E shtune, 25.05.2019, 06:24 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Dick M, ky zvicerian shumë i uritur për “veshka serbësh” dhe insititucionet europiane që i shkojnë pas

E diele, 20.05.2012, 06:03 PM


Dick M,  ky zvicerian shumë i uritur për “veshka serbësh” dhe insititucionet europiane që i shkojnë pas!

Nga Elvi Sidheri

Ç’ne ky titull do vetëpyetej dikush?

Po arsyet për këtë gjë janë nga më të ndryshmet dhe rrjedhimisht edhe nga më të mirëargumentuarat.

Kryesisht ideja lindi spontane, nga kalimi lehtësisht në parlamentin shqiptar, i një ligji i cili autorizonte “pa ja bërë syri tërrt” siç thotë edhe populli, lejonte pra EULEKS & Kompaninë e lumtur të ndërkombëtarëve, që të vijnë në vendin tonë për të “hetuar”...akuzat drithëruese të zvicerianit pëllitës, zotit Dick M domethënë.

Tani të përdorësh termin serioz “hetuar”, për atë që të huajt do vijnë të bëjnë në Shqipëri, është ca si ekzagjerim megalloman, në mos edhe një mbivlerësim i pamerituar i punës që ata do të bëjnë gjatë qëndrimit në vendin tonë.

Më shumë këtë eksperiencë të tyre (të të huajve zhbirilues në kërkim të së vërtetës së imagjinuar të Dick-ut), do t’a quaja ashtu siç sërish duke përmendur një shprehje popullore, i shkon përshtat, pra ata më shumë do të bëjnë një “Hutim” se sa një hetim eventual të mirfilltë.

“Hutusët” ndërkombëtarë, do vijnë dhe përveçse do të shtyjnë kohën e tyre duke shpenzuar së koti “Eurot” e Këshillit të Europës apo BE-së, apo edhe Institucioneve të tjera ndërkombëtare, asgjë më të mirë nuk do të bëjnë.

Në fund si edhe pseudo-hetimet e mëparshme të këtij lloji, si ai i UNMIK-ut në 2004-ën apo edhe ca tentativa bastarde të vetë Dick M-së dhe ndonjë prokurori serb që është orvatur të vijë në vendin tonë për këtë qëllim, edhe ky hetim i rradhës do përfundojë po ekzaktësisht në të njëjtin kazan mbeturinash si edhe të ata të mëparshmit.

Ku i dihet që aty në atë kosh plehërash të harresës ku këto akuza + hetime do përfundojnë, s’del të ketë edhe ndonjë kockë mishi të kalbur që dikush e ka hedhur pasi i ka ngrënë mishin dhe kështu më në fund do të shpallin botërisht se i gjetën provat e krimit, duke i deklaruar si mbetje mortore serbësh të trafikuar nga shqiptarët!

Se që të sajosh të dhëna fiktive është tejet e thjeshtë dhe po aq, që të ua shesësh atyre që duan t’i besojnë pallavrat e tua si të vërteta, edhe kjo gjë është po ashtu mëse e lehtë.

Në këtë mënyrë të gjitha imagjinatat e sëmura të ish-prokurores së Hagës, me origjinë nga po i njëjti vend me Dick M-në tonë, u përhapën si murtajë e zezë nëpër gjithë Europën dhe shpellën e saj (gojën) akoma s’ka ditur t’a mbyllë njeri.

Tani jam i sigurtë që sikur kushdo qytetar i Shqipërisë të dilte e të botonte ndonjë libër, në të cilin t’a shpallte prokuroren në fjalë, si abuzuese apo vrasëse apo ku di unë çfarë, me siguri Ambasada e vendit të saj në Shqipëri do të ndihej shumë e fyer dhe ishte që ishte do t’i çonte edhe ndonjë notë zyrtare proteste autoriteteve të vendit tonë.

Lëre pastaj që i gjori shqiptar i cili do mund të botonte një libër të tillë, me po aq siguri, kufinjtë e Zvicrës do i kishte në përjetësi të mbyllura si “persona non grata”.

Dhe mbi të gjitha, akuza të tilla, të nisura nga shqiptarët për njerëz si prokurorja ose tipat si ajo, kurrsesi s’do të gjenin pasqyrim e as rëndësi në perëndim.

Kurse totalisht e kundërta ndodh kur të tilla supozime me organe të shkulura egërsisht nga trupat e pronarëve të tyre serbë dhe më pas të trafikuara.bëhen në dëm të shqiptarëve nga kushdoqoftë.

Dhe arsyet për këtë fenomen janë kryesisht dy copë.

Një) Që akuzuesit vijnë nga një vend i “respektueshëm” si Zvicra e pasur dhe e paanshme përgjatë gjithë historisë së saj.

Dy) Që të hequrit keq në këtë rast, ata të cilëve pashpirtësisht u janë hequr organet e tyre të shenjta, janë serbët.

1 + 1 bëjnë 2 dhe po kaq, serb i vuajtur i keqtrajtuar nga shqiptari + një çfarëdo zvicerian i pafajshëm që e pohon si të vërtetë një gjë të tillë = me fakt më shumë se të besueshëm.

Kështu janë gjërat dhe s’ka fare pse të ndihemi ndopak të habitur nga histeria kolektive që zuri vend sa në Këshillin e Europës e sa nëpër kontinent pas ripublikimit të rradhës së këtyre delirimeve të miqve tanë zvicerianë.

Në kontinetin tonë s’i kanë larë ende duart mirë me ndërgjegjen e tyre të papastër, të mbushur plot me gjak hebernjsh të cilët vërtetë u shfarosën në masë nga Nazistët, por po aq rregullisht u dorëzuan dhe u spiunuan me përpikmëri nga fqinjët e tyre të gati secilit vend Europian.

Njëlloj ndërgjegja europiane është njollosur thellësisht me gjakun e qindra-mijërave viktimave të makinerisë ushtarake e çetnike serbe gjatë 4 luftrave në ish-Jugosllavi.

Europianët në secilën prej atyre luftrave, si fillim të paktën zgjodhën anën e serbëve, në dëm të slovenëve, kroatëve apo boshnjakëve e më pas shqiptarëve.

Kjo gjë justifikoi Vukovarin ku serbët e dashur s’lanë pa vrarë as të plagosurit nëpër spitale, apo masakrat në Bosnje, ndërsa ushtarët europianë pinin verë qetësisht e ca metra larg tyre nja 8 mijë veta hiqeshin qafe nga serbët.

Po kështu të ishte për Europën, edhe në Kosovë punët do venin në të njëjtën mënyrë.

Dikush tjetër matanë oqeanit Atlantik vendosi ndryshe dhe i mori europianët për hunde duke i detyruar të shihnin si bombardohej i përkëdheluri i tyre i përjetshëm, serbi i shtrenjtë!

Por kjo gjë bëri që ndërgjegja europiane të mbetej e vrarë dhe me një ndjenjë të fortë faji ndaj serbëve.

Dhe ku kishte rast më të mirë se këto akuza, për t’u shfajësuar ndaj serbëve dhe për t’u treguar atyre se Europa është në anën e tyre dhe se ajo që ndodhi ishte sepse ashtu deshën dhe vendosën amerikanët dhe këtej nga perëndimi i Europës s’kishin çfarë t’i bënin e u detyruan të pranonin këtë vullnet të imponuar.

“Sot jemi në 2012-ën dhe gjërat kanë ndryshuar”-vazhdojnë të na thonë nga Brukseli dhe qëndrat e BE-së.

Është relativisht një kohë paqeje dhe integrimi si edhe mirëqënieje dhe progresi.

Ka vetëm një detaj të vogël!

Që trutë e brukselasve dhe strasburgasve, aparatçikëve të ndryshëm të BE-së, janë po të njëjtët dhe me pak përjashtime të gjithë vazhdojnë të kenë të njëjtën dashuri të palëkundur kundrejt serbëve dhe njëtrajtshmërisht të njëjtin përçmim ndaj shqiptarëve.

Të ishte për këta burokrate BE-je, Jugosllavia do ekzistonte akoma sot e kësaj dite!

Të ishte për ta, po ashtu edhe në Kroaci (ndoshta në këtë rast specifik, gjermanët për shkak të afrimitetit të tyre historik me kroatët, s’do kishin qenë shumë dakort), aty do kishte ende një Republika Srpska Krajina.

Po ashtu në Bosnje serbët do kishin çliruar (pastruar) etniksht 90% të territorit dhe po aq do kishin fshirë edhe 90% të banorëve joserbë të atij vendi dhe ku i dihet Republika Srpska e atjeshme do i ishte bashkuar nënës Serbi.

Mali i Zi do ishte akoma në federatë me serbët e në Kosovë Reçaku do ishte përsëritur qindra herë, pa e çarë gati askush kokën në perëndim të Europës.

Gjithmonë, sipas traditës më të mirë europiane, do ishte thënë se s’është koha për të ndërhyrë, se ato s’janë punët tona, se ballkanasit janë gjindje e egër dhe s’merremi dot vesh me ta dhe mbi të gjitha në fund prapë do i jepej e drejta “hyjnore” serbëve!

Po këto gjëra arsyetojnë edhe qëndrimet aktuale të BE-së ndaj Serbisë dhe Shqipërisë.

Pa mohuar aspak karakterin vetëshkatërrues të shqiptarit dhe dëmin konstant që ai i bën shtetit të tij me veprimet destabilizuese që ka 100 vjet pavarësi që i shohim, sërish s’mund të mbyllen sytë para asaj që ndodh me BE-në dhe lidhjet e saja me Ballkanin.

Krizat politike të përsëritura në vendin tonë, i prishin punë vetëm dhe ekskluzivisht banorëve të Shqipërisë.

Dyshoj që dikush në Itali, Francë a Gjermani të shqetësohet sadopak se ndokush bllokon sheshet a sulmon kryeministrinë në Tiranë!

Po aq nuk është se Italiani në mëngjes nuk do e ngjyejë Brioshin në Kapuçinon e shijshme gjithë krem, për shkak se në Shqipëri partitë politike s’merren vesh se kush i ka fituar zgjedhjet.

Gjermania me siguri matematike, do vazhdojë të ketë rritje ekonomike, sadoqë në Tiranë zihen e shqyhen për Bashkinë e kryeqytetit.

E francezët do vazhdojnë të mahnisin botën me Haute Cuisine të tyre, pavarësisht stabilitetit apo jo politik në Shqipëri.

Shqipëria ka punët e veta dhe kaq.

Maksimumi ka për t’u marrë me shqiptarët rreth e rrotull kufinjve të vet.

Por edhe në këto raste, ajo vepron në vijë të drejtë, kryesisht me politikën e aleative të mëdhenj amerikanë, qëndrimet e të cilëve të paktën hapur nuk guxohet të kundërshtohen edhe nga perëndimi europian.

Nga ana tjetër kemi një Serbi që pasi ka bërë dush me gjakun e rreth 300 mijë ballkanasve të tjerë mbi të cilët ka shkelur për të realizuar qëllimet e saja hegjemoniste, akoma gjen kurajon të kërkojë, kërcënojë e të ankohet sa herë mundet!

Kemi një shtet serb, që ndërhyn sa herë t’ia japi truri në territorin dhe punët e një shteti që sadoqë ajo vetë e refuzon, sërish vendet më të fuqishme të botës e kanë njohur si tokë sovrane.

Por po kështu hyn në çështjet e FYROM-it me konfliktin për kishën maqedonase.

Përplaset me Malazezët për identitetin e tyre dhe njëkohësisht për kishën e atij vendi që serbët e kanë uzurpuar.

Roli i Serbisë në Bosnje është po aq destruktiv dhe ana serbe e shtetit në fjalë, përdoret çdo ditë si shantazh ndaj vetë atij vendi por edhe komunitetit ndërkombëtar, me kërcënimin jo edhe aq të heshtur se ajo pjesë mund të kërkojë një ditë që të ndahet dhe të bashkohet me Beogradin.

Në Kroaci ylli i serbëve ka perënduar me kohë, pasi Europa u bë dëshmitare e tmerruar në verën e 95-ës, se si trupat kroate për pak ditë tejkalonin vijat e frontit të serbëve dhe rivendosnin autoritetin e Zagrebit mbi ato toka të pushtuara të shtetit të tyre.

E s’po i futem të flas për shpikjet që vetëm një mendje e përdredhur serbe mund t’i bëjë dhe po aq një tru BE-je mund t’ua pranojë, në lidhje me ekstraterritorialitetet fetare apo kulturore serbe në Kosovë.

Meqë ekziston ndonjë kishë serbe apo sepse diku ka një gjë e cila kulturalisht lidhet me historinë serbe, atëherë ajo shpallet si një lloj ekstraterritorialiteti i tyre!

Siç dihet, në mos të ndonjë surprize, ne shqiptarët ndoshta s’e kemi shkruar gjuhën tonë në shekuj (me përjashtim të mbishkrimeve Mesapo-Ilire në Italinë e jugut), kështu që në territorin tonë ka mijëra mbishkrime kryesisht greke, latine, italiane, turko-arabe apo edhe cirilike sllave.

Mos do të thotë kjo që ato tani t’i shpallim ekstraterritorialitete greke, turke apo sllave, meqë kemi përdorur shkrimin e tyre historik?

Apo me po të njëjtën logjikë, t’a kërkojmë Ibrik Tepenë në Turqi si ekstraterritorialitet të tonin shqiptar, sepse aty ka lindur një personalitet shqiptar madhështor historik si Fan Stilian Noli?

Po aq mund të kërkojmë si ekstraterritorialitet Pallatin e Perandorit Ilir Dioklecian në Split, meqë ai ka qenë i gjakut tonë Ilir-Shqiptar dhe përbën kështu një trashëgimi të tonën historike.

Të tilla shembuj mund të jap pafund, në të mirë dhe në të keqe tonën.

Me këtë mënyrë të menduari nuk do kishte më ligje ndërkombëtare dhe sovranitet të asnjë vendi në botë.

Por kërkesave të tilla të papranueshme të serbëve, në Europë u janë përgjigjur pozitivisht dhe gjërat kanë shkuar siç kanë shkuar dhe gjendja e sotme në Kosovë është reflektim perfekt i kësaj politike.

Kështu serbët kur formuluan akuzat e tyre të rradhës ndaj shqiptarëve, të cilat kanë evoluar nga ajo që ne jemi majmunër e kemi bisht, siç thoshin një shekull më parë, tek trafiqet e tashme me organe serbësh, kur i paraqitën ato tek Carla apo Dick M-ja, e dinin që ato pretendime pa asnjë faktim real, sërish do ngjisnin diku.

Sjellja e BE-së, vetëm e vitit të fundit me Serbinë e konfirmon këtë gjë.

Statusi i kandidatit i atij vendi, desh u bë më i rëndësishëm se vetë kriza greke dhe e monedhës Euro dhe gjithë BE-ja mbeti pa gjumë fundvitin e vjetshëm kur serbëve iu shty statusi për ca muaj.

Dhe këtë fillimviti, ai iu dhurua atyre në një tabaka argjendi më në fund.

Se si në 3 muaj, Serbia ia doli që të realizonte përparimet ligjore, ekonomike dhe mbi të gjitha përmirësimin në marrdhëniet e saj me fqinjët e Kosovën që jo që s’e njeh por e dhe i ka pushtuar një copë territor dhe të cilës ia sfidon ekzistencën orë e minutë, këtë gjë vetëm në Bruksel e dinë?

Ndërkohë që në Tiranë, çështja më e madhe është se a merret vesh lideri i opozitës me Kryeministrin dhe a hyn pakica në parlamentin shqiptar, i cili me kushtetutë mund të funksionojë ligjërisht edhe me 71 deputetë!

Për këtë çështje neve na mbahet statusi pezull, sadoqë nuk sulmojmë e destabilizojmë askënd përqark nesh (gjë që mund t’a bënim nëpërmjet ca miliona shqiptarëve në disa vende fqinje) dhe jemi që jemi, po kemi ushtarë tanët deri në Afganistanin e largët duke eksportuar paqe në ato rajone.

Prandaj se si u bë qimja tra dhe organet imagjinare të serbëve, nga goja e Carlës shkuan tek ajo e Dick M-së dhe më pas edhe në Këshillin e Europës, kjo gjë s’do shumë mund të kuptohet.

Dëshira për të dëgjuar lajme të tilla që i paraqesin gati si kanibalër modernë shqiptarët, është aq e ethshme, sa jo atë palo shtëpi të varfër në Burrel të kishin gjetur serbët e Dick M-ja për t’a cilësuar si vendin e krimit, por edhe në qendër të Tiranës tek Blloku po të thonin se ishin shkulur organet serbe, prapë do iu besohej pa hezitimin më të vogël.

E pastaj Dick M-ja e agjentura serbe në Beograd, pasi panë një ditë para ca vitesh në televizionet e gjithë botës se presidenti i nderuar George W Bush, vizitoi mes një entuziazmi të rrallë popullor, një vend të vogël në veri të Tiranës, pra Fushë Krujën, atëherë mendja me fantazi shumë të reduktuar e tyre, e gjeti të rastit që edhe qytezën që priti mikun amerikan, t’a fuste në rrugën e trafikut të organeve.

Me serbët s’ja vlen të merresh se po njëlloj janë gjithmonë, por për Dick M-në ca gjëra edhe mund t’i themi.

Si për shembull se ndërsa ai na akuzon neve për punë organesh serbe fantazmagorike, andej nga vendi i vet jo gjithçka rrjedh si ujë i pastër.

Dihet botërisht se një nga arsyet më të prekshme të mirëqënies financiare të zvicerianëve, janë bankat e tyre.

Banka në të cilat akoma në ditët tona, fshihen shuma marramendëse fondesh që vijnë nga pasuritë që u janë zhvatur hebrenjve nga Nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

Fonde që burojnë nga pasuria personale e çdo familjeje hebreje që ra në duart e Nazistëve, nga pronat e tyre private, nga puna e tyre e papaguar nëpër kampet e shfarosjes Naziste.

Ato banka ndodhen me siguri edhe në qytetin ku Dick M-ja banon, ndoshta edhe pranë shtëpisë së tij, në zona ku mundet që ai vetë përditë del të bëjë edhe ndonjë xhiro, duke kaluar pranë atyre insititucioneve financiare që i japin Zvicrës emrin që ka nëpër botë dhe stabiltitetin e saj të njohur ekonomik.

Por ndërsa vendi i tij, ruan me xhelozi pasurinë që hebrenjve u është vjedhur para se të zhdukeshin dhunshëm nga faqja e dheut, vendi jonë ka dëshmuar komplet të kundërtën.

Bashkë me Danimarkën, Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që jo vetëm i mbrojti hebrenjtë e vet, por pas lufte numri i tyre në vendin tonë jo vetëm që s’kishte rënë, por ishte disafishuar.

Shqiptarët mund të bënin si gati gjithë europianët e tjerë dhe të silleshin sipas këndvështirmit të asaj kohe që hebrenjtë i shihte si një problem për t’u zgjidhur njëherë e mirë me eliminim përfundimtar.

Por ne zgjodhëm të mbronim të pambrojturin dhe hapëm vatrat dhe zemrat tona për ata njerëz në nevojë.

Dhe i shpëtuam të gjithë hebrenjtë që shkelën në territor shqiptar.

Kurse zvicerianët e Dick M-së dhe Carla prokurores së Hagës, në mos veshkat e hebrenjve, dhëmbët e tyre të arta që u ishin shkulur nga nazistët para se t’i çonin për t’i shfarosur drejt dhomave të gazit, vazhdojnë me shumë mundësi t’i ruajnë në kasafortat e bankave të tyre.

Këto janë prova të vërtetuara nga mijëra fakte dhe dëshmitarë, njerëz që u kanë mbijetuar kampeve Naziste të përqëndrimit e që ende janë gjallë dhe kërkojnë drejtësi, ndër të tjera edhe nga shteti zvicerian që vazhdon më kokfortësi të mos u kthejë pasuritë e tyre.

Dick M-ja para se të kërkojë i uritur veshka serbësh në Shqipëri, le të shohë pak se ç’bëhet  me vendin e tij.

Në fund të fundit, akuzat e tij dhe të shpurës që i shkon mbrapa, janë si kur dikush pështyn lart në ajër dhe ajo pështymë kthehet dhe i bie në turi!

Një “Vetëpështyrje” e shëndetshme në fytyrë domethënë.

Për të tjera, tipave si Dick M-ja dhe kujtdo anitshqiptari tjetër, iu do kujtuar që hebrenjtë për të cilët po flisja më parë, pasi Nazistët tentuan t’i hiqnin qafe totalisht, ata fituan shtetin e tyre dhe aleatët e mëdhenj amerikanë.

Po e njëjta gjë ka ndodhur rregullisht me shqiptarët.

Dikur në fillim të viteve 20-të të shekullit të XX-të, pasi serbët dhe jo vetëm ata, tentuan të na zhdukin etnikisht e territorialisht, fituam shtetin tonë dhe aleatin amerikan.

Në fundshekullin e kaluar, serbët e pësuan prapë njëlloj, shqiptarët fituan një tjetër shtet dhe amerikanët sërish ishin në krahun tonë.

Mëkat për njerëzit si puna e Dick M-së, por gjërat kështu janë dhe s’ndryshojnë dot sadoqë ata të shpifin.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT