Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Pensionistët humbësit më të mëdhenjë të tranzicionit

| E diele, 20.05.2012, 07:06 PM |


PENSIONISTËT HUMBËSIT MË TË MËDHENJË TË TRANSICIONIT

Nga Adil FETAHU

Ç’është transicioni

Transicioni për shumëkend është një fjalë abstrakte, të cilën e përdorin politikanët për t’i arsyetuar dështimet, për t’ia hedhur fajin dikujt, ndonëse as vet nuk e dinë kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Kështu, transicioni është bërë shpjegim dhe arsyetim për të gjitha çështjet e pakëndshme të cilat e mundojnë këtë vend e këtë popull të Kosovës, por kjo pothuajse gati kështu është edhe në vendet e tjera në transicion, veçmas në këto vendet e Gadishullit Ilirik.

Ndryshe nga kuptimi i mësipërm, transicioni është proces historik, gjatë së cilit ish-shtetet socialiste (komuniste) bënë ndryshime e reforma të sistemit politik, ekonomik e shoqëror, duke kaluar  prej sistemit socialist/komunist njëpartiak, në shoqëri pluraliste demokratike shumëpartiake, dhe nga ekonomia e planifikuar, në ekonomi (liberale) të tregut të lirë.

Derisa transicioni politik mund të ndodhë dhe të kryhet në një kohë më të shkurtër apo më të gjatë, me ndryshimin politik, kushtetues e ligjor, me luftë, me revolucion apo me evolucion, ndërkaq transicioni ekonomik e shoqëror kërkon një periudhë kohore më të gjatë për t’u kryer, dhe ky proces ndodh pas transicionit politik, ndërsa kohëzgjatja e tij varet nga modeli i zgjedhur i reformave dhe nga aftësia e institucioneve për t’i zbatuar ato. Jemi dëshmitarë se në shumë raste (e vende) transicioni ka degjeneruar e shkaktuar luftëra civile a konflikte etnike, shpërbërje të shteteve federale e krijim të shteteve të pavarura; shembull për këtë janë BRSS, RSFJ, Iraku, Avganistani, Libia, Egjypti, Siria... Në shtetet arabe duket se transicioni është kuptuar si reçetë për vetëshkatërrim! Përpos problemeve të mëdha politike, luftërave të përgjakshme e shkatërruese, edhe në vendet ku transicioni është zhvilluar në mënyrë të qetë, atë e kanë përcjellur probleme të mëdha të natyrës makro dhe mikro-ekonomike e sociale.

Përkundër premtimeve dhe pritjeve të mëdha për efektet spektakulare, se procesi i  transicionit do jetë i dobishëm, do krijojë shansa për punë e mirëqenje për të gjithë,  efektet e deritashme të transicionit në Kosovë jo se nuk janë për t’u lavdëruar, veçse ato janë për t’u turpëruar! Sepse ky proces i zhvilluar në mënyrë joprofesionale dhe joefikase, ka krijuar kontraefekte dhe ka lënë pasoja të mëdha ekonomike e sociale afatgjata. Ta marrim për ilustrim, procesin e privatizimit që është një proces tërësisht i dështuar, me shumë efekte negative si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për rritjen e papunësisë dhe të problemeve sociale. Me modelin eksperimental të privatizimit që u zhvillua në Kosovë, tërë ekonomia që ishte krijuar më se pesëdhjetë vjet, praktikisht u shkatërrua, u shit me çmime qesharake, u ndërrua struktura industriale-prodhuese, mjetet e pakta të grumbulluara nga privatizimi nuk u investuan askund në ndonjë program ekonomik.U ndërrua struktura pronësore e tërë pasurisë së paluejtshme, pa bërë asnjë hap në drejtim të denacionalizimit dhe kthimit ose kompensimit të atyre pronave pronarëve të mëparshëm ose trashëgimtarëve të tyre, duke krijuar kështu edhe konflikte me pasoja tragjike për çështje të pronave. Shteti (i Kosovës) mbeti pa pasuri të veten, ngase pronarë u bënë privatët matrapazë, të cilët nuk mendojnë për zhvillimin ekonomik të vendit, por vetëm si të pasurohen vet në mënyrë të ligjshme e të paligjshme, me ekonomi formale e joformale, e bile kriminale. Në vend se procesi i privatizimit të gjenerojë  investime të reja e punësim më të madh, shumica e punëtorëve mbetën pa punë dhe pa kurrëfar mbrojtje sociale.

Dështimit të procesit të privatizimit dhe të transicionit në tërësi i kanë kontribuar kuadrat e paafta e pa përvojë, të angazhuara në institucione, agjenci e ministri të ndryshme, ku dija, përvoja, aftësia menaxheriale, kompetenca profesionale dhe përkushtimi nuk ishin kritere, veçse përkatësia partiake, familjare, fisnore, klanore. Tranzicioni dhe reformat ekonomike të zhvilluara në Kosovë, e kanë goditur Kosovën si shtet, tërë ekonominë  dhe shumicën e popullsisë së saj, duke krijuar kriza të cilat po manifestohen në të gjitha format dhe në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Edhe sikur t’i mblidhnim në një institut të gjithë nobelistët e botës të lëmisë ekonomike (me në krye Xhefri Saksin), zor se  do ta nxirrnin për një kohë të gjatë ekonominë e Kosovës nga “balta e gjallë” në të cilën është zhytur, dhe krizat që e kanë pllakosur.  Kështu, na shfaqet kriza e identitetit të vet shtetit të Kosovës (me fusnotë, e të panjohur nga disa vende të Evropës dhe shumica e vendeve të botës); kriza e getoizimit (të popullit, ekonomisë, kulturës, sportit); kriza e neutralitetit dhe mosnjohjes sonë edhe nga organizmat ndërkombëtare të cilat kinse kanë ardhur për të na ndihmuar dhe veprojnë në Kosovë (UNMIK-u, OSBE, EULEX, KFOR-i); kriza e sovranitetit dhe integritetit territorial (në veri dhe nëpër të gjitha enklavat serbe, madje edhe rreth kishave ortodokse!); kriza e mbrojtjes së vendit (nuk kemi ushtri tonën të përgatitur e të pajisur për mbrojtje); kriza kushtetuese (Plani i Ahtisarit, me privilegje për pakicat e mohim të shumicës, është mbi Kushtetutën e Republikës sonë); kriza e rendit ligjor (ligje, rregullore e urdhëresa administrative  të shumta, të  periudhave, sistemeve, institucioneve e nivele të ndryshme, shpeshherë në kundërshtim me njëra-tjetrën, e shumicën e herave në kundërshtim me interesin kombëtar); kriza e sistemit të drejtësisë (gjyqësi e prokurori joefikase, të korruptuara, të ndikuara nga politika dhe nga faktori i jashtëm, që nuk ka arritur të zbulojë e dënojë kriminelët e luftës e të pasluftës); kriza e të zhdukurve e të pagjetur edhe 13 vjet pas mbarimit të luftës; kriza e sistemit zgjedhor, e Parlamentit e Qeverisë, e vetëqeverisjes lokale; kriza e qyteteve dhe fshatrave; kriza demografike (popullsia dikur me natalitet më të lartë në Evropë, tash por “tkurret” e pakësohet!); kriza e familjes, e moralit dhe dinjitetit; kriza shëndetësore (janë shumëfishuar sëmurjet e kancerit, për të cilat nuk është gjetur ilaçi i shërimit); kriza e ndotjes së ambientit;  kriza e arsimit në të gjitha nivelet; kriza e shkencës, artit,  kulturës dhe sportit të varfër e të getoizuar; kriza e mediave (të varura nga politika dhe nga donatorët e jashtëm); madje kriza i ka kapluar edhe bashkësitë fetare, nga depërtimi i rrymave dhe ndikimeve të ndryshme nga jashtë. A doni të ju numërojë akoma lloje e forma të krizave? Ka akoma. Dhe të gjitha ato lloje të krizave janë të ndërlidhura midis tyre dhe e “ushqejnë” njëra-tjetrën.

Në këtë anarki transicioni, krizash e reformash, dikush ka përfituar jashtë mase (e jashtë ligji), ndërsa shumica kanë humbur e janë varfëruar jashtë mase e jashtë ligji. Kështu, në popull janë krijuar dy shtresa të polarizuara: njëra u pasurua shumë dhe shpejtë, tjetra u varfërua akoma më shumë dhe është në proces të varfërimit të mëtejshëm. Nuk ka më një shtresë të mesme, e cila  çdokund  konsiderohet se është kurrizi që mbanë shoqërinë-shtetin.

Reformat e nisura e të pakryera, janë filluar dhe zhvilluar pa ndonjë analizë paraprake të gjendjes,  kushteve, nevojave, efekteve dhe pasojave. Prandaj, në asnjë segment nuk kanë dhënë rezultat. Për këtë shkrim, do përqendrohemi vetëm në reformën e sistemit pensional.

Reforma e sistemit pensional i ka goditur rënd pensionistët

Një nga reformat e nisura, por as afër për t’u kryer, është sistemi pensional. Pensionistët e Kosovës nja pesë vjet nuk morën pensione fare. Për dy vjetët e para (1998-1999) faji mund t’i mvishej Serbisë, kurse për vitet 2000-2002, fajin e kishte administrata ndërkombëtare në Kosovë, e quajtur UNMIK. Kur filloi me njëfarë skeme pensionale në gjysmën e dytë të vitit 2002, në atë skemë i përfshiu të gjithë të moshuarit me moshë mbi 65 vjeçe, dhe të gjithëve duke u dhënë nga 28 euro në muaj, pa marrë parasysh nëse kishin dhe sa kishin stazh pune e kontribute të paguara, ose nuk kishin qenë kurrë në marrëdhënie pune as nuk kishin paguar kontribute për pension.

Prej vitit 2003 u bënë disa përpjekje për të krijuar legjislacionin për sigurimin pensional dhe invalidor dhe u hartuan disa projekte ligjesh, por asnjëherë nuk arritën të shqyrtohen e miratohen në Kuvendin e Kosovës, gjithnjë me pretekst se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk po lejojnë ngarkimin e buxhetit me shpenzime për pensione. Për punëtorët aktualë u nxor një Rregullore për Pensionet në Kosovë (Rregullore e UNMIK-ut nr.2001/35, dt. 22 dhjetor 2001, e ndryshuar me Rregulloren nr. 2005/20, dt. 29 prill 2005).   Rregullorja ka përcaktuar skemën pensionale të mbështetur në tri shtylla. Shtylla e parë  është i ashtuquajturi “pensioni bazë”, që iu paguhet të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeçe. Shylla e dytë konsiston në kontributet e   obligueshme të paguara në fondin e pensioneve, të cilat i paguajnë  punëtorët dhe punëdhënësit nga 5% të pagës mujore të punëtorit. Shtylla e tretë është në baza vullnetare, kush ka mundësi dhe dëshiron  të kursejë në ndonjë fondacion privat, dhe kjo shtyllë as ka filluar as ka gjasa të funksionojë në kushtet e varfërisë së skajshme dhe pagave tejet të vogla të punëtorëve.

Pensionistët të cilët të drejtën e pensionit e kishin fituar në bazë të ligjit të paraluftës, pensionet e të cilëve kanë qenë të caktuara në bazë të stazhit dhe në bazë të shumës së kontributeve të paguara gjatë kohës sa kanë punuar, natyrisht se nuk pajtoheshin me “pensionin” bazë linearisht njësoj për të gjithë. Ata kërkonin, dhe akoma kërkojnë të bëhet kategorizimi dhe pensionet e tyre të paguhen sipas stazhit dhe kontributeve që kanë paguar për sigurimin e tyre pensional dhe invalidor. Mirëpo, Qeveria e Kosovës, e ndikuar nga faktori ndërkombëtar por edhe nga mungesa e vullnetit të vet politik dhe mungesa e ndjenjes për drejtësi, akoma nuk bëri një ligj të pranueshëm  për statusin dhe të drejtat e pensionistëve kontributpagues. Në ndërkohë, sa për t’ua mbyllur gojën, pa kurrëfar  baze ligjore, i dalloi pensionistët kontribut-pagues nga kategoria sociale e të moshuarëve, ashtu që këtyre pensionistëve ua caktoi pensionin nga 35 euro, linearisht të gjithë atyre që kishin mbi 15 vjet stazh pune, pa marrë parasysh a kanë 15 vjet, apo 45 vjet, dhe pa marrë parasysh se sa kanë paguar kontribute për sigurimin pensional! Dhe realisht ky është pensioni në Kosovë (35 euro), që bashkë me 45 euro që iu paguhet të gjithë pleqve të cilët kanë mbushur moshën mbi 65 vjeçe, arrinë në 80 euro në muaj.

Po të bëjmë një analizë të thjeshtë matematikore, mund të vërtetojmë se sa janë të goditur pensionistët kontributpagues. Ta marrim mesataren e pagës së tyre në kohën kur kanë paguar kontributet për pension, se bie fjala  ajo pagë ka qenë 300 euro (të sotme), kurse kontributi për pension sillej prej 27-38% të pagës. Por, ta marrim shkallën 30%, dhe në pagën prej 300 eurove, kontributi mujor kap shumën 90 euro në muaj. Për 40 vjet, gjegjësisht 480 muaj x 90 euro = 43200 euro. Ta zëmë se pas pensionimit në moshën 65 vjeçare, pensionisti jeton edhe l0 vjet, atij  për 120 muaj do t’i takonte pensioni 360 euro në muaj. Dhe krahasonie tash 360 euro qo do i takonin, me 35 euro që i merr si pension (pa llogaritur edhe 45 eurot si ndihmë sociale për moshën). Për pensionistët kontributpagues ekziston evidenca amë e saktë, për stazhin dhe kontributet e secilit, kurse pensioni llogaritej nga mesatarja e një dhjetëvjetëshi më të favorshëm për pensionistin, kur e ka pasur pagën më të madhe.

Pensionistët janë të vetëdijshëm për gjendjen ekonomike e shoqërore, për pasojat e luftës e të tranzicionit, prandaj as nuk kërkojnë pensionin sa do t’iu takonte në bazë të stazhit dhe kontributeve të paguara, mirëpo ata nuk pajtohen as me nënçmimin e tyre me 35 euro sa është tash, dhe kjo linearisht të gjithëve barabar pa marrë parasysh gjatësinë e stazhit dhe shumat e kontributeve të paguara.

Pensionistët që kanë paguar kontributet, në njëfar mënyre kanë pasur “kontratë” me shtetin për pensionin e tyre. Dhe shteti i tyre edhe atëherë ka qenë Kosova, ngase sistemi pensional ka qenë plotësisht i pavarur. Jo kontratë e nënshkruar individualisht me secilin punëtor,  veçse e rregulluar me ligj, si një kontratë kolektive,  sepse shteti i ka caktuar kontributet pa e pyetur punëtorin, por me ligj edhe iu ka garantuar pagesën e pensionit.

Në kushtet e reja ekonomike e shoqërore është e logjikshme të bëhen reforma e ndryshime edhe në sistemin e pensioneve, por ato ndryshime nuk duhet t’i godasin pensionistët e vjetër, të cilët të drejtën e pensionit e kanë fituar sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi. Ligji i ri nuk mund t’ua mohojë të drejtën e fituar me punë dhe me kontribute të paguara. Ligji i ri nuk mund të ketë veprim retroaktiv në dëm të pensionistëve. Ligji i ri mund të vlejë vetëm  për pensionistët të cilët pensionin e realizojnë sipas reformës dhe ligjeve të reja.

Pensionistët nuk pranojnë që barra e transicionit të rëndojë më së tepërmi mbi kurrizin e tyre. Ata edhe ashtu janë të lodhur nga mosha, nga sëmurjet e nga skamja dhe këtë barrë shtesë nuk mund ta bartin. Transicioni nuk ua mori vetëm pensionet, por edhe statusin dhe dinjitetin. Kjo nuk është e ligjshme, nuk është e  drejtë, nuk është morale, as nuk është njerëzore!