Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Njerëzimi në përmendore me tri simbolika

| E premte, 18.05.2012, 06:54 PM |


NJERZIMI NË PËRMENDORE ME TRI SIMBOLIKA

Mendime për vëllimin me poezi “Qyqja në hanin e Ferrit” të poetit pejanë Mëhill Velaj.

NGA PËLLUMB GORICA

Me tri fjalë mund të thuash shumë. “Qyqja në hanin e Ferrit” të poetit Mëhill Velaj është titull me tri fjalë, që ngërthen në vetvete një simbolikë e cila nuk është e lehtë të dëshifrohet.

Qyqja simbolizon vajin e vetmisë dhe të fatkeqësisë së madhe,si nostalgji therëse për atë lumturi që ekzistonte dikur, por që erdhën dhe e vodhën arbitrarisht padrejtësitë e kohës.

Hani, është vendstrehimi, vendfshehja e mistereve, e ëndrrave të pafjetura , i kujtimeve të nxehta, që ndizen e pikojnë mall të përvëluar e duan të ndjekin pas brezat.

Ferri, është simboli i së keqes së përjetshme, i gjykimeve dhe ndëshkimeve  shpirtërore e fizike, i dhënies llogari për mëkatet e kryera nga çdo moshë në jetë.

Por merita kryesore e poetit është se të tria këto si simbolikë e së keqes që jeton bashkë me njerëzimin, i shpalos  si ana tjetër e medalje  së një jete që gjen forca të mbijetojë e t’i mposhtë ato gjithmonë në dobi të së mirës së  njerëzimit. Poeti ka meritën e veçantë se të tria etapat e njerëzimit, të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen, i sheh të lidhura dialektikisht, duke argumentuar artistikisht se asnjera nuk mund të ekzistojë pa tjetrë. Çdo komb, familje, individ, çdo qenie e gjallë ka një të kaluar që përjetohet pozitivisht ose negativisht në të tashmen, dhe përcillet në të ardhmen me lëngun jetësor.

Vëllimi me poezi “Qyqja në hanin e ferrit” të poetit Mëhill Velaj është i konceptuar në pesë cikle të lidhura organikisht me mesazhin e qartë se gjithçka në këtë botë është ëndërr e shpresë, luftë e paqe, humbje e fitore,por asgjë nuk zhduket e humbet, por tjetërsohet e përmirësohet në ardhmërinë e saj, duke mbajtur të pazbehur vulën e kohës. Poeti gërmon në kujtime, për të rindezur traditën, e për t’i mbushur brezat me krenarinë e ligjshme për këtë vend ku “rrodhën më shumë lumenj gjaku se sa lumenj me ujë”.

Të shkruara në varg të bardhë dhe në një ritmikë këmbëngulëse, poezitë e vëllimit me poezi “Qyqja në hanin e ferrit” janë poezi me larmi tematike, me figuracion disi të errët, që nuk është i lehtë në të kuptuar. Me ritmin dhe metaforën e tyre, simbolikën e guximin e shprehjes, çdo varg i tyre kullon dhëmbje e mall për atdheun, shpaloset dëshira dhe mesazhi i madh, se pavarsisht pengesave e brengave jeta meriton të jetohet. Ndaj edhe pse i brengosur për gjithçka që nuk është realizuar, i përmalluar nga ndarja me atdheun e tij, riafirmon lidhjen e përjetshme me jetën si nocion biologjik e filozofik dhe me Kosovën e tij, nënë të pavdekshme kur shkruan:

“Unë do të vij përsëri

E ardhmja e fatit tim

Je ti Kosova ime

Emrin zemër ke”

Në vargjet e vëllimit poetik,“Qyqja në hanin e ferrit” të Mehill Velaj shprehet më së shumti edhe thelbi i dëshirës së madhe të poetit, për ta kthyer lotin në ëndërr, dhëmbjen në dashuri, dhe dëshpërimin në shpresë:

“Ende gjenim guximin , forcën e brendshme

Dhëmbjet dhe humbjet tona ishin

Lotët e shpresës e të dashurisë”

Poeti njeh humbjen dhe pranon fatkeqësinë si një fenomen i natyrshëm që ndodh, pavarsisht nga dëshira jonë. Ai analizon të kaluarën dhe nxjerr mësim nga realiteti që jeton dhe pastaj thjeshtë e pa bujë, jo nga pozita e heroit apo e martirit, por të ushtarit që e do sinqerisht  dhe sakrifikon për jetën:

“Dhimbjet dhe humbjet tona ishin

Lotët e shpresës dhe të dashurisë”.

Dhe për ta garantuar e qartësuar më mirë këtë proçes të pashmangshëm, thërret në ndihmë zërin e të parëve:

“Dëgjojmë zërin e largët të etërve:

Mos kini frikë dhimbjen e vdekjen

Hapni portën e së ardhmes

Aty do të gjeni PAQEN.

Malli e brenga, pengesa dhe vështirësia e ngacmojnë përtej njerzores poetin. Fakti që “qyqja këndonte vargun në një degë të thatë “ e bëjnë  poetin “të varet në litarin e vargjeve”, por qartëson se ai këtë nuk e bën në emër të disfatës, por të optimizmit dhe ringjalljes, të përtëritjes së jetës. Poeti si një krijesë e shkrirë shpirt e mendim me mjedisin që e rrethon shkruan:

“Jeta është e bukur

Jeta jam unë

Vargjet që i thur për të”

Poezia e Mehill Velaj është si një këngë e papërfunduar kurrë për jetën, si një ëndërr në zgjim. Ndaj kur i lexon ato vargje plot mëshirë e humanizëm, që rrezatojnë vetëm mall atdhedashurie e shpresë të ringjallur, që i thurin ditirambe ardhmërisë së bukur njerzore, të sjellin padashur në mendje  mendimet e famëmadhes Nënë Terezë. Ja si shkruan poeti:

“ Ndjeni dashuri, kur ju jepni dashuri

Jo vetëm kur ju merrni

Drita është me ju

Mos harroni.

Poeti pasi njeh deri në palcë gjithçka që ngërthen në vetvete nocioni jetë, mposht gjithçka që i kundërvihet njerzores dhe logjikës së zhvillimit, e drejton vështrimin nga e dashuria dhe humanizmi, dhe jep garanci për të ardhmen e njerëzimit dhe kombit të tij:

“Unë e di se secili prej nesh nuk i beson më vdekjes

Unë e di atë, sic nuk i besoj më vetë

Unë e di se secili prej nesh udhëton drejt dashurisë patjetër

Ngulur thellë në themele të shtëpisë së vjetër”.

Çdo invid e komb ka një të kaluar, jeton një realitet e ka një të ardhme, por gjithmonë mbështjellë me specifikën e traditës e kulturës së tij. Kombi që i përket poeti e ka zgjedhur vetë rrugën e tij:

“Me eshtrat e ngurosura shtruam rrugën e lirisë

Tabanin e përjetshëm të atdheut tim”

Dhe në një poezi tjetër vazhdon po me atë gjuhë e zemër “

“Jeta nuk është shtrati me trëndafilla

Jeta është vallja për tu kërcyer deri në fund

Jeta është e mbushur me zhgënjime

Jeta ka mistere energji trishtim, dashuri

Jeta është dhuratë fat,tragjedi entuziasëm

Jeta është vetmi e sfidë.

Poezinë e Mehill Velaj e ndez simbolika dhe e bën të ndjeshëm vargu i lëmuar me kujdes e i vënë me siguri në vendin që i takon, si një gur kështjelle, dhe i jep ritminë e koloritin e së veçantës gjuha e rrjedhshme edhe pa sforcime e zbukurime, por edhe tematika e zgjedhur, rima e goditur e sidomos aliteracioni, e forca e mendimit. Megjithatë poeti duhet të shmangë një përsëritje jo të justifikuar të leksikut poetik e cila vihet re nga njëra poezi tek tjetra. Gjithashtu duhej edhe një lidhje më organike të pesë cikleve në funksion të një tematike të vetme duke e bërë vëllimin më të ngrohtë.

Rrallë mund të gjesh metafora, simbole e krahasime të tilla si: “Varrosa shpirtin sallatë prej thike”,“pranvera merr një lule nga lulet e mia”,“lotët e motrës vaditin pluhurin e dëshpërimit”,“Mbi kokë qëndrojnë retë si flamuj argjendi”,“udhë me krahë zogjsh”,“Sa ngushtë midis tokës dhe qiellit”,“E ardhmja ka ardhur në të kaluarën”,“Delet kullotnin bar e gjak”,“Zgjoheshim nga një ëndërr e binim në një tjetër”,“Fara u bë zogj që fluturuan në kaltërsi “,“me kohën nën sqetull” etj, që bëjnë të gumëzhijë vargu për një kohë të gjatë e të lërë gjurmë të pashlyeshme në mendje.

Por për poetin është dashuria ajo që mban në këmbë njerëzimin, jetën dhe  ai duke dashur të fali vetëm dashuri, kërkon që të vdesi  për  të, si martir i saj.

Poeti e ka zgjedhur rrugën e tij, e ka përcaktuar në rrugën e fatit të cilën kërkon që të mbajë në buzë përjetsisht këngën e dashurisë pa bujë:

“Ky është fati im

Të vdes duke kënduar “

Dhe s'ka fat më të bukur e më të madh, se ky. Fat që e pati Migjeni, Noli, Dantja, Hajne, Pëtefi, Gëtja, Esenini, Pushkini, Petrarka e shumë  këngëtarë të  tjerë të poezisë. Se ata që vdesin duke kënduar, në fakt nuk kanë vdekje kurrë.