos i puthni poetët, do t’i humbni të gjitha rrugët,
Duke pikturuar trëndafila bojëgjaku dhe mjedra,
Që shtrydhin ylbere të pakapërcyeshëm në etjen tuaj,
Do ecni nëpër shira xixëllonjash që nuk bien në tokë.

Kanë lindur të mallkuar dhe duan të shpëtojnë,
Duke ju shkruar lirika dallëndyshesh në retinën e syve,
Duke notuar nëpër dallgët e zemrave tuaja të çelura,
Duke pushuar në pëshpërimën e limaneve tuaja të avullt.

Në çdo puthje tjetër do të ndiheni të plakura.
Vajza, do të qani duke braktisur të dashurit,
Që nuk fluturojnë brenda një vështrimi,
Në shtatë liqene dhe në shtatë qiej.

------
Përshëndetje të përzëmërta:

Dhe Unë, po dua që të përshëndes këtë (takam burrash), këtë dymbëdhjetëshe poetësh lek-bibas, miqtë e mi të dashur e të nderuar, edhe shumë të tjerë si këta, nga ajo trevë etnike-folklorike, me një vjershë timen, pikrisht kushtuar asaj krahine të lavdishme shqiptare, me emrin “binom epik”, Nikaj-Mërtur.
Kur ta shohin e ta lexojnë këtë antologji, këtë  “polifoto” miqësore në ZemraShqiptare, të gjithë këta krijues, prej atje ku janë, nga Bajram Curri a Tirana, nga Athina a Italia, nga Belgjika a Amerika e larget, them se, do të ndjehen, për disa çaste, sikur jemi bashkë, po rrijmë e kuvendojmë, po qeshim e po dertojmë, cakrrojmë gotat e bisedat, që, siç thoshte Fishta dikur: “…Për me u’këndue n’lahutë t’Malcisë,/Se si u end, fati i Shqypnisë?”.
Le të jetë ky botim shumë modest, si një kartolinë për Ju, miq e dashamirë që, megjithëse themi se jemi “njerëz të lirë”, po bahen dekada pa u parë ndër veti! Lutëna që ky 100-vjetor i Shtetit tonë Shqiptar, të na afrojë me njëri-tjetrin, duke na avytë më shumë edhe me Atdheun e dashur, të cilin, nuk e di, “a nuk ditëm, apo nuk mundëm”, që ta duam aq sa, Ai e meriton?!
...Jemi në pranverë, kur gjithëçka përtërihet e ringjallet.
Ashtu qoftë, edhe me fatet e jetët tona.
./.

ATY FILLON PERËNDIMI SHQIPTAR
-Nikaj-Mërturi, dekoratë ilire në gjoksin Dardani-

Nga:  Zeqir Lushaj
…!
Kapuçi i bardhë:
Lugbat, Shtyllë,
…Kore e Kaki .

Kërshi i Pikut,
Vorri i Fratit:
Sytë poshtë tij.

Qafë Agri ,
Qafë Kolçi:
Dy desh mbi urë,

Brinjët, vet fiset,
(Libër i hapur):
-Nikaj-Mërtur.

Rrasa e Mulajve,
Shpatë për së gjati,
Varur, qystek sahati.

Shkuma e bardhë,
Nga Currajt e Epër,
Zhurmon serbes,

Qëndrestarin,
(Epos kreshnikësh),
Freskon mespërmes.

Rreth e rrotull,
Bjeshkët plot çetë,
Kalabosh, vezme me fishekë.

Ngulur fort (Va në Va),
Drinit, nën kambë,
Nga Kisha e Rajës, në Toplanë.

Sy ciklopi,
Përballë natë-ditë,
Berishë e Brigjeve-Aprripë.

Shpatullat të sigurta,
Nga do t’i shikosh,
Valbonë-Shalë-Shosh.

Taban mbështetës,
(Drejtëpeshim gjithmonë),
Motrat, Shkodër e Gjakovë.

Vrrini i kullave,
Bjeshkët e stanit,
Visare, të Kulturës Komanit.

Si lisat breg Karmës,
E pishat në bjeshkë,
Djelt e çikat me synin eshkë.

Si në Apelin e Fiseve,
Për t’u rrethue në sofër,
Artistë me emën në çdo votër.

Hemisfera në Alpe,
(Si Muja e Halili),
Dy Lekët: -Biba-Dukagjini.

Për mikun, në dorë zemrën,
Për armikun, vaisin pushkët,
Pa kallauz katundi që duket.

Aaah, Nikaj-Mërturi!
Dekoratë ilire, në gjoksin Dardani,
Sa mangut do të ishim pa Ty!

Mësonje mirë,
Mbanje mend (çikë e djalë):
-Aty fillon Perëndimi Shqiptar.
…!
Gjeografia…,
Lehtë vizatohet,
Libri i jetës, zor lexohet!

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, nga NJ, USA, Maj 2012)



(Vota: 49 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora