E premte, 19.04.2024, 04:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Mimoza Cika-Kelmendi: "Kosova si çështje evropiane"

E shtune, 19.05.2012, 11:13 AM


Gazetarja e Deutsche Welles, Mimoza Cika-Kelmendi, promovoi në Prishtinë, librin e saj "Kosova si çështje evropiane". Libri ndjek hap pas hapi agjendën e Brukselit për Prishtinën.

Me librin e saj autorja u kushton tërësisht vëmendje raporteve të shtetit të ri të Kosovës dhe aspiratës së popullit të saj, për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar. Në libër shtjellohet në mënyrë publicistike dhe analitike rruga e gjatë që BE-ja ka bërë për Kosovën qysh nga lufta në vitin 1999 deri në ditët e sotme. Autorja fokusohet në sfidat dhe vështirësitë e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme, integrimin evropian të Kosovës, duke analizuar veçmas faktorët pengues, marrëdhëniet ndëretnike dhe situatat në veriun e Kosovës.

Libri ndjek hap pas hapi agjendën e Brukselit për Prishtinën, pasqyrimin e kësaj rruge dhe reflektimet e politikës kosovare për të përmbushur parimet dhe standardet evropiane duke parashtruar avantazhet dhe problemet e shtetit më të ri ballkanik për t'u bërë pjesë e BE-së. Libri u promovua në prani të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në fjalën e saj para auditorit autorja Mimoza Cika-Kelemendi u ndal veçanërisht në rolin e BE-se për intergimin evropian te Kosovës si dhe në rolin e posaçëm të Gjermanisë.
"Përvoja e gjatë në Deutsche Welle më ka dhënë mundësinë që të ndjek hap pas hapi zhvillimet mes Brukselit dhe Prishtinës në të gjitha aspektet, sidomos në periudhën katërvjeçare të shtetit të ri ballkanik. Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të shumta. Por do të veçoja se pa respektimin e rendit dhe të ligjit, pa një pavarësi efikase të sistemit të drejtësisë, pa një një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, rruga për në BE, bëhet edhe më gjatë." - tha Mimoza Cika-Kelmendi.

 Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës dhe gazetarja e DW Mimoza Cika-Kelmendi në promovimin e librit
Në promovimin e librit "Kosova si çështje evropiane" ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës Vlora Çitaku. Duke u ndërlidhur me rrugëtimin e Kosovës si çështje evropiane që përshkruhet në librin e promovuar, ministrja Çitaku u fokusua në arritjet dhe sfidat e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Ajo foli edhe për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, shpjegoi edhe vështirësitë që e kanë përcjellur BE-në këtë periudhën e fundit, qoftë me krizën financiare po ashtu edhe me migrimin ilegal.
Ndërsa për Kosovën ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës Vlora Çitaku tha: "Kosova nuk do të mund t'i imponohet Evropës si problem, por vetëm si sukses dhe një histori suksesi. Procesi i integrimit evropian është një dinamikë e brendshme dhe e vështirë, sepse kërkon energji të jashtëzakonshme, që do të ndikojnë në transformim dhe zhvillim demokratik të shtetit më të ri në kontinentin evropian."
Autorja e librit, Mimoza Cika-Kelmendi duke iu përgjigjur shumë pyetjeve të studentëve theksoi se integrimi evropian nuk duhet parë vetëm si një çështje statusi, procesesh juridike apo politike. Sipas saj integrimi i Kosovës në BE ka të bëjë me integrimin e vetë njerëzve duke filluar që nga mentaliteti dhe të ndjerit si evropianë, duke respektuar kriteret dhe duke plotësuar standardet. Lidhur me rolin e Gjermanise në këtë proces, autorja u ndal në vizitën në Kosovë të kancelares Angela Merkel dhe të ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westervelle dhe mesazhet e tyre për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt BE-së.
Me këtë rast autorja u foli studentëve edhe për radion Deutsche Welle që më 1. qershor feston 20 vjetorin e themelimit të saj. "Si medie që mund të ndiqet përmes intenetit, radios dhe programeve televizive, Deutsche Welle, flet nga zemra e Evropës, ajo sjell tek ju Gjermaninë, sjell tek ju Evropën." - tha autorja e librit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora