Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shqipëri-Kosovë 1 Abetare

| E enjte, 17.05.2012, 06:43 PM |


Shqipëri-Kosovë 1 Abetare, Berisha: Fqinjë, çlirohuni nga shqiptarofobia

PRIZREN- Nxënësit e klasave të para të Shqipërisë dhe Kosovës do të mësojnë tashmë me një Abetare të përbashkët. Ceremonia e promovimit të Abetares së përbashkët u zhvillua sot në Qendrën Sportive "Sezai Surroi", ku përveç Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri kosovar Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci gjatë fjalës së tij në në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët. Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha u shpreh se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi t’i bëjë thirrje fqinjëve të clirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.

Më 24 prill u përzgjodh teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti i përzgjedhur ka si bashkëautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi.

Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.

BERISHA: ABETARJA E NJËHESUAR, KRYEVRPRA E DIJES, FQINJËT TË CLIROHEN NGA SHQIPTAROFOBIA
Kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e inagurimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosëve, që po mbahet në Prizren, deklaroi se kjo është dhurata më e bukur që i bëhet kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Falenderoj përzemërsisht hartuesit për këtë kryevepër që i dhuruan sot fëmijëve të kombit tonë, Abetaren e parë të njëhësuar, të bashkuar, e cila vjen sot këtu në këtë sallë si një vepër e rrallë e shqiptarëve që ka endur në shekuj për të ardhur tek ju, fëmijët e Prizrenit, fëmijët e kombit shqiptar. Ajo mban ëndrrën e dhjetra qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një Abetare të përbashkët. Mban sakrificat që në kohët e Skëndërbeut e deir në luftrat për çlirim të Kosovës e Maqedonisë. Mban idealin e bashkimit si ideali i përjetësisë kombëtare”, deklaroi Berisha.

Duke iu drejtuar nxënësve që kishin mbushur plot e përplot sallën, Berisha tha: “Nuk duhet të harroni kurrë se ka me qindra, mijëra jetë të flijuara që ju të jeni të lirë, që në të jemi të lirë të ndërtojmë të ardhmen tonë të shkëlqyer. Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e lirë mund t’ju bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.

Kryeministri Berisha deklaroi se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi t’i bëjë thirrje fqinjëve të clirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.
“Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tone, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjërë. I themi fqinjve, clirohuni nga shqiptarofobia, ajo është plehrë e primitvizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë komb miqësor, ndërsa ata me skena si ato të Preshevës faktojnë se janë në ende në stadet primitive”, komentoi ai.

THACI: DITË HISTORIKE, NJË ABETARE, NJË GJUHË
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci gjatë fjalës së tij në në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët.
"Më lejoni të uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët. Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot ju prezantojmë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, të ardhemen e kombit shqiptar. Kjo është arritje historike. Është abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Urime!”,- uroi kryeministri i Kosovës.

Thaci deklaroi se jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren, kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb.
“Sot të gjithë shqiptarët ku jetojnë, janë me ne, janë me abetaren e parbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetitin shpirtëror të shqiptarëve në qytetin mes kryeqyteteve poliike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Sot në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet po promovojnë librin e përbashkët. Kjo është abetarja e kombit, kjo është arritje për të gjtihë shqiptarët. Këtë mund ta bëjë një shtet i lirë dhe sovran”,- deklaroi Thaci.

Sipas Thacit fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve, dhe falë përpjekjeve shekullore tahmë shqiptarët do keni një gjuhë dhe një flamur.
“Në themele të Rilndjes qëndron patrioti Naum Vexhilharxhi, fati i librit ishte i ngjashëm me fatin e popullit shqiptar. Sot pas 100 vjetësh shteti shqiptar është vend demokratik anëtar i NATO dhe me prespektivë për në BE. Sot Kosova ka hyre në 13 vjetorin e lirisë dhe 5 vjetorin e pavarësisë. Kosova ka të ardhme të ndritur. Abetarja e përbashkët është një përpjekje e jona shekullore, dhe shqiptarët tashmë do kenë abetare të përbashkët gjuhë dhe flamur”,- deklaroi Thaci.

(el.me/ma.ar/BalkanWeb)