E merkure, 24.04.2024, 10:56 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça

E shtune, 19.05.2012, 05:43 PM


Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça

...(Me mall dua t’i sjell një grusht dhè nga atdheu i tij dhe të vendos një tufë me lule të freskëa në emër të familjes)... më shkruante nipi i Shefqet Bënçës

Nga Keze Kozeta Zylo

Shpirti i shqiptarit është i mbushur me dhimbje, dhimbje që cuditërisht riciklohen dekadë pas dekade apo dhe më shpesh.  E këto dhimbje kur shtresëzohen një ditë gjeneratat mundohen t’i kurojne qoftë dhe përkohësisht pasi përjetësisht frigohem ta pohoj se i shërojnë!...

Me shumë shqiptarë edhe pse nuk njihemi fizikisht rrjeti social f/b na ka lidhur me shpirtrat e trazuar nga plaga e ndarjes me të ikurit e shekullit të kaluar dhe që ende vazhdojnë me atë ritëm edhe sot e kësaj dite, në mos dhe më shumë...

Këtë lloj ndjesie pata brenda sferës së komunikimit me mësuesin patriot z.Baftjar Thanasi i cili midis të tjerave më shkruante se:

Ajo për të cilën unë interesohem veç të tjerave është që duam të mësojmë vendin e varrit të xhaxahit tim Shefqet Bënça, i cili ka qenë në forumet drejtuese të Vatrës.

Me mall dua t’i sjellë një grusht dhè nga Atdheu i tij dhe të  vendos një tufë me lule të freskëta ne emër të familjes.

Ishte një bisedë internetike që mbartëte mallkimin e shekujve, por dhe dashurinë e thellë dhe amanetin që ishte ngulur në ninëzën e syrit të nipit për të gjetur eshtrat e xhaxhait të tij ketu në Amerikë.

Dhe më në fund pas këmbënguljes dhe përpjekjeve të shumta të nipit u thye heshtja për patriotin e madh shqiptarin tepelenas Shefqet Kamber Bënça.

Në fakt ai heshtjen e kishte thyer qysh në moshën 19 vjeçare, i cili me prushin e zjarrtë të Mëmëdheut ishte bërë vatran dhe më vonë kryetar dhe sekretar i saj.

Në konferencën shkencore organizuar me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare Vatra u takuam me z.Thanasi dhe familjen e tij, i cili që nga Atdheu na kishte ftuar në ceremoninë që do të organizohej me rastin e gjetjes së varrit të xhaxhait të tij të ndjerit Shefqet Bënça.  Pasi marrim adresën e saktë se ku preheshin të ndjerët, nisemi drejt varrezës në Staten Island në qytetin ku unë jetoj.

Ndonjëherë njeriu përballet me shumë befasira, të paktën kështu më ndodhi mua personalisht atë ditë.  Kur ne u ndalëm përballë varrezës, një trokitje e fortë e zemrës çau gjoksin tim, pasi unë aty kaloj shpesh herë gjatë javës, ngase lagjia ime është vetëm pesë minuta larg saj.  I shikoj varret amerikane me qiparisat shpesh nga xhamat e makinës dhe heq thellë në zemër duke më sjellë aq pranë nënën time që prehet përjetësisht në Tiranë.  Unë nuk mund të largohem kurrë nga aty pa hequr ne shpirt: “Oh nëna ime!”  Është një homazh që i bëj asaj dhe të ikurve nga kjo botë.  Dhe çuditërisht pranë kësaj varreze amerikane që kaloj gjithmonë në derën e katërt midis pemëve të larta me hije të rëndë dhe heshtje të gurtë duke u ngjitur në një kodër të butë, ngrihet madhështore porta e lartë me mbishkrimin si krah ëngjëjsh: Shoqata shqiptare “Bashkimi”.

Brenda saj ndodheshin disa varre shqiptarësh që dukeshin sikur sillnin nga nëntoka zërin e shekullit të kaluar, një zë që dridhej nga malli, largësia dhe harresa...

Nën një qiell të vranët dhe me shi të butë u takuam me misionarin e çështjes kombëtare Shefqet Bënçën.

Nuk është e thënë që njerëzit t’i takosh për së gjalli, ata më së shumti, të ndriturit që bëjnë dritë dhe në fund të tunelit të errët i takon për së vdekuri, por më të gjallë se të gjallët!...

I lexoja mendueshëm dhe plot emocion shumë prej emrave të shqiptarëve mbi pllakat ku preheshin të qetë pranë pemëve plot gjelbërim...  M’u duk sikur ishja përballë një tempulli dhe akujt po thepiseshin para syve tanë, po ktheheshin në një ujëvarë nga dimrat alpine... Para syve zbriste vetëtimthi nga Kalaja e Ali Pashë Tepelenës Shefqet Bënça me bashkatdhetarët e vet që kishin ardhur në tokën e premtuar për t’i sjellë lirinë vatanit të djegur e shkatërruar nga barbarët e të gjitha kohërave.

Aty pranë tyre në rrënjët e thella të pemëve dhe në bisqet e sapoçelura nëpër degë ishin stamposur sythet e ëndrrave, që gjeneratat të mos i harronin kurrë!

Ishte gati si një kortezh hyjnor ku në ballë ishte nipi i Shefqet Bënçës me familjen dhe vatranët me në krye kryetarin e saj Dr.Gjon Bucaj.

Me zë plot emocion dhe krenari të ligjshme Z.Thanasi së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, znj.Kostandina dhe familjen e tij i bënë homazhe xhaxhallarëve dhe gjyshes, dhe falënderoi gjithë pjesëmarrësit që kishin ardhur në këtë ditë të shenjtë të familjes së tyre.  Shefqet Bënça nuk i përket vetëm familjes së tij fisnike, por i përket gjithë Kombit.  Me respektin më të thellë dhe plot mirësi përshëndeti dhe Dr.Bucaj, i cili tha se: “...Kjo ceremoni vazhdon të jetë në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës “Panshqiptare” Vatra.  Është në nderin e vatranëve që ne të përkujtojmë këtë figurë të shquar i cili gjithë jetën e tij e shkriu për Kombin.

Ne i përkujtojmë ata me nderin dhe respektin që ata meritojnë”.

Më vonë të pranishmit shkuan dhe tek varri i nënës së Shefqet Bënçës, të ndjerës Xhemile ku përveçse në anglisht ndodhej dhe mbishkrimi: “Në zemrën tonë e paharruar”.  Dhe vërtetë ajo është e paharruar nga nipërit dhe mbesat që tashmë i gjetën dhe po ju vendosin tufa me lule të freskëta.

Ashtu siç e do zakoni z.Thanasi ftoi gjithë të pranishmit për drekë në restorantin “Bella Vita” në Staten Island.

Nën tingujt e pianos intrepretuar mjeshtërisht nga prof.Petrika Melo, z.Thanasi plot emocion mbajti fjalën e përshëndetjes në ceremoninë përkujtimore të patriotit të madh Shefqet Bënçës.

Gjate fjalës përkujtimore ai tha se 115 persona nga fshati Bënçë ikën nga tmerret që panë me sy nga djegjet, plaçkitjet që kishin bërë masivisht shovinistët grekë kundër Shqipërisë së Jugut, përfshire dhe fshatin Bënçë.  Për këto ngjarje tronditëse dëshmon kënga labe:  “Gratë e Labërisë/ me foshnja në dorë/ Qaj moj Shqipëri/ E ulërij e gjorë!...

Ndaj ata erdhën në Amerikë dhe me detyrën patriotike që të merrementonin dëmet dhe të sensibilizonin politikën amerikane nga pretendimet dhe synimet grabitqare që kishin fqinjët jugore për copëtimin e Shqipërisë.

Shefqet Bënça do të vazhdonte nipi i tij Baftjari do të zgjidhej disa herë kryetar, sekretar, gazetar i Diellit, anëtar i komisionit të kuvendit të Vatrës.

Ai arrin të debatojë dhe të japë mendime për botimin e “Historisë së Skënderbeut” me Fan Nolin.

Ndërsa për nder të 40 vjetorit të ardhjes së Fan Nolit në Amerikë Shefqet Bënça ishte drejtues i banketit të ceremonisë së rëndësishme, organizuar për Fan Nolin.

Unë i organizoj këto homazhe tha nipi i tij ardhur enkas nga Tirana për këtë ceremoni pranë gjyshes Xhemile, xhaxhallarëve Shefqetit dhe Mustafait si dhe vëllezërve tanë Earl dhe Paul, pasi shumë vite më parë unë i premtova babait tim që në shansin e parë që do të më jepej për të qenë në Amerikë unë do ta çoja në vend amanetin tij për të takuar gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes Thanasi në Amerike, të cilët ai nuk mundi t’i takonte asnjëherë.

Pas fjalës prekëse të z.Thanasi kanë përshëndetur Dr.Gjon Bucaj, kryetar i Vatrës, z.Dalip Greca, editor i gazetës “Dielli”, ka recituar z.E.Ismailati, si dhe kanë përshëndetur në emër të TV Alba Life dhe shkollave shqipe në Staten Island dhe Brooklyn duke vlerësuar dhe bërë homazhe për patriotin e madh dhe plot kulturë kryevatranin zemërzjarrtë, tepelenasin, Shefqet Kamber Bënça.

Maj, 2012

Staten Island, New York



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora