Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Ejup Ceraja

| E shtune, 19.05.2012, 06:05 PM |


Ejup Ceraja u lind në fshatin, Cerajë, më 28 prill 1937. Shkollën fillore (katër klasë) e kreu në vendlindje, kurse katër klasat tjera  i kreu në Mitrovicë. Shkollën Normale, Shkollën e Lartë Pedagogjike – Grupin: Gjuhë shqipe dhe letërsi dhe Fakultetin Filologjik - Degën:  Gjuhë shqipe dhe letërsi i kreu në Prishtinë.

Afër 3 vjet punoi mësues në vendlindje, përkatësisht në Shkollën fillore në fshatin Bistricë. Mbi 11 vite punoi arsimtar i Gjuhës shqipe dhe letërsisë në Mitrovicë. Ndërsa më tepër se 16 vite punoi profesor i Gjuhës shqipe dhe letërsisë në AMO dhe në Shkollën e mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Dhe, në fund,  për afro 10 vjet punoi Këshilltar  pedagogjik për Gjuhë shqipe dhe letërsi në Entin Pedagogjik në Mitrovicë (më vonë Këshilli i Arsimit).

Punimi (krijimi) i parë publicistik iu ka botuar në vitin tashmë të largët 1970, kurse vjersha e parë iu ka botuar në vitin 1971.

Ka botuar me dhjetëra e dhjetëra punime profesionale, publicistike e gjuhësore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprat e botuara:

1. Kalliri mendjemadh – tregime për fëmijë, Rilindja,  Prishtinë, 2001.

2. Rrezatime – doracak i lekturës shkollore për klasat e ulëta të shkollës  fillore, Libri Shkollor – Prishtinë, 2002.

3. Diellori – roman përrallë për fëmijë e pionierë, Klubi Letrar “Lumi i Bardhë” - Mitrovicë, 2004.

4. 101 – Pikëpyetje – gjëegjëza për fëmijë 1, Klubi Letrar “Lumi i Bardhë” – Mitrovicë, 2005.

5. 101 – Pikëpyetje – gjëegjëza për fëmijë 2, Klubi Letrar “Lumi i Bardhë” – Mitrovicë, 2006.

6. Afshi puth lulet – Haiku, Klubi Letrar “Lumi i Bardhë”, Mitrovicë, 2006.

7. 101 – pikëpyetje – gjëegjëza për fëmijë 3, Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, 2007.

8. Lepurushi trimosh – fabula në vargje për fëmijë, Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, 2010.

9. Pikla vese në bebëza – Haiku,  Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, 2010.

Është nderuar edhe me çmime letrare.

Ka vepra në proces dhe në dorëshkrim...

 

Ejup Ceraja

 

Cikël poetik...

 

I

Legjenda për butin me verë...

 

Na ishte - thotë legjenda

një mbret i zamanit,

që e kishte në shpirt

urtinë e Solomonit.

 

Kishte vendosur – siç thuhet

ta testonte vetën  si mbret,

sa ai kishte pa dallim

tek populli i vet autoritet.

 

Dhe, thuhet, për ta hequr

nga shpirti atë breng,

kishte vendosur ta organizonte

një mbrëmje me aheng.

 

Kishte ftuar në aheng

çift të zgjedhur për merak,

po tok me ta e kishte ftuar

edhe një çift varfanjak.

 

Çdo çift i ftuar

e kishte pasur për nder,

ta çonte në atë aheng

një shtambë përplot verë.

 

Verën e sjellë, thotë legjenda

ashtu të gjithë botërisht,

e zbraznin në një but

për ta pirë bashkërisht.

 

Ftesa e mbretit, thuhet,

ndër të tjerët pa dallim,

ishte pritur sa me nder,

aq me hare e me gëzim.

 

Vetëm çifti skamnorë, thuhet

s’i kishte gjetur vend vetit,

si të dilnin ashtu të varfër

në saraje para mbretit.

.   .   .

- Dita e ahengut, njeri,

seç herë po na afrohet -

do të shkojmë edhe ne

që mbreti të mos na hidhërohet.

 

- Fort mire e ke grua

ti edhe këtë herë,

s’bën të mos i përgjigjemi ftesës

për një shtambë me verë.

 

- Po kemi qëlluar shumë hollë

ashtu sikurse çdo herë,

si e ku ta mbushim

shtambën ne me verë?...

 

- Për këtë nder që na është bërë, njeri,

duhet t’i ruhemi patjetër korisë,

do ta shesim atë pak pajë

që e kemi të nusërisë.

 

- Nëse shitja e pajës, grua,

ne na vete mirë përdore,

duhet që ta blejmë verën

ku është më cilësore.

 

.     .     .

Një mori e çiftëve të zgjedhur

kishin menduar atëherë,

një shtambë me ujë

nuk e zbutë një but me verë.

 

Dhe, ata atëherë

në atë aheng me bujë,

e kishin derdhur në but

nga një shtambë me ujë.

 

Vërtet një shtambë e atillë

me ujë e përzier,

nuk do të ishte hetuar fare

në një but me ver’.

 

Po shumë shtamba të tilla

të mbushura ujë përbrenda,

e kishin zbutur verën... -

thotë më tutje legjenda...

 

Dhe, ashtu buti i mbretit

në vend se të mbushej verë,

ishte mbushur përplot

ujë e verë përzierë...

 

.     .     .

Thuhet se shtambën me verë

të çiftit varfanjak,

e kishin lënë pa prekur

në kuzhinë mbi parmak.

 

Çiftin varfanjak atëbotë

e kishte rrokur derti e halli,

ishin zverdhur në fytyrë

si lëvozhgë portokalli.

 

- E zezë dita, grua,

neve se ç’na gjati,

shtambën tonë me verë

nuk po e pranon mbreti!

 

.    .    .

E kishin ngritur dollinë

me nga një gotë verë,

që ishte e tretur

në ujë të përzier.

 

Përmes asaj dollie

të ngritur së toku mes veti,

e kishte kuptuar deri diku

nderimin për te mbreti...

 

Pasi kishin kënduar e vallëzuar

e kishin bërë muhabet edhe pak,

mbreti kishte shkuar në kuzhinë

ta provojë verën e çiftit varfanjak.

 

Si e kishte provuar atë verë

kishte vendosur atypari,

që t’ua kompensojë shtambën

me kundër peshë me ari.

 

U kishte thënë oborrtarëve

sapo unë të dalë në derë,

ma sillni në saraje

këtë shtambë me verë.

 

Dhe, s’kishte kaluar shumë kohë

kur një oborrtar vetë i treti,

kishte hyrë me shtambë

në saraje te mbreti.

 

Çifti varfanjak atë botë

ishte hutuar aq shumë nga frika,

nga ajo e papritur – thuhet

gati u kishte rënë pika...

 

Mbreti kishte vendosur më veti

pa u hamendur aspak,

që ta ndihmonte me atë rast

qiftin e lumtur varfanjak..

 

- Shkoni, u kishte thënë mbreti

e silleni një peshore këtu pari,

dhe së bashku me te ta sillni

edhe një okë a më shumë ari.

 

- Qiteni në peshojë, kishte thënë,

shtambën me verë këtu pari,

dhe peshojeni në anën tjetër

me kundërpeshë me ari.

 

- Dëgjoni ju çifti fatbardhë

sa jemi të gjithë këtu,

kam vendosur shtambën

që ta blej sot nga ju...

 

Janar 2010

 

II

Djali që shpenzonte pa kriter...

(Legjendë)

1

Thuhet në këtë legjendë

se një baba i devotshëm, plak,

e kishte shtuar pasurinë gjatë jetës

me djersë pak e nga pak.

 

Me tërë atë pasuri,

që e kishte fituar së mbari,

e kishte mbushur përplot

një qyp me lira - ari.

 

Dhe, siç ka ndodhur përherë

e siç do të ndodh gjithkund,

do të vijë patjetër dita

që jeta do të marrë fund.

 

Kur babai e kishte vërejtur

se jetën e kishte në të sosur,

e kishte thirr të birin t’i afrohej

në shpirt e zemër i merakosur.

 

- Biri im i dashur - i kishte thënë -

më vjen keq që do të lë të vetmuar,

por Krijuesi Hy për jetën time

kështu ka urdhëruar.

 

- Andaj pasurinë - biri im,

që po ta lë trashëgim këtë herë,

të kesh kujdes pa reshtur

që të mos e shpenzosh pa kriter.

 

- Sa të kesh pasuri, biro,

do të paraqiten shumë "shokë",

si të ngecësh pa te

do të të tretën si uji nën tokë.

 

- Kur ta vëresh se e ke humbur

tërësisht mallin e zarin,

shko, pra, në ahur të bagëtisë

ku mbi tra e ke vjegëz litarin.

 

- Por të kujdesesh për litarin

që askush të mos e sheh me sy,

se ai duhet të të shërbejë

ty dhe vetëm ty...

 

- Pra, duhesh ta ruash vjegëzën

si e ruan qerpiku syrin,

andaj për çfarëdo sigurie

përherë veja derës dryrin.

 

- Litari, biro, me atë rast

do ta mësojë të vërtetën,

se a duhet ta vazhdosh

apo ta përfundosh jetën...

 

- Për këtë veprim që po të them

askush nuk duhet të di,

sepse pos Zotit dhe teje

kjo duhet të mbetet fshehtësi.

 

- Unë, bir, nga ky moment

do ta ndërroj vendbanimin,

por edhe ti patjetër

duhesh ta përmbushësh premtimin.

 

2

Pas vdekjes së babait

pasurisë iu kishte turrë menjëherë,

dhe e kishte shpenzuar - thuhet -

pa mëshirë e pa kriter.

 

Dhe, sa kishte qëndruar

pasuria e babait me okë e okë,

nga të katër anët i kishin ardhur

me qindra e qindra "shokë".

 

Sapo e kishte shpenzuar pasurinë e babës

si njeri i shkretë kishte mbetur,

askush më nga "shokët" e shumtë

as në rrugë s’e kishte përshëndetur.

 

Madje - thuhet i gjori -

aq poshtë kishte ra,

sa as një çik miell për bukë

nuk ia jepte kush hua.

 

Dhe, ashtu në atë gjendje

ia kishte plasur me dënesje vajit,

kishte vendosur më në fund

t’ia plotësojë porosinë babait.

 

“Pasi nuk e ruajta mallin,

as nuk e ruajta mirë shtëpinë,

do t’ia kryej së paku babait

patjetër atë porosinë.”

 

Sapo kishte hyrë në ahur

litarin vjegëz e kishte pa,

në mesin e ahurit

lidhur përmbi tra.

 

“Po ta kisha dëgjuar babën

tash do ta kisha vazhduar jetën,

po për atë mosdëgjim

po më duhet ta dënoj vetveten.”

 

Sapo e kishte rregulluar lakun

iu kishte kujtuar e babës porosia,

e kishte tërhequr me vrull vjegëzën

dhe i kishte dalë në shesh çudia.

 

Si rrebeshe shiu

përreth aty pari,

kishin rënë nga trari

me mijëra lira - ari.

 

Kishte rënë mbi to

përmbys me fytyrë,

pa u lënduar fare

madje shëndosh emirë.

 

“- Ah, baba i dashur - kishte thënë -

duke qarë me dënesje si fëmija,

sa e këndshme për mua

paska qenë porosia!...”

 

“Që nga ky moment babë i dashur

zotohem përpara Krijuesit Hy,

se do ta ruaj pasurinë

sikurse këta dy sytë e mi...”

 

“Po ta japi besën - babë

qëndro në amshim pa ves,

se nuk do të zë më “shokë”,

që më duan vetëm për interes.”

 

Dhe, s’kishte shkuar shumë gjatë

me punën dhe me djersën e vet,

ia kishte dyfishuar vlerën mallit

të lënë nga babai amanet.

 

Prapë - thuhet se pasuria –

ia kishte joshur “shokët” e vjetër,

po ai me synime të qarta

kishte ndjekur rrugë tjetër...

 

Janar 2010

 

 

III

Përtacia si ves përmes një legjende

 

1

Na ishte – thotë legjenda

një nënë e sjellshme e fjalëpakë,

që kishte mbetur vetë e dyta

me një djalë të pashëm bonjak.

 

Dhe, iu kishte rritur djali, thuhet,

iu kishte bërë për ta veshur gunën,

po për moshën që kishte

s’ia donte zemra fare pak punën.

 

Po, me kalimin e kohës, thotë legjenda,

ishte vënë në merak nëna e gjorë,

si ta kuptonte a do t’i bëhej djali dembel

apo do t’i bëhej i vyeshëm e punëtor?. ..

 

Pra, ishte e interesuar mjaft nëna

që ta kuptonte rrugën e tij të ardhmërisë,

edhe pse kishte vendosur të flijohej për te

së paku t’i gëzohej në fund pleqërisë.

 

Shpeshherë për përtacinë e tij

me kunata e kishte qar hallin,

si t’ia shtonte dashurinë për punë

e ta bënte të vyer e punëtor djalin.

 

2

Një ditë kishte vendosur nëna

duke i peshuar gjërat në kandar,

që të shkojë te gjyshi i tërë fshatit

që kishte qenë një plak pleqnar.

 

Gjysh plaku e kishte dëgjuar nënën

me vëmendje e me urtësi,

dhe ia kishte dhënë për fund

këto të vlefshme porosi:

 

- Bija ime mbaje këtë në mendje

për djalin kujdesu shumë,

po mos tento me detyrim

që ta joshësh për punë.

 

- Një joshje e atillë, bijë,

do të jetë oxhak që s’e ngreh tymin,

dhe assesi drejt shpirtit e zemrës

nuk do ta gjejë drejtimin...

 

- Sepse joshja çfarëdo qoftë

që synohet të arrihet me detyrim,

më shumë  sjellë dëm,

sesa që sjellë ndonjë fitim.

 

- Dhe, sapo do ta gjejë rastin

të jesh e bindur pa mëdysh’e,

me zemër do të veprojë

pa u hamendur - ndryshe.

 

- Po me fjalë e vepra të mira

me durim pak e nga pak,

edhe punët më të rënda

do t’ia murosësh në gjak.

 

- Kur dëshira për punë

t’i ngulitet në tru njëherë,

ajo do të ketë për te

më shumë se ari vlerë.

 

- Po, për të gjitha, bija e gjyshit

duhesh kurdoherë të kesh kujdes,

se në vend që ta edukosh djalin

mund të ta marrë ndonjë ves.

 

- Pas një kohe ca më të gjatë

me urtësinë e një gjysh plaku,

provoje vetë njëherë djalin

se a i ka kaluar dembellëku.

 

- Dhe, krejt për fund

për ta bërë një djalë të vyer,

jepja ushqimin në mbrëmje

sipas punës së kryer...

 

3

- Unë gjysh rrugën deri te Ju

për ndihmën Tuaj e mora,

si do ta provoj vetë djalin

kërcure unë e gjora?!...

 

- Fare thjeshtë - bija ime,

gjeje një guralec, vring,

dhe veja atë në mëngjes

brenda në njërën opingë.

 

- Përcille në mbrëmje djalin

por fare për pa të hetuar,

apo kthehet si gjithherë,

apo, ndoshta, duke çaluar...

 

- Po qese e heq guralecin nga opinga

e në mbrëmje të tregon për atë,

gëzoju ardhmërisë, bija e gjyshit

se si nënë do të bëjë rehat.

 

Ndërsa po ndodh e kundërta, bijë

përvjele mirë e mirë gunën,

që të bësh përpjekje të pareshtura

e t’ia shtosh dashurinë për punën.

 

4

Pas provës në mbrëmje

nëna e kishte shikuar me habi,

që po vinte djali duke çaluar

pas deleve për në shtëpi.

 

- Ç’ke që po çalon, o bir?!... -

e kishte pyetur e ëma si e dërmuar.

- Mos me barinj duke lozur

rastësisht në këmbë je lënduar?

 

- Jo nëna ime e nderuar

në lojë nuk jam lënduar,

po në opingën e majtë, nënë

më ka hyrë një guralec i mallkuar.

 

- Po pse nuk e ke hequr, bir?...

guralecin si e ke hetuar,

por tërë ditën pas bagëtisë

ke shkuar kështu duke çaluar.

 

- Përtoja t’i zgjidhja e lidhja opingat -

i kishte thënë i biri pa bërë dredhi.

- Andaj  preferova tërë ditën të çaloja,

që në mbrëmje të ma heqësh ti...

5

Dhe, thuhet në këtë legjendë, nëna,

duke e imituar gjysh plakun,

kishte arritur më në fund

t’ia largojë djalit dembellëkun...

 

(Korrik, 2011)