Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Vdekja e nëpunësit

| E shtune, 19.05.2012, 03:55 PM |


Resmi Osmani

Novelë

VDEKJA E NËPUNËSIT

E quanin Kristaq, por shkurt e thërrisnin Kiço, më shpesh shef Kiçua. Shtat mesatar, me pak bark të rrumbullt, qafa e shkurtër aq sa koka i dukej e ngulur mbi shpatulla, fytyra vezake, e shëndetshme, me një buzagaz të përhershëm, që e bënte të dukej i gjindshëm e shpirt njeriu. Hunda e shkurtër, mishtore, mbi të syzet e trasha me skelet kafkulli, që linin të dukeshin ca sy të zbërdhylët,  të vegjël si rruaza. Flokët e kishin lënë që heret dhe koka i ndrinte si pjatë. Vishej me sqimë, kravatën se ndante dimër-verë. Ecte me çape të shkurtër, por të shpejtë, si i sëkëlldisur dhe i hutuar. Përherë me një dosje ngjyrë rozë nën sqetull. Më të rinjtë, thoshin se ai flinte me të edhe në shtrat! Nuk e mbanin  mënd që kur kishte filluar punë në dikaster. Kishte pritur e përcjellë shumë, por ai kishte mbetur aty, si gur themeli. Tashmë, ishte nga më të vjetërit, dhe siç pati thënë ministri, në një rast kur e dekoruan, ishte një nga vlerat e atij dikasteri.  Shef’ i zyrës së statistikës, që ishte zemra e mekanizmit të stërmadh të dikasterit.

 

1

Punonte e robëtohej me orar të zgjatur  edhe pasditeve, nuk njihte pushim të dielave. Ishte përherë aty, në krye të detyrës, apo aksioneve dhe punës vullnetare, por ftohma e frikës së qarkullimit të kuadrit, ia ngrinte shpirtin. Bëhej keq, lemerisej  e  zinin drithmat dhe ndjente një boshllëk në lukth, kur mendonte se era e qarkullimit mund ta përfshinte në vorbullëne saj e ta degdiste në ndonjë rreth të humbur e të largët. Sa herë bëheshin listat e reja, bëhej i padukshëm, si hije, që askush të mos e shihte. Paçka se nuk e jepte veten, ai mpakej e plakej, vogëlohej sa mezi dukej  prapa pirgjeve me letra  të tryezës së madhe të punës.

Gjithmonë ishte përpjekur t’i delte të keqes përpara. Çohej heret, rruhej me kujdes, vinte kravatën, shihej në pasqyrë mos kishte ndonjë cen në pamje, merrte nën sqetull dosjen dhe që nga pallatet e Shallvareve, me hapa të shkurtër e të shpejtë, duke përshëndetur me pavëmendje majtas e djathtas të njohurit, mbrrinte në dikaster, të paktën një gjysmë ore më shpejt. Në hyrje, në krah të djathtë, mbante këmbët dhe  i hidhte një sy tabelës së nderit dhe kënaqej e lumturohej teksa  shihte fotografinë e tij,  që ishte bërë e përhershme  aty. I shkelte syrin dhe I thoshte: ”Mirmëngjes, i dashur”. I ngjante se edhe portreti i buzëqeshte dhe ia kthente përshëndetjen. Dita kishte filluar mirë! Ishte i pari, që shkelte në bufenë  që ndodhej në bodrum. Aroma e kafes së sapo pjekur e kënaqte. Rrufiste ngadalë, gllënjkë pas gllënjke që ti shijonte,  një kafe pa sheqer. Në ndërkohë, këmbente nj’a dy fjalë për motin me Dijen , bufetjeren, që ankohej se I thernin eshtrat sa herë vrenjtej koha . Pesë minuta para se të hapeshin zyrat, shef Kiçua ngjitej në katin e dytë,  çelte zyrën, e linte derën pakëz të hapur, por nuk hynte brenda. Me dosjen nën sqetull, sillej varavingo në koridorin e gjatë  në pritje të ngjarjes së ditës: ardhjen e shokut ministër!   Veshi i tij i stërvitur si me një melodi të njohur,ia dëgjonte gjurmët teksa ngjitej në shkallë dhe si langoi i gjahut i ndjente aromwn  e veçantë të parfumit. Ndërsa ministri afrohej atë e kapnin emocione të forta dhe i hipte një zjarmi e çuditëshme. Me gjishtat që I dridheshin, mbërthente komçën e setrës dhe kur ndjente, që titullari ishte krah tij, merrte qëndrim  gatitu.  Në kalim e sipër, ministri e përshëndeste:

-Mirëmëngjes, shef Kiço - dhe i rrihte shpatullat- çfarë na ke përgatitur për sot?

Kiços i mbahej goja nga ngazëllimi:

-Bu- bu-le-tin-in e ri  javor,shoku Ministër.

Titullari pa u ndalur, ecte përpara, Kiçua i shkonte prapa si manar në kabinet. Hapte dosjen, kapte me majat e gjishatave buletinin, si të kishte frikë mos i thërmohej në  dorë  dhe e linte mbi tryezë. Me një përkulje të hijshme e gazmend që e mbante përbrenda, i uronte ditën e mirë titullarit dhe duke ecur praptazi, dilte nga kabineti, teksa sekretarja në paradhomë e shihte me qesëndi.

Kur hynte në zyrë, qëndronte më këmbë pas tryezës, e zbonte buzëqeshjen dhe fitonte rëndësi, e kollitej nj’a dy herë. Nga dera e brendshme, që lidhte zyrën e shefit me të personelit, shfaqeshin dy vartëset e tij, që ai i quante dy V-_të: Vera dhe Vjollca.

-Mirë mëngjes, shef Kiço!- E përshëndesnin njëhershe e me një zë gazmor- Ishe te ministri? Lumë si ti, ne  vegjëlisë s’na bie radha t’a takojmë as një herë në vit!

Shefi ngrysej edhe më shumë dhe trashte zërin:

-Lerini këto. Pse erdhët me vonesë? Sa herë u kam porositur, do të vini mënt ju apo si e keni hallin!

Ato, që ishin mësuar me këtë ritual të përditshëm, bënin të habiturin, betoheshin për kryet e kalamajve se ishin në zyrë në tetë fiks. Shefi bënte sikur zbutej:

-Boll se na mallëngjyet, mos e përsërisni më. Hajd shoqe, shtrojuni punës dhe shikoni të mos më bezdisni,  se kam një qerre punë. Derën po e kyç.  Kushdo që të më kërkojë, kuptohet, veç udhëheqjes, nuk jam këtu. Qartë?

-Si urdhëron shef Kiço!

Ato  mbyllnin derën , pastaj kukuriseshin mbyturazi, pa zë që shefi të mos I dëgjonte.

2

Shef Kiçua mbyllte derën dhe zhytej në punë. Puna për ‘të ishte si një përhumbje mistike, meditative. Kishte filozofinë e tij për botën e numrave. Për të numrat ishin të magjishëm, pjesë e zbulesës hyjnore universale. Njeriu nuk i kishte zbuluar ata, por numrat i ishin shfaqur njeriut në shumëformësinë e tyre, para se ai të fliste e të shprehte mendimet, dinte të përcaktonte shumicën dhe pakicën. Në natyrë, çdo send, çdo dukuri, çdo gjallesë, ishte një shumësi numrash apo shprehej nëpërmjet tyre. A s’ishte vetë njeriu një ndërthurje e habitshme harmonike numrash! Dy sy, dy veshë, dy duar, dy këmbë, nga dhjetë gjishta, pesë shqisa. Edhe zemra kishte të rrahurat, përbërësit e gjakut, të gjitha të shprehura në numra. Koha i nënshtrohej numrave, me ta bëhej e matshme: Sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj, vite, shekuj. Me shifra matej rënia e lirë e trupave, tërheqja universale me to bëhej e matshme dhe e njohur bota, me paralele e meridian, distancat dhe hapësirat, apogjeu dhe perigjeu, ekuinokset, shpejtësia e zërit dhe e dritës. Edhe te një lule trëndafili ishin numrat. Me ‘to mateshin petlat, pjalmoret, pistilet. Edhe shkronjat ktheheshin në shifra, emëri i tij fillonte me shifrën 11-të,me shkronja të kthyera në numra ndërtoheshin kode të mistershme e  sekrete. Ngado që t’a kthente, s’kishte veç numra. Numrat kishin bukurinë dhe poezinë e tyre dhe ai, Kiçua ishte  mbreti i tyre , mjeshtri e magjistari, që i bënte ti bindeshin,ti nënshtroheshin, të lidhur në vargonjtë e shifrave, të ngujuar në kolonat e tabelave. Ata flisnin dhe  rrëfenin vetëm atë, që dëshironte ai dhe kur të donte ai.

Vinin numrat me postë, me telefonata, me telegrame, me sjellës të veçantë, nga e gjithë Shqipëria.Ishin si ca rrëkeza që rridhnin pa pushim për të mbushur burimin e  zyrës së tij.  Aty mbushnin dosjet, renditeshin  me rregull me dhjetëditorë, tremujorë, gjashtmujorë dhe vjetorë. Dosjet mbushnin raftet, me rregull që ai ti gjente pa mundim sa herë ti duheshin. Ata ishin të burgosurit, skllevërit e tij. I thërriste sa herë i duheshin dhe ata të bindur si ushtarët në rresht , qëndronin ”gatitu” në kolonat e gjata  në pritje të urdhërave. Në ato dosje ishte gjithë Shqipëria: Toka, detet, liqenet, ditët e vrenjtura dhe ato me diell,orët e ndriçimit diellor, shirat dhe erërat, ecuria e temperaturave, pyjet, pasuritë, njerëzit,lindjet dhe vdekjet, prodhimi bujqësor dhe ai industrial, në sasi dhe në vlerë. Ishin aq shumë sa të merreshin mendtë ti numëroje. Në ditët që vinin pas netëve me hënë të plotë, Kiçua kishte vënë re një dukje të çuditshme: Disa lidhëse të dosjeve ishin të zgjidhura dhe kapakët pak të hapur. Sado që vriste mendjen nuk i kujtohej ti kishte zgjidhur. Nisi të dyshojë se numrat  dilnin natën dhe shëtisnin në sheshin “Skënderbej”, pastaj kur zbardhte agimi ktheheshin në vendet e tyre. Kjo ishte thjesht një hamendje, që ai s’kishte si ta vërtetonte, megjithatë e bëri të mendohej.

Dita e punës përherë fillonte si një lojë e dëshirueshme, që për të ishte vërtet zbavitëse dhe emocionuese. Numrat ishin të  mrekullueshëm: Mblidheshin, zbriteshin, shumëzoheshin, pjestoheshin, shprehnin pjesën ndaj të tërës me thyesa apo me presjet dhjetore, hynin në formula dhe ekuacione nga ku përftoheshin produkte të habitshme. Kiçua, në letrën e bardhë, në ordinatat dhe absisat e ndara në pjesëza hidhte shifrat e treguesve, krijoheshin lakore që sipas rastit ngriheshin apo uleshin kur gjërat merrnin tatëpjetën. Kur kjo ndodhte, ishte jashtë vullnetit të tij, ai s’kishte ç’të bënte,  ngaqë numrat ishin kokëfortë, atëhere binte tërmet: dridheshin themelet e shtetit dhe rrëzoheshin  koka. Kishte edhe një zgjidhje: Mesatarja e bekuar, që fshihte brenda vetes me dinakëri plot të fshehta dhe i rrafshonte gjërat për të qenë të pranueshme. I pëlqenin lakoret inteligjente, por edhe grafikët vertikalë ishin shprehës elokuentë të dukurive të matshme, pa folur pastaj për rrathët që rëndom i quanin “kuleçë”,ku çdo sektor ngjyhej me një ngjyrë të veçantë, i fliste syrit dhe mendjes  më bindshëm se çdo fjalë .Numrat flisnin ,numrat këndonin. Pastaj treguesit i jepeshin udhëheqjes. Ata me to referonin dhe numuronin sukseset, arritjet. Për ato numra duartrokitej dhe jepeshin lavdërime.

Kiëua nuk çlodhej, nuk zbriste për kafe. Kujtohej për drekë  kur ndjente boshllëk në lukth. Shihte orën: Kishte kaluar orari zyrtar. Vishte setrën, vinte nën sqetullën e majtë dosjen dhe nisej për në shtëpi.Kur dilte, dikasteri ishte si i shurdhër. Nxitonte në koridoret e boshatisur,i thoshte  “Mirupafshim “-nëpunsit të rojes dhe delte në këmbësoren e bulevardit. Nxitonte se e priste që të drekonin bashkë e shoqja, Filloreta, që me siguri e kishte bërë drekën gati. Mësuese në fillore, ajo e linte më shpejt punën në shkollë.Tryeza ishte e shtruar. Nuk mungonte njw kupw raki mani që ia dërgonin nga Boboshtica. Hanin në heshtje dhe rrall këmbenin ndonjë fjalë, Filloreta rrëfente ndonjë prapësi të nxënësve të saj trazovaçë, pastaj Kiçua merrte një sy gjumë. Ishte një rregull që s ‘e prishte  dimër-verë. Pasi zgjohej, Filla i bënte një kafe të fortë dhe ai, me dosje nën sqetull nisej për në dikaster ku e gjente mbrëmja.

Kështu shkonin ditët, javët , muajt e vitet. Bënte përjashtim ndonjë e diel pasdite, kur delte me Fillën për ndonjë vizitë apo shëtitje në boulevard, sa për të marrë ajër, por edhe në këto raste Kiços I punonte mendja gjetk: Sa njerëz mund të ishin në shëtitoren e bulevardit, sa meshkuj, sa femra, sa të rinj e sa të moshuar, sa të martuar e sa beqarë, sa me shkuesi dhe sa me dashuri, sa orë të humbura shkonin kot në këto shëtitje dhe çmund të bëhej me ‘to po të shndërroheshin në punë efektive? Ja një studim statistikor interesant!……Kur I fliste, e shoqja detyrohej t’ia përsëriste fjalën,  që të merrte përgjigje, se ai ishte  i hutuar, si  të jetonte në një botë tjetër. Por ajo ishte mësuar me këtë gjendje.

3

Nëntori dhe dhjetori I vitit 90-të, erdhën me llohë, shira , me  të ftohtë të acartë e të hidhur, me mitingje, demonstrate dhe parti të reja politike. Dridhjet e tërmetit që kish nisur në qytetin studenti, Kiçua, ashtu si minjtë e kishte ndjerë më heret. E shihte në rebelimin e numërave. Kishte një mosbindje të heshtur nga ata që i dërgonin. Dosjet po mbeteshin të mangëta dhe lakoret e grafikëve kishin një ulje të frikshme. Mungesa e dritave u bë dukuri e zakonshme. Viti i Ri kaloi I zymtë e pa gëzim, por me një ankth në pritje të së panjohurës. Në udhëheqjen e dikasterit ndodhën ndryshime. U shfaqën edhe aty të revoltuarit që kërkonin ndryshime politike. I thanë edhe Kiços të bashkohej me ‘ta, por ai i refuzoi. Nuk kishte ç’i duhej politika. Nga ngjarjet që po ndodhnin Kiços iu prish baraspesha e jetës. Jo, me të vërtetë atij nuk i interesonte politika, ishte e huaj për të. Gjithëçka  që po ndodhte, demonstratat, mitingjet, partitë që po lindnin,  ai I shihte si një dukuri numerike:   Po qe se nga ana numerike, sasiore, ato bëheshin me peshë, patjetër që do të vinin edhe ndryshimet sasiore  e cilësore, e tillë ishte dialektika e numrave dhe filozofia e interpretimit të tyre. Kur ai pa masën dhjetra mijëshe të demonstruesve instinktivisht e  kuptoi që regjimi po rrokullisej. Në dikaster askush nuk punonte, askush nuk kërkonte llogari, kurrkush nuk kërkonte të dhëna dhe tregues. Ishte si një ngecje në vend, një paralizë. Nëpër korridore kishte ecejake të paprera, flisnin me zë të lartë, debatonin ashpër, nëpër zyra bëhej politikë. Kohë rrumpalle, dalldisjeje, një tollovi  e përditshme, gjithëçka kishte dalë nga rrjedha e natyrshme. Kiçua ndjehej ligsht në këtë asgjë e mosgjë, por për ti harruar të gjitha, zhytej në punën e tij të dashur. Edhe pse me mangësi, po përgatiste vjetarin e ri statistikor, që do të mbyllte një dhjetëvjeçar, ndofta edhe një periudhë historike.

Në dikaster filluan të vinin punonjës të rinj. Drejtori i kuadrit u ndryshua i pari. Tani atë post administrativ e quanin “Drejtor I burimeve njerëzore”. Drejtori nuk mënoi të trokasë  edhe në zyrën e Kiços. E shoqëronte një vajzë e re. Drejtori, buzagaz e me pamje babaxhani hyri drejt e në temë :

-Zoti Kristaq, Siç e dini, në zbatim të ligjit 24/1 të sapo miratuar nga parlamenti, në dikaster ka filluar reforma administrative. E dime. Ke një jetë që punon, je lodhur e robëtuar, ne e njohim zellin dhe përkushtimin tënd, por-“Ah ky por”,-mendoi Kiçua - ka ardhur koha të çlodhesh. Ti, fatmirësisht, për pak muaj mbush edhe moshën e pensionit. Udhëheqja-”Gjithmonë udhëheqja “- i shkoi në mëndje Kiços- ka vendosur që shefe e re e zyrës të jetë zonjushe Liliana. Dorëzimet do t’ia bësh asaj. Të tjerat ajo do ti thojë vetë. Puna e mbarë Lili- e uroi  drejtori dhe shkoi në punë të vet.

Kiçua mbeti si I goditur, zemra filloi ti përpëlitej si zog e ti  rrihte me ritëm të shpejtuar. Shikimi iu mjegullua, gjunjët iu prenë, duart iu mbushën me djersë, tensioni kush e di sa ishte rritur dhe, që  të mos rrëzohej u mbajt në anë të tryezës.

-Zoti Kiço, nuk ndjeheni mirë, doni t’u sjell një gotë ujë? – I tha e sapo ardhura.

-Jo, Jam mirë. Faleminderit  për mirësjelljen.

“Mbaje veten,shef Kiço! Ti e dije, që po shkelje në fushë të minuar, por pa e ditur se kur mund të shpërthente. Dhe ja, sot ishte dita, mina shpërtheu- I tha ai vetes për të hedhur në erë këta pak muaj pune që kishin mbetur- kaq  e pat, por sidoqoftë nuk është fundi I botës!”- dhe gjunjë prerë u ul në karrige. Syzet ishin veshur nga zjarrmia dhe djersa dhe sendet e njerëzit I dukeshin të dyzuara dhe sikur notonin në ajër. Kur I hoqi për ti fshirë, fytyra e tij plloçake me atë hundën e vogël e të tultë, Lilianës iu duk fare e shplarë. E la sa  t’i kalonte paksa tronditja, pastaj I tha:

-Sa për t’u njohur.Më quajnë Liliana Guri, shkurt më thërrasin Lili. Beqare. Ekonomiste e diplomuar.Studente dhjetoriste. E kam punën e parë që filloj. Dorëzimin e zyrës dhe të detyrës, them ta lemë për nesër. Ditën e mirë zoti Kiço-tha ajo dhe doli duke shtuar: - Edhe ju bëni mirë të delni e të merrni ca ajër,do të bëjë mirë!

Pas një nate të skëterrshme e të pagjumë, sado që Filloreta u mundua ta qetësojë e ngushëllojë,ai mezi priti të zbardhte dita dhe të shkonte në zyrë.

Liliana hyri pa trokitur. Kiçua ishte ulur pas tryezës së rëndë me dru lisi me një skedar përpara.  Ajo mori një karrige dhe i ndenji përballë, por pak larg, pranë murit. Kiçua nisi ta kundronte me nge  dhe mllef atë që I zuri vendin. Vinte shtat hedhur, me flokë të verdhë, të gjatë, të lëmuar që i binin mbi shpatulla e gjoks. Ovalin e fytyrës e hijeshonin sytë e mëdhenj ngjyrë lajthie, qerpikët e gjatë dhe hunda e drejtë. Buzët e plota e të kuqe I bënin të dukej hijeshija e gojës së  vogël e nazike. Kishte veshur një dekolte të hapur që i linte ti dukeshin supet dhe  gjinjtë e plotë me reflekse qelibari. Fundi-“fund i thënçin “ mendoi Kiçua,  i linte zbuluar këmbët elegante dhe I dukeshin paksa breçkat ngjyrë rozë. Ajo kishte një shikim të ngulët,  që e turbulloi Kiçon. Ajo e kuptoi sikletin e tij dhe bëri ta ulte pak fundin. “Femër,jo llafe”- mendoi Kiçua. Në krahasim me Lilin, ato dy V-të që ishin në zyrën tjetër ngjanin si dordolece!

Në zyrë s’kishte shumë gjëra për të dorzuar. Magazinieri bëri inventarin e orendive. Asgjë nuk mungonte. Pastaj sipas radhës së skedarit, ai i rrëfeu dosjet sipas viteve dhe përmbajtjes, dosjet e legjislacionit dhe ato korrente. U mbajt një process-verbal dhe u  firmos nga të dy.

-Gjithësa ndodhen në këtë zyrë, në ato dosje të mykuar e të pluhurosura, reliket e së kaluarës, janë për në plehra- tha Lili me përçëmim- ne do ti dixhitalizojmë gjithëçka që do t’a gjykojmë se do të na duhet, do t’a hedhim në kompjuter. Kompjuterat do të lidhen me rrjetin dhe do japim e marrim të dhënat me zyrat e rretheve. Metodat e punës që keni përdorur i përkasin sistemit të kaluar. Kanë ardhur këshilltarë të huaj, për të na ndihmuar. Ne do të zbatojmë sisteme modern:  Me vrojtim, sondazhe dhe intervistim. Bota përdor edhe satelitët.  Në vend të atyre dy punonjëseve  të ndryshkura,( deshi të thoshte shushkave,por e mbajti veten)  do të sjellim vajza të reja, operatore kompjuterike. Mëndje të reja dhe gjak të ri!

Kiços iu ravijëzua një buzagaz sarkastik nga fjalët e kësaj cuce të llastuar. Mëkat , që nga ajo gojë e bukur dilnin ato fjalë të vrazhda e të shëmtuara.

-Vera dhe Vjollca, janë punonjëse shëmbullore dhe kanë një jetë që punojnë- u doli zot ai punonjësve të veta-  bëni si t ë keni programet tuaja, por mos i fyeni!

Ajo nuk e pa me vend ti kthente përgjigje. Kiçua mori dy arka kartoni dhe rrasi aty tërë sendet personale, por pa harruar dosjen e tij që i ishte bërë si një gjymtyrë e pestë. Lili u tregua e gjindshme, i ofroi një kafe, por ai e refuzoi  dhe i tha se I rriste tensionin. Pastaj, me telefon,thirri një makinë. Dy V-të e përcollën si të përcillnin një funeral. Shoferi mori plaçkat dhe tok me Kiçon u nisën për në shtëpi.

 

4

Nisën ditët e zymta pa ngjyrë, të heshtura, pa jetë e gjallëri. Gjithëçka gri. e përhinjtë, e ftohtë. Netët e shqetësuara, me ëndrra të rrëmujshme dhe makthe. Filloreta kujdesej për të shoqin, hapte dhe biseda që tihiqte mendjen, por ato shuheshin si flaka e shkrepses. Kiçua përgjigjej me po  ose jo dhe pllakoste heshtja, një heshtje e rëndë, shtypëse. Ditët e para ai I harxhoi me përgatitjen e letrave për të përfituar asistencën, pastaj, rob I shprehive të veta, ngrihej heret, hante sillën dhe me dosje nen sqetull arrinte në dikaster. Përshëndeste nëpunësin e rojes dhe shkonte në bufe. Atje nuk ishte më Dija që e kish fjalën mjaltë(edhe atë e kishte zënë reforma). Kishte ardhur një e re që iu duk noprane. Ajo nuk e njihte Kiçon. Pas disa ditësh, roja I kërkoi fletëhyrjen. Kiçua mbeti i shtangur.

-Si kështu?  Ti më njeh mirë.

-Më vjen keq , zoti Kiço. Kështu e kemi porosinë. Kuptomë , nuk mund ti bëj keq vetes!

Kiçua doli përjashta. Ja kishin mbyllur derën. Pasi e hodhën në rrugë të madhe, nuk donin më ti shihnin as fytyrën! Iku nga e shpinin këmbët, buzë Lanës. Të dy anët e lumit ishin mbushur me kioska. Nga uji i ndotur ngrihej duhma e rëndë, nga nënurat të shponte hundët amoniaku I urinës që përzihej me tymin e qofteve të zgarës. U kthye në shtëpi. Kishte dëgjuar se ata që kishin dalë në asistencë mblidheshin te kafe “Europa”, shkëmbenin të rejat dhe kërkonin ndonjë vend pune. Kiçua nuk shkonte aty se nuk kishte shokë, pastaj sa për punë nuk bëhej fjalë, do të priste muajt e mbetur që të merrte pensionin. Ndofta ishte e para herë që ai u ngushëllua për mungesën e fëmijëve: Bashkë me fillën, do të bënin si të bënin me pensionet e tyre.

Për ditë të tëra u mbyll Brenda. Hapi dosjet, vjetarin statistikor të dhjetvjeçarit të fundit dhe mëndja e tij studjuese e kurioze nëpërmjet zhbirimit dhe analizës së numrave deshi të pasqyronte fillimin e tatëpjetës dhe rrokullimën që solli shëmbjen e regjimit. Me makinën llogaritëse mbi tryezë, mblidhte, zbriste, pjestonte dhe shumëzonte shifrat, ndërtonte ekuacione  të ndërlikuara,  i paraqiste grafikisht. Ishte një diagnozë  që ai donte ta bënte thjesht për njohuritë e tij. Përditë vazhdonte të manipulonte numrat. Për çudi ai vërejti një mos bindje dhe rebelim të heshtur të tyre. Shpesh nuk bindeshin dhe nuk i jepnin rezultatin që priste. Numrat ndaheshin,shpërbëheshin , nuk pasqyronin të vërtetën dhe ndryshe nga kombinimet e detyruar, ata formonin çifte sipas ngjashmërive dhe pëlqimit të tyre. Kiçua I zemëruar, nisi ti ndëshkojë me lapsin e kuq. Dukej sikur nga numrat rridhte gjak.

E para që pikasi se diçka po ndodhte ishte Filloreta. Në një natë me hënë, ajo dëgjoi një si shushurimë të lehtë dhe ca ciatje të çuditshme. Mbajti frymën. Jo nuk I bënin veshët. Në shtëpi diçka po ndodhte. U ngrit për të hapur dritën. Nga dyshemeja u dëgjua një rënkim: “Kujdës se më shtype”Asaj i shkuan drithma në trup dhe hapi dritën. Në tërë dyshemenë ajo pa mizëri pikëzash si kandrra të zeza  që lëvizën me shpejtësi drejt raftit të librave dhe u zhdukën. Filloreta lëvizi dosjet dhe librat, por nuk pa më asgjë. Nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, në se ishte zgjuar apo në ëndërr. E tronditur u fut në shtresa por dritën nuk e shoi.

Të nesërmen vuri në dijeni të shoqin.

-Kiço, shtëpinë na e kanë pushtuar kandrrat, ato furrtaret e zeza, ose më keq, shpirtërat! Zot na ruaj, lere po t ë na kenë bërë magji!

- Mblidh mendjen, grua. Ç’janë këta shpirtëra dhe magjira. U bëre dhe bestyte tani !

Filloreta i rrëfeu se çfarë kishte përjetuar gjatë natës. Kur ajo i tha se hëna ishte e plotë , atij i shkoi mendja te ato dosjet që i gjente të zgjidhura në raftet e zyrës së tij, por së shoqes nuk i tha gjë.

Dita pranverore ishte plot diell dhe Kiçua vendosi të delte nga parku I liqenit. Mori dosjen me vjetarin statistikor dhe makinën llogaritëse.

-Bëre mirë që po del. Unë do të tund e shkund shtëpinë. Kur të kthehesh blij një shishkë me ilaç nga ai që mbyt furrtaret. Mos harro!

Ndjehej aroma e pranverës. Në lindje dielli derdhte bujarisht arin e drtës së vakët. Mimozat që kishin hedhur vellon e luleve të erëndëshme shpalosnin flamurin e pranverës që po vinte.  E bukur pranvera po ai nuk i gëzohej   dot. i dukej sikur rronte fare kot. Ishte I padobishëm. “ E si tia çoj? Rroj fare kot- u thoshte ai atyre pak të njohurve që e pyesnin si ia çonte- ha si miu dhe fle si ariu dhe si hyj në punw njeriu!”  Kishte humbur kuptimin dhe shijen e jetës. Por fati nuk ishte aq mizor. Ai kishte ushtrinë e numërave,që i bindej dhe e linte të bënte me të ç’të donte! Ishte një ngushëllim.

Kiçua u ul në stol përball pasqyrës së ndritur të ujrave të liqenit, por sapo u ul, ndjeu një shtrëngesë në zemër, por nuk u shqetësua, i kishte ndodhur dhe herë tjetër. Sapo hapi dosjen, ngjau hataja: Prej saj nisën të delnin numrat, me qindëra,me mijëra,miliona,hidheshin nga stoli kacavareshin  dhe binin mbërdhe mbi asfalt. Kiçua u llahtaris. Mori vjetarin dhe e hapi. Faqet ishin të bardha, as kollona, as tabela, as numra, një shkretëtirë e bardhë, e braktisur. Kishin mbetur vetëm faqet e fundit, por edhe ato po zbardheshin. Numrat që ciasnin, u vunë në radhë pa rregull dhe si një vargan i pafund milingonash, po merrnin arratinë Pas tyre krijohej një udhëz pa bar. Kiçua brofi në këmbë:  “Ndaluni, ku shkoni, kthehuni, mos më braktisni” - klithi ai me sa zë kishte. Numrat e dëgjuan padronin e tyre dhe për herë të fundit skllevërit e rebeluar u bindën. U kthyen dhe e rrethuan. Si mijëra milingona në trungun e lisit.  iu ngjitën në trup, nga këmbët e pantallonës, nga mëngët e këmishës e të setrës, duke ciatur e bubrruar. Ai ndjeu nëpër tërë trupin ca pickime të lehta, i hipi harareti i të kruarit dhe trupi iu mbush me pulla të kuqërremta dhe nisi ti ënjtej. ”Më lini, më lini, se më morët shpirtin, ju lë të lirë, shkoni ku të doni!”- u lut ai.

Ata e dëgjuan, e braktisën dhe morën arratinë drejt lëndinave, shkurreve dhe pemëve duke thirrur:”Liri,liri”. Qëndruan Zerua dhe Njëshi. Kiçua, që ndjehej si i helmuar, pa fuqi, mendje çartur e me shikim të mjegulluar nga syzet që I kishin shkarë e thyer, në një çast kthjelltësie pa t’i qëndronte para vetes Zerua. Ovali i saj u zmadhua. Ç’donte ajo vallë, mos dëshironte ti thoshte që i kishte qëndruar besnike, apo se ai ishte si ajo, një hiç e i  pavlerë? Zerua  i kërceu mbi kokë dhe pastaj I zbriti në qafë dhe nisi ta shtrëngonte si laku i litarit. Motrës së tij i erdhi në ndihmë 1-shi. Ai u zmadhua një bojë njeriu, shkoi gremçin e tij te laku I zeros dhe filloi ta hiqte inkuizitorin e tyre osh. Kiços iu mor fryma, sytë i kërcyen, gjuha i doli jashtë dhe nga goja i kulloi shkuma, por gjeti forcë sa të bërtiste: “Ndihmë,ndihmë, po më vrasin”. Njëshi vraponte dhe e hoqi zvarrë.

Kalimtarët e rastit u çuditën nga britma e tij. Atë askush se ndiqte. Kur e panë që u rrëzua dhe u shtri  përmbys, me krahët të hapur,u afruan. Pranë kishte  një dosje që I kishte rënë anash dhe syzet me xhamat e thyer. Kishte vdekur.

Në kapakun e dosjes gjetën emërin, mbiemërin, numrin e telefonit të shtëpisë dhe adresën. Policii shërbimit thirri një ambulancë dhe lajmëroi familjen. Mjeku ligjor dyshoi për një vdekje nga goditja e zemrës, por nuk diti të spjegonte se përse rreth qafës kishte një rreth mavi.

Tiranë,maj 2012.