Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Sislej Xhafa dhe Kseniya Simonova

| E hene, 14.05.2012, 11:01 PM |


Sislej Xhafa dhe Kseniya Simonova

Nga Dr. Ilir Muharremi

Arti i aktualizimit i Sislej Xhafës

E bukura e adhuruar shpreh natyrën personale, karakterin saktësisht zakonet e artistit, prandaj është personalitet që në mënyrë arbitrare identifikohet me ndjeshmërinë. Arti është ngacmim, provokim, sinqeritet, trans, shpirt, dhimbje, dehje, ekstazë dhe në kuptim të gjerë iluzion real i objektivizmit dhe subjektivizmit. Ideja dhe koncepti rrënjësisht ballafaqohen me kreativitetin në art,  japin atë sasinë e iluzionit të dëshiruar që përshkon me çdo adhurim estetik. Ballkani, Evropa dhe SHBA-ja janë vërshuar me rryma, lëvizje, koncepte të ndryshme të artistëve. Pa dyshim duhet përmendur vizionarin, legjendarin, apo provokuesin më të madh të artit konceptual Sislej Xhafën, i cili tronditi botën, me një art provokativ, domethënës, revolucionar, të një zhanri apo teknike që përkon me ndijimin e pjesërishëm të pandashëm me personalitetin e tij. Polemikat, kureshtjet u vërshuan qysh në vitin 2003, kur artisti Xhafa me veprën “Padre Pio” u shfaq në ekspozitën  “The Nature of Art” në San Lorenzello. Kjo vepër bëhet provokuese ngase në thelb prekë fenë dhe figurën paksa të karikuar të Pios.  Artsiti tregon guxim, zellë, karakter të fortë, një kritikë të gjykimit dhe mesazhi adresohet tek shenjtorët të cilët gjithnjë ruajnë, kontribuojnë marrëdhënie me realitetin, dhe kjo njerëzve ua zbukuron jetën. Tjetër çka e karakterizon këtë vepër gjigante është se kur mungon kreativiteti në politikë, ekonomi, dominon papunësia, andaj oferta më e mirë është e turizmit religjioz. Shikuesi pa hezitim mund të futet në kokën e Pios dhe të vështroj botën, ashtu si e ka vështruar Pio, ky është një element tjetër që e faktorizon këtë vepër madhështore. Religjioni ende mbetet pyetja dhe përgjigja më e madhe në globin tonë. Ekonomia është triumf më i madh, nga e cila rrodhën vuajtjet. Krentonti në antikë thoshte: “Gjënë më të keqe që shpiku njeriu është paraja”.  Për paranë, shkrijmë ndjenjat, lotët, ritmin e zemrës, i nënshtrohemi me të gjitha forcat,  për ta kapur dhe dominuar botën. Mirëpo, qetësia shpirtërore adresohet tek religjioni. Më e logjikshme do ishte të meditohet në vetën e parë, dhe të arrihet kulminacioni individual i personalitetit. Vepra tjetër e Xhafës e vendosur në parkun e Cyrihut, Hardaupark në formën e “Y”psilon, e lartë 16 metra, e ngritur në formë skulpturale, një objekt me pamje të llastiqeve (armë fëmijësh) gjigante. Gypa të mëdhenj, të gjerë të shtrirë mbi tokë, pranë tyre një vrimë e zezë. Mos punëtorët paskan hasur në naftë dhe tash po i vendosin gypat e bartjes? "Pse jo", thotë përgjegjësi i gjithë kësaj, Xhafa. Ai ndjehet mirë që njerëzit e interpretojnë artin e tij në mënyra të ndryshme. "Unë mësoj me kënaqësi nga kjo". Artisti prodhon artin e plason në treg, konsumatori bredh nëpër të, konsumon produktin më të mirë dhe më të përafërt me ndjenjat e tija. Triumf më i zakonshëm i veprave konceptuale qëndron në faktin që t’i shprehin nuancat e kapshme por, në disa raste edhe të pakapshme dhe të paformësuara, përmes imazheve të rrepta ose kundërthënëse. Si p.sh : forma, përmbajtja, mendimi apo materia. Karakteri, inteligjenca ana  intime, aktualiteti, karakterizojnë krijuesin Xhafa nëpër punën e tij. E veçanta e një videoje, në të cilën dominon figura e vet krijuesit Xhafa, është se një person (hajdut), tinëzisht fut dorën në xhep të një personi, me tentim për të vjedhur. Qëllimi i punimit është të theksohet se “hajnia” është profesion. Sikurse një jurist, mjek, avokat që ka profesionin e tij, po ashtu edhe hajduti ka këtë profesion. Kemi edhe video artin tjetër të prekshëm të Xhafës, ku shihen dy homoseksualë, duke luajtur në një fontanë të mbushur me ujë. Gjatë gjithë lojës, ata nuk i përmbajnë ndjenjat për njëri tjetrin, dhe shprehin publikisht puthjet.  Kuptimi fshihet pas asaj se secili njeri, qoftë intelektual, hajdut, mjek, mbinjeri, gjykatës, ka kënaqësinë, vuajtjen, lojën, dëshirën, shpresën, dhe të gjitha këto i plason në këtë botë. Njerëzit i bëjnë rregullat dhe duhet të ketë rregulla për çdo person.  Andaj, nga gjithë kjo që u tha, do e rrumbullakoja se arti i kosovarit Sislej Xhafa, prezanton një kulturë ballkanase, të shtypur, të vuajtur, gjithnjë të luajtur nga dikush tjetër. Apo e bukura arkitektonike, nuk është seksion i artë që teorikisht vlen kudo, po me radhë ajo është kurorë, hark i plotë, i mprehtë, vijë valëvitëse, e tendosur e stileve moderne, simetri, desimetri që shkon me evolucionet e një pëlqimi universal.

Imazhet e regjimit Stalinian në artin e Kseniya Simonova

Vajzë e talentuar, sharmante, tërheqëse, me një  fizionomi të kompletuar, e stërmbushur me art, vullkan formash ngjarjesh e përplasur me të kaluarën e dhimbshme të popullit të Ukrainës, artistja Ksenija Simonova krijon imazhe në rërë.  Pikturat e saja në rërë tregojnë një ngjarje, një tregim që rrjedhin njëra pas tjetrës. Arti i saj nuk është aspak i ngarkuar me absurditet dhe as marrëzira, është e simpatizuar dhe e simpatizojnë gjithnjë njerëzit, madje edhe ata që ju ka munguar kultura artistike. Depërton idealisht, praktikisht dhe estetikisht në çdo kokë, krijon histori të dhimbshme ilustron forma nga asgjëja, nën shoqërinë e muzikës, përformon bindshëm, dhe zgjon nostalgji të pasionuar të kulturës Ukrainase apo shtypjes vulgare të këtij populli nga diktatori Stalin. Dashuria, misteri, apo tentimi për ta pushkatuar arsyen, prekin thellësinë e artistes, dhe e detyrojnë në formë absolute, tendencioze, të protestojë për një të kaluar e cila ende jeton, ngase shenjat e saja janë ngulitur thellë tek ky popull. Kjo artiste është tejet përparimtare, paraqet trupin si objekt tokësor, material i njeriut, nxjerr në pah bukurinë përmes shkëlqimit të dilërsisë shpirtërore, duke e bërë artin mjet qëllimi për lartësimin moral të njeriut. Harmoninë e trupi,  shpirtin e shndërron me dilërsinë artistike dhe aty fiton arti me vlera të mirëfillta etike dhe estetike. Dora e krijueses shpreh qetësinë, paqen, lirinë dhe shmangie e konfliktit abuziv politik. Në një video të njohur, tashmë të shfaqur edhe në youtube, nën shoqërinë e muzikës, ajo përformon duke krijuar forma reale me proporcione të sakta trupore, dhe kompozicion profesional që gërsheton perspektivën hamëndëse.  Çifti i ulur në ulëse shndërrohet në fytyrë femre. Vetmitari i cili bredh rrugëve, në zjarr. Vejusha shndërrohet në monument, ushtari e vështron përtej dritares, cili përfaqëson panjohuri për vejushën e mjerë. Dukuritë nuk janë dekadente, kanë ekuilibër, harmoni, mesazh moral, zbulim fisnikërues të mirëfilltë estetik, dhe tek njeriu zgjon, valëvitë thellësinë si një flamur dorëzues pranë një skene rrëqethëse. Arti i saj është kryengritje ndaj padrejtësive që janë bërë dhe që vazhdojnë të bëhen. Ajo nuk kundërshton moralizimin, por hipokrizinë dhe është përfaqësuese e artit për art. Bukuria e artit të saj, nëpërmjet imazheve filmike tregon përsosmërinë e kulluar të estetikës morale dhe amorale. Arti ka një thelb të kulluar dhe që pak e hiç nuk kuptohet me ndonjë formë ideore, por me vulgaritet, ekstazë, edhe me vuajtën e gjatë. Publiku në momentin e përformimit të artistes së re, përjetojnë një rrëqethje të brendshme instiktive amorale , por njëkohësisht luftë me moralin. Krejt kjo na vije nën shoqërinë e muzikës, e cila ndërron skenën, kuadrot, dhe krijon lojën e përjetësisë. Një artiste e madhe, e cila arrin ta tronditë botën, dhe të brohorit pa mëshirshëm me artin, duke kujtuar dhe paralajmëruar Evropianët dhe kontinentet tjera, se regjimi Stalinian, ishte një hipokrizi. Derisa dhimbja rrëshqet si një formë natyraliste ose kriter objektiv me pikëpamje morale, e vërteta zgjohet nga pluhuri i kohës konservatore dhe bëhet një reaksion që qel një rrugë të drejtë përparimtare . Format që i krijon në rërë, nuk përplasen stoikisht, dhe nuk qëndrojnë në heshtje ose në qetësi, por historikisht shndërrohen nga njëra formë në tjetrën, duke shprehur karakterin historik  amoral ndaj drejtësive të çoroditura. Teknika me rërë nuk është diçka tejet e re për artin botëror, por zgjimi i abuzimit, trajtimi artistik ku zhvillohet loja në mes dhimbjes dhe durimit, paqes dhe luftës, të bukurës dhe të shëmtuarës, arrin majën dhe spektatorit i jep botën shpirtërore ngase përzien ndjenjën me mendimin. Kështu ndodh edhe në jetën e zakonshme. Prandaj, vërtetësia jetësore është kusht themelor që idetë bëhen estetike. Përfytyrimet e saja, mbresat plot jetë, i jep imagjinata e pasionuar, ngase kjo është forca dhe shtytja me triumfale e artistes. Në mes tragjikes dhe dramës krijon arsyetime filozofike domethënëse të jetës dhe luftës për të fituar e drejta. Koha, mënyra e të jetuarit, harmonia, dashuria, zhurmojnë nëpërmjet rërës, e cila krijon përjetim emocional dhe të gjithëve na bënë poet që na zhyt pas vargjeve të vazhduara. Imazhet janë formalizim figurativ të mbingarkuara figurativisht, drejt një mbivlerësimi të realizmit, kurse nënvlerësim i aktit kohor me përmbajtje hipokrizie. Dhe, për fund, modelimi i botës shpirtërore të artistes reflekton unitetin e anës emocionale dhe intelektuale të pa mësuar nga dikush, por të interpretuara thellësisht vetëm për shpirtin, ose siç kishte me thënë Tarkovski : ” Arti nuk mësohet, se në art nuk ka mësues.”