E marte, 10.12.2019, 11:21 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Lamtumirë poetit të Kosovës!

E merkure, 16.05.2012, 08:00 PM


Lamtumirë poetit të Kosovës!

(Një pëllumb Paqeje në postën time)

Nga Keze Kozeta Zylo

            Sot nën një qiell të vranët dhe me vesë të butëz shiu duke u kthyer nga puna para se të hapja portën e shtëpisë mora postën time.  Ndërmjet letrave gjeta një zarf  të ardhur nga Mëmëdheu ynë i dashur, nga Komuna e Rahovecit, Republika e Kosovës.  Kishte ardhur si një pëllumb paqeje duke fluturuar mbi Atllantik libri me poezi nën titullin “Përballje” me autor z.Adem Berisha, botuar nga shtëpia botuese shtypshkronja “Berati” Prizren.  Të parin zarf që hapa ishte pikërisht kjo dhuratë e bukur me dedikimin brenda nga vetë autori.  Ai midis të tjerave shkruante se këtë libër jua dhuroj miqve të mi të shtrenjtë Kozetës dhe Qemalit.  Dhe në fund vazhdonte se: “Kujtoni xhaxhi Ademin edhe atëhere kur nuk do të jetë”...

            Sa shumë më trishtoi kjo frazë, ndërkohë shfletoja me një frymë faqet e mbushura me poezi me tematikë të ndryshme.  Ndalova në parathënien e librit shkruar mjeshtërisht nga shkrimtari dhe kritiku i mirënjohur z.Xheladin Mjeku i cili me penën e hollë analizonte:  “Në çastet kur po përballoja rrugëtimin plot befasi dhe retushime të reja estetike në poezitë e “Përballjes” para më qëndronte trinomi enigmatik i Adem Berishës.  Ai vinte si poet, rapsod dhe si vështrues i kujdesshëm ngjarjesh me elemente të dëshmitarit të kohës, që vepron me ngulm në skalitjen e gurit të kalasë poetike të tij dhe që shpërthen si vullkan, në të shumtën, plot mllef e dhimbje”....

            Por ndërkohe që lexoja e lexoja poezitë po hapja internetin t’i shkruaja falënderimin dhe mirënjohjen për këtë dhuratë të bukur të ndjerit Adem Berisha që më kishte dërguar prej Kosove, po papritur gishtrinjtë e mi ngrinë në tastierë, m’u duk vetja në një ëndërr të tmerrshme kur lexova e rilexova e përsëri e rilexova shkrimin homazh nga z.Xheladin Mjeku botuar tek gazeta e mirënjohur në online “Fjala e Lirë” me botues shkrimtarin z.Fatmir Terziu.

Shkrimi homazh më solli ndërmend vargjet e para nga poema e Pitagorës i cili thote: “Ndero zotat, ndero të vdekurit, ndero prindërit!”

Unë jam shumë e bindur se ikja e tij e beftë do t’ju mungojë gjatë shumë miqve, njerëzve të letrave që e deshën dhe e respektuan aq shumë, ngase vetë poeti iu kishte dhënë pafund respekt e mirësi.

Të nderosh të ikurit është detyrë, është ndjenjënjerëzore, cdokush fisnikërohet.  Ndodhem para dy “përballjeve” ndonëse krejtësisht të ndryshme, e pare me librin e autorit me titull “Përballje” dhe e dyta me përballjen e lajmit të kobshëm të ikjes së autorit larg në botën e përtejme...

Autori qysh në ngjallje nuk e kishte frikë vdekjen ai e çmonte atë si pjesë të jetës biles dhe më shumë dhe ja si shkruan: “Gjallë as i vdekur nuk ndahem nga ti/ vetëm në ty dua të prehem në varr!/ I tëri ai dhè që do të kem përmbi/ nuk është vetëm dhè/ është më tepër se ar”!...

            Luftove Bacë Ademi, luftove me trimëri për Kosovën që e deshe aq shumë, luftove bashkë me familjen tënde patriote, dhe jam e sigurtë se ke ikur i qetë ngase i keni lënë vetë me shkrim në “Poemën e Lirisë” :  ...“nëna m’i mësoi ato që s’i kisha ditur/ më e rëndë thoshte është robëria se vdekja/ për ditë të sotme biro, të kam lindur e rritur’/...

Ike Bacë Ademi dhe do të ndalosh atje ku të pret Diellza mbeska tënde e ikur tragjikisht, një lule e bukur që la lulishten... Ike në këto ditë të bukura Maji ku lulet do të rëndohen nga kripëza e lotit të lexueseve të panumërt që të çmonin dhe të vlerësonin aq shumë.

            Rahoveci do të hedhë supeve shallin e zi për humbjen e një zëri të veçantë poetik në Gjyrgjevik, por jo vetëm kaq...ngase brenda librave të tu gjithmonë gjenë gati –gati vargje të shenjta për Kombin tonë të perbashket dhe ti digjesh plot zjarr për të:  “Atë e Mëmë të vetëm të kam/ ndaj të thërras plot mall o At-Mëmëdhe!/ Me gjak të kem larë pëllembë për pëllëmbë/ asgjë përveç teje nuk ka më të shenjtë për ne”!

Me poezinë tuaj ju keni ngritur një bibliotekë modeste të prushtë që ngroh me dashurinë e një biri të përulur ndaj Atdheut.  Vargjet do te jenë si përskuqje e lules bozhur me metafora të lyera e diell Kosove.

Pranë qiparisit do të ulen butë – butë dhe zogjtë shtegtarë, pëllumbat e paqes me pendë të mëdafshta për të të dhënë lamtumirën e fundit të mergjimtarëve që s’të ndodhen dot pranë për një dorë dhe...

Ne nuk të harrojme poet, nuk të harrojme kurrë, erdhe bashkë me vëllain tënd prof.Berisha dhe familjen që nga Kosova në Muzeumin Kombëtar në Tiranë për të marrë pjesë në promovimin e librave të mi, viti 2010.  Ishte një bashkim vëllazëror midis nesh, ishte një bashkim që ju e ëndërronit pakufi me Shqipërinë, Kosovën dhe të të gjitha trevave te tjera.  Brenda vargut tuaj ka ngritur folenë bashkimi i Kombit dhe jam e sigurtë se dhe në botën e përtejme do të pëshpërisësh amanetin: Bashkohuni!

Eshtë amanet me shpirt të bardhë, është amaneti i një pëllumbi paqeje të Lirisë, që s’tretet kurrë, ndaj prehu i qetë miku ynë prej Kosove!

 

Të rëntë dheu lehtë!

 

Lamtumirë poet!

 

15 Maj, 2012

Staten Island, New York

 



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT