Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Intervistë me Prof. Ardian Ndreca

| E marte, 15.05.2012, 07:34 PM |


“Shqiptarët duhet me ecë me vetëdije drejt cakut të tyne natyral: Europës”

Prof. Ardian Ndreca, është një nga intelektualet më të shquar shqiptar, profesor në Universitetin Urbanian në Romë dhe njëherësh kryeredaktor i Revistës “Hylli i Dritës”, revistë kjo e themelume prej At Gjergj Fishtës. Ai është autor i shumë studimeve dhe teksteve në shqip dhe italisht.  Në këtë intervistë, për revistën “Drita”, Prof. Ardian Ndreca flet për identitetin shqiptar, për nevojën që shqiptarët pa hamendje të ecin drejt Europës, për gjuhën,  kulturën shqiptare, etj.

Z. Ndreca, shqiptarët në fund të shek. XX kanë realizue shumicën e objektivave politike. Megjithatë, populli shqiptar ende vazhdon të jetë i pakonsoliduar si duhet, me probleme të shumta dhe me një krizë, së cilës si shihet fundi. Ndërsa, në anën tjetër, kalvari i kthimit të shqiptarëve ne shtratin e natyrshëm perëndimor, vazhdon të jetë i vështirë. Sipas jush, ku është shkaku i gjitha këtyre tensioneve që ka bota shqiptare?

Nuk mendoj se bahet fjalë për nji shkak të vetëm. Ka disa shkaqe të vjetra historike dhe ka të tjera shkaqe që kanë lindë prej rrethanave aktuale. Fakti që në vitin 1912 shqiptarët çliroheshin, të fundit në Ballkan, prej zgjedhës otomane, dhe në vitin 1944 do të kishin fatin e mbrapsht me ra nën regjimin komunist, mjafton me kuptue disa prej shkaqeve themelore.

Z. Ndreca, çfarë do të thotë të jesh shqiptar sot dhe a është përgjigjja në këtë pyetje homogjene për gjithë shqiptarët?

Pyetja lyp nji gjegje mjaft të gjanë, por un po kufizohem me nënvizue vetëm nji aspekt: në vitin 1991 shqiptarët dolën me sloganin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Ajo duhet të ishte destinacioni ynë, por mjerisht nji klasë e tanë politike na ka pengue me të gjitha mjetet, përfshi edhe luftën civile në vitin 1997, për me shkue drejt Europës.

Si i vlerësoni marrëdhëniet mes fesë (feve) dhe identitet kombëtar?

Mendoj se besimet fetare kanë rolin e vet në formimin e personit, por ky rol nuk duhet të përcaktojë drejtimin e trajektores politike. Jeta politike e kombit vendoset në bazë të vizioneve dhe interesave që duhet të jenë qartësisht të ndame prej besimeve fetare. Identiteti ynë kombtar asht mjaft solid dhe i qartë, edhe pse ka disa pseudo-intelektualë e akademikë që janë mundue me e lidhë atë me nji vizion të caktuem fetar dhe me përcaktue kështu nji rrugëtim tjetër të shpirtit shqiptar, që do të ishte nji regres i pafalshëm nga historia.

Ka një kohë të gjatë, që kur janë shfaqur disa zëra të medias në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, që bëjnë një fushatë të çuditshme kundër Nanës Tereze dhe përkatësisë së saj shqiptare dhe kundër shumë figurave me proveniencë katolike? Si e shpjegoni këtë fushatë denigruese?

Nji fushatë e turpshme e udhëhequn prej individësh që s’kanë asgja shqiptare. Nganjiherë ata që s’gjejnë asgja për t’u krenue tek vetvetja mundohen me prozhmue gjithkend e gjithçkah. Un i shoh si mjerana që vetë koha ka me i nxjerrë mënjianë në harresë.

Shqipëria edhe pas ramjes së diktaturës, vazhdon me u karakterizue nga debate të pafundme, shpeshherë absurde politike. Ky vend, ende nuk e ka përmbyll procesin e tranzicionit politikë. Si e perceptoni dhe vlerësoni ju këtë gjendje?

“Tranzicioni” në Shqipní ka qenë shpikja ma e frytshme për nji klasë maskarenjsh e horrash, majtas dhe djathtas, që janë pasunue tue vjedhë e tue vra, tue grabitë Shtetin shqiptar dhe tue destabilizue Ballkanin me papërgjegjshmërinë e tyne politike dhe personale. Shpresoj që ky kapitull i trishtueshëm të mbyllet sa ma shpejt përgjithmonë.

A është kombi shqiptar pjesë e identitetit europian dhe pse?

Patjetër që asht. Arsyet janë historike e ma mirë se kurrkush i ka spjegue Ismail Kadareja tek esetë e tija të fundit, sidomos tek “Mosmarrveshja”, nji libër manifest që do t’u shërbejë shqiptarëve me ecë me vetëdije drejt cakut të tyne natyral: Europës.

Ju jeni inkuadruar me fuqinë e argumenteve në debatet e shumta që bëhen tek ne, si ai për Gjergj Kastriotin, për periudhën e pushtimit italian të Shqipërisë, për neo-otomanizmin apo edhe për trashëgiminë e klerit katolik shqiptarë? Si do t’i shpjegoje këto debate për lexuesit tanë me pak fjalë?

Bahet fjalë për debate komplekse e të artikulueme që s’mund të paraqiten kurrsesi me dy fjalë. Mund të them se sot ka forca që duen me e fundos Shqipnín dhe këto forca janë të përbame prej shqiptarësh që mtojnë me e kthye atdheun tonë në nji thark të madh në mes të Europës, ku të triumfojë çdo gja regresiste, e poshtër dhe pa dinjitet. Prej Rilindjes kombtare e deri tek lufta çlirimtare e UÇK-së shqiptarët e kanë tregue se dijnë me e gjetë rrugën e vërtetë drejt shelbimit të kombit, prandaj edhe sot jam optimist për të ardhmen.

Z. Ndreca, meqë kjo intervistë iu dedikohet më shumë lexuesve nga Kosova, si e shihni ju rrugëtimin e Kosovës në këto vite, nga liria, pavarësia deri tek përpjekjet për integrim në BE dhe NATO?

Ketë rrugëtim e shoh si nji andërr biblike që dalngadalë po realizohet. Kosova meriton me hy në Europë dhe do të hyjë, pamvarsisht se klasa e saj politike nuk asht në nivelin e aspiratave të kosovarëve. E ardhmja e Kosovës asht Europa, Pakti Atlantik dhe nuk ka asnji footnote që mund ta kthejë mbrapa historinë.

Si e shpjegoni tendencën për krijimin e një identitet kosovar, në një kohë kur kërkohet ndryshimi i historisë, me theks të veçantë periudha osmane?

Çeshtja e gjoja identitetit kosovar dhe lidhja e tij me pushtuesin otoman asht nji shpikje e atyne që tue mos mujtë me e lanë mâ Kosovën në robnínë e serbve duen me e ulë rishtas në gjunjë në nji robní shpirtnore ndaj nji anmiku shekullor kundër të cilit Kosova dhe Shqipnija kanë luftue deri me 28 nandor 1912. Nuk ekziston asnji identitet kosovar që të mos jetë në hullinë e identitetit shqiptar. Periudha otomane kanë qenë esencialisht nji mjerim i madh dhe i gjithanshëm për ne. Mos të harrojmë se në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit, otomanët i paguen fqinjëve tanë damtimet e luftës me troje shqiptare, me Ulqinin, me Plavën e Gucinë. E sot, dalin disa individë që s’duen të flasin për pushtim otoman por për administrim. E kuptoj se janë apendikse të kalbuna të nji kohe tashma të perëndueme përgjithmonë, por gjithsesi ngjallin bezdi dhe sidomos neveri.

A besoni në ndonjë bashkim të mundshëm kombëtar?

Patjetër që besoj, kur t’i vijë koha.

Ju jeni kryeredaktor i revistës Hylli i Dritës, revistë kjo që ishte pishtare e pashuar e fanarit kombëtar dhe fetar. A mund të na thoni më shumë për këtë revistë me traditë dhe kulturën françeskane sot ?

Revista asht themelue prej Át Gjergj Fishtës në vitin 1913. Asht nji e përkohshme që i ka shërbye gjithnji kulturës sonë dhe çeshtjes kombtare. Sot ajo përpiqet me vijue traditën tue ndjekë rrugën e bashkëpunimit shkencor mes shqiptarëve dhe studjuesve të huej, tue kultivue vlerat ma të mira dhe tue u mundue me ba tribunë e kulturës sonë.

Ju jeni ligjërues në Universitetin Papnor Urbanian. Sipas jush, ku ndodhet kultura dhe dija shqiptare në trendët e sotme globale?

Asht e vështirë me e thanë se ku ndodhet kultura jonë në botë. Po mjaftohem me ju përmendë këtu se në botë ka disa duzina shqiptarë që ligjërojnë në universitete dhe institucione të ndryshme shkencore. Sot libri shqiptar, mendimi shqiptar njihen nepër botë. Ndoshta edhe vetëm Kadareja do të mjaftonte për nji popull të vogël si ky i joni me u përfaqsue, e me mendue se kemi diçka ma shumë!

Ju i qëndroni besnik dialektit gegë, të cilin e shkruani shumë bukur. Si mendoni se mund të përmirësohet gabimi trashanik që ju bë kulturës së shkrimit shqip, me standardin e shqipes të vitit 1972?

Gjuha asht nji mjet, kultura asht qëllim. Standardi do të mund të rishikohet kur të ekzistojnë kushtet e duhuna dhe vullneti i mirë për bashkëpunim të sinqertë. Deri atëherë s’më duket nji tragjedi që gegnishtja të përdoret në ligjërimin publik.

E randësishtme asht ta duem gjuhën shqipe, ta kultivojmë atë, të lexojmë klasikët e saj dhe të përpiqemi me mbajtë sa ma të pastër prej ndikimeve të hueja leksikore dhe, për ju kosovarët, edhe sintaksore.

Intervistoi: Ndue Ukaj

(Kjo intervistë asht realizue për numrin e marsit, të revistës “Drita”)